Ndodhi

Bashkia Durrës hedh leshterikun në autostradë, gjobitet për ndotje

3 shtator 2018/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës

Moti i paqëndrueshëm në muajt e parë të vitit 2018 krijoi një situatë problematike në bregdetin e Durrësit, ku përveç daljes në bregdet të mbetjeve urbane, u krijuan edhe pirgje të mëdha me leshterik. Bashkia Durrës nëpërmjet një firme italiane i zhvendosi pirgjet e leshterikut në autostradën e papërfunduar të Ish –Kënetës, ndërsa pak ditë me parë , pas kërkesës për informacion nga Porta Vendore, Inspektoriati i Mjedisit gjobiti Ndërmarrjen Komunale Durrës me vlerën e 1.000.000 lekë të reja.

Bashkia Durrës nëpërmjet një Kërkese për Informacion, bëri me dije për Portën Vendore se sasia e leshterikut gjatë muajve prill-korrik ka qenë shumë e madhe dhe në pamundësi për t’u hedhur në vendin e caktuar për depozitimin e mbeturinave, bashkisë i është propozuar nga një firmë italiane që ajo të merret me përpunimin e leshterikut.

Në kontratën një vjeçare të lidhur më datë 10.05.2018, midis Ndërmarrjes Komunale Plazh dhe shoqërisë italiane “Enginering Consulting (AGEV sh.p.k), që Porta Vendore e disponon, shkruhet se largimi (transporti) i leshterikut nga vendi ku është grumbulluar, deri në pikën e përcaktuar nga Ndërmarrja Komunale Plazh, do të kryhet pa pagesë nga kompania italiane.

Por ajo që është caktuar në kontratë nuk korrespondon me veprimet e Ndërmarrjes Komunale Plazh, ku kontrata cakton se ajo do t’i ofrojë shoqërisë AGEV sh.p.k sipërfaqen prej 5000 m2 për të depozituar leshterikun, me vendndodhje në fushën e mbetjeve urbane në Spitallë.

“Leshteriku i detit mund të kthehet fare mirë në pleh organik, për t’u përdorur në bujqësi si plehërues shumë i mirë. Ajo kërkon një teknologji të thjeshtë të pastrimit dhe copëtimit të imët. Ndryshe do të zinte hapësirë në landfill”, tha për Portën Vendore ambientalit Lavdosh Ferruni, drejtor ekzekutiv i Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

Nga vëzhgimi i Portës Vendore, rezulton se sasia e leshterikut që është depozituar në autostradën e papërfunduar Durrës-Porto-Romano, ka zënë sipërfaqen e korsive në drejtimet vajtje-ardhje, në një gjatësi mbi 200 m. Mjetet që po e depozitojnë leshterikun aty janë në pronësi të bashkisë Durrës dhe jo të shoqërisë italiane, siç përshkruan kontrata.

Po ashtu, depozitimi i leshterikut në autostradë nuk është hapësira që përcakton kontrata, me vendndodhje vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Spitallë. Sipas kontratës shoqëria italiane AGEV sh.p.k do t’a kryejë largimin e leshterikut për një eksperiment, për hapjen e një pusi në zonën ku do të hidhet leshteriku, pus i cili do të shërbejë për larjen dhe riciklimin e tij.

Ndotja me leshterik e autostradës Durrës-Porto-Romano nga Bashkia Durrës. Foto: Geri Emiri

Për ambientalistin Lavdosh Ferruni kontrata duhej të sqaronte së çfarë do të bëhet me masën e leshterikut të grumbulluar nëse nuk ai përpunohet. Teksa përgjigja e Bashkisë Durrës bëhet konfuze mbi veprimet e saj dhe të shoqërisë italiane, kur shkruan se:

 “…. shoqëria italiane do tërheq dhe leshterikun e depozituar përgjatë dy korsive të rrugës përbri korpusit universitar “Aleksandër Moisiu” Durrës”.Duke shtuar më tej se; “Në muajin Shtator Bashkia Durrës do të ndërhyje për evadimin e leshterikut dhe të mbetjeve inerte përgjatë këtyre dy korsive”.

Porta Vendore pyeti për rastin në fjalë Inspektoriatin e Mjedisit në Durrës, i cili ngriti grupin e punës që gjeti në flagrancë kamionin e Ndërmarrjes Komunale Plazh, duke shkarkuar mbetje urbane dhe leshterik, në vendin e lartpërmendur.

“Në këto kushte u mor masa e menjëhershme administrative, duke e gjobitur (Ndërmarrjen Komunale Plazh) me vlerën 1.000.000 (një milion lekë të reja)”, bëri me dije për Portën Vendore Inspektoriati i Mjedisit Durrës. Në të kaluarën Bashkia Durrës e ka depozituar sasinë e leshterikut në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Porto-Romano, ku sasia e leshterikut e depozituar për vitin 2015 ishte rreth 20.000 m3.

Ndotja me inerte e autostradës Durrës-Porto-Romano. Foto: Geri Emiri

Sasia e leshterikut përgjatë vitit 2018 është depozituar në aksin e përfunduar të autostradës Durrës-Porto-Romano, e cila gjendet pranë Kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Pranë zonës së banuar përveç mbetjeve të leshterikut dallohen edhe ato inerte, të cilat janë depozituar aty muajt e fundit.

Në korrik 2018 Këshilli Bashkiak i Durrësit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore, si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e kësaj bashkie. Të gjitha forcat politike votuan pro shpalljes së emergjencës mjedisore, teksa ende mbetet e paqartë zgjidhja që do të marrë problemi i mbetjeve urbane dhe të ngurta në Bashkinë Durrës.

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.