Ndodhi

Nisin punimet, nxënësit e shkollës Mengël i kthehen mësimit

4 tetor 2018/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore

Pas disa ditësh protestë, mesditën e të mërkurës nxënësit e fshatit Mengël janë nisur për në shkollë, ndërkohë që bashkia ka vendosur tabelën të shkruar me dorë për fillimin e punimeve në godinën e shkollës nëntëvjeçare të këtij fshati.

Një vendim i Këshillit Bashkiak i 24 shtatorit miraton një fond emergjence prej 700 mijë lekësh dhe bashkia hapi procedurën e përshpejtuar për tenderimin e këtij objekti. Kjo procedurë përfundoi në një kohë të shpejtë dhe ashtu siç ishte lajmëruar, mjetet, punëtorët dhe materialet u transferuan në godinën në rikonstruksion. Sipas bashkisë, kjo do të jetë një ndërhyrje emergjente për përforcimin e trarëve dhe të strukturës mbajtëse dhe do të garantojë sigurinë e fëmijëve brenda godinës. Punimet pritet të përfundojnë brenda tri javësh, kohë në të cilën 210 nxënësit e fshatit Mengël duhet të udhëtojnë në turnin e dytë në një shkollë të qytetit.

Rikontruksioni i shkollës në Mengël. Foto: Bardha Nergjoni

Fillimi i punimeve është parë nga afër nga deputeti Taulant Balla, kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini dhe drejtori i Drejtorisë Arsimore Alqi Cabiri.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë Elbasan ka reaguar një ditë pas protestës së banorëve të fshatit Mengël, që bllokuan edhe rrugën kombëtare për disa orë.

Në komunikimin zyrtar policia njoftoi se janë referuar në prokurori materialet për veprat penale

“Shtyrja e të miturve në krim”, (neni 129) “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullimin e manifestim të paligjshëm”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” për deputetin Luçiano Boçi dhe ndaj disa shtetasve tjerë, të moshës nga 25 deri në 60 vjeç.

Tabela e vendosur nga Bashkia Elbasan para shkollës. Foto: Bardha Nergjoni

Në lidhje me akuzat për dhunë ndaj fëmijëve, në njoftimin për shtyp theksohet se nuk është ushtruar dhunë ndaj asnjërit prej tyre. Në lidhje me djalin që shfaqet më media, policia sqaron se nuk ka dëmtime dhe keqtrajtim nga policia.

Ndërkohë sa i përket akuzave të ngritura nga deputeti i PD Boçi, drejtues të policisë e cilësojnë një tentativë për të përbaltur punën e policisë. “Policia e Elbasanit edhe njëherë shpreh keqardhjen për akuzat e ngritura si dhe përpjekjen e bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, për të përbaltur punën e Policisë me qëllim pengimin në përmbushjen e misionit të saj, atë të shërbimit ndaj qytetarëve, të cilët për disa orë u penguan të qarkullonin në të dy kahet e aksit kombëtar Elbasan – Librazhd”.

Më herët deputeti Boçi pas marrjes në pyetje në polici, deklaroi paditjen e policisë për dhunën e përdorur një ditë më parë gjatë protestës sidomos ndaj fëmijëve.

Padia u depozitua nga deputeti demokrat Luçiano Boçi në mesditë, i cili ishte prezent gjatë gjithë kohës në protestën e nxënësve të shkollës 9-vjeçare dhe prindërve të tyre.

Boçi shprehet se për dhunën e ushtruar ka materiale video, të cilat do të dorëzohen në prokurori për të ndihmuar në hetimin e dhunës në protestë.

Në një dalje të mëvonshme nga selia blu, Boçi publikoi pamje filmike që sipas tij dëshmojnë se policët u sollën si banditë me fëmijët.

Rreth autorit: 

Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.