Ndodhi

Maqellarë, banorët vetadministrojnë mbledhjen e mbeturinave

14 shtator 2018/ Sami Curri/ Porta Vendore/ Dibër

Banorët e fshatit Fusha e Vogël në njësinë administrative Maqellarë të Dibrës, prej më shumë se 5 vitesh i administrojnë vetë mbeturinat. Një veprim i tillë kryhet nga banorët e këtij fshati që numëron afro 50 familje, pasi pushteti vendor edhe pse e ka për detyrë që të realizojë grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve, nuk ka treguar interes në këtë drejtim.

Behar Dema është një nga banorët e fshatit, i cili duke qenë në kontakt të përditshëm me këtë problem, pati një ide shumë origjinale për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në Njësinë Administrative Maqellarë. Dema shprehet për Portën Vendore se një lëvizje e tillë vjen, për të advokuar te pushteti vendor, në këtë rast Bashkia Dibër që të bëjë punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit, që është menaxhimi i mbetjeve urbane.

Fshati Fusha e Vogël në Njësinë Administrative Maqellarë. Foto: Sami Curri

“Ne paguajmë para për menaxhimin e mbetjeve, për një shërbim që nuk ofrohet nga Bashkia e Dibrës. Ne kemi gjetur një zgjidhje të tillë alternative që çdo familje në këtë fshat, paguan nga 100 lekë në muaj për një person këtu në lagje, që ka një traktor, në mënyrë që 3 herë në muaj të bëhet grumbullimi i mbetjeve dhe depozitimi i tyre te pika përkatëse. Ne paguajmë dy herë për një shërbim”, u shpreh Dema për Porta Vendore.

Qëllimi i këtij projekti që është mbështetur nga Leviz Albania, sipas Demës është që me grupin e punës që do të ngrihet, me banorë të këtij fshati, t’i kërkohet pushtetit vendor që të bëjë punën ose të heqë tarifën për këtë shërbim, kur banorët e kryejnë vetë një shërbim të tillë. Për Demën, për sa kohë që banorët e bëjnë një gjë të tillë, edhe bashkia mund ta bëjë mjaft mirë.

Behar Dema, duke hedhur mbetjet e shtëpisë së tij në kosh. Foto: Sami Curri

Hidër Ceku, kryeplak i fshatit u shpreh për Porta Vendore se banorët kanë afro pesë vite që e bëjnë vetë administrimin e mbetjeve dhe se një gjë e tillë ka dhënë rezultat, pasi në fshatin e tyre nuk gjen mbetje të shpërndara rrugëve. “U bë situata alarmante në fshat nga mbetjet. Nuk vinte njeri që t’i mblidhte mbetjet që kishin mbushur koshat dhe rrugët. Në të tilla kushte u detyruam që së bashku me banorët e tjerë të gjenim një zgjidhje. Vetë kam hapur një gropë të madhe dhe vendosëm që çdo muaj, familjet t’i paguanin 100 lekë një bashkëfshatarit tonë për të bërë administrimin e mbetjeve. Sot fshati është i pastër”, u shpreh Ceku për Porta Vendore.

Hidër Ceku, kryeplak i fshatit Fusha e Vogël, teksa flet për Porta Vendore. Foto: Sami Curri

Pastrimi i mbetjeve bëhet nga Durim Ceku, banor i fshatit Fusha e Vogël në Njësinë Administrative Maqellarë. Durimi që merret me bujqësi, tregon për Porta Vendore se një punë e tillë më shumë ka kosto se sa përfitime, por që për fshatin e tij është shumë e domosdoshme. “Me traktorin tim i mbledh mbeturinat tre here në muaj, çdo dhjetë ditë. Banorët i mbledhin mbeturinat dhe i lënë te dera, nga aty unë i depozitoj te gropa që është hapur. Kostoja është e lartë se çdo herë më duhet të bëj dy rrugë ngaqë ka shumë mbeturina, por fshati e ka shumë të domosdoshme”, u shpreh Durim Ceku për Porta Vendore.

Durim Ceku, banor i fshatit Fusha e Vogël në Njësinë Administrative Maqellarë, teksa flet për Porta Vendore. Foto: Sami Curri

Sipas një studimi kryer nga ALCDF (Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale) në vitin 2015-të qarku i Dibrës gjeneronte rreth 17,136 tonë në vit. Pjesa e më e madhe e mbetjeve në këtë qark gjeneroheshin nga Bashkia e Dibrës. Shumica e njësive administrative të Bashkisë Dibër nuk e ofrojnë shërbimin e pastrimit të territorit.

Njësia administrative Maqellarë. Foto: Sami Curri

Ndërsa njësitë administrative si ajo e Maqellarës, Selishtës, Sllovës dhe Muhurrit kanë një pikë depozitimi buzë lumit, jashtë çdo kushti dhe standardi teknik. Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, njësitë e qeverisjes vendore, duke filluar që prej fillimit të vitit 2016-të duhet të kishin filluar diferencimin e mbetjeve që në burim. Por në Dibër një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.