17 Tetor 2018/ Artin Halili/Porta Vendore/ Pogradec
Prej disa ditësh, qentë endacakë, të pavaksinuar, janë rikthyer rrezikshëm nëpër bulevardet kryesore të qytetit të Pogradecit, duke qëndruar në tufa apo edhe duke u shtrirë në ndonjë cep për të kapur ndonjë rreze dielli. Tashmë, të paktën në 3-4 vitet e fundit, ata janë bërë banorë të zakonshëm të qytetit turistik, të cilët i sheh në qendër, në shëtitore, por edhe përpara bashkisë…
Këto kohë edhe pse vjeshtë, nuk munguan ditët me diell dhe qentë endacakë u rishfaqën. Qytetarët mundohen t’i evitojnë, apo të mos u kalojnë afër, megjithëse shumë prej tyre shprehen se në shumë raste janë rrezikuar seriozisht të sulmohen nga këta qen, sidomos kur bëjnë fizkulturën e mëngjesit, por fatmirësisht kanë shpëtuar paq.
“Janë shumë të rrezikshëm, sidomos kur lëvizin në lukuni”, shprehet një qytetar që shpejton të largohet për shkak të qenve.

Janë të shumtë grupet turistike, të cilët vizitojnë Pogradecin e ku në disa raste, dashur pa dashur janë bërë dëshmitarë të pamjeve të tilla me qen endacakë, të pavaksinuar dhe të rrezikshëm.
Bulevardi “100 hapa drejt Europës” vizitohet jo pak nga turistët, por tanimë ai është kthyer në tokën e qenve endacakë.
Burime pranë spitalit bashkiak në Pogradec bëjnë me dije për Portën Vendore, se mungojnë rastet e sulmeve apo kafshimeve nga qentë endacakë. Por pavarësisht kësaj, kjo nuk e justifikon aspak praninë e tyre në rrugët e qytetit.


Sipas Vladimir Jaçellit, përgjegjës i sektorit veterinar pranë Bashkisë, hapja e kësaj qendre ishte mëse e nevojshme për shkak se numri i qenve ishte shtuar shumë në qytet dhe ishin bërë shqetësues.
“Bashkia në bashkëpunim me sektorin tonë vendosi hapjen e kësaj godine për strehimin e kafshëve. Ne i kapim ata në qytet nëpërmjet një punëtori që kemi kontraktuar dhe më pas i transferojmë këtu, e më andej bëjmë trajtimin e tyre, duke i ushqyer apo edhe vaksinuar e sterilizuar në mënyrë që të mos jenë agresivë”, tha zoti Jaçelli.
“Nuk themi se kemi krijuar kushtet më të mira të mundshme, por ama kemi hedhur një hap konkret mbi mënyrën se si ne duam të kemi një qasje tjetër ndaj trajtimit të kafshëve të rrugës dhe jo si dikur që vriteshin me çifte apo helmoheshin me pesticide. Godina ku i kemi strehuar nuk është me kushte komode, por ne jemi duke punuar që t’i përmirësojmë ato duke parashikuar që në të ardhmen të alokojmë një fond të posaçëm për rikonstruksion të ambienteve. Dua t’ju kujtoj se të mbash mbi 50-60 qen me ushqim çdo ditë ka një kosto të madhe për Bashkinë”, sqaron Vladimir Jaçelli.

E megjithatë kjo nuk cilësohet si zgjidhje përfundimtare nga punonjësit e sektorit veterinar, të cilët thonë se duhen më tepër para që të mbahet kjo qendër apo edhe të modernizohet më tej, pasi në kushtet që ndodhet është totalisht jo funksionale dhe e gabuar si metodë.
Numri më i madh i këtyre qenve endacakë vjen nga zonat rurale përreth Pogradecit, shumë prej tyre lëshohen nga pronarët dhe sidomos në kohën e çiftëzimit ata shtohen pa masë. Por ka disa vite që qytetarët çojnë edhe ankesa në bashki, se ka edhe persona të papërgjeshëm që vijnë dhe shkarkojnë kamionçina me qen, zakonisht pas mesnate apo në orët e mëngjesit. Dy janë zonat në Pogradec ku qytetarët apo edhe punonjësit e pastrimit të natës, kanë parë të ndodhë ky fenomen. E para tek “ Maji” në shëtitore dhe tjetra në aksin nacional pranë Varrezave të Dëshmorëve.
Diçka e tillë është parë edhe ditët e fundit, ku kamionçina me qen që vijnë nga Maliqi dhe Korça bëjnë shkarkimin e tyre në Pogradec. Por pavarësisht denoncimeve apo raportimeve, Bashkia Pogradec nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për verifikimin dhe marrjen e masave mbi këtë çështje. Sot pavarësisht se Bashkia Pogradec është e vetmja në qark që vite më parë ka ngritur një strehë për qentë, ajo nuk i ka dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi, pasi kapacitetet e qendrës janë shumë të vogla dhe prania e qenve të tjerë endacakë nëpër rrugët e qytetit liqenor është shumë e madhe.
Rreth autorit:
Artin Halili është gazetar në Tv Sot 7, në qytetin e Pogradecit.