Ndodhi

Kur rinia zgjon jetën kulturore të Kamzës

9 tetor 2018/ Esmeralda Keta/Porta Vendore/ Kamëz

Një shtëpi e braktisur në një lagje periferike të Kamzës është shndërruar në skenën më të pazakontë të komedisë “Vdekja aksidentale e një anarkisti”. Pesë aktorët – gjimnazistë të Kamzës, të gjithë vullnetarë, ia dolën që jo vetëm të mbledhin rreth vetes dhjetëra banorë të zonës, por edhe të japin mesazhe për afrimin drejt artit e kulturës. Ata performuan në një ndërtesë gjysmë të ndërtuar, pasi Bashkia Kamëz nuk lejoi grupimin e të rinjve të jepnin pikërisht këtë shfaqje pranë Pallatit të Kulturës.

Një shtëpi e braktisur si skenë

Në mes të rrugëve të pashtruara e gjithë pluhur, rrugicave që futen e dalin nëpër cepa shtëpish të ndërtuara pa asnjë projekt, duket pak si surrealiste “skena” që kanë zgjedhur të rinjtë e grupimit “ATA” për të shfaqur komedinë klasike “Vdekja aksidentale e një anarkisti” të dramaturgut Dario Fo. Skena, nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse një shtëpi karabina e braktisur.

Gjithçka është sajuar në moment. Energjia elektrike është marrë me një fije kabëll nga shtëpia ngjitur, aq sa për të ndezur foninë dhe një llambë elektrike. Si perde janë përdorur disa copa të zeza. Karriget e vendosura në atë që duhej të ishte oborri i shtëpisë, kanë filluar e mbushen pak e nga pak. Në fillim thjesht nga kurioziteti, por shumë shpejt, fëmijë, adoleshentë e të rritur janë përfshirë nga loja e pesë aktorëve: Klodi Gjonpalaj, Gerta Baçi, Xhesika Leka, Mexhit Balla dhe Mariza Balla.

Banorët e Kamzës duke ndjekur shfaqjen e grupimit ATA. Foto: Esmeralda Keta

Aktori më i ri, Klodi, vetëm 16 vjeç ia ka dalë ta zotërojë shumë mirë, jo vetëm skenën, por edhe rolin. E duket se edhe spektatorët janë bërë njësh me të. Kanë shijuar batutën, lirshmërinë dhe interpretimin e Klodit. “E gjithë lodhja ia vlejti, ia vlejti, ia vlejti”, thotë Klodi, i cili nuk përton të takojë njerëzit që e përgëzojnë sapo zbret nga skena. “Kuptova që njerëzit janë të etur për gjëra të mira, që iu prekin shpirtin, dhe unë besoj se ia arrita kësaj. Dhe në një zonë të harruar e të braktisur si kjo, ku ne dhamë shfaqjen. Jam shumë i gëzuar”, tregon Klodi, për Portën Vendore.

E gjithë kjo pjesë është vënë në skenë në mënyrë vullnetare. Fillimisht grupimi “ATA” ka hapur audicionet nëpër shkollat e mesme të Kamzës, dhe më pas janë përzgjedhur edhe aktorët që vunë në skenë komedinë. “Për mua ka qenë pak e vështirë. Sigurisht që u gëzova që më zgjodhën mua në këtë rol, por ka qenë edhe e lodhshme. Pasi mbaroja mësimin, për një muaj më radhë vija dhe bënim prova deri në tre orë,çdo ditë. Por tani jam shumë i lumtur”, rrëfen me entuziazëm ai.

Klodi, një nga aktorët e shfaqjes “Vdekja aksidentale e një anarkisti”. Foto: Esmeralda Keta

Përplasja me Bashkinë

Zgjedhja e kësaj skene në fakt, ka qenë e detyruar. Diana Malaj, na tregon se pas refuzimit nga Bashkia e Kamzës,“ATA” u detyruan të gjejnë skena alternative. “I kemi kërkuar Bashkisë së Kamzës me anë të disa shkresave, e-mail dhe po ashtu me postë, që ta na lejojë ta vëmë në skenë në ambientet e Pallatit të Kulturës, por ata gjetën mënyra të ndryshme për të mos kthyer një përgjigje. Në këtë situatë, ne vendosëm që me datë 30 shtator ta vinim në“skenë” në oborrin e Teatrit Kombëtar, duke iu bashkuar edhe protestës për shembjen e teatrit, ndërkohë që me 2 tetor gjetëm këtë shtëpinë e braktisur në Kamëz, ku e dhamë për të gjithë banorët e zonës”, sqaron Malaj.

Ndërtesa e braktisur ku u zhvillua shfaqja, në zonën e Kamzës. Foto: Esmeralda Keta

Por Bashkia e Kamzës ka një tjetër variant. Sipas tyre, moskthimi i përgjigjes ka qenë thjesht çështje procedurale.

“Grupimi ATA ka marrë leje për të zhvilluar shumë aktivitete të tjera pranë Pallatit të Kulturës. Dhe kjo është mëse normale, pasi ky institucion kulturor është i të gjithëve, nuk është vetëm i bashkisë. Sa i përket rastit konkret,ka qenë thjesht vonesa procedurale, duke qenë se ky institucion ishte i planifikuar për aktivitete të tjera, dhe duhej gjetur një datë e përshtatshme. Ne, madje jemi të lumtur, kur ka aktivitete kulturore që gjallërojnë jetën e banorëve”, na shpjegojnë burime pranë Bashkisë së Kamzës, duke mohuar që mosvënia në dispozicion e sallës, të ketë jenë e qëllimtë.

Aktivistët thanë gjithashtu për Portën Vendore se kjo  është një ngjarje e përsëritur nga Bashkia Kamëz, pasi nuk morën kurrë përgjigje për tre kërkesat e drejtuara këtij institucioni, përkatësisht kërkesat e datës 3 dhe 6 shtator, drejtuar Kryetarit Xhelal Mziu, si dhe të kërkesës së 6 shtatorit drejtuar Drejtorit të Pllatit të Kulturës.

Kjo pjesë e konsideruar si vepër klasike e shek. XX dhe vënë në skenat italiane për herë të parë në vitin 1970, është përshtatur nga regjisorja Anila Balla për një grup aktorësh të rinj të qytetit. Nisma është ndërmarrë nga grupi i aktivistëve “ATA”, të cilët nën një projekt më të madh që mban titullin “Qyteti i Maskave”, synojnë të angazhojnë të rinjtë në jetën komunitare, nëpërmjet teatrit dhe akteve të tjera performuese.

“Sigurisht që pjesa nuk është zgjedhur pa qëllim, ka plot mesazhe që i përshtaten situatës në të cilën jemi ne”, na thotë regjisorja Anila Balla. “Jam shumë e lumtur që jo vetëm arritëm t’i përcillnim këto mesazhe siç duhet, por edhe u përthithën nga banorët”, shpjegon Balla.

Bahija është një banore e zonës. Sapo dëgjoi tingujt e fonisë që shpuan atmosferën pa jetë të këtij komuniteti, vajza e saj vrapoi të shihte se çfarë bëhej. Bahija, bashkë me vajzën, iu bashkuan grupit që shijuan, si rrallëherë në këtë zonë, një shfaqje modeste teatrore. Por që për ta ishte shumë. “Unë solla vajzën, por u kënaqa edhe vetë shumë. Kaq pak gjëra na duhen, se këtu nuk ndodh asnjëherë asgjë. Edhe fëmijëve iu bën mirë, por edhe ne”, na rrëfen ajo teksa largohej nga shfaqja.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.