1 tetor 2018/ Artan Rama/ Porta Vendore
#Ngjarje #Vëzhgim
Tre ditë më parë në Landfillin e Sharrës, u zhvillua një dëgjesë publike për inceneratorin e Tiranës nga kompania koncensionare, ku pjesëmarrja dhe argumenti linin shumë për të dëshiruar…
Të parët u larguan përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Ende pa filluar diskutimet, një përfaqësues i tyre theu heshtjen: “Nuk mund t’ju dëgjojmë çfarë do të flisni për inceneratorin, për aq kohë sa qeveria refuzon menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Fill pas kësaj, bashkë me dy të tjerë u nisën drejt portës kryesore. Tri karriget e para u boshatisën. Por seanca dëgjimore për inceneratorin e Tiranës, e organizuar të premten e fundit të shtatorit, nga një kompani koncesionare me kapital të përbashkët shqiptaro-holandez, vijoi sipas programit, dhe me shumë mundësi, në një rrethanë presioni më të lehtë.
Publiku ishte vendosur në hyrje të kantierit, pranë portës kryesore, në një parcelë të rehabilituar rishtas e të mbjellë me plep të bardhë, e nëse nuk do të ishte era e rëndë e dekompozimit, mund të të krijohej fare lehtë ndjesia e rreme e një pjesëmarrje në një udhëtim turistik, që zhvillohej në periferi, rreth kodrave të buta të kryeqytetit. Në të vërtetë, ndodheshim në Landfillin e Sharrës, ku “Integrated Energy BV” po ndërton impiantin më të madh të djegies së mbetjeve urbane në vend.
Në largësi dalloheshin pirgjet me mbetje. Pjesa më e madhe fshihej matanë kodrës, në rrëzë të saj, larg syve të publikut, aty ku dhe kamerat e ftuara (ndonëse të pakta) nuk mund t’i arrinin. Kontenierët që mbërrinin kalonin në një rrugë dytësore dhe zbrazeshin larg syve të të ftuarëve. Qielli ishte i kthjellët dhe në ajër fluturonin grumbuj qesesh plastike, si dhe disa amballazhe të lehta kartoni.
Dëgjesa sapo kishte filluar, kur përfaqësuesit e AKIP u larguan duke e varfëruar edhe më shumë cilësinë e pjesëmarrjes. Lista e të ftuarëve numëronte mbi katërqind përfaqësues ose grupe interesi, por vetëm një pakicë, pothuajse të pallogaritshëm në numër, kishin mbërritur në Sharrë. Mungesa ishte e dukshme, çka rrezikonte shvlerësimin e dëgjesës. Në panelin e prezantimit, përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit, gjithashtu mungonin. Të vetmit përfaqësues të autoritetit shtetëror ishin disa specialistë të Drejtorisë Rajonale Mjedisore të Tiranës, paraqitja e të cilëve, ndonëse një detyrim ligjor, për nga hierarkia nuk ishte në përputhje me rëndësinë e projektit. Madje përfaqësuesi i Bashkisë së Tiranës, entitetit kryesor përfitues të këtij projekti, nuk kishte mbërritur kur filluan diskutimet.
Shumicën e karrigeve plastike e mbushnin vendasit. Disave, impianti i ri u kishte dhënë punë. Të tjerëve, u kishte marrë të vetmen tokë që kishin. Në një vështrim të përgjithshëm nuk ishte e lehtë për të kuptuar se kujt grupi u përkisnin. Fytyrat e tyre ngjanin njësoj të vrara, aq më tepër që në kokë mbanin të njëjtën kapele të bardhë najloni që organizatorët e dëgjesës ua kishin shpërndarë për t’i ruajtur nga një diell i pazakontë shtatori. Ndonëse frynte, era e mbeturinave ishte ende e fortë!
Në fakt e tërë kjo mungesë, mospjesëmarrje ekspertësh e aktivistësh mjedisorë, nuk përkon me jehonën që prej kohësh ka shkaktuar në opinionin publik vendimmarrja për ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Tiranës. Në se ata mungojnë, kush do të flasë? Kush do të veprojë në emër të interesit publik? Kush do të përballet me çështjet, me zhvilluesit? Dhe nga ana tjetër, në se zyrtarët u shmangen ballafaqimeve me publikun, kush tjetër mund ta nxisë transparencën dhe llogaridhënien? Sepse nëse palët mungojnë, është publiku që mungon. Dhe rezistenca bie. Dhe akoma më keq: bie demokracia!

Atëherë çfarë arrijmë përmes mospjesëmarrjes? Në se nuk është dorëzim, a nuk sjell mospjesëmarrja një pasojë të njëjtë?!
Në Sharrë dëgjesa vijonte sipas programit. Kaloi mbi një orë dhe asnjë pyetje, ende asnjë diskutim!
Krahas përfaqësuesve të kompanisë, dëgjohej zukatja e një droni, i cili dokumentonte gjithçka nga lart. Dhe gjithçkaja në sytë e organizatorëve, ndonëse pa përmbajtje, ishte normale… Deri kur, më në fund, një përfaqësues nga biznesi i riciklimit, që rrezikonte të humbiste lëndën e parë për shkak të ndërtimit dhe operimit të këtij impianti, i drejtoi panelit pyetjen e parë. Ekspertët e kompanisë heshtën dhe përgjigjen ia kaluan për kompetencë zyrtarëve, përfaqësuesve të institucioneve. Janë këta të cilët hartojnë dhe drejtojnë politikat e menaxhimit të mbetjeve. Por zyrtarët mungonin, ndaj nuk askush u përgjigj. Ndaj pasoi heshtja. Dhe siç ndodh rëndom, heshtjen e qëllimshme e prish kaosi.
Papritur një burrë i shkurtër bërtiti për miliona euro të shkuara dëm. La karrigen dhe u ngjit në skenë, ngriti duart drejt qiellit dhe filloi të rrotullohej rreth vetes. Organizatorët e larguan, por jo pa vështirësi. Disa banorë, me shumë gjasa humbësit, ata të cilët inceneratori u ka marrë tokën, braktisën karriget plastike dhe mësynë në skenë. Situata po dilte jashtë kontrollit. Në skenë u lëshuan edhe kamerat e televizioneve. Kameramanët, secili për hesap të tyre, tentuan një këndvështrim sa më “strategjik” për teleshikuesit. Mesa ç’duket, zhurma dhe kaosi tërheqin më shumë sesa argumenti, ndonëse ky i fundit i munguar. Ja, dikush shpalosi një pankartë të madhe të bardhë. Dukej si skeleti i një organigrame apo si struktura e një organizate. Kamerat u drejtuan nga ai. Pyeta veten, si arritën ta kuptojnë se ia vlente filmimi! Pastaj dikush përmendi mafien, një tjetër klithi për korrupsionin dhe për ndëshkimin e ardhshëm që nuk do të mungonte, madje se do të vinte shumë shpejt. Por tamam në këtë çast, njeriu me pankartë e braktisi dëgjesën. Ndoshta u largua me disa mbështetës, pasi një pjesë e karrigeve mbetën të boshatisura deri në fund. Po situata nuk u qetësua. Të tjerë banorë lanë karriget dhe u ngjitën në skenë. Në një hapësirë fare të vogël lëviznin aq shumë njerëz sa nuk kuptohej se ku kërkonin të shkonin dhe për çfarë po lëviznin. Dëgjesa kishte mbaruar pa u bërë pyetjet. Zyrtarisht kishte filluar përleshja. Dikush kërkonte tokën, dikush tjetër shpërblimin. Në rrëmujë e sipër, një grua e imët mori dy fëmijët e saj të vegjël dhe u largua me të shpejtë. Kishte mbërritur fundi i komedisë.

Publiku nuk mësoi asgjë më shumë. Dëgjesa, e cila u braktis qysh në fillim, në fund degradoi lehtësisht. Pa dyshim që kjo dëgjesë do të anatemohej nëpër rrjetet sociale nga ata të cilët e braktisën vetë të parët. Jo rrallë, ajo çka nis si një aktivizën shembullor, shpesh, në vend ballafaqimit, pason me një tërheqje e më pas përfundon në një kacafytje virtuale. Në përfundim, ajo i dha mundësi kompanisë për të hedhur një hap më shumë drejt realizimit të këtij projekti kaq të diskutueshëm, të kushtueshëm e kaq shumë strategjik.
Por më keq akoma, heshtja dhe indiferenca e autoriteteve po i shndërron kontratat koncesionare në një kosto të pamerituar për shoqërinë.
Në fund, indiferenca e grupeve të interesit i bën të pavlefshme vetë këto grupe përpara koncesionarëve, të cilët përfitojnë duke shfrytëzuar burimet natyrore pa kufizime.
Ndërsa largohesha, pak përpara daljes, hodha një vështrim të fundit drejt sheshit të dëgjesës. Një pjesë e publikut qëndronte ende e palëvizur në karriget plastike e me kapelet e najlonit mbi kokë. Me shumë gjasa ishin përfituesit, të punësuarit në impiantin më të ri e më të madh të incenerimit në vend.