Ndodhi

Mbyllet shkolla 9-vjeçare e Drenovës, qytetarët “zemërohen” me institucionet

17 Shtator 2018/ Roland Beqiraj /Porta Vendore/ Korçë

Drejtoria Arsimore e Korçës ka vendosur të mbyllë shkollën 9-vjeçare të fshatit Drenovë, por kjo ka sjellë irritim dhe kontestime nga komuniteti, që as është informuar dhe as është përfshirë në procesin e konsultimit. Po ashtu, informacioni për mbylljen e shkollës së Drenovës nuk i është bërë i ditur as Bashkisë së Korçës, e cila ka mbetur jashtë procesit konsultativ dhe vendimmarrës, edhe pse ligji respektiv, e parashikon përfshirjen e autoritete vendore në situata të tilla.

Viti i ri akademik është në prag, por shkolla 9-vjeçare e Drenovës nuk do të ketë më një ditë të parë shkolle, ashtu si ka ndodhur çdo shtator, për dekada të tëra. Emigracioni më së shumti, por edhe zgjedhja e shkollave të qytetit të Korçës dhe shkollave jopublike, rrudhën frikshëm numrin e nxënësve në shkollën, ku në kohën e saj më të mirë, mësonin mbi 700 fëmijë. Vit pas viti, fëmijët që frekuentonin shkollën “Kiço Grabocka” të Drenovës mbetën gjithmonë e më pak, derisa ata, që ndiqnin klasat nga e 6-ta deri tek e 9-ta, të grupuar në klasa kolektive, zbritën në 20, të pamjaftueshëm, që shkolla të mbahej e hapur. Për drenovarët, që krenohen për historinë dhe kontributin në arsim, po aq sa për Asdrenin, mbyllja e shkollës, ka cenuar dhe ndërprerë një traditë të thellë arsimdashëse dhe kulturore të konsoliduar, që dokumentohet prej fundshekullit të ‘19. Drenovarët, që ndërtuan jo vetëm shkollën e fshatit të tyre, por kontribuuan edhe për ndërtimin e shkollës së vashave në Korçë, ku më vonë do të vendosej Liceu Kombëtar, sot, për një kompleksitet rrethanash dhe faktorësh duhet t’i arsimojnë fëmijët e tyre, në shkollat e fshatrave fqinjë.

Shumica e banorëve të mbetur të Drenovës, qendrës administrative të njësisë administrative me të njëjtin emër, nuk e dinë, që shkolla 9-vjeçare u mbyll. “As na ka ardhur njeri të na njoftojë për shkollën dhe as na kanë pyetur”, i tha për Portën Vendore, 83-vjeçari, Jorgji Shëngjergji. “Unë kam dy nipa të vegjël, ku do t’i çoj tani? Drenova ka pasur shkollë edhe në kohën e Luftës dhe atëherë vendimet i merrnim të gjithë bashkë, ndërsa sot, nuk u kujtua njeri të na takonte”, vijon i moshuari.

Jorgji Shëngjergji,banor i Drenovës, duke folur për Portën Vendore. Foto: Roland Beqiraj

Edhe pse shkolla fillon 13-vjeçari Mario Xhihalli, ende nuk e ka vendosur ku do ta vazhdojë klasën e 9-të.

Mario Xhihalli,nxënës i shkollës 9 vjeçare, Drenovë. Foto: Roland Beqiraj

“Klasat ishin kolektive,bënim mësim bashkë me nxënësit e klasës së gjashtë, por edhe shkollën e Mborjes e kemi larg. Në dimër, kur bie shumë borë, autobusi nuk ndalon në Drenovë dhe ne kemi për të mbetur pa shkollë”, thotë Mario. Ndërsa Arben Zeneli, prind i dy fëmijëve në klasën e pestë dhe të shtatë, është kundër vendimit për mbylljen e shkollës.

“Tani që nuk kemi shkollë, jam i detyruar që fëmijët t’i çoj në Korçë. Por rruga ka kosto dhe ne e kemi të vështirë të përballojmë edhe këto shpenzime, për të cilat nuk jemi të përgatitur. E dimë që emigracioni na e zbrazi fshatin dhe shkolla kishte pak nxënës, por nuk duhej të mbyllej. ‘Të mëdhenjtë’, vendosën vetë, pa na pyetur”, pohon banori.

Arben Zeneli,banor i Drenovës. Foto: Roland Beqiraj

Rritjen e kostove të arsimimit të dy fëmijëve, pas mbylljes së shkollës, ka shqetësim edhe Vasiliqi Kapurani. “Na i kanë caktuar fëmijët në shkollën e Mborjes, por rruga kushton 100 lek të reja në ditë. Shkolla e Mborjes nuk është e përshtatshme për fëmijët. Pse duhet ta mbyllnin shkollën tonë, kur ajo i ka të gjitha kushtet”, reagoi ajo për Portën Vendore.

Vasiliqi Kapurani,banore e Drenovës. Foto: Roland Beqiraj

Mësimi në klasa kolektive, ka cenuar për vite të tëra cilësinë e arsimit parauniversitar, pohon Kreu i Drejtorisë Arsimore, Kristaq Grabocka. “Për këtë vit,vendosëm, të gruponim në shkolla të tjera, nxënësit e klasave nga e 6-ta deri tek e 9-ta, të shkollës së Drenovës, por edhe asaj të

të Barçit dhe Kolanecit. Ndryshimet demografike në këto zona, zvogëluan numrin e nxënësve, të cilët nuk mund të merrnin arsimim cilësor në klasa kolektive”, tha ai.

Sa i takon interesimit të Portës Vendore, nëse vendimi për mbylljen e shkollës së Drenovës, ishte konsultuar dhe diskutuar me komunitetin dhe bashkinë, Grabocka pohoi se vendimi ishte i studiuar dhe konsultuar me prindërit e fëmijëve, që preken nga ky proces.

“Ligji respektiv ngarkon bashkinë vetëm me detyrimin për të garantuar infrastrukturën e domosdoshme të procesit mësimor dhe jo përfshirjen në proces diskutimi dhe vendimmarrje. Dikasteri i arsimit do të rimbursojë të gjitha kostot e transportit, për nxënësit, që do të zhvendosen në shkolla të tjera, pas mbylljes së shkollave në vendbanimet e tyre”, përfundoi Grabocka.

Por edhe pse klasat kolektive të shkollës 9-vjeçare të Drenovës u mbyllën, fakti që 13  fëmijët e fillores do të vazhdojnë të bëjnë sërish mësim në klasë kolektive tregon se koha e eliminimit të tyre do të jetë e gjatë.

Teksa vlerëson traditën shekullore të shkollës së Drenovës, vendlindjes së Asdrenit, kreu i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo aprovon vendimin e Drejtorisë Arsimore për mbylljen e shkollës me klasa kolektive. Sipas tij, vendimi do t’i shërbejë mësimdhënies cilësore për të gjithë fëmijët, që deri dje, grupoheshin në klasa, prej të cilave nuk mësonin asgjë.

Filo pranon që bashkisë nuk i është komunikuar vendimi i Drejtorisë Arsimore për mbylljen e shkollës së fshatit Drenovë dhe po ashtu faktin që vendorët nuk kanë qenë pjesë e procesit të konsultimit dhe vendimmarrjes, pasi ligji, siç thotë Filo, u përcakton bashkive detyrime vetëm në fushën e infrastrukturës arsimore.

Fshati i Drenovës. Foto: Roland Beqiraj

Ish -drejtori i shkollës, Guri Stefo, thotë se edhe pse Drejtoria Arsimore ka disa vite që po studion mundësinë e mbylljes së shkollave me klasa kolektive, për Drenovën, ekspertiza nuk është e plotë. “Drenova vërtetë u godit rëndë nga emigracioni, por pas krizës në Greqi, ku ndodhet edhe pjesa më e madhe e drenovarëve, emigrantët filluan të kthehen dhe të ndërtojnë shtëpitë e tyre. Ata që i kishin të rrënuara, i rindërtuan dhe ata që i kishin me një kat, sot i kanë bërë me dy dhe tre kate. Çfarë tregon?! Se emigrantët një ditë do të kthehen përfundimisht në Drenovë, por kur te vijnë, do ta gjejnë fshatin pa shkollë. Është për të ardhur keq, që Drenova, ku shkolla e parë shqipe u hap në vitin 1917, sot të mbetet pa institucion arsimor”, tregoi ai për Portën Vendore.

Guri Stefo, ish Drejtori i Shkollës, duke folur për Portën Vendore. Foto: Roland Beqiraj

I përballur me një situatë të ngjashme disa vite më parë, si Kryetar i Komunës së Drenovës, këshilltari i këshillit bashkiak të Korçës, Flamur Sala, e vlerëson arbitrar dhe të pastudiuar vendimin për mbylljen e shkollës në Drenovë. “Edhe me shkollën e Boboshticës, e cila sot është e mbyllur, ishim para të njëjtës situatë. Si pasojë e emigracionit, shkolla e Boboshticës mbeti me tre nxënës dhe për ta mbajtur hapur kemi sjellë një fëmijë nga Dvorani. Shkolla funksionoi derisa nuk u regjistrua më asnjë fëmijë. Edhe sikur një fëmijë të mbetet në Drenovë, shkolla duhet të ishte e hapur,vetëm për atë”, thotë ish kreu i komunës,i cili shton se për rikonstruksionin e shkollës, janë investuar në periudhën 2008-2009, rreth 27 milionë lekë.

“Mbyllja e shkollës nuk është diskutuar me komunitetin dhe madje edhe unë si këshilltar, nuk kisha dijeni për çfarë kishte vendosur Drejtoria Arsimore. Bashkia e Korçës nuk duhet të rrijë indiferente në këtë situatë, sepse e vlerësoj të papranueshme, që qendra e njësisë administrative te mos ketë shkollë”, vijoi ish-kreu i komunës Drenovë.

Në Drenovë, shkolla dokumentohet në dekadën e fundit të shekullit të 19-të”, tregon për Portën Vendore, historiani Niko Kotherja.

Shkolla e Drenovës, u ndërtua me kontributin e drenovarëve të emigruar në SHBA. “Për kohën e vet, ajo ishte një qendër tejet e rëndësishme për shoqërinë, deri diku urbane e atij fshati, pasi Drenova kishte trashëguar një marrëdhënie shumë të ngushtë me qytetin e Korçës, me të cilin e ndajnë veç dy shenja kilometrike”, thotë historiani Kotherja.

Që shkolla e Drenovës u mbyll, ky është një fakt, që piktori dhe ish-mësuesi Sotiraq Xega, nuk e ndryshon dot. Por ai dhe 6 mësues të tjerë drenovarë, të dalë në pension, janë të gatshëm të japin mësim falas për fëmijët,vetëm që shkolla të hapet sërish. Kjo shpreh qartë se konstitucioni arsimdashës i drenovarëve, vjen natyrshëm, si investim.

Rreth autorit:
Roland Beqiraj është fotoreporter i Korçës për Tv Klan.