23 Shtator 2018/ Erjola Azizolli /Porta Vendore/ Berat
Komuniteti rom në qytetin e Beratit është lënë në harresë nga pushteti vendor. Lagjja në periferi të qytetit, ku komuniteti rom jeton nuk ka parë asnjë investim nga Bashkia Berat, pavarësisht premtimeve elektorale. Romët sot jetojnë mes baltës, plehrave dhe varfërisë, të pashpresë se kjo situatë do të ndryshojë ndonjëherë.
Komuniteti rom nisi të vendosej në periferi të lagjes ’30 Vjetori”, në zonën që të gjithë e njohin si “Ish Pjeshkorja” rreth viteve 1985, kur u vendosën familjet e para, të cilët përbëjnë sot pjesën më të madhe të banorëve që jetojnë në një zonë, që vetëm së fundi synon të dalë nga informaliteti.

Shtëpitë që në rastin më të mirë përbëhen nga dy dhoma, janë shumë të ulëta, të parrethuara dhe ndodhen shumë pranë njëra tjetrës.
Harresa e pushtetit vendor
Mungesa e një kontejneri për hedhjen e plehrave bën që ato të jenë të pranishme kudo. I vetmi kontejner ndodhet në hyrje të lagjes dhe romët i hedhin plehrat ku të mundem, kur askush nuk i heq, ata i vënë flakën.

Për Hekuranin që është një nga banorët më të hershëm të lagjes, jeta këtu ka kaluar mes vuajtjesh, peripecish dhe neglizhencës totale të institucioneve lokale, po aq dhe diskriminimit nga pushteti vendor.
“Askush nuk na përfill, pasi jemi romë dhe askush nuk na hap derën për të na dëgjuar. Djemtë gjejnë punë ku të munden për të mbledhur kanaçe në Tiranë, Durrës, kur nuk ka shumë punë vijnë dhe në shtëpi”, shprehet Hekuran Zerellari.

Për Rovenën 26-vjeçaren rome, bashkia nuk ekziston. Ajo tregon se ka shkuar shpesh aty, por është kthyer në shtëpi pa asnjë zgjidhje.
“Burri mbledh kanaçe ku të mundë, të tjerët shesin rroba, por s’na ka mbajtur koha, më shumë pa punë se sa me punë”, tregon e reja. Emergjencat e saj janë një banesë sociale dhe një punë, gjë që kanë rënë në vesh të shurdhët nga bashkia.

Nga ana tjetër, mungesën e investimeve në infrastrukturë e pranojnë dhe burime pranë bashkisë së qytetit të Beratit. Për nënkryetaren e Bashkisë së Beratit për Shërbimin Social, Arsim dhe Kulturë, Teuta Muçogllava, ka një sërë faktorët që ndër vite pushteti vendor nuk ka mundur që të investojë në lagjen e komunitetit rom.
“Zona ku janë vendosur banesat e këtij komuniteti ka qenë bujqësore dhe si e tillë, jo formale. Statusi kadastral, i cili ka qenë i papërcaktuar, mendoj ka bërë të vështirë hartimin e projekteve për të investuar në infrastrukturën e kësaj zone, e cila duhet theksuar që ka pasur problematika mjaft të mëdha. Nga ana tjetër Bashkia e Beratit, ndër vite fondet i ka pasur të limituara, duke vënë në vështirësi shpërndarjen e tyre”, tha nënkryetarja e Bashkisë, Teuta Muçogllava.

Mungesa e strategjisë për zhvillimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane nga organet vendore dhe qendrore ka bërë që komuniteti rom të jetë sot në këtë gjendje, dhe kjo nuk ndodh vetëm në qytetin e Beratit.
“Në vitin 2015 institucioni i bashkisë aplikoi me projektin e tij pranë Bankës Botërore me qëllim ndërtimin e banesave për këtë komunitet, por nuk rezultuam fitues”, tha nënkryetarja Muçogllava.
Investimet publike në zonë kanë munguar, pavarësisht premtimeve të shumta gjatë zgjedhjeve vendore, për më shumë rrugë, ujë, shërbime dhe punësim ndaj këtij komuniteti. Nga ana tjetër asnjë i punësuar nga komuniteti rom nuk është regjistruar në institucionet vendore apo sektorin privat.

Hapja e një tregu të qëndrueshëm për këtë komunitet është premtimi që nuk ka munguar në këto 25 vite. Banorëve romë në çdo zgjedhje vendore u premtohet që do të ketë një treg vetëm për ta, që të ushtrojnë aktivitetin në kushte të mira pune, por faktet tregojnë se ende sot pas 25 vitesh ky treg nuk është bërë realitet ashtu si edhe shumë problematika të tjera të cilat kanë mbetur pa zgjidhje.
“Kush kujtohet për ne romët, askush. Shiko ku punojmë në shi, në baltë, se ne po nuk punuam nuk kemi bukë për fëmijët. Ne jetojmë mes halleve tona dhe kështu do të jemi gjithmonë, sepse jemi romë dhe as një makinë çakëll nuk na hedhin këtu në treg që mos të na shkeli këmba në baltë”, thotë Fikrije Brahimi për Portën Vendore.

Rrugë më të mira në lagje, kanalizim të ujërave të zeza, janë premtime që u janë bërë ndër vite banorëve të komunitetit rom nga kandidatët për kryetar bashkie, por dhe ata për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme, e ku shumica e komunitetit i kanë mësuar përmendësh tanimë këto premtime që duken si dejavu.
I vetmi investim në më shumë se 25 vite në zonën ku jetojnë banorët romë, është financuar me fonde të Bashkimit Europian. Ndërsa nga pushteti vendor ky komunitet ka përfituar vetëm realizimin e projektit të kanalizimeve të ujërave të zeza.
Legalizimi i banesave rome
Nga 58 familje në këtë lagje, vetëm 25 familje të komunitetit rom, kanë dorëzuar procedurat e legalizimit të banesave deri më dhjetor 2017, ku tashmë janë në pritje të legalizimit, pasi pranë zyrave të ZRPP-së Berat pritet të dalë harta e regjistrimit fillestar të gjithë zonës.
Ervin Nelaj, përgjegjës i sektorit të Legalizimeve dhe Planifikimit Urban në qytetin e Beratit, bënë me dije për “Porta Vendore”se regjistrimi fillestar i zonës së ‘Ish pjeshkore” është kryer, por harta me hedhjen e të gjithë regjistrimeve është në proces përpunimi pranë zyrave të ZRPP-së Berat, çka ka bërë që mos të legalizohen ende banesat e kësaj lagje.

Emergjencat e komunitetit rom
Robert Nazari, është një njohës i mirë i problematikave të komunitetit rom dhe egjiptian, falë punës së tij disavjeçare në këtë fushë. Sipas tij, ende nuk është bërë sa duhet për këtë komunitet, që vuan sa nga problemet ekonomike e sociale, por dhe nga mentaliteti që i bën të ndihen të përjashtuar nga shoqëria.
“Ende ka probleme me regjistrimin e komunitetit rom, pasi sot ne kemi në proces 20 fëmijë që po regjistrohen. Kemi problematika me ndjekjen e procesit mësimor, pasi dhe në rastet kur fëmijët romë shkojnë në shkolla, ata rezultojnë analfabet funksionalë”, tregon ai.
Në Berat rezultojnë se jetojnë 500 banorë të komunitetit rom, por sipas Nazarit, jo të gjithë janë të regjistruar.
Shërbimi Social Shtetëror në Berat trajton me ndihmë ekonomike 41 familje rome, nga fondi i bashkisë, ndërsa janë 8 persona me aftësi të kufizuar, që përfitojnë ndihmë nga shteti.
Nga ana e saj , Bashkia e Beratit e pyetur nga “Porta Vendore” në lidhje me projektet për komunitetin rom, shprehet se fokusi në të ardhmen do të vendoset në çështjen e strehimit nëpërmjet banesave sociale.
Në çdo sektor të jetës së përditshme komuniteti rom has vështirësi, por emergjencat aktuale kanë të bëjnë me arsimin, regjistrimin e fëmijëve dhe çështjen e punësimit. Më pas vijnë problemet e kanalizimeve në lagjen e tyre periferike, infrastruktura rrugore, çështja e ujit të pijshëm dhe dritave për t’i mundësuar edhe këtij komuniteti gjërat më minimale për të jetuar. Megjithatë sërish ata mbesin larg premtimeve elektorale, të cilat nëse do të ishin zbatuar sikur vetëm 10%, ky komunitet sot nuk do të ndjehej kaq i diskriminuar dhe do të ishte në rrugën e mbarë drejt integrimit.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.