Ndodhi

Bulqizë, mbetjet inerte hidhen tek varrezat e qytetit

3 tetor  2018/ Sami Curri/ Porta Vendore/ Bulqizë

Kompania që ka fituar tenderin për rikonstruksionin e kopshtit në Lagjen e Re në Bulqizë, mbetjet inerte të dala gjatë punës i depoziton në afërsi të varrezave të qytetit. Pushteti vendor bën një sy qorr e një vesh shurdh, duke u justifikuar duke thënë se aktualisht nuk ka një inspektor në Bashkinë Bulqizë.

Në vëzhgimin disaditor të Portës Vendore, shikohet se kamionçina e kompanisë që po kryen punimet, pasi i ngarkon inertet e dala nga puna i depoziton ato te varrezat e qytetit. Punimet po kryhen nga bashkimi i kompanive ALB-KON SHPK & EGLAND SHPK që kanë marrë një tender prej 16,628,493 lekë nga Bashkia Bulqizë, për rikonstruksionin e një kopshti.

Porta Vendore iu drejtua edhe Bashkisë Bulqizë për rastin në fjalë. Inxhinieri i Mjedisit pranë Bashkisë Bulqizë, Benard Saraçi, në një bisedë telefonike u shpreh se Bashkia Bulqizë nuk ka të miratuar asnjë venddepozitim për mbetjet inerte. “Këtë e ka për detyrë Inspektoriati i Mjedisit. Është detyrë e tyre që të marrin masa për rastin në fjalë. Në Bashkinë Bulqizë për momentin nuk ka asnjë inspektor të tillë”, u shpreh Saraçi.

Kamionçina e kompanive fituese të tenderit, duke u mbush me inerte. Foto: Sami Curri

Porta Vendore iu drejtua edhe Inspektoriatit Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit për rastin në fjalë. Në kthimin e përgjigjes për rastin në fjalë, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, me anë të një shkrese zyrtare deklaron se nga verifikimi i kryer në terren ka rezultuar se këto mbetje janë hedhur pranë varrezave të qytetit nga operatori “Alb-Kon” sh.p.k, mbetjet e depozituara janë krijuar nga rikonstruksioni i kopshtit në Lagjen e Re. “Nga ana e Inspektoriatit Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dega Rajonale Dibër, është marrë masë administrative me paralajmërim dhe rehabilitim të sipërfaqes ku janë depozituar këto mbetje. Operatori ka reaguar në mënyrë të menjëhershme për heqjen dhe pastrimin e zonës ku ishin depozituar këto mbetje, në bashkëpunim me njësinë e qeverisjes vendore”,  shkruan në shkresë.

Kamionçina duke derdhur inertet pranë varrezave të qytetit. Foto: Sami Curri

Në maj të 2018-s, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka deklaruar masa të rrepta për këdo që ndot mjedisin. Madje Klosi u shpreh disa muaj më parë gjithashtu se “Kush hedh mbetje inerte në vende të palicencuara do t’i hiqet leja e ndërtimit.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqiza ime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.