Ndodhi

Djegia e hapur e mbetjeve, një gangrenë për Kuçovën

11 Tetor 2018/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Kuçovë

Teksa situata e mbetjeve urbane është kthyer në një gangrenë në të gjithë Shqipërinë, jashtë hartës problematike të qyteteve nuk ka mbetur as Kuçova. Pas reformës territoriale Bashkia Kuçovë ka 3 ish-komuna tanimë në territorin e saj, ku ekzistojnë edhe fushat e grumbullimit të mbetjeve të jashtëligjshme. Për vend-depozitimin në ish “Ferma Partizani” Ministria e Mjedisit kreu një vlerësim ku do të merrte edhe masa për përmirësimin e saj, por megjithëse kanë kaluar 2 muaj, ende nuk ka asnjë shenjë për nisjen nga puna dhe vënien në zbatim të këtij projekti, i cili do të ulte ndjeshëm shkallën e ndotjes në qytet.

Një meso-grua është personi i vetëm që ndodhet në sheshin e depozitimit të mbetjeve urbane në qytetin e Kuçovës. Në mes të pirgut të madh me mbetje të sapo djegura, ku era e keqe ndihet kudo dhe të merr frymën, ajo përpiqet që të fshihet pas një thesi të mbushur me kanaçe. Sapo shikon që është fokusuar në aparat, gruaja largohet me shpejtësi si e zënë në faj, duke mbajtur jo pa vështirësi thesin e rëndë.

“Ja me këto mbaj frymën gjallë për vete dhe fëmijët, pasi s’kemi punë as unë e as burri. Po të kishim punë, nuk do të futesha mes plehrave! Na lini dhe ju rehat mos na nxirrni në fotografi”, thotë gruaja, ndërsa përpiqet që të largohet me shpejtësi.

Sheshi i depozitimit në flakë. Foto: Erjola Azizolli

Sheshit të depozitimit të mbetjeve në Bashkinë e Kuçovës sapo i është vënë flaka dhe ndotja mjedisore që shkaktohet në gjithë zonën është vërtetë shumë e madhe. Sheshi ndodhet krejtësisht i hapur dhe për të pakësuar sasinë e mbetjeve, firma sipërmarrëse e pastrimit të qytetit shpesh i vë flakën. Re tymi duken në ajër, ndërkohë që era e karbonit është e padurueshme.

Vendi i depozitimit të mbetjeve të ngurta ndodhet në ish Fermën “Partizani”, një lagje e cila sot është e  populluar me rreth 750 banorë, të cilët kanë banesat dhe tokat e tyre shumë pranë sheshit të depozitimit. Luani, një burrë rreth të 50-ve është traktoristi i zonës, i cili punon një sipërfaqe toke pak metra larg sheshit të depozitimit. “Qëndrova në kafen në qendër të lagjes sa mbaroi zjarri se nuk durohej era e keqe dhe tani do rifilloj punën për të punuar këtë tokë”, tregon Luani.  Banorët e kësaj zone përfituan tokë nga shteti si ish-punonjës të kësaj ferme, por sipërfaqen që ndodhet më pranë sheshit të depozitimit të mbetjeve, ata e mbjellin ose me ushqim për bagëtitë ose e lënë djerrë, për të shmangur lëvizjet e shumta pranë sheshit të depozitimit.

Tokat e banorëve shumë pranë vendgrumbullimit të mbetjeve urbane. Foto: Erjola Azizolli

“Këtu nuk punohet se të mbyt era e keqe nga plehrat”, thotë traktoristi ndërsa vazhdon punën me shpejtësi për të mbaruar sa më shpejt. Ndotja që shkaktohet nga depozitimi i mbetjeve këtu është si për ajrin, tokën, por dhe ujërat, pasi sheshi ndodhet dhe pranë lumit Devoll.

Problematikën që ka ky shesh depozitimi (një prej dy të tillëve) që ka qyteti naftëtar e pranojnë dhe burime pranë Bashkisë së Kuçovës.

Ndriçim Pirja, nënkryetari  i bashkisë u shpreh për Porta Vendore se të dy sheshet e depozitimit të mbetjeve në këtë qytet janë problematike dhe se zgjidhja e vetme e këtij problemi do të ishte zbatimi i projektit zviceran në nivel qarku për ndërtimin e një landfilli të përbashkët rajonal për pesë bashkitë e qarkut. “Vend-depozitimi i mbetjeve të ngurta urbane në ish Fermën ‘Partizani’ ka një sipërfaqe rreth 27 500 m2, afër shtratit të lumit Devoll, rreth 50 metra nga pika më e afërt.

Vend-depozitimi i dytë, ai i mbetjeve inerte është caktuar në vitin 2000 te gropat e bitumit të ish-UPN (Uzina e Përpunimit të Naftës), sipërfaqja e tyre është rreth 10 000 m2 dhe afërsisht 1-1,5 km larg qendrës së qytetit të Kuçovë”, bëri me dije Pirja.

Bashkia e madhe e Kuçovës, e bashkuar tashmë me tre ish-komuna, ka problematika dhe me vend-depozitime të jashtëligjshme si në: Njësinë Administrative Lumas pranë Urës së fshatit Sheqëz, pranë lumit të Lapardhicës, si dhe në fshatin Pëllumbas, Belesovë dhe Mendrakë, po afër një dege të lumit Lapardhicë.

Djegia e plehrave në sheshin e depozitimit të mbetjeve. Foto: Erjola Azizolli

Bashkia e qytetit dy muaj më parë ngriti një grup pune me qëllim vlerësimin e problematikave të vend-depozitimit në ish-“Ferma Partizani” dhe në bashkëpunim me prefekturën priti zbatimin e nismës ndërmarrë nga ministria e linjës. Nga raporti i vlerësimit u përgatit preventivi për marrjen e masave. Konkretisht u kërkua rrethimi i vend-depozitimit, vendosja e portës metalike, vendosja e një argjinature mbrojtëse ndaj lumit Devoll si dhe sistemim-drenim gazrash. Por, dhe pse kanë kaluar plot dy muaj nga hartimi i këtij plani masash, në terren shihet qartë se nuk është bërë asgjë. Bashkia është në pritje të zbatimit të projektit nga ministria përkatëse, por si zgjidhje përfundimtare të këtij problemi shikon zbatimin e projektit zviceran që do të përfshijë të gjithë qarkun.

“Ne jemi në pritje të zbatimit të kësaj nisme të marrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për rehabilitimin e vend-depozitimit, e cila do të zgjidhte situatën problematike të mbetjeve deri në zbatimin e projektit zviceran në nivel qarku për ndërtimin e një landfilli të përbashkët rajonal për pesë bashkitë e qarkut Berat”, bëri me dije nënkryetari i Bashkisë Kuçovë. Ndërsa Ministria e Mjedisit e pyetur nga Porta Vendore u shpreh se projekti është i plotë dhe i shtrirë në shumë qytete, por ende nuk ka nisur nga zbatimi, duke mos lënë as një afat të përafërt kohor se kur do të zgjidhet ky problem shqetësues për Kuçovën.

Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.