5 shtator 2018/ Esmeralda Keta/Porta Vendore/ Kamëz
Thuajse të 21 kopshtet që ka nën administrim Bashkia Kamëz janë në gjendje të mjerueshme. Shumica e kopshteve janë pozicionuar brenda ambienteve të shkollave, me mungesa të paimagjinueshme të energjisë elektrike që e kalon edhe harkun kohor të një dekade, pa sanitare, pa tualete, pa një lavaman ku fëmijët të lajnë duart, gjithë myk dhe lagështirë, dhe për mjete didaktike as që bëhet fjalë…edukatoret dhe prindërit janë braktisur krejtësisht nga pushteti vendor.
“Jashar Hoxha”, 15 vite pa drita
Një ndër kopshtet më të mëdha të Bashkisë Kamëz, është ai i quajtur “Jashar Hoxha”. Në sajë të vëzhgimit që ka kryer “Porta Vendore”, ky kopsht megjithëse me rreth 300 fëmijë që e frekuentojnë çdo ditë, është i zhytur në errësirë prej më shumë se një dekade. Që prej 15 vitesh në këtë institucion të rëndësishëm arsimor mungon krejtësisht energjia elektrike. Si pasojë, drejtuesit dhe edukatoret e këtij institucioni arsimor punojnë në kushte ekstreme. “Në kopshtin tonë u bënë 15 vite që nuk ndezim dot as edhe një llambë elektrike, kjo pasi na mungon energjia. Gjatë stinës së dimrit është problem i madh, e për shkak të vranësirave vështirësohet edhe shikimi. Ka edhe probleme të tjera, por pa ndriçim dhe pa ngrohje është thuajse e pamundur të zhvillohet një proces normal edukimi”, na thotë Lulzime Dervishi, përgjegjëse e kopshtit, e cila i redukton problemet e tjera përpara problemit madhor të mungesës së energjisë elektrike. Sipas saj, qëkur është ndërtuar ky kopsht nuk është lyer asnjëherë, por ka pasur edhe raste që Bashkia e Kamzës i është përgjigjur kërkesave të tyre, siç ishte rasti i izolimit të tarracës dimrin që lamë pas. Megjithëse “Jashar Hoxha” është kopshti më i madh i Bashkisë Kamëz, ai nuk ka një sanitare dhe kopshti është i detyruar që herë pas here t’i marrë shkollës “borxh” sanitaren, në raste të tjera këtë rol e kryen edukatorja.

Gjatë dimrit, të ndodhur në këtë situatë ekstreme, të vegjlit ngrohen me soba gazi. Eshref Skeja, që ka nipin e tretë në këtë kopsht e që i njeh mirë problemet ndër vite, e konsideron absurde këtë strategji të pushtetit vendor. “Më dhemb shpirti kur shkoj e mbush sobat me gaz dhe ua dërgoj çiliminjve të ngrohen. A mund të ngrohen fëmijët e kopshtit me gaz? Por jemi të detyruar, është më mirë se sa të ngrijnë nga i ftohti”, na thotë zoti Skeja, i cili është edhe anëtar i bordit të prindërve dhe ndihmon stafin e kopshtit për të bërë një pjesë të madhe të punëve.

Edukatorja, Lindita Musa shprehet për “Porta Vendore” se janë të shumtë prindërit që janë të shqetësuar për shkak të përdorimit të sobave të gazit. “Unë kam 27 fëmijë në grup dhe gjatë dimrit marr çdo ditë mbi 15 telefonata nga prindër që më thonë të mos e ndez gazin. Por nuk mund t’i lëmë fëmijët pa ngrohje. Sa herë e ndez, rri me zemër të ngrirë. Sobën e kemi siguruar vetë, gazin vetë, bombolën vetë” – na shpjegon edukatorja Musa me 20 vite eksperiencë, nga të cilat 15 i ka si edukatore në këtë kopsht. “Vështirësitë janë të shumta, qoftë edhe për shkak të komunitetit, na tregon Lindita, e cila punon në këtë kopsht që nga dita e parë kur ai është ndërtuar. “Një ndër vështirësitë kryesore është mungesa e mbështetjes nga pushteti. Duhet bazë materiale, godina është e amortizuar. Unë mbaj mend që kur kam ardhur këtu, u bënë thuajse 15 vite pa drita. Aq rëndë është situata saqë edhe kur kemi një aktivitet, si të festojmë 1 qershorin apo 7 marsin, marrim dritë nga shkolla dhe e lidhim në oborrin e kopshtit”, shpjegon edukatorja. Për të problem është edhe mungesa e sanitares. “Sigurisht që na pengon në procesin normal të punës. Unë duhet t’i lë fëmijët dhe të merrem me pastrimin e klasës, por gjithsesi është e domosdoshme që një herë në javë, ose një herë në muaj t’i bëhet një pastrim total kopshtit, të dezinfektohet, sepse të gjitha i bëjmë vetë, madje edhe tapetet i lajmë vetë këtu tek oborri i kopshtit”, përfundon ajo.
Mjekët kundër ngrohjes me soba gazi
Por ngrohja me soba gazi mund të ketë efekte negative edhe në shëndet. Bruna Shiroka, mjeke në ambulancën nr. 7 në Tiranë, na shpjegon se të gjithë gazrat e çliruara përfundojnë në rrugët e frymëmarrjes, duke krijuar probleme me shëndetin e fëmijëve. “Ngrohja me soba gazi nuk është një mënyrë që rekomandohet, pasi këtu nuk bëhet fjalë për një ngrohje me sistem të sigurt e të pajisur me filtra. Përveç që nuk respektohet asnjë parametër sigurie, ngrohja me gaz mund të shkaktojnë probleme serioze në rrugët e frymëmarrjes së fëmijës. Kjo pasi gjatë ngrohjes çlirohen gazra nga më të ndryshmet, që janë të dëmshëm dhe duke qenë se janë pa filtra, ato mbushin me avuj të gjithë ambientin dhe përfundojnë në rrugët respiratorë të fëmijëve. E nëse ambienti është me lagështirë, atëherë sigurisht që problemet mbivendosen”, na shpjegon mjekja Shiroka.
“Tahir Sinani” kërcënohet nga qiraxhiu
Fëmijët e “Tahir Sinanit” nuk e kanë të sigurt as çatinë e vjetër mbi kokë. Të akomoduar prej 10 vitesh në një vilë dykatëshe të marrë me qira, aktualisht pronari i ka kërcënuar se do i nxjerrë jashtë. “U bënë 8 muaj që Bashkia Kamëz, nuk i ka paguar qiranë. Me të drejtë ai kërkon që të paguhet. Kemi komunikuar me bashkinë, por ajo ende nuk na ka kthyer përgjigje”, shpjegon Lushe Cibaku, drejtoresha e kopshtit.
Por ky nuk është i vetmi problem. Kopshti “Tahir Sinani” nuk plotëson as nevojat më minimale që një institucion i arsimit parashkollor duhet të ketë. “Para së gjithash një kopsht ka si mision që t’i mësojë fëmijët me disa sjellje bazike. Ta zëmë: të kujdeset për higjienën e tij personale. Por si mund t’ia mësojmë këtë një fëmijë kur në kopsht nuk kemi as edhe një lavaman ku të vegjlit të lajnë duart?”, ngre shqetësimin për kushtet ku punojnë, drejtoresha e kopshtit, Lushe Cibaku.

Si të mos mjaftonin këto, “Tahir Sinani”, ndodhet ngjitur me varrezat e Paskuqanit, ndaj edhe edukatoret preferojnë të mos i nxjerrin fëmijët jashtë. “Jemi përpjekur që ta mbulojmë disi pamjen nga varrezat sepse nuk është normale për këta fëmijë dhe shumë rrallë i nxjerrim në oborr”, thotë drejtoresha Lushe Cibaku.
“Ibrahim Basha”, të njëjtat WC me adoleshentët
Çdo mëngjes kur e lë djalin e saj 5-vjeçar në kopsht, Burbuqja, një nënë e re në Bathore, rri me zemër të ngrirë deri sa të vijë dreka dhe ta marrë. Kopshti, të cilin frekuenton fëmija i saj, është një ndër kopshtet më të populluara me plot 125 fëmijë dhe godina ndodhet brenda ambienteve të shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Basha”. Si pasojë, përdorin të njëjtat tualete që përdorin edhe adoleshentët 13, 14, 15 vjeç dhe shkëmbehen në të njëjtat korridore. “Deri sa ta marr jam gjithë ankth”, na thotë Burbuqja. “Jo se kam merak edukatoret, pasi ato janë shumë të kujdesshme, por është problem që nuk kanë banjo të veçanta. Duhet të përdorin ato të shkollës, që përdorin edhe nxënësit që janë adoleshentë”, rrëfen ajo.
Edhe Miranda Hasai, prind i një prej fëmijëve në grupin e parë në këtë kopsht, thotë për Portën Vendore, se e gjithë kjo situatë është e turpshme.
“Është e dhimbshme situata në të cilët janë fëmijët e kopshtit. Ai nuk plotëson as standardin më minimal, për përkujdesjen ndaj të vegjëlve. Jo vetëm që janë nga dy grupe bashkë, por nuk kanë tualete të përshtatshme për ta dhe si pasojë përdorin banjot e shkollës. Por mendo që ata janë adoleshentë, ndërsa këta fëmijë të vegjël. Është absurde”, na thotë Miranda Hasani.

Nafije Cufaj, me një eksperiencë 17 vjeçare si edukatore, thotë se kushtet janë përmirësuar krahasuar me shumë vite më parë, por sërish mbetet shumë për të bërë. “Unë kam 35 fëmijë dhe ky ambient është shumë i ngushtë. Problem është që jemi brenda në shkollë. Prindërit i sjellin fëmijët deri në orën 9 të mëngjesit dhe fillojnë i marrin nga ora 12 duke cenuar procesin mësimor”, thotë Cufaj. Nevojat janë aq të shumta, saqë edhe kërkesat e stafit janë tejet minimale, por që ata do të ishin të kënaqur nëse do të realizoheshin. “Të kemi një çezmë për të larë duart, të kenë banjo të dedikuara fëmijët, drita herë pas here nuk ka dhe kur është vrenjtur fëmijët nuk shikojnë fare. Duhet të ketë më shumë dorë pushteti vendor. Ka 6 vite që është brenda shkollës dhe duhet gjendur një zgjidhje”, thotë edukatorja Cufaj.

Ironia qëndron në faktin se godina e kopshtit është zënë prej vitesh nga një familje, e cila nuk është kompensuar për pronat e përmbytura nga ujësjellësi i Bovillës. Pa mundur të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar, fëmijët e kopshtit i kanë zhvendosur brenda shkollës, së cilës po i bie edhe çatia.
“Lidhja e Prizrenit”, fëmijët azmatikë nga myku
Të njëjtin ambient me nxënësit e shkollës ndajnë edhe të vegjlit e kopshtit “Lidhja e Prizrenit”. Klasat te “Lidhja e Prizrenit” duhet t’u vihet kyçi për shkak të lagështirës së madhe dhe mykut që ka pushtuar muret. “E patë se në çfarë situate bëhet mësim”, na drejtohet Haxhiu, kryetari i bordit të prindërve. “Unë i kam pasur fëmijët këtu në kopsht dhe tani i kam në shkollë. Na janë bërë me azmë për shkak të mykut ku rrinë 5 orë në ditë. Dhe askush nuk mban përgjegjësi”, ankohet ai.

Zgjidhja e vështirë
Situata e rënduar ku ndodhen 21 kopshtet e Kamzës nuk janë të panjohura as për Drejtorinë Arsimore dhe as për Bashkinë Kamëz.
Ermioni Çekani, drejtoreshë e arsimit për Kamzën, thotë se ajo ka në zyrën e saj qindra shkresa drejtuar pushtetit lokal, por edhe Ministrisë së Arsimit për të ndërhyrë për ngërçin e krijuar mes institucioneve. “Sigurisht që jam në dijeni të situatës në kopshte. Në disa prej tyre ka vërtetë nevojë për ndërhyrje emergjente, siç është rasti i kopshtit ‘Jashar Hoxha’. Konkretisht për këtë institucion ne kemi me dhjetëra shkresa dërguar Bashkisë Kamëz, ku i kërkojmë që të ndërhyjë për lidhjen e energjisë elektrike, por Bashkia na është përgjigjur se kopshti është shumë i amortizuar, dhe duhet të bëhet një herë rikonstruksioni total i tij. Por situata po zvarritet dhe kopshtit iu bënë 15 vite pa energji elektrike. Po ashtu është e papranueshme që e gjithë kjo bashki të mos ketë asnjë kopsht me drekë. Edhe për këtë kemi bërë disa kërkesa, por jo vetëm që nuk kemi marrë përgjigje, por kemi një refuzim total nga pushteti lokal për të qenë bashkëpunues”, shpjegon për “Porta Vendore”, drejtoresha Çekani.
Gani Berisha, përgjegjës për arsimin në Bashkinë e Kamzës, thotë se Bashkisë Kamëz nuk i mungon dëshira për të ndërhyrë në institucionet arsimore, por nuk ka buxhet. “Ne e dimë situatën, pasi jemi çdo ditë në kontakte me drejtorinë arsimore dhe vetë kopshtet e shkollat. E dimë po ashtu që problemi i sanitareve është i domosdoshëm dhe po përpiqemi që të gjejmë hapësira buxhetore, për të shtuar disa sanitare. Sa i përket investimeve të tjera, ata kërkojnë shumë fonde që është vështirë të sigurohen. Ministria e Arsimit prej vitesh na ka dhënë zero fonde për arsimin dhe ne jemi të detyruar që t’i gjejmë vetë mundësitë për sigurimin e të ardhurave që kështu të mund të investojmë në objektet arsimore. Këtë vit po aplikojmë taksën e arsimit dhe shpresojmë që me këtë fond të mund të bëjmë diçka”, na shpjegon Gani Berisha, përgjegjës i arsimit në Bashkinë Kamëz.
Shkelja e të drejtave
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), pasi u njoh me situatën e evidentuar, e konsideron shkelje flagrante të të gjitha gjithë Konventave që shteti shqiptar ka firmosur dhe ka marrë përsipër t’u garantojë të vegjëlve. “Situata e verifikuar nga Porta Vendore , evidenton se këta fëmijë, sa kohë qëndrojnë në këto institucione parashkollore nuk gëzojnë minimumin e mundësisë për të pasur një jetë dinjitoze që i përshtatet moshës dhe nevojave të tyre për t’u zhvilluar fizikisht, mendërisht, shpirtërisht apo edhe moralisht. Shpeshherë këto kushte mund të cenojnë integritetin e tyre fizik dhe mendor”, tha për Portën Vendore, Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e KSHH- së.

Skëndaj gjen disa fajtorë për këtë situatë absurde ku janë lënë kopshtet e Bashkisë Kamëz. Ajo sqaron se as pushteti lokal, por as i qendror nuk duhet t’u shmangen përgjegjësive dhe të delegojnë situatën, pasi kanë përgjegjësi që të gjithë për këtë gjendje ekstreme.
“Mungesa e ujit përkthehet me pamundësi për të mbajtur higjienën personale, aq e rëndësishme për tu induktuar që në moshë të vogël apo rrezikun për të marrë infeksione apo sëmundje të transmetueshme që lidhen me mungesën e higjienës vetjake. Përdorimi i tualeteve me fëmijë më të rritur në moshë, i vendos fëmijët e kopshteve para rrezikut real të formave të ndryshme të bullizmit apo edhe ndaj ngacmimeve apo abuzimeve seksuale, çka sërish është tepër shqetësuese”, deklarohet në përgjigjen e kthyer nga Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e KSHH- së.
“Një nga parimet që udhëheq ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” është ai i autonomisë vendore, i cili presupozon të drejtën dhe aftësinë e njësive të vetëqeverisjes vendore, që të rregullojnë dhe të administrojnë një pjesë thelbësore të çështjeve publike nën përgjegjësinë e tyre dhe në interes të bashkësisë. Ky është një parim nga i cili kërkon që njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe të krijojnë mundësitë reale që të përmbushin këto përgjegjësi dhe të mos i shmangen këtyre përgjegjësive në çdo rast duke deklaruar se ka mungesë fondesh”, vijon zonja Skëndaj. Por kjo nuk zbeh padyshim përgjegjësitë që ka pushteti qendror (ekzekutivi) i cili i propozon Kuvendit për miratim buxhetin e shtetit, për të reflektuar nga pikëpamja buxhetore nevojat që kanë Bashkitë dhe në mënyrë të veçantë kur këto nevoja lidhen me grupet në nevojë të shoqërisë tonë, sikurse janë edhe fëmijët.
Inspektorati i Arsimit
Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, janë disa institucione përgjegjës që nuk duhet ta kishin lënë situatën deri në këtë pikë. Sipas KSHH-së, Inspektorati i Arsimit është njëri prej tyre. “Duke iu referuar nenit 27 të ligjit 18/2017, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, institucion në varësi të ministrit të arsimit, ndër të tjerash kryen inspektime për të vlerësuar cilësinë e shërbimit të institucioneve arsimore (përfshi kopshtet) dhe informon ministrinë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e tjera për gjetjet e këtyre inspektimeve, si dhe i bën publike” , tha në deklaratën e tij drejtuar Portës Vendore, Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Por Bashkim Muça, kryeinspektor i Arsimit, na thotë që kjo nuk është më kompetencë e tyre. “Ka dy momente: e para me ndryshimin e ligjit të pushtetit vendor, ne nuk kemi më të drejtë t’i inspektojmë, dhe e dyta: edhe nëse i inspektojmë, i kontrollojmë vetëm për kurrikulat, por jo për infrastrukturën. Nuk është kjo kompetencë e jona. Sigurisht që nëse gjatë inspektimit për kurrikulat konstatojmë mangësi të tilla që kanë të bëjnë me infrastrukturën ne i raportojmë, por asnjë institucion, qoftë kjo edhe Ministria nuk mund t’i kërkojë llogari Bashkisë pasi ligji ia jep këtë kompetencë, pra mirëmbajtjen, Bashkisë”, sqaron ai, i cili premton se pas vënies në dijeni do të marrë informacion për situatën në këto institucione parashkollore të Bashkisë Kamëz.
Punë dhe pasion
Megjithëse mund të ketë dekada që në kopshtet e Kamzës mund të mos jetë vënë dorë nga pushteti lokal, përkushtimi i edukatoreve e ka zbehur disi këtë harresë. I tillë është edhe rasti i kopshtit “Jashar Hoxha”. Falë përkushtimit të edukatores Miranda Musa, e cila ka pikturuar gjithë kopshtin, ambienti tani është plot jetë. “Pikturën e kam pasur pasion qëkur kam qenë në shkollë të mesme. Kur u futëm në kopsht, para 15 vitesh, ishte shumë dramatike situata. Muret ishin të bardha dhe nuk kishte asnjë gjë për ta varur në mur. Sikur nuk shkon që për fëmijët muret të jenë kaq të ftohta. Dhe kështu fillova t’i pikturoj me personazhet e preferuara; stinët, numrat, shkronjat..më është dashur një muaj për të pikturuar një klasë. Dhe kështu i bëra të gjitha klasat e kopshtit me radhë”, na rrëfen Miranda, duke na treguar gjithë modesti pikturat që zbukurojnë muret e kopshtit.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.