21 Tetor 2018/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Klos
Fillimi i vitit të ri shkollor nisi me të njëjtat probleme në gjimnazin “Shaban Çollaku” të qytetit të Klosit. Bashkia e Klosit qëndroi në pritje të miratimit të financimit të projektit për rikonstruksionin total të godinës nga Ministria e Arsimit, por një gjë e tillë nuk ndodhi gjatë muajve të verës. Pas raportit të ISHP-së për mbyllje, Bashkia Klos hapi thesin e parave për të lyer godinën e gjimnazit.
Edhe këtë vit të ri shkollor, gjimnazistët nisën shkollën duke qëndruar në të njëjtat kushte ashtu si edhe vite më parë, me ambient të palyera, me lagështirë dhe më shumë të çara nga tërmetet e verës.
Një inspektim i ISHP-së, i kryer pak ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor, bëri që të merrej vendimi për mbylljen e shkollës për pesë ditë për shkak të kushteve të rënda higjieno-sanitare të cilat kryesisht ishin krijuar nga prania e lagështirës në shumë klasa. Pas kësaj, nga Bashkia u bë e mundur ndërhyrja në mënyrë të menjëhershme me brigadën e punëtorëve të ndërmarrjes së shërbimeve bashkiake, duke e lyer të gjithë godinën si dhe duke stukuar pjesët e dëmtuara.

“Ne e kemi ngritur shumë herë shqetësimin e amortizimit të godinës së gjimnazit të Klosit në të gjitha institucionet qendrore. Nisur nga problematikat e fundit, ku godina pati probleme me kushtet higjieno-sanitare, që në të vërtetë vinin nga prania e lagështisë që vitin e kaluar, ne reaguam shumë shpejt dhe jo vetëm nuk u bëmë pengesë për bllokimin e procesit mësimor, por në bashkëpunim edhe me Zyrën Arsimore Mat e drejtorinë e shkollës, e realizuam në kohë rekord.

Brigada e specializuar me rreth 30 specialistë arriti që të bëjë lyerjen totale të godinës dhe stukimet e vogla. Por ajo godinë ka nevojë për një rikonstruksion total,që Bashkia e ka të pamundur ta mbulojë nga buxheti i saj. Ne kemi dërguar projektin pranë Ministrisë së Arsimit dhe jemi në pritje të çeljes së fondit. Në momentin e parë që do të hapet fondi, Bashkia do të sigurojë ambiente për gjimnazistët, në mënyrë që procesi mësimor të mos ndërpritet”, tha Basir Çupa, Kryetari i Bashkisë Klos, për Portën Vendore.
Rreth 400 nxënës e mësues i kanë besuar kësaj godine arsimore, e cila është amortizuar ndjeshëm, pasi është ndërtuar shumë dekada më parë.
Problemet më të mëdha të kësaj godine arsimore nisin gjatë vjeshtës dhe dimrit, ku më shumë se në gjysmën e saj, hyn uji për shkak të dëmtimit të tarracës.
Rreth autorit:
Dritan Kurti është gazetar në Burrel.