Ndodhi

Çezmat e gurta të Korçës, bashkia lë në harresë traditën shekullore

25 shtator 2018/Roland Beqiraj/ Porta Vendore/ Korçë

Trashëgimia shumëdimensionale e qytetit të Korçës, reflektuar, qysh prej shekullit të 19-të te sistemi i rregullt urbanistik dhe arkitektura e ndërtesave, kompozuar harmonishëm mbi rrugicat e kalldrëmta, do të ishte e paplotë, nëse pjesë e saj nuk do të ishin edhe çezmat e gurta, që vendasit, për shkak të burimeve që i ushqejnë, i quajnë, çezma dheu. Si një element domethënës i traditës, por më tepër, vlerësuar si një prej gjurmëve të para të urbanizimit të Korçës, jo vetëm që nuk u konsideruan nga vendorët ndër vite, por u lanë të degradohen dhe zhduken njëra pas tjetrës,duke bërë që bashkë me çezmat, Korçës t’i fshihet edhe një pjesë e historisë.

Strukturat e gurit të dëmtuara, portikët dhe zbukurimet të thyera dhe shkarravitura, të mbushura me mbeturina gjithfarëlloj, ku nuk mungojnë as shenjat,që tregojnë se kanë shërbyer edhe si banja publike, është ajo çfarë konstaton sapo të bie rasti të shohësh ato pak çezma që kanë mbetur, përpos faktit, që shumica nuk janë funksionale.

Çezma e Amzës, së bashku me atë të Shetros dhe Papa Llambro Ballamçit, janë çfarë Korça ruan ende, nga më tepër se 13 çezma publike që janë të njohura dhe dokumentuara dy shekuj më parë. Pirro Priftin e takuam teksa kthehej nga kisha. “Diku afër çezmës së Amzës e kam shtëpinë, sepse më tepër se emrat e rrugëve, korçarët sot dhe udhëtarët dje, orientoheshin nëpërmjet vendndodhjes së çezmave. Trishtohem kur shoh, që çezma e Amzës, më e njohura ndër korçare dhe jo vetëm, tani është kthyer në gropë ku grumbullohen plehrat”, shprehet 95-vjeçari.

Çemza e Amzës. Foto: Roland Beqiraj

Bashkia,vijon Pirro Prifti ka bërë shumë investime, por duhet të kthejë sytë edhe nga çezmat, sepse ato janë pjesë e historisë dhe kujtimeve të çdo korçari. Ditët e fundit kam parë punonjësit e bashkisë të ndërhyjnë për riparimin e tubacioneve dhe tani çezma ka ujë të vazhdueshëm, por ja e shikoni edhe vetë, kush mund të pijë ujë në një gropë me aq shumë mbeturina, na pyet ai.

Çezma e Papa Llambros, Korçë . Foto: Roland Beqiraj

Rrugës për te kodrat e qytetit, ndodhet çezma e Shetros, ku vazhdon të rrjedhë, edhe pse i pakët, uji i akullt dhe i qashtër i Moravës. Edhe kjo, si shumica e çezmave, e ka lëfytin afër tokës dhe duke qenë e parrethuar, shuan edhe etjen e kafshëve të rrugës.

“Ndërhyrja për ta restauruar disa vite më parë, e ka tjetërsuar plotësisht, duke e zhbërë, pasi në vend të gurit janë përdorur pllaka, çfarë për ekspertët e fushës, është jashtë çdo logjike urbanistike. Qysh herët qytetërimet janë zhvilluar buzë ujërave”, thotë për Portën Vendore hulumtuesi Erget Cenolli.

Çezma e Arave, Korçë. Foto: Roland Beqiraj

Favorizuar nga pozita gjeografike, rrëzë malit të Moravës, Korça ka pasur burime ujëplotë, që mund të furnizonin qytetin gjithë vitin. Çezmat e Korçës, ku banorët njohin më tepër se 13 të tilla, kanë marrë emrat sipas vendeve ku janë ndërtuar, sipas personit që i ka ndërtuar ose periudhës kur janë ndërtuar.

“Të gjitha çezmat, përveç Çezmave të Reja, ishin ‘çezma dheu’, pra që buronin në atë vend prej qindra vitesh. Uji që rridhte prej tyre, ishte provuar,që kishte ngarkesë mikrobiologjike të dobishme, ishin të ftohta në verë dhe të ngrohta në dimër”,tha hulumtuesi Erget Cenolli.

Prej qindra vitesh vazhdoi e pandërprerë historia e çezmave, për tu zbehur dhe përfunduar në fillim të viteve ‘60, kur kolektivizimi dhe zhvillimet e reja, i nxorën jashtë vëmendjes së qytetarëve, të cilët nuk mblidheshin më si dikur në sheshet para tyre. Gjatë periudhës së komunizmit, një pjesë e tyre u mbrojtën dhe restauruan nga mjeshtrit korçarë të gdhendjes së gurit.

Çezma e Shetros, pas ndërhyrjes jashtë kritereve, Korçë. Foto: Roland Beqiraj

Për qytetarët e Korçës, për të cilët çdo çezmë përfaqëson jo vetëm një element të traditës, por edhe histori personale, është e papranueshme mosndërhyrja e atyre që kanë detyrimin të administrojnë dhe ruajnë edhe vlerat identitare të traditës së qytetit.

Për Bashkinë e Korçës,ende nuk ka ardhur koha, që të ndërhyhet për rehabilitim e plotë të çezmave publike, edhe pse kjo do t’i shtonte atraksionet turistike të qytetit, që mbetet ndër më të preferuarit për vizitorët vendas dhe të huaj, përpos që do të mundësonte rikthimin e një tradite të vyer. I pyetur nga Porta Vendore, për gjendjen e çezmave të gurta dhe mundësinë e rehabilitimit të tyre, nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Thanas Tona, u shpreh se bashkia ka bërë një ndërhyrje kohët e fundit në rrjetin e amortizuar të tubacioneve të çezmës së Amzës, pasi reshjet e rëna gjatë verës rritën ndjeshëm prurjet e burimeve nëntokësore. Kemi planifikuar,që në një kohë të përshtatshme, të lidhim çezmën e Amzës me rrjetin e ujësjellësit,çfarë do të siguronte furnizim me ujë edhe në periudhat kur burimet pakësohen ose shteren. Sa i takon mirëmbajtjes së tyre, punonjësit e pastrimit, janë ngarkuar, që çdo dy ditë, të pastrojnë edhe hapësirat rreth çezmave”, tha Tona.

As gjatë periudhës së komunizmit dhe as sot, kjo lloj trashëgimie, ende nuk ka një status të veçantë, çfarë do t’i garantonte, jo vetëm mbrojtje ligjore, por do të ishte arsye, për të investuar në drejtim të restaurimit dhe promovimit të tyre.

Rreth autorit:
Roland Beqiraj është fotoreporter i Korçës për Tv Klan.