Vëzhgim/Analizë

Pushteti vendor braktis bibliotekat

19 Shtator 2018/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore

Të lëna në varësi të pushtetit vendor, me shumë pak fonde në dispozicion, bibliotekat e rretheve mbijetojnë me shumë vështirësi. Ndërsa shumë qytete nuk kanë një bibliotekë publike, edhe aty ku janë bibliotekat janë shumë të varfra. Të mbushura me libra të vjetër që askush nuk i lexon, të vendosura në godina të amortizuara, me rafte që nuk ajrosen, myk, çati që pikojnë, kanë bërë që gjithnjë e më pak lexues t’u drejtohen. Si pasojë, ato mbushen me dhurime, që në shumicën e rasteve janë stoqe të pashitura.

Në zërin e kulturës ku janë të përfshirë edhe bibliotekat, pjesa më e madhe e fondeve shkon për koncerte, panaire, aktivitete argëtuese apo promovuese, dhe jo çdo vit ngelen fonde për blerjen e librave të rinj. Si pasojë ata janë të lënë krejtësisht jashtë vëmendjes, thuajse të gjitha bibliotekat në vend vuajnë për mungesë fondesh, kanë tituj librash shumë të vakët dhe ambiente të amortizuara. E në këtë situatë jo vetëm që lexuesit janë gjithnjë e më të paktë, por edhe shumica e titujve të rinj që futen në bibliotekë janë kryesisht dhurimet stoqe të shtëpive botuese. Braktisjes nuk i ka shpëtuar as biblioteka Kombëtare. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë 2018, biblioteka kombëtare ka pasur 38 % më pak lexues, krahasuar me tremujorin e dytë 2017. “Porta vendore” kreu një monitorim të situatës në një pjesë të bashkive në vend për të kuptuar se si është situata e bibliotekave në vend. Dhe panorama nuk është aspak optimiste.

Burreli, qyteti që lexon

Është paradite fundjave, por biblioteka modeste e qytetit të Burrelit ka plot lëvizje. Adoleshentë dhe fëmijë hyjnë e dalin nga e vetmja dritare “e shpirtit” që i ka mbetur qytetit verilindor, me libra në duar. Herë gjejnë atë që dëshirojnë, e herë të tjera kënaqen me atë që ka ngelur në raftet e amortizuara.

Për 10-vjeçarin Klaus Kala, biblioteka është kthyer në destinacionin më të preferuar sidomos të verës. I pëlqejnë shumë librat aventureskë, ata me histori spiunësh, por edhe klasikët. Sapo ka mbaruar së lexuari “Aventurat e Tom Sojerit” dhe vjen vërdallë duke kërkuar nëpër rafte “Ditarin e Gregut”.

Biblioteka e qytetit të Burrelit. Foto: Esmeralda Keta

“Nuk po e gjej dot, ndoshta e ka marrë dikush tjetër. Kështu që po shikoj për ndonjë libër tjetër”, thotë Klausi, i cili nuk e fsheh entuziazmin kur gjen mes raftit të librave për fëmijë një enciklopedi. Me librin në dorë, Klausi na tregon me krenari kartelën e tij të anëtarësimit. “Jam regjistruar që në klasë të dytë, dhe kjo është kartela e katërt që po mbush, rrëfen ai. U kam thënë edhe shokëve të mi dhe tani një pjesë e madhe e klasës sime janë të regjistruar në bibliotekë”, thotë Klausi, i cili si për të na konfirmuar se është një lexues i mirë, fillon e numëron se sa libra ka lexuar. “Kam lexuar më shumë se 60 libra deri më tani”, tregon ai me mburrje. Por Klausi nuk është i vetmi lexues.

Klaus Kala, lexuesi në Bibliotekën e Burrelit. Foto: Esmeralda Keta

Burreli ka mbetur vetëm me një qendër modeste kulturore dhe të vetmet koncerte që organizohen në shesh, janë ata për fushata elektorale. Pa kinema, pa teatër, madje edhe pa një librari ku mund të blesh një libër artistik, biblioteka e qytetit shihet si i vetmi oaz kulturor që i ka mbetur këtij qyteti… E shkrumbuar krejtësisht nga zjarri dhe marrëzia e vitit 1997, ku të vetmet libra që shpëtuan ishin ata të realizmit socialist, ajo u ringrit nga e para dhe sot numëron rreth 36 mijë tituj librash.

Godina dykatëshe, ku janë strehuar librat është mjaft e amortizuar dhe në të nuk është vënë dorë asnjëherë për rikonstruksion, drejtuesit e saj janë të kënaqur që së paku librat nuk janë të cenuar. “Ka nevojë për investime, është infrastrukturë e vjetër, por librat nuk janë të cenuar. Nuk ka lagështirë, ka ndriçim mjaftueshëm”, na shpjegon përgjegjësja e kësaj biblioteke, Fiqerete Kurti.

Fiqerete Kurti, përgjegjëse në Bibliotekën e Burrelit. Foto: Esmeralda Keta

Sipas saj, fondet nga bashkia për pasurimin e bibliotekës, deri më tani kanë qenë tejet modeste, por këtë vit ata do të pasurojnë bibliotekën me rreth 500 tituj të rinj. “Është shpallur tenderi dhe ne presim të përfundojnë procedurat për blerjen e rreth 500 titujve të rinj, me nga 2-3 kopje secili, që për bibliotekën tonë nuk janë pak. Sigurisht që fondi që na jep bashkia është modest, nuk është i mjaftueshëm, por është në proporcion me fondet që ka bashkia”, shpjegon përgjegjësja Kurti, e cila sqaron gjithashtu se kjo është e vetmja bibliotekë për të gjithë rrethin e Matit.

Cërriku, pa bibliotekë

Nëse je nga Cërriku dhe je i apasionuar pas leximit, librin duhet ta blesh patjetër vetë. Pasi Bashkia e Cërrikut bën pjesë në listën e qyteteve që nuk kanë një bibliotekë publike. Të vetmet biblioteka, nëse mund të quhen të tilla, që funksionojnë në këtë qytet janë ato të shkollave.

Për të parë vëmendjen që u kushtohet bibliotekave mjafton të shikojmë se si ndahet buxheti i kulturës që ka çdo bashki. Më konkretisht, Bashkia Cërrik ka në dispozicion një fond prej 2.8 milionë lekësh (të reja) për vitin 2018. Nga të cilat thuajse 2 milionë lekë të reja janë parashikuar për shpenzime operative (Gazeta e Bashkisë, Kancelari, materiale të ndryshme, energji elektrike etj), ndërsa pjesa tjetër janë paga dhe siguracione.

“Bashkia Cërrik nuk ka aktualisht nën administrim asnjë bibliotekë e si rrjedhim ne nuk kemi një fond për bibliotekën, por vazhdimisht ne japim fonde për bibliotekat e shkollave në formën e donacioneve në kuadër të aktiviteteve që zhvillojmë për kulturën e për librin në veçantë”, sqaron Bashkia Cërrik nëpërmjet një kërkese për informacion, drejtuar nga Porta Vendore.

Bashkia Cërrik kujdeset të sqarojë që në planet e të ardhmes janë parashikuar investime edhe për bibliotekat. “Brenda këtij viti, në bashkëpunim me USAID, synojmë të rikonstruktojmë qendrën multifunksionale të Cërrikut, në përbërje të së cilës do të ketë edhe një bibliotekë”, vijon më tej Bashkia Cërrik.

Biblioteka e Vlorës noton në ujë

E themeluar më 1946, me rreth 50 mijë ekzemplarë titujsh biblioteka e Vlorës “Shevqet Musaraj” nuk ka gjetur paqe që pas trazirave të 97-ës. Asokohe ajo ndodhej në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria” në Skelë dhe gjatë trazirave u grabit dhe u shpartallua, duke pësuar një humbje të konsiderueshme. Nga 120 mijë ekzemplarë librash, revistash dhe koleksionesh u katandis në 23 mijë. Shpëtuan librat e rrallë, enciklopeditë dhe një sasi librash historikë dhe letrarë, të cilët u morën në mbrojtje dhe ruajtje nga vetë drejtoresha e atëhershme e bibliotekës, Liljana Gjika, e cila i çoi këta ekzemplarë në shtëpinë e saj.

Por edhe sot, thuajse 20 vite më pas biblioteka e vetme e Vlorës e ka të vështirë të rimëkëmbet dhe shumë larg pasurisë së dikurshme. “Gjendja infrastrukturore e bibliotekës publike “Shevqet Musaraj” nuk është e mirë. Gjatë 30 viteve të fundit ka lëvizur në disa godina. Në vitin 2000, atë e zhvendosën në mjediset e ish Bankës Agrare, në dy katet e poshtëm të një pallati me pesë kate në lagjen “28 nëntori” të qytetit të Vlorës, ku gjendet edhe sot. Këto mjedise u përshtatën për salla biblioteke me një investim të Bashkisë së Vlorës dhe Fondacionit “SOROS”. Për vet pozicionin që ka, biblioteka është përmbytur disa herë gjatë 17 viteve të fundit.

“Përmbytja e fundit ishte në 10 tetor 2015, ku u përmbytën rreth 1300 libra, 600 prej të cilëve në sektorin e librit për fëmijë, libra që nuk mund të rikuperoheshin më, pasi ujërat e shiut u përzien me ujërat e zeza që plasën nga 7 pusetat e pallatit që rrethojnë bibliotekën tonë”, na sqaron Çlirim Hoxha, Drejtues i Bibliotekës së Vlorës.

Ndërtimi i një biblioteke të re është një ëndërr e kahershme për të apasionuarit pas librit në qytetin e Vlorës. Por deri më tani, ka pasur vetëm premtime të mbetura në letër. “Kemi kërkuar ndërtimin e një bibliotekë të re për qytetin e Vlorës, duke propozuar edhe alternativa për pozicionin apo edhe godinën, por mungesa financiare ka bërë që kërkesat tona të mbeten vetëm dëshira. I kemi dërguar propozime konkrete Kryeministrit dhe Ministres së Kulturës për të përshtatur një godinë gërmadhë përgjatë bulevardit ‘Ismail Qemali’ në bibliotekë, por me gjithë interesin e tyre dhe kalimin e përgjegjësisë tek bashkia, e cila nuk ka fuqi financiare për ndërtimin e një biblioteke të re, gjërat kanë mbetur në ajër”, sqaron drejtori Hoxha.

Disa nga librat që kanë shpëtuar nga përmbytjet në bibliotekë. Foto: Esmeralda Keta

Tjetërsimi i librave nga lexuesit, është një tjetër problem për drejtuesit e bibliotekës së Vlorës. “Më problematikë janë maturantët, që i marrin librat dhe nuk i kthejnë më. Kemi kërkuar përpilimin e një klauzole që përdoret edhe nga bibliotekat e botës, por nuk na është miratuar. Në Gjermani çdo lexues i ri që regjistrohet në bibliotekë lë peng një shumë të caktuar parash, të cilat i kthehet vetëm atëherë kur lexuesi dorëzon librin e fundit. Kemi kërkuar një taksë regjistrimi, gjithashtu, 200 lekë për çdo lexues, me qëllim që në fund të vitit këto lekë të shkojnë për të zëvendësuar librat e humbur, por as kjo kërkesë nuk u miratua”, vijon drejtuesi i bibliotekës.

Sa i përket fondit që merr kjo bibliotekë drejtuesit sqarojnë se Bashkia e Vlorës ka akorduar çdo vit një fond të përcaktuar për rikuperimin e librave të zhdukur gjatë trazirave të vitit ’97, fond që e ka çuar numrin e librave nga 23 mijë pas vitit ’97 në rreth 50 mijë në vitit 2017. “Ne do të donim edhe më shumë, por kapaciteti i rafteve në sallat e bibliotekës është i kufizuar. Në fund të vitit 2017 biblioteka jonë bleu 400 000 lekë libra me fondet e Bashkisë Vlorë, ndërsa në harkun kohorë të 10 viteve biblioteka “Shevqet Musaraj” është furnizuar me tituj të rinj çdo vit nga 300.000 lekë në vit”, sqarojnë drejtuesit e bibliotekës së Vlorës dhe shtojnë se titujt e rinj zgjidhen në bazë të kërkesave që kanë lexuesit.

Tirana, buxhet luksoz por pak libra

Ndonëse ka një buxhet të majmë për kulturën, plot 970 milionë lekë të reja, fondet që janë parashikuar për librin janë krejt të papërfillshme. Me plot 8 biblioteka nën administrim, Tirana i ka përqendruar investimet në përmirësimin e infrastrukturës së godinave dhe jo aq në titujt e librave që kanë nevojë lexuesit. Për këtë mjafton t’u hedhësh një sy listës së librave të rinj që janë futur në 8 bibliotekat e Bashkisë së Tiranës, ku librat artistikë numërohen me gishtat e dorës dhe shumica janë fjalorë, libra historikë, apo shkencorë. Por edhe në rastet kur ka pasur blerje librash të rinj, jo të gjitha bibliotekat e lagjeve i kanë përfituar. Në harkun kohor të 10 viteve biblioteka e njësisë 6 dhe ajo e lagjes 10 janë furnizuar 4 herë me tituj të rinj, ndërsa ajo e lagjes nr. 7 ka qenë më fatlumja, pasi është furnizuar 14 herë me libra të rinj.

Biblioteka e rikonstruktuar “Musine Kokalari”në Tiranë. Foto: Esmeralda Keta

Në përgjigjen e saj zyrtare Bashkia Tiranë, vë theksin tek projektet ambicioze për transformimin e bibliotekave të lagjeve.

“Gjendja infrastrukturore ka nevojë për përmirësim. Drejtoria e Përgjithshme e Promovimit të Qytetit nëpërmjet Drejtorisë së Rinisë prej një viti është duke zhvilluar projektin “Bibliotekat e Lagjeve si Qendra Multifunksionale” me qëllim rivitalizimin e hapësirës dhe kulturës së Librit. Aktualisht janë rikonstrultuar plotësisht Biblioteka “Musine Kokalari” e Njësisë Administrative nr. 7 dhe Biblioteka “Petro Zheji” e Njësisë Administrative nr. 9. Gjithashtu në proces të fillimit të rikonstruksionit është Biblioteka e Njësisë Administrative nr. 8 dhe Biblioteka “Misto Treska” e Njësisë Administrative nr. 10”, sqaron Bashkia Tiranë.

Rikonstruksion i Bibliotekës së Qytetit

Burimi: Bashkia Tiranë

Në harkun kohor të 10 viteve secila bibliotekë është furnizuar si më poshtë:

Burimi: Bashkia Tiranë

Përmeti, 6 vite pa asnjë libër

Përmeti i vëllezërve Frashëri ka kohë që nuk ka asnjë lek për blerje librash. Me një buxhet krejtësisht modest, me vetëm 2 milionë lekë të reja dhe që janë parashikuar për aktivitete kulturore dhe mirëmbajtje ambientesh, bashkia i ka akorduar bibliotekës vetëm 130 mijë lekë.

“Hera e fundit që biblioteka është furnizuar me tituj të rinj librash ka qenë përpara 5-6 vite. Në arkivin e bibliotekës janë shtuar vetëm disa libra që janë dhuruar nga autor të qytetit të Përmetit”, tregon në përgjigjen zyrtare Bashkia e Përmetit, e cila bën të ditur se fondi i librave është 60 mijë libra për të rritur dhe 20 mijë për fëmijë. Sipas Bashkisë së Përmetit, disa nga titujt e librave të dhuruar janë: “Zhepa ime në sytë e mi”, me autor Jorgji Saqellaqri;  “Ç’këndojnë këta bilbila” me autor Vasil Çuri (Vaska); “Arsimi në Përmet” me autor Nuri Dragoj; “Trebeshina një jetë para qytetit”, me autor Nuri Dragoj.

Lexuesit shprehen të pakënaqur me këto tituj librash, ku më së shumti janë të fokusuar te folklori dhe jo te dhurimet për libra klasikë, bestseller ose libra të tjerë fanta-shkencë.

Ambientet e brendshme në biblioteka. Foto: Esmeralda Keta

Studimi, fëmijët nuk shkojnë në bibliotekë

Një anketimi i përbashkët për leximin “Lexues të fortë dhe të dobët” i zhvilluar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni, nxori të dhëna të frikshme sa i përket marrëdhënies me librin në vendin tonë. Në Shqipëri u anketuan rreth 1100 nxënëses ( Në Itali 1000 dhe në Maqedoni 930) në grupmoshat 6-10 vjeç si dhe 11-16 vjeç.

Rezultatet e anketimit që u bënë publike gjatë muajit maj të këtij viti kanë vënë re të dhëna interesante edhe krahasuar me frekuentimin e bibliotekave, që në vendin tonë rezulton se fëmijët nuk kanë marrëdhënie të mirë.

“Në Itali mbi 60% e fëmijëve nuk shkojnë në bibliotekë dhe diçka më shumë se 30% frekuentojnë e bibliotekën. Në Maqedoni 1/3 e nxënësve frekuentojnë bibliotekën e qytetit ose të shkollës. Tek ne, çështja e bibliotekave publike e shkollore hap një temë të gjerë diskutimi. Vlen të theksojmë se fëmijët tanë nuk e kanë të krijuar këtë marrëdhënie ose e kanë shumë pak në krahasim me vendet e tjera, ndoshta edhe për faktin se organizimi dhe funksionimi i bibliotekave tona ka mjaft probleme”, shpjegojnë ekspertët që kanë hartuar rezultatet e këtij studimi krahasues.

Studimi krahasues për letërsinë e fëmijëve dhe mënyrat se si mund të afrohen më shumë të vegjlit me librin, ka konstatuar se ka dallime lokale, gjeografike ekonomike apo kulturore.  Kështu në Tiranë dhe Vlorë lexohet shumë më tepër sesa në Kavajë dhe Peqin! Në Tiranë pyetjes “Të pëlqen të lexosh libra? – I janë përgjigjur” Shumë” 80% e të anketuarve, kurse në Kavajë vetëm 32%.

Problemet me bibliotekat

Bibliotekat shkollore janë të varfra, pa tituj të rinj, ato shihen si një punë që i shtohet të parit mësues që nuk e plotëson normën mësimore! Ndërsa në fakt, ekzistenca e një biblioteke publike me personel të përkushtuar, prania e bibliotekës shkollore të pasur e të pasuruar vijimisht, takimet me lexuesit e pasionuar…do të ndihmonin shumë për rritjen e lexuesve. Ndërsa në vendet e tjera po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje bibliotekave reale, multimediale e virtual, ku lexuesve u ofrohen mundësi huazimi pa u paraqitur personalisht dhe pa kërkuar dokumente për verifikim, në vendin tonë prej shumë vitesh situata nuk ka përmirësimi e me ç’duket as shenja përmirësimi.

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.