15 Tetor 2018/ Esmeralda Keta/Elisa Gjerani/Porta Vendore/ Tiranë
Në kryeqytet operojnë 15 linja të transportin urban, duke e shtuar me 3, numrin e linjave nga viti 2016, ku kishte vetëm 12. Por megjithë përpjekjet dhe zgjatimin e këtyre linjave të autobusëve nga pushteti vendor, sërish kushtet e standardet për disa prej tyre, lënë për të dëshiruar. Sipas një vëzhgimi 3 mujor të kryer nga Porta Vendore, situata paraqitet me probleme më të mëdha në linjat që shkojnë deri në periferi të Tiranës, por problem për qytetarët gjithashtu mbeten oraret të cilat nuk respektohen, fluksi i udhëtarëve dhe mosndezja e kondicionerëve.
Pas reformës territoriale të vitit 2015, Tirana shtriu më shumë juridiksionin e saj territorial, duke përfshirë edhe shumë zona të tjera, të cilat njiheshin si komuna, para reformës territoriale. Gjatë kësaj kohë shumë gjëra kanë ndryshuar në kryeqytet e periferi ku ka pasur investime të ndryshme, por çështja e transporti turban, megjithëse e përmirësuar ndër vite, ende rezulton me probleme, sidomos për qytetarët të cilët e frekuentojnë më shpesh transportin urban.
Megjithatë, kur rriti me 33.3% çmimin e biletës së urbanit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, premtoi transformim radikal të këtij shërbimi të amortizuar në kryeqytet. “Mbulimi i gjithë territorit me linja urbane, shtimi i flotës së autobusëve dhe korsive të dedikuara, aplikimi i sistemit të pikëzimit për çdo operator që ofron shërbimin në treg, si dhe përdorimi i teknologjisë së GPS, që të dimë ekzaktësisht shpejtësinë me të cilën po ecën, vendndodhjen, nëse ka trafik apo nëse një kompani ecën ngadalë për të mbledhur më shumë pasagjerë, janë disa nga masat që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë për përmirësimin e shërbimit të transportit publik në Tiranë”, deklaroi në fillim të shkurtit 2017-ë kryebashkiakuVeliaj.
E si për të vërtetuar se bashkia nuk do të lejonte abuzime me çmimin në këmbim të cilësisë, Veliaj publikoi një listë me 10 kushte që duhet të plotësonin operatorët privatë, si dhe përgjatë vitit 2017 udhëtoi disa herë me urbanë nga ku lëshoi deklarata “kërcënuese” për operatorët privatë nëse nuk përmbushnin kushtet.
Por në realitet duket se gjërat kanë ndryshuar shumë pak. Transporti urban në Tiranë vazhdon të jetë një “hall” për të gjithë ata që janë të detyruar që të lëvizin me të.
Transportit publik në Tiranë
Sipas vëzhgimit të kryer nga Porta Vendore, në asnjë stacion nuk janë të publikuara oraret se kur kalon autobusi, duke e bërë jo transparent procesin dhe duke shkaktuar konfuzion tek ata njerëz ose turistë, të cilët nuk e njohin qytetin. Disa linja në kryeqytet, sidomos ato që përshkojnë një itinerar të gjatë, kanë mbingarkesë në pasagjerë dhe janë shumë të rrallë.
Pavarësisht se kapaciteti i lejueshëm në një autobus shkon deri në 50-60 vende, shpesh ka raste kur ky autobus e tejkalon numrin, pothuajse me dyfish.
Ndërkohë,në shumë stacione janë vetëm shenjat e “bus” në rrugë, por nuk ka një vendndodhje komode për të qëndruar mosha e tretë ose gratë me fëmijë, siç mund të ishte një strehë dhe vendosja e një stoli.
Linja e Unazës është një nga linjat më të njohura në kryeqytet. Por, mosvendosja e orareve e ka bërë këtë linjë aq problematike, sa ndonjëherë vijnë nga dy autobusë bashkë, ndonjëherë duhet të presësh mbi 20 minuta që të vijë një autobus, i cili është i tejmbushur. Madje, veç faktit se autobusët mund të jenë të tejmbushur, disa herë ndodh që shoferët të manovrojnë dhe të ecin sikur po drejtojnë një motoçikletë dhe jo autobus me 40 veta brenda. Gjithsesi, kondicionerët janë pothuajse gjatë gjithë kohës ndezur dhe biletat jepen në mënyrë të rregullt.
Linja e Kasharit shquhet për vonesat që ka, madje ato janë nga 30 minuta deri në 1 orë. Ndërsa kondicionerët ndizen vetëm atëherë kur është në humor shoferi, qoftë në të ngrohtë e qoftë në të ftohtë. Landit, thuajse çdo ditë i duhet të marrë urbanin për të shkuar në punë. “Nga do që t’ia nis. Shërbimi urban është skandaloz. Vonohen, nuk vijnë asnjëherë në orar, nuk kanë asnjë shërbim, kondicionerët nuk i ndezin kurrë, faturinot a thua se janë padronë të autobusit dhe madje acarohen kur u kërkon biletën”, thotë ai, i cili frekuenton thuajse të gjitha linjat. Landi bën pjesë në kategorinë e atyre klientëve që janë të informuar për detyrimet që kanë operatorët privatë kundrejt qytetarëve dhe nuk kanë munguar as incidentet kur ai u ka kërkuar të respektojnë këto detyrime. “Në pikun e verës plasje në autobus. Në një nga linjat nuk durova dot dhe nuk pranova të paguaj biletën nëse shoferi nuk ndizte kondicionerin. U zura keqas me faturinon, por unë nuk pranova të paguaj”, na tregon Landi, i cili shton që gjithsesi as kondicieneri nuk u ndez e as lekët nuk ua ktheu faturino.

Linja Uzina Dinamo e Re–Sharrë,megjithëse një nga linjat e shpeshta, sërish nuk ka gjetur një zgjidhje për temperaturat e larta dhe të ulëta. Gjatë vëzhgimit që Porta Vendore bëri në disa prej autobusëve në muajt gusht dhe shtator, qytetarët ishin gati duke u rënë të fikët, sepse vetëm një pjesë e vogël e autobusëve të kësaj linje e disponojnë kondicionerin. “Është e vërtetë që është shumë vapë dhe kur e kemi kondicionerin në rregull e ndezim gjithmonë. Nuk është që e kursejmë, por ama ka një javë që është prishur dhe nuk po e rregullojnë më idenë se ja erdhi dimri tani, nuk ka më vapë. Përsa i përket pasagjerëve,ata të drejtë kanë, por fundja 10 minuta qëndrojnë në autobus sepse të rrallë janë ata që durojnë disa stacione. Por neve që rrimë 10 orë këtu, si t’ia bëjmë?”, tha një prej shoferëve të kësaj linje. Shumë prej shoferëve të linjave janë të urdhëruar që edhe në momentet që punojnë, kondicionerët të mos ndizen, pasi harxhojnë karburant, ndaj zgjidhja e vetme është hapja e dritareve.
Linja Kombinat-Kinostudio mund të konsiderohet një nga linjat më të rregullta në Tiranë, ku pothuajse çdo autobus është i pajisur me kondicioner dhe vjen në stacion sipas një itinerari të përcaktuar. I vetmi shqetësim për këtë linjë mbetet mbingarkesa, pasi gjithmonë autobusët e kësaj linje janë të tejmbushur.
Linja Selitë–Kristal–Qendër–Stacioni i Trenit–Allias, e cila kryesisht është një linjë me një itinerar të ri, ka qenë e miratuar “Qendër–Kristal–Qendër”, por e pa licencuar ndonjëherë nga Bashkia Tiranë. Linja është operuar nga linja rreth-qytetëse, e licencuar nga Ish–Komuna Farkë, pa standarde dhe me autobusë të vjetër. Tashmë kjo linjë përfshin dhe zonën e Selitës nga njëra anë, dhe shkon deri në Allias. Ndërsa linja e Tufinës është zgjatur deri në afërsi të Rrugës së Arbrit. Venka është një zonjë tek të 50-ta me aftësi të kufizuar, të cilës i ndodh rrallë të dali nga shtëpia e të lëvizë me autobus, por që përdor pikërisht këtë linjë. “Kjo linjë sipas meje ka nevojë urgjente për ndërhyrje. Rrugët janë më gropa, autobusi që qëndron plot gjatë të gjithë ditës. Jemi si në xhungël. Një ditë jam zënë më një nga shoferët, sepse nuk hapte derën e parë, megjithëse e pa që jam një person më aftësi të kufizuar. Sjellja e shoferëve dhe faturinove është histori tjetër”, tregon Venka për Portën Vendore.
Një tjetër linjë problematike , e cila nuk e gjen dot balancën me freskun dhe vapën është ajo e Tiranës së Re, pasi edhe kur ekziston kondicioneri dhe funksionon, ai është gjysmak. Por kjo linjë duhet thënë se ka autobusë të shpeshtë që vijnë sipas një itinerari të caktuar. Një faturino, i pyetur nga Porta Vendore tha se me kalimin e kohëve edhe kondicionerët amortizohen, i duhen ndërruar filtrat që të mund të freskojnë.
Për shumë qytetarë, transporti urban është më ekonomik, pasi megjithëse çmimet janë shtuar për bileta e abone, prapë është një zgjidhje me leverdi.
“Te Linja e Saukut, por edhe në linja të tjera më ka ndodhur shpesh gjatë ditës të shoh shoferë të dehur, që desh kanë marrë në qafë gjithë autobusin. Nuk di ç’të të them. A s’ka kontroll këtu, në këtë vend? Frenojnë si të çmendur”, tregon një tjetër qytetare, të cilën e takojmë, gjatë vëzhgimit tonë, duke u kthyer nga linja aq shumë e kërkuar e autobusëve “TEG-Sauk-Qendër”.
Por ka edhe qytetarë të cilëve transporti urban i duket një zgjidhje e mirë dhe ekonomike. “Po me gjithë këtë trafik që ka Tiranë, nuk mund t’ia dalësh ndryshe. Mendoj se ka përmirësim, ka një shtim të linjave kohëve të fundit dhe zgjatim të linjave ekzistuese, duke shtuar stacione në pikat fundore të qytetit. Sigurisht që linjat e reja janë më të mira, por krahasuar me çfarë ka qenë jemi në hapa të sigurtë”, thotë Oralda.
Por për ata të cilët jetojnë në periferi të Tiranës, koha që duhet të shpenzojnë për të shkuar në një destinacion është e konsiderueshme dhe ka të bëjë me një sërë peripecish për të mbërritur në anën tjetër të qytetit .

Ndërsa për Genin nga Zall Herri, situata e autobusëve është në gjendje të rrënuar. Itinerari që ai duhet të ndjekë për çdo ditë është i tillë: Me furgon deri te njësia administrative ose në këmbë sipas mundësisë, më pas do të marrë autobusin e linjës deri në Bathore dhe pastaj atë të Kamzës deri në qendër të Tiranës dhe anasjelltas.
“Tek ne janë ato autobusët jeshilë të vegjël që ka pasur unaza, që nuk e di si e kalojnë kontrollin teknik. Janë bërë objekt të portaleve disa herë, p.sh frena të lidhura me llastiqe, gazi i lidhur me llastiqe, të ndotur, të rrjepur, të thyer, se sa për ajër të kondicionuar dhe aspirim nuk bëhet fjalë. Autobusët nisen çdo 30 min nga stacioni te njësia administrative deri te kthesa e Bathores, megjithëse licencën e ka të na çojë deri në qendër por nuk e zbaton. Ka raste që këto mjete mbushen jashtë çdo kapaciteti duke ecur dhe me dyer hapur, jashtë çdo parametri sigurie, kjo në kohën kur fillon shkolla, por dhe në mëngjes ose në darkë, kur ka më shumë fluks njerëzish” tha ai.
Bashkia Tiranë
Një pjesë e mirë e linjave ekzistuese janë zgjatur për t’i dhënë akses edhe banorëve të tjerë të Tiranës, teksa pritet që Bashkia Tiranë brenda vitit 2018 të bëjë edhe një sërë ndryshimesh të tjera në shërbimin e transportit urban, siç është zgjatimi i linjës së Kopshtit Zoologjik që të çon në zonën e Kodrës së Diellit.
Linjat që operojnë aktualisht në transportin publik qytetas në Tiranë të miratuara me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë Nr. 39, datë 23.05.2016 (i ndryshuar), janë si më poshtë:
Porta Vendore iu drejtua Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion për performancën e linjave të autobusëve që operojnë në kryeqytet si dhe masat e ndërmarra nga bashkia: Në përgjigjen e saj Bashkia Tiranë thotë se: për rritjen e performancës së shërbimit në linjat qytetëse ka dy vite që ka nisur procesin e rritjes së cilësisë së shërbimit të transportit publik të udhëtarëve, duke pësuar ndryshime të mëdha në zgjatimin e linjave aktuale, shtim të linjave të reja, shtrirje më të gjerë mbulimi me shërbimin e transportit qytetës në zona që kanë marrë zhvillim vitet e fundit.
Sipas Bashkisë Tiranë, të gjitha linjat si ato përreth qendrës, por edhe ato që përfundojnë në periferi plotësojnë të njëjtat standarde për sa i përket kushteve të shërbimit (kapaciteti, komoditeti, frekuenca, platforma e sheshtë, etj.), duke shtuar se mjetet e transportit qytetës brenda vitit 2018 do të arrijnë në 309 mjete, nga 208 mjete të certifikuara në fillim të vitit 2016. Gjithashtu ky shtim mjetesh do të shoqërohet dhe me një rritje të kapacitetit mbartës, nëpërmjet shtimit të mjeteve firzamonikë, kryesisht në linjat Unazë, Tirana e Re, Institut, Kombinat – Kinostudio, etj.
Ankesat për mosndezje të kondicionerit ka qenë edhe ankesa kryesore e kësaj vere të mbërritur në aplikacionin “Tirana Ime”.
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, i cili ndjek në terren të gjitha denoncimet që vijnë, vetëm në muajt qershor-korrik 2018 janë vendosur 98 gjoba ndaj operatorëve të ofrimit të transportit urban. Në krye të listës qëndron mosndezja e kondicionerëve, më pas janë vonesat si dhe pastërtia. Madje sipas statistikave të Agjensisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, rezulton se linja më problematike, me më shumë masa të marra gjatë muajt Korrik është linja e “Ish Kombinati i Autotraktorëve – Institut”.

Në shkurt të 2018-ës Bashkia e Tiranës njoftoi një aksion të nisur prej saj për monitorimin e zbatimit të kushteve të vendosura prej saj për operatorët e transportit urban qytetas. Nga verifikimi në terren u konstatuan shkelje thuajse në të gjitha linjat e monitoruara dhe më konkretisht: mosrespektim të frekuencave në stacionet e autobusëve, vonesa në lëvizjen e autobusëve, probleme me sistemet e ngrohjes të mjeteve, si dhe probleme të tjera që lidhen me dëmtime brenda mjeteve.
Si pasojë asokohe, Bashkia Tiranë, njoftoi vendosjen e 18 gjobave dhe largimin nga detyra të dy punonjësve të Linjës së Unazës dhe Linjës së Sharrës, për sjellje të keqe me qytetarët.
Ekspertët: Monitorim për linjat problematike
Për Gëzim Hoxhën, ekspert i sigurisë rrugore, transporti publik në Tiranë është në gjendje të mjerueshme dhe cenon sigurinë e qytetarëve.
“Problemi i parë fillon që nga mosha e automjeteve. Automjetet kur të vijnë në Shqipëri nuk duhet të jenë përdorur më shumë se sa 5 vjet në vendet nga vijnë, jo siç ndodh tani që janë përdorur për 25 vite në Francë ta zëmë dhe i sjellin këtu tek ne si mjete të reja. Ai e ka mbaruar ciklin e vet”, – na shpjegon Hoxha. Sipas tij ka pasur edhe raste që në vendin tonë janë futur automjete të projektuar si kamionë që më pas kanë ndryshuar destinacion dhe janë përshtatur në autobusë. ” Të ka ndodhur ndonjëherë që të hipësh në urban dhe ai ka disa dridhje të çuditshme?E pra kjo ndodh se ai mund të jetë një mjet i përshtatur si autobus dhe si pasojë ai ka mungesë amortizimi, mungesë stabiliteti dhe mungesë të rakordimit të xhirove të motorit me pjesët e tjera mekanike. Si pasojë jep ato dridhjet e çuditshme që përfundojnë direkt e në tru. Dhe kur ti zbret nga urbani ndihesh si i trullosur. Po sigurisht që do ndihesh trullosur sepse ke ngrenë gjithë ato goditje”- na shpjegon Hoxha.
Sipas tij,Bashkia duhet të nxjerrë një vendim që të vendosë një temperaturë standard. “Nuk ka e ndezi apo nuk e ndezi kondicionerin. Me anë të një vendimi të këshillit bashkiak përcaktohet temperatura standard që duhet të ketë urbani, ta zëmë 24 gradë celcius dhe nuk duhet të këtë më ankesa për këtë”, – shpjegon Hoxha.
Sipas tij urbanët duhen automatizuar duke vendosur në të kasa për timbrimin e biletës, që do të shmangte edhe vjedhjet që u bëjnë faturinot dhe aplikimin e testit të alkoolit për drejtuesit. “Është një pajisje që e përdorin thuajse në të gjithë vendet e BE-së. Vendoset në hyrje të autobusit dhe shoferi që merr turnin bën testin e alkoolit dhe rezultatet shkojnë on-line tek qendra e kompanisë. Ndërkohë që vendosja e kamerave do të ishte ndihmesë edhe për vetë operatorët sepse faturinot dhe shoferi u vjedhin një pjesë të mirë të biletave”, – tha Hoxha.
Gëzim Hoxha është skeptik edhe sa i përket sjelljes së shoferëve. “E çfarë mund të presësh nga një shofer që e ka automjetin plot dhe ndërkohë flet në telefon? Duhet të ketë rregulla më strikte, ndërkohë që unë këmbëngul që çdo drejtues urbani duhet të bëjë testin e alkoolit përpara se të marrë turnin e radhës, pasi ai ka në dorë jetën e qindra personave çdo ditë” – përfundon Hoxha.
Edhe për Besart Kadinë, ekspert i ekonomisë, rritja e çmimit të biletës nuk ka dhënë efektet e premtuara. “Jo vetëm që nuk ka përmirësim, por madje në disa linja ka edhe përkeqësim. Konkretisht linja e Porcelanit, e cila që prej më shumë se një viti është zgjatur, por vazhdonte funksionojë me të njëjtin numër automjetesh. Nëse më parë shkonte deri tek ISHP, tashmë i janë shtuar disa stacione,dhe ngjitet deri tek Fresku, por nuk është shtuar numri i urbanëve që lëvizin në këtë linjë”, – shpjegon Kadia.

Sipas tij, as logjika e rritjes së çmimit të biletës për shkak të kostove nuk qëndron, pasi që prej marrjes së vendimit, “çmimi i naftës ka rënë por nuk është reflektuar në përmirësim të kushteve të urbanëve që funksionojnë në Tiranë”, shpjegon Kadia.
Teksa jep edhe alternativën se si duhet të funksiononte ky shërbim, Kadia shpjegon se aktualisht urbanët janë kthyer në ndotës të mëdhenj të mjedisit.“Ky shërbim duhet transformuar rrënjësisht. Mjetet që janë në qarkullim, sidomos autobusët e mëdhenj fizarmonikë, janë të papërshtatshëm për rrugët e Tiranës si dhe janë shkaktarë të trafikut. Urbanët e mëdhenj kanë kosto më të larta dhe nuk janë cilësorë. Përkundër kësaj duhet të krijohen linjat me autobusë të vegjël, që lëvizin shpesh, kanë më pak kapacitet në njerëz por edhe kostot i kanë më të vogla” sugjeron Kadia.
Shoqëria civile vs transporti urban
Kërkesa për vendosjen e numrit të ID, të çdo personi që do të përdorte abonenë në transportin publik në kryeqytet, përfshiu në një betejë të vërtetë ligjore Qendrën “Konsumatori Shqiptar” dhe Ministrinë e Energjetikës. Ersida Teliti, drejtoreshë ekzekutive e qendrës “Konsumatorit Shqiptar”, shprehet për “Porta Vendore” se gjatë qershorit pranë kësaj organizate mbërritën disa ankesa nga konsumatorë që refuzonin të shënonin ID personale në abone,duke e konsideruar si cenim të privatësisë. “Në rastin konkret, kërkesat e vendosura në Udhëzimin nr. 436, datë 09.05.2018, ishin të tepërta dhe njëkohësisht tejkalonin qëllimin për të cilin do të përdoren, duke shkelur kështu të drejtën e pasagjerëve për mbrojtjen e të dhënave personale të tyre (ku përfshihen nr. i ID-së, fotografia personale, etj). Ne i kërkuam Ministrisë së Energjetikës që të na vinte në dispozicion të gjithë praktikën sesi do të monitoronte mënyrën e re të funksionimit të abonesë si dhe heqjen e kriterit të nr të ID mbi abone”, tregoi Teliti. Po ashtu, ajo thotë se fillimisht janë hasur me refuzime për ndryshim të kritereve nga ministria e Energjetikës.“Me tej vazhduam ankimin sërish tek Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe tek Avokati i Popullit. Dhe vetëm pas ndërhyrjes së tyre dhe këmbënguljes tonë, u arrit që më në fund Ministria e Energjetikës të tërhiqej nga vendimi për vendosjen e numrit të ID mbi abone. Madje Ministria na sqaroi edhe mënyrën se si do të përpunoheshin këto të dhëna personale. Dhe sigurisht që ky ishte vendimi i duhur”, sqaron Ersida Teliti.
Shoqata e Transportit Urban
Ndërsa Shoqata e Transportit Urban e shikon krejt ndryshe këtë situatë. Për ta me këtë çmim bilete nuk mund të pritet që shërbimi i transportit urban të mos ketë asnjë problem. “Në Shqipëri udhëtarët paguajnë biletën më të ulët, krahasuar edhe me vendet e rajonit”, shpjegon Kujtim Hashorva, drejtor Teknik i Shoqatës së Transportit. Ndërkohë, operatorëve të transportit u ngarkohen edhe kosto ekstra nga ana e shtetit. “Ta zëmë operatorët nuk janë kompensuar asnjëherë përreth 160 mijë invalidë, veteranë apo persona me status të veçantë që udhëtojnë falas. Bëhet fjalë për miliarda lekë që nuk janë marrë asnjëherë, ndërkohë qëkur ne aplikuam rritjen e çmimit të biletës, nafta është rritur disa herë çmimi. Shpenzimet për karburantin zënë 60 % të të gjithë shpenzimeve që kanë operatorët”, shpjegon Hashorva .
Pyetjes së “Portës Vendore” se qytetarët nuk kanë pse i paguajnë kostot që kanë operatorët që ofrojnë shërbimin urban, por kërkojnë cilësi, siç iu premtua pas rritjes së çmimit të biletës, Hashorva përgjigjet se operatorët bëjnë më të mirën. “Me këtë çmim që ka bileta dhe me këto borxhe që na ka shteti nuk mund të pretendohet një super shërbim”. Sipas tij është kjo arsyeja që shoqata kërkon vazhdimisht rritjen e çmimit të biletës.

“Për ne çmimi i biletës duhet të ishte 100 lekë, që të mund të përballojmë të gjitha kostot që ka shërbimi urban. Kostot janë rritur, shpeshtësia e lëvizjes është rritur, karburanti është rritur, çdo ditë udhëtojnë qindra mijëra persona pa biletë pasi bëjnë pjesë në kategoritë që udhëtojnë falas, ndaj ose të rritet çmimi ose shteti të rimbursojë kategoritë që shteti mendon se kanë nevojë për mbështetje sociale dhe jo ta bëjë këtë në kurrizin tonë”, na shpjegon Hashorva.
Sa i përket aplikimit të biletës për fëmijët Hashorva shpjegon “se ai është një vendim i kohës së Adil Çarçanit dhe operatorët thjesht po kërkojnë që të aplikohet një ligj që është në fuqi. Nëse shteti ka dëshirë le të ndërhyjë me politika sociale”, përfundon Hashorva.
Gjithsesi, derisa të gjendet një zgjidhje, qytetarët do të vijojnë të mbajnë mbi supe këto përplasje me operatorëve që veprojnë në kryeqytet dhe përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, me shpresën që çmimet mos t’u rriten herë pas here, duke mos u ofruar përmirësim të kushteve të udhëtimit.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.