Ndodhi

58 shkolla në vend do të ndjejnë “dorën” e rikonstruksionit

10 Shtator 2018/ E. Gjerani/Porta Vendore

Rreth 58 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme do të rikonstruktohen gjatë vitit akademik 2018-2019. Vendimi ka ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Rinisë, e cila ka miratuar një fond 3 miliardë e 976 milionë lekë, në bashkëfinancim me Komitetin për Zhvillimin e Rajoneve, ku Bashkitë do të financojnë nga 10-30% të vlerës së projektit.

Ky projekt do të përmirësojë infrastrukturën shkollore në 61 bashkitë e vendit, ku sipas Ministrisë së Arsimit është respektuar rendi i emergjencës që kanë pasur këto institucione arsimore.

Përkatësisht qarqet që numërojnë numrin më të madh të objekteve që u është miratuar projekti për rikonstruksionin e shkollave janë: Elbasani dhe Shkodra me 7 rikonstruksione shkollash, Lezha me 8 rikonstruksione shkollash dhe qarku i Fierit me numrin më të madh të shkollave që do t’i nënshtrohen përmirësimit, me plot 9 të tilla.

Grafik: Qarqet me nr. më të madh të institucioneve arsimore që do të rikonstruktohen

Përsa i përket ndërtimeve të reja, në vendim parashikohet të ketë vetëm një kopsht në territorin e Bashkisë Konispol, një rindërtim të shkollës 9 vjeçare në Qerret (Bashkia Kavajë) dhe dy ndërtime palestrash në Bashkinë Selenicë, ndërsa të gjitha strukturat e tjera shkollore të miratuara në vendimin e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve më datë 11 maj 2018, në të cilat bashkitë në vend kanë aplikuar më parë, do t’i nënshtrohen rikonstruksionin të plotë ose të pjesshëm.

Megjithatë këto shkolla të përzgjedhura si më emergjentet nga bashkitë, nuk kanë nisur ende nga puna, duke bërë që në këtë fillim shtatori teksa viti akademik do të rinisë, nxënësit të zhvendosen në shkolla të tjera. Të kontaktuar nga Porta Vendore, shumica e bashkive pranojnë se nuk kanë nisur ende procedurën e tenderimit për shkollat që do të përmirësohen.

Bashkia Durrës ka në listën e saj për rikonstruksion dy shkolla, përkatësisht shkollën 9-vjeçare Armath NJA Manëz, rikonstruksioni i të cilës kap vlerën e 57.453.731 lekëve dhe rikonceptimi e rikonstruksioni i Shkollës së Muzikës “Jan Kukuzeli” Durrës me një total prej 263.612.069 lekë.

Në përgjigjen e dhënë për Portën Vendore, Bashkia Durrës theksoi se është bashkëfinancuese me FZHR në vlerën 49.959.870 lekë për të dyja shkollat sipas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Durrës. Në rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare, Armath, NJ. A. Manëz, Bashkia Durrës ka kontribuar nga buxheti i saj vlerën prej 8.918.060 lekë, ndërsa për shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”, vlerën 41.041.810 lekë.

Këto dy shkolla janë në proces për përgatitjen e dokumentacionit për tenderim dhe sipas procedurave, zbatimi fillon në muajin tetor.

Por ka edhe nga ato bashki, të cilat kanë mbetur të pakënaqura e që kanë pretenduar më shumë fonde për shkollat në gjendje të mjerueshme, të cilat kanë në juridiksionin e tyre. I tillë është edhe rasti i Bashkisë Tropojë:

“I vetmi objekt i financuar nga KZHR-ja, për rikonstruksion është shkolla e mesme ‘Asim Vokshi’, në Bajram Curri, ku bashkia do kontribuojë 10% të vlerës së projekti, e ku është shpallur data e tenderit. Por në  këtë Bashkinë Tropojë ka edhe disa shkolla të tjera që kërkojnë menjëherë ndërhyrje emergjente. Mirëpo sipas përllogaritjeve vlera totale e tyre shkon 212 979 349 lekë.

Burimi: Bashkia Tropojë

Bashkia Tropojë sqaroi gjithashtu se ka aplikuar në të gjitha rastet për financime pranë Komitetit Për Zhvillimin e Rajoneve. Ndërsa për vazhdimin e mësimit nga nxënësit e “Asim Vokshit” shkollë në të cilën do të nisë shumë shpejt puna për rikonstruksionin e saj total, bashkia është duke gjetur një zgjidhje alternative deri në përfundimin e punimeve në objekt”, sqaron në përgjigjen e saj Bashkia Tropojë.

Një nga bashkitë e tjera që ka përfituar financim vetëm për një nga shkollat është edhe Bashkia Ura Vajgurore, e cila tha për Portën Vendore se situata e shkollave në territorin e saj është shumë e rëndë.

“Për dy shkollat 9-vjeçare ‘Hazbi Shehu’, Samaticë dhe ‘Haxhi Rustemi’ Donofrosë, nga ana e bashkisë janë hartuar projekt-preventivë, të cilët do të merren parasysh në buxhetin e 2019-s. Ndërsa për rikonstruksionin e shkollës ‘Astrit Hyka’ për të cilën kemi përfituar financim, jemi në fazën e procedurës së tenderimit”, deklaroi Bashkia.

Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Arsimit megjithëse e ka në kompetencë të kryejë monitorime periodike, i pyetur nga Porta Vendore, tha se për periudhën Janar-Korrik 2018, nuk ka kryer asnjë monitorim që lidhet me infrastrukturën në institucionet arsimore.

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa medias kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.