Ndodhi

Kushtet e papërshtatshme, Bashkia Cërrik reagon, mbyll tregun e kafshëve në Gostimë

24 shtator 2018/ Alertnews.al/ Cërrik

Bashkia e Cërrikut ka mbyllur tregun e kafshëve të gjalla të Gostimës, pjesë e njësisë administrative Mollas. Me urdhër të kryetarit të kësaj bashkie, Z.Altin Toska, ky treg nuk funksionon prej pak javësh.

Gjatë monitorimit të kryer ditën e dielë, datë 16 shtator 2018, në kuadër të projektit “Tregjet e kafshëve të gjalla, shkak për cenimin e sigurisë ushqimore”, të mbështetur nga Lëviz Albania.

Tregu i Gostimës, ashtu si dhe tregjet tjera të kafshëve të gjalla, ishte në kushte që nuk plotësonin standardet ligjore të funksionimit të një tregu që garanton shëndetin e kafshëve e për pasojë edhe të njeriut, konsumatorit.

Por, me urdhër të Kryebashkiakut Toska, ky treg është mbyllur. Veterinerët e Bashkisë Cërrik, të mbështetur dhe nga Policia Bashkiake, prej disa të dielash nuk lejojnë asnjë kafshë të futet në këtë treg, ndërkohë që janë njoftuar dhe fermerët apo tregtarët, që nuk do të lejohet më tregtimi i kafshëve të gjalla në atë vend, por secili prej tyre mund t’i drejtohet tregjeve të tjera, siç është ai i Mergelit në Elbasan.

Në muajin qershor, gjatë monitorimit të parë në këtë treg, dhjetëra kafshë lëviznin pa matrikuj e certifikata veterinare, sistemi RUDA, ashtu si dhe në tregjet tjera nuk ekziston, ndërkohë që blegtorët ankoheshin për kushtet, ndërsa e paguanin biletën e hyrjes aty.

Rreth 3 muaj më pas, në kushtet kur asnjë sipërmarrës privat nuk ka shprehur interesin për të investuar në atë treg, që ta kthejë atë me standardet e duhura e që garantojnë edhe sigurinë ushqimore të konsumatorit dhe vetë Bashkia e Cërrikut e ka të pamundur financiarisht të ndërtojë një treg të mirëfilltë, Kryetari Altin Toska ka urdhëruar mbylljen e tij.

Ndërkaq, Nezir Gjoni, Shefi i Shërbimit Veterinar në Bashkinë Cërrik, tha se, ky treg u mbyll pasi nuk plotësonte kushtet. Ndërkohë, Bashkia Cërrik pret fondet për ngritjen e një tregu që plotëson parametrat ligjorë.