22 tetor 2018/Elisa Gjerani/Po
Vendimi i ardhur papritur nga Zyra Arsimore Durrës, pikërishtmë 19 tetor 2018, për mbylljen e shkollës 9 vjeçare “Jusuf Puka” dhe zhvendosjen e 450 nxënësve në këtë shkollë drejt një shkolle tjetër, ka bërë që mësuesit e prindërit të gjenden në befasi. Ata janë kundër urdhrit për mbylljen, i cili ka ardhur pa u argumentuar se kur do të ndërtohet një shkollë e re.
Shkolla “Jusuf Puka” është një shkollë që nuk e ka parë dorën e rikonstruksionit prej më shumë se 15 vitesh. Problemet e shumta teknike, e sidomos problemin e tavanit që është i amortizuar, drejtoria e shkollës i ka pasur në fokus të çdo shkrese, drejtuar Bashkisë Durrës.
Megjithatë vendimi i mbylljes ka mbërritur në drejtorinë e shkollës më datë 19 tetor 2018, duke shkaktuar një polemikë të madhe te mësuesit dhe prindërit e kësaj shkolle. Vendimi është marrë për shkak të akt-inspektimit nga grupi i ngritur nga bashkia, ku çdo fillim viti vlerësohet infrastruktura e shkollave të qytetit.
Por koha e paktë në dispozicion që organet kompetente kanë lënë për zhvendosjen, pra vetëm 3 ditë, ka bërë që të krijohet një situatë kaotike, sidomos për prindërit.
“Nuk na kanë lajmëruar se çfarë do të ndodhë pas zhvendosjes së fëmijëve tanë në shkollën tjetër. Jemi shumë konfuzë! A do të bëhet më shkollë këtu, sepse në vendim është folur vetëm për zhvendosjen dhe jo për afatet se kur do të ndërtohet një shkollë e re. Kam frikë se e gjitha kjo është një manierizëm i shëmtuar për të shembur shkollën e vjetër ekzistuese e të ndërtohet pallat”, tha Nertila, prind i një nxënësi në klasën e katërt.
Për zhvendosjen e cila do të ndodhi sot , bordi i prindërve është vënë në dijeni vetëm ditën e premte nga drejtoresha e shkollës.
“Na është vënë shumë pak kohë në dispozicion për të zhvendosur bazën materiale drejt shkollës ‘Bedrie Bebeviqi’ ,por me të marrë vendimin e Zyrës Arsimore direkt kam njoftuar prindërit. Shkolla aktuale është në gjendje të mjerueshme, por edhe shkolla në të cilën kanë vendosur të na zhvendosin ka problematikën e saj, por të paktën është më e sigurtë nga ana e sigurisë teknike”, tha Alda Fico, Drejtoresha e Shkollës “ JusufPuka”.
Në shkollën e re, nxënësit do të ndjekin turnin e dytë dhe kjo për shumë nga prindërit është anormale, pasi nuk kanë një afat kohor se deri kur do të zgjasë kjo situatë.
“Do ta dërgoj vajzën time në një shkollë tjetër, turn i parë, pasi e kam të pamunduar të menaxhoj situatën me punën që kam. Më vjen keq për këtë shkollë, pasi këtu kam studiuar edhe unë, edhe prindërit e mi, meqë e kishim edhe afër shtëpisë. Më vjen keq që do ta kthejnë në një pallat gjigand. Po, po, kështu janë zërat, përaq kohë sa nuk na vënë në dijeni asnjë informacion, ne jemi të detyruar të ngremë teorinë se ku ka zë s’është pa gjë”, tha Suzana, prind në këtë shkollë.
Por e gjitha kjo situatë ka sjellë jo pak shqetësim edhe për stafin pedagogjik të kësaj shkolle.
“Prindërit janë të painformuar, askush s’na ka thënë qoftë edhe një gjysmë fjale për vazhdimësinë e këtij vendimi, ndaj shumica po i largojnë fëmijët drejt shkollave të tjera, pasi kanë pak shpresa se kjo godinë do të bëhet sërish shkollë. Por e gjitha kjo është në dëm të mësuesve, pasi nëse nuk ka fëmijë, atëherë ata do të mbesin pa punë”, vijon Alda, Drejtoresha e Shkollës“Jusuf Puka”.

Drejtoresha e shkollës premton që pasi të mbarojë punë me zhvendosjen e bazës materiale, së bashku me peticionin firmosur nga prindërit do t’i dërgohet me një kërkesë zyrtare Bashkisë Durrës për të kërkuar më tepër informacion se çfarë do të bëhet me këtë ndërtesë.
E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Durrës tha se zërat që qarkullojnë për ndërtimin e një pallati në hapësirën që është aktualisht shkolla nuk janë të vërteta. Përfaqësues nga Bashkia Durrës thanë gjithashtu se shumë shpejt do t’i vihen në dispozicion edhe prindërve afatet kohore se kur shkolla e re do të jetë gati, pasi ashtu siç edhe është botuar në fletoren zyrtare, është marrë vendimi se shkolla “Jusuf Puka” do të ndërtohet nga fillimi. Përfaqëesuesit e Bashkisë Durrës thanë për PortënVendore se ende projekti është në fazën e projektimit dhe shumë shpejt do të hapet tender për të nisur procedura për ndërtimin e shkollës së re. Financimi kap vlerën e 140 milion lekëve dhe do të jetë 30% nga Bashkia Durrës dhe 70% e fondit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Por sërish prindërit janë skeptik deri në zyrtarizimin e këtij njoftimi nga ana e Bashkisë Durrës.