Vëzhgim/Analizë

Plehrat mbysin Maqellarën, Bashkia Dibër “ngre duart lart”

8 Tetor 2018/ Sami Curri/Porta Vendore/ Dibër

Pirgjet me plehra të urojnë mirëseardhjen në Maqellarë. Kjo panoramë e shëmtuar të ofrohet që në qendër, aty ku kalon edhe rruga nacionale Peshkopi – Tiranë e më shumë në fshatrat e kësaj njësie administrative. Kjo situatë po kthehet dita ditës në shqetësim serioz për banorët e zonës.

Rrethuar nga fëmijët, kazanët e mbetjeve në hyrje të oborrit të shkollës 9-vjeçare Maqellarë, duket sikur janë po kaq të “lumtur dhe të buzëqeshur” si fëmijët e kësaj shkolle. Të mbushur plot e përplot, mbeturinat janë shpërhapur edhe përqark kontejnerëve, duke krijuar një imazh shumë të keq dhe një burim infeksionesh dhe sëmundjesh për fëmijët që kalojnë një pjesë të madhe të ditës në këtë ambient. Kazanët e mbetjeve të vendosur në hyrje të shkollës janë kthyer në një problem shumë shqetësues si për prindërit ashtu dhe drejtorinë e shkollës. Me anë të një shkresë drejtuar Bashkisë Dibër dhe njësisë administrative Maqellarë, që Porta Vendore disponon, drejtuesit e shkollës kërkojnë që këto kontejnerë të mbetjeve të largohen nga hyrja.

Mbetjet urbane në Maqellarë qendër. Foto: Sami Curri

“Kazanët e hapur, pastrimi rrallë i tyre dhe  shpërndarja e  tyre nga qentë e rrugës, shërbejnë si burim infeksionesh e sëmundjesh të rënda për nxënësit, mësuesit dhe të gjithë komunitetin. Prandaj ne si institucion dhe qendër komunitare kërkojmë largimin e kësaj pike grumbullimi mbeturinash në një vend tjetër”, shkruhet në shkresën që mban firmën e drejtuesit të shkollës Gëzim Qoku. Por edhe pse shkresa është dërguar pak ditë përpara fillimit të vitit shkollor 2018 – 2019, ende Bashkia Dibër nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e këtij problemi.

Përparim Allçiu, specialist i bujqësisë pranë njësisë administrative Maqellarë shprehet se në eksperiencën e tij disavjeçare si punonjës administrate, më parë si komunë e sot si njësi administrative, menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve historikisht ka qenë problem. Sipas Allçiut, aktualisht bëhet tërheqja e mbetjeve nga Bashkia e Dibrës vetëm përgjatë aksit nacional, në qendër të Maqellarës dhe në disa fshatra ku janë vendosur kontejnerët. “Është realisht shumë problem kjo pjesë. Era e rëndë, djegia e mbetjeve që krijojnë një imazh shumë të keq për Maqellarën. Ky problem është mbartur me vite. Edhe në ato fshatra, ku komuniteti është angazhuar vetë në mbledhjen e mbetjeve, ato sërish ose hidhen në tokë të përbashkët ose në shumicën e rasteve pranë përrenjve”, shprehet Allçiu.

Në fshatrat e Maqellarës, situata edhe më e rëndë

Në vëzhgimin tonë në disa prej fshatrave me numrin më të madh të banorëve në Maqellarë, mbetjet janë shoqëruesit në tërë rrugën që përshkojmë, ku bukuria e natyrës dhe njerëzit shumë miqësorë dhe mikpritës nuk e fshehin dot një problem të tillë. Banorët e disa fshatrave kanë zgjedhur një mënyrë të vetën për menaxhimin e mbetjeve, duke punësuar banorë të zonës që me traktorë të bëjnë grumbullimin dhe depozitimin e tyre pranë tokave djerrë, por në shumicën dërrmuese pranë përrenjve.

Në afërsi të shkollës fillore të fshatit  Bllatë e Poshtme digjen dhe hidhen mbeturinat. Jo vetëm mbeturinat që krijohen nga nxënësit e kësaj shkolle, por edhe banorë të zonës që i hedhin mbetjet në hyrje të oborrit të shkollës. Një mësuese që po merrej me grumbullimin dhe me djegien e mbeturinave shprehet se ky proces bëhet pasi nuk kanë se ku t’i depozitojnë. “Ose do t’i mbajmë kapicë këtu, ose do t’i djegim dhe më pas t’i mbulojmë me rërë se rrugë tjetër nuk ka. Këto janë mbeturinat e shkollës, por edhe banorët në disa raste, këtu i hedhin. Kjo është situata, nuk kemi se çfarë të bëjmë”, shprehet ajo, identiteti i së cilës nuk dëshiron që t’i bëhet publik.

Vetëm pak metra nga shkolla fillore e fshatit Bllatë e Poshtme, në një rrugë fshati, rrethuar nga pemët, ngjan tamam si e shtruar me mbeturina, pasi syri të shikon vetëm qese të mbushura me mbetje dhe dy mace që po “inspektojnë” ato se çfarë mbajnë këto qese në brendësi. Përgjatë segmentit të rrugës kryesore që të dërgon në doganën e Bllatës, pika lidhëse me Maqedoninë dhe deri në fundin e fshatit, syri nuk të shikon asnjë kontejner për hedhjen e  mbeturinave.

Në ato pak biznese që gjenden në këtë fshat, kryesisht pika tregtimi ushqimesh dhe tek-tuk ndonjë kafene; pronarët e tyre shprehen se problemi në menaxhimin e mbetjeve në fshatin e tyre, por edhe në tërë Maqellarën është me vite dhe asnjëherë pushteti vendor nuk i ka dhënë zgjidhje këtij problemi. Edhe banorët e pyetur shprehen shumë të shqetësuar për një problem të tillë. “Nëse dikë e ke inat në Maqellarë, apo do që të bësh sherr me të, nuk ke nevojë të bësh llafe, hidhja mbeturinat në oborr dhe i ke hapur shumë punë. Na ka ardhur laku në fyt. Madje, disa i hedhin mbeturinat në afërsi të oborrit të shkollës, aty ku lozin fëmijët”,  shprehet një zonjë, që sa me ironi dhe sa me seriozitet mundohet ta përshkruajë situatën përsa i përket menaxhimit të mbetjeve në fshatin e saj.

“Pagesën e taksës për pastrimin dhe gjelbërimin ia japim bashkisë. Kjo taksë mbahet edhe te personat që trajtohen me ndihmë ekonomike çdo muaj. Pra që bashkia të bëjë pastrimin e mbetjeve. Këtu po ta vësh re me kujdes, nga Maqellara e deri në qendër të fshatit nuk të zë syri një kosh mbeturinash. Ne paguajmë një shërbim që nuk e marrim”, janë fjalët e Ulsi Qokut, banor i fshatit Kllobçisht në njësinë administrative Maqellarë. Kllobçishti është një fshat vetëm 7 minuta larg nga qendra e Maqellarës, njëri nga fshatrat më të mëdha të kësaj njësie administrative

Ulsi Qoku, banor i fshatit Kllobçisht. Foto: Sami Curri

“Ne paguajmë nga 100 lekë për çdo shtëpi, afro 200 ekonomi familjare dhe vjen çdo të diel traktori dhe i hedh diku këtu afër, në përrua”, na tregon Qoku. Por situatës së rënduar me mbetjet nuk i ka shpëtuar as edhe shkolla 9-vjeçare e këtij fshati. Në hyrje të shkollës na pret një grumbull mbetjesh i djegur, tymi kancerogjen që çlirohet nga djegia e mbetjeve depërton edhe në klasat e kësaj shkolle. Mësuesit na tregojnë se sanitarja e shkollës, që paguhet me lekët e nxënësve, paguan një shumë prej 100 lekësh, ashtu si edhe banorët e zonës që mbetjet të merren nga traktori, por që në shumë raste digjen në hyrje të shkollës.

Shkolla 9-vjeçare Maqellarë. Foto: Sami Curri

Në afërsi të një tabele prej druri që do të duhej të shërbente për vendosjen e posterave dhe njoftimeve apo edhe si një kënd informimi për turistët e huaj, përbri, mes erës së rëndë qëndron një grumbull me plehra, jo shumë larg banesave të fshatit dhe përroit. Ramadan Hamzai, banor i fshatit Popinar na tregon se mbetjet dhe menaxhimi i tyre ka qenë problem prej shumë vitesh, por që asnjëherë nuk mori zgjidhje.

Vend depozitimi i mbetjeve në fshatin Popinar. Foto: Sami Curri

Hamzai na tregon se kanë pasur edhe përplasje mes lagjeve të fshatit, sepse askush nuk pranon që ta ketë grumbullin e mbetjeve afër banesës së tij. “Kemi pasur disa vend-hedhje të mbetjeve, por gjithmonë i kemi hedhur ose buzë përrenjve ose në një tokë djerrë. Ere e keqe boll, shpërhapur mbeturinat gjithandej qese – qese. Me këtë projektin që po zbatohet nga Behari sikur jemi vënë pak në lëvizje, është mirë që komuniteti të bëjë shumë më shumë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve që pushteti vendor të bëjë punën që i takon dhe për të cilën paguhet” shprehet Ramadani.

Ramadan Hamzai, banor i fshatit Popinar. Foto: Sami Curri

Në fshatin Popinar dhe Pocest, situata muajt e fundit është bërë edhe më e rëndë, kjo për faktin se një banor i zonës që më parë kundrejt një pagese prej 100 lekësh për familje, me traktor bënte grumbullimin e mbetjeve, nuk e bën më. Mbetjet hidhen grumbuj – grumbuj nëpër fshat dhe u vendosin flakën, duke shkaktuar tymra dhe helme që përhapen në atmosferë.

Po ashtu, banorët e fshatit Fusha e Vogël në njësinë administrative Maqellarë të Dibrës, prej më shumë se 5 vitesh e bënin vetë administrimin e mbetjeve. Një veprim i tillë kryhej nga banorët e këtij fshati që numëron afro 50 familje, por që prej disa javësh nuk kryhet më një gjë e tillë, pasi banori i fshatit të tyre që bënte pastrimin me traktor është larguar në emigrim, duke krijuar një situatë shumë alarmante lidhur me mbledhjen e mbetjeve.

Pushteti vendor “ngre duart lart” përballë një situate të tillë

Duke ju përgjigjur një kërkese për informacion depozituar pranë Bashkisë Dibër, lidhur me këtë problem; bashkia e pranon faktin se në fshatrat e njësisë administrative Maqellarë nuk ofrohet një shërbim i pastrimit të mbetjeve. Bashkia në përgjigjen e saj shkruan se shërbimi i pastrimit të mbetjeve, kryhet vetëm përgjatë rrugës nacionale dhe në disa fshatra afër rrugës ku janë vendosur kontejnerë dhe bën tërheqjen e tyre me makinë teknologjike. “Mungesë në mjete transporti dhe gjendje e amortizuar e mjeteve ne dispozicion, fuqi punëtore e pa mjaftueshme dhe shpenzime të tjera financiare të pa përballueshme”, shkruan Bashkia Dibër në përgjigjen e saj sa i përket mungesës së këtij shërbimi.

Fshati Pocest, Maqellarë. Foto: Sami Curri

Studime mbi mbetjet në Dibër

Sipas një studimi kryer nga ALCDF (Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale) në vitin 2015-të qarku i Dibrës gjeneronte rreth 17,136 tonë në vit. Pjesa më e madhe e mbetjeve në këtë qark gjeneroheshin nga Bashkia e Dibrës (qyteti) me rreth 8,300 tonë mbetje urbane dhe inerte në vit, ose 49% e gjithë sasisë dhe në Maqellarë me afro 2000 tonë në vit.

Po sipas këtij studimi çdo banor në qarkun e Dibrës gjeneron afërsisht 0,6 kg mbeturina në ditë ose 215 kg mbeturina në vit. Kjo shifër në qytetin e Peshkopisë është më e lartë, ajo varion rreth 415 kg mbeturina në vit për çdo banor.

Ndikimi në shëndetin e njeriut nga djegia e mbetjeve

Nga shumë studime në fushën e mjekësisë dhe nga specialistë të fushës, shprehen se procesi i djegies së mbetjeve është shumë i dëmshëm për shkak se liron substanca nga më të rrezikshmet që janë dioksinat, që shfaqin probleme si në sëmundjet respiratore e deri në sëmundjet kanceroze.

Sipas një VKM-je, njësitë e qeverisjes vendore, duke filluar që prej fillimit të vitit 2016-të duhet të kishin filluar diferencimin e mbetjeve që në burim. Por në Dibër një gjë e tillë nuk ka filluar të ndodhë dhe nuk duket dritë në fund të tunelit, se në të ardhmen mund të fillojë një proces i tillë.

Shumica e njësive administrative të Bashkisë Dibër nuk e ofrojnë shërbimin e pastrimit të territorit. Fusha e depozitimit të mbetjeve në Peshkopi është ndërtuar në vitin 2003, ndodhet 2 kilometra larg nga qyteti dhe është planifikuar të jetë funksionale për një periudhë 25-vjeçare, me një kapacitet deri në 1000 tonë mbetje në muaj.

Lidhur me këtë problem, njëri nga banorët e Maqellarës, Behar Dema aplikoi si individ në thirrjen e pestë të Lëviz Albania për zbatimin e projektit për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në “Njësinë Administrative Maqellarë”. Dema shprehet se një lëvizje e tillë vjen për të advokuar tek pushteti vendor, në këtë rast Bashkia Dibër që të bëjë punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit, që është menaxhimi i mbetjeve urbane.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqiza ime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.