11 shtator 2018/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat
Disa etyde të performuara nga të rinjtë e qytetit të Beratit nëpërmjet shfaqjes së Teatrit të Rrugës, trajtuan problematika që shqetësojnë komunitetin dhe që synojnë të zgjojnë përgjumjen qytetarëve në lidhje me hallet që i shqetësojnë çdo ditë dhe që nuk gjejnë zgjidhje nga drejtuesit e institucioneve vendore.
Elvira Toska, nënë e një vajze maturante, është një prej qindra qytetarëve të qytetit të Beratit, e cila ka ndjekur me mjaft interes mbrëmjen e Teatrit të Rrugës, një risi kjo për qytetin muze të mbrojtur nga UNESCO.
Fenomene të tilla si korrupsioni, premtimet elektorale të pambajtura, mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e mjediseve çlodhëse dhe argëtuese, u trajtuan nëpërmjet artit të Teatrit të Rrugës për gati më shumë se 60 minuta. Ndonëse, një lloj arti i palëvruar më parë në këtë qytet, Teatri i Rrugës, po aq i vjetër dhe modern, në të njëjtën kohë ka tërhequr vëmendjen e mjaft qytetarëve.
“Ishte humoristik dhe mjaft serioz në të njëjtën kohë. Të bënte për të qeshur, por njëkohësisht të vinte me ‘shpatulla pas murit’, kështu jam ndjerë unë si qytetare, por dhe si nënë. Ndonëse jam realiste që shumë probleme tona të përditshme nuk po zgjidhen”, tha për “Porta Vendore” Elvira Toska.

Të rinjtë e qytetit performuan në sheshin përpara pedonales pesë etyde, ku kryesisht nëpërmjet lëvizjeve të kombinuara me muzikën, dhe pak fjalëve, u përcollën mesazhe tepër të rëndësishme që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’u bërë pjesë e vendimmarrjeve të pushtetit vendor për ato çështje që lidhen me përditshmërinë e tyre.
Teatri i rrugës organizohet për herë të parë në Berat nga Organizata për Asistencë për Komunitetin, ACA dhe Shoqatën e Artistëve të Shkencës, SHARS, me mbështetjen e “Lëviz Albania” dhe bashkisë së qytetit.
Holta Koçi, Drejtore e ACA, u shpreh për “Porta Vendore” se qëllimi i Teatrit të Rrugës nuk është vetëm argëtimi, por dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’u bërë më aktivë në komunitetin ku jetojnë, për t’u përfshirë në vendimmarrje lokale, për të ngritur sistemin e kërkimit të llogarisë ndaj të zgjedhurve vendorë dhe për t’u kthyer në aktorë aktivë në luftën për sjelljet abuzuese dhe korruptive nga të zgjedhurit vendorë.
“Teatri i Rrugës nëpër Shqipëri synon të sjellë ndryshimin nëpërmjet nxitjes së pjesëmarrjes së komunitetit në vendimmarrje: advokimit për çështje të rëndësishme për komunitetin, forcimin e rritjes së nivelit të demokracisë vendore nëpërmjet artit si një mjet tërheqës për komunitetin, veçanërisht të rinjtë, për tematika të ambientit, transparencës, llogaridhënies dhe korrupsionit”, tha Holta Koçi.
Por Berati dhe Kuçova nuk janë stacioni i vetëm i Teatrit të Rrugës, etydet do të shkojnë edhe në qytete si Vlora, Korça dhe Pogradeci.

Glejdja Oruçi, një prej vajzave që performoi në shfaqje u shpreh për “Porta Vendore” se kjo ishte për të një eksperiencë e jashtëzakonshme. “Në Berat nuk ka shumë aktivitete kulturore dhe sportive, ndaj unë mora pjesë në audicion, më përzgjodhën për të qenë pjesë e këtij teatri dhe e kam shijuar në maksimum”, tha ajo.
Së bashku me Klevis Delibashin, një tjetër pjesëmarrës në teatër, Glejdja nuk nguron që të inkurajojë dhe bashkëmoshatarët e saj që të bëhen pjesë e të tilla eksperiencave, pasi jo vetëm i ndihmojnë që të kalojnë kohën e lirë, por dhe nxit talentet e reja.
Teatri i Rrugës u ndoq me mjaft interes dhe nga shumë vizitorë të huaj që ndodheshin gjatë fundjavës në këtë qytet, këtë fillim shtatori.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në Berat.