Vëzhgim/Analizë

Bulqizë, qendrat shëndetësore pa ujë dhe energji elektrike

27 Gusht 2018/ Sami Curri/ Porta Vendore/ Bulqizë

Një numër i madh qendrash shëndetësore në Bulqizë kanë mungesë të ujit dhe energjisë elektrike. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik në Bulqizë në 21 qendra ambulatore nga 30 funksionale në total, nën varësinë e saj, mungon uji i pijshëm dhe në 2 mungon edhe energjia elektrike, pikërisht në Zall Sopot dhe Zall Strikçan. Por si mos të mjaftonin këto probleme, shumë qendra shëndetësore janë të dëmtuara, disa prej tyre nuk janë investuar prej vitesh apo edhe raste të tilla që godina është bllokuar nga i zoti i tokës.

Dikur Zerqani në Bashkinë e Bulqizës kishte një spital që mbulonte me shërbim disa zona, më pas spitali u kthye në një qendër shëndetësore, ndërsa sot është në një gjendje të atillë sa edhe qendër shëndetësore nuk mund të quhet. Qendër infeksionesh, ndoshta po. Pa dritare, gjysma e godinës gati në rrënim, pa ujë të rrjedhshëm dhe rrethuar nga lagështira, kjo qendër ofron në të tilla kushte, shërbimin për pacientët e disa fshatrave të njësisë administrative Zerqan.

Lirie Vocrri, banore e Zerqanit tregon për “Porta Vendore” se në qendrën shëndetësore të Zerqanit mund të vijnë për të marrë ndonjë mjekim të vogël apo thjeshtë për të marrë ndonjë rekomandim dhe asgjë më shumë. “Ky ka qenë një nga spitalet më të mira në Dibër. Sot po i zë njerëzit brenda. Çfarë i kushton një tender shtetit për të rregulluar çatinë dhe për ta rikonstruktuar sadopak. Shërbimi ofrohet shumë mirë, personeli është shumë i rregullt. Me ato kushte që kanë me ato shërbejnë. Kjo qendër është e shkatërruar në të katërt krahët”, tregon Lirija.

Banorë të tjerë të Zerqanit shprehen për Portën Vendore se kjo godinë është në këtë gjendje që prej më shumë se 10 vitesh dhe se kërkesat e tyre te pushteti vendor dhe ai qendror kanë rënë në vesh të shurdhët ngahera.

Qendra Shëndetësore Zerqan. Foto: Sami Curri

Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë pyetur nga “Porta Vendore” tha se qendra shëndetësore në Zerqan ka mungesë të ujit të rrjedhshëm, por që ky problem është zgjidhur me mjete të tjera alternative, së paku për të mbuluar nevojat bazë të personelit dhe të shërbimit të ofruar. “Ju mund të keni parë qendrën shëndetësore të Zerqanit, por unë kam vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për transferimin nga godina ekzistuese për tek godina e njësisë administrative, ku do të merren ambiente për ofrimin e shërbimit”, u shpreh Meta.

Në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë – Bulqizë, ambulanca e fshatit që kur është ndërtuar është përballur me mungesën e ujit të pijshëm në këtë godinë. Infermieria e këtij fshati, Lirie Demiri ofron shërbimin edhe në disa fshatra të tjerë si Kodra e Danit, Lepurakë pasi edhe numri i banorëve mbetur në fshat është shumë i vogël.

Ambulanca e lagjes në fshatin Dushaj. Foto: Sami Curri

E njëjta situatë paraqitet edhe në qendrat shëndetësore në Fushë – Bulqizë, ku vetëm dy nga ambulancat nën varësinë e saj, janë në rregull me ujin dhe energjinë elektrike ndërsa dy ambulanca(qendra ambulatore) kanë mungesë të ujit të pijshëm në godina.

Qendra Shëndetësore Fushë-Bulqizë. Foto: Sami Curri

Me mungesën e ujit po përballet edhe ambulanca e fshatit Çerenec i poshtëm, një nga fshatrat me numrin më të lartë të popullsisë në Bashkinë e Bulqizës. Banorët e pyetur për Porta Vendore shprehen se këtu vijnë vetëm kur kanë për të marrë ndonjë mjekim të lehtë se në raste të tjera shkojnë në Spitalin e Dibrës ose të Bulqizës.

Ambulanca e fshatit Çerenec i poshtëm. Foto: Sami Curri

Drejtoria e Shëndetit Publik ka 8 qendra shëndetësore nën varësi të saj, një qendër shëndetësore në çdo njësi administrative me ndarjen e re territoriale dhe 36 ambulanca. Nga këta, sipas DSHP Bulqizë, 6 ambulanca janë jashtë funksionit, pasi ndodhen në kushte shumë të këqija dhe nuk plotësojnë kushtet më minimale në ofrimin e shërbimit.

“Sot kam raste të shumta të ambulancave që janë ndërtuar pa projekt, në vende ku nuk furnizohen me ujë apo edhe pa zgjidhur problemin e pronësisë. Kemi disa ambulanca që sot mbahen të bllokuara nga i zoti i tokës”, shprehet për Porta Vendore Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë.

Ndryshe se nga çfarë mund të ndodh në fshatra ku ambulancat përballen me mungesë të ujit dhe energjisë elektrike, në qytet paraqitet një tablo tjetër ku ambulancat dhe qendrat shëndetësore janë të pajisura me mjete dhe stafin mjekësor të nevojshëm për ofrimin e shërbimit.

Kushtet skandaloze në të cilat janë lenë qëndrat shëndetësore në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë shprehet se ka disa fshatra që nuk kanë ambulancë, kjo për shkak të numrit të vogël të popullsisë, në të tillë raste është ngarkuar infermierja e fshatit më të afërt që të mbuloj me shërbim edhe banorët e fshatrave ngjitur ku nuk ka ambulancë. “Këtu mund të përmend disa si fshatin Boçevë, Zogje, Shtush etj. Që shërbimin e marrin nga ambulancat e fshatrave ngjitur”, deklaroi Meta për Porta Vendore.

MUNGESA E UJIT NË QENDRAT SHËNDETËSORE DHE AMBULATORE

Burimi: Drejtoria e Shëndetit Publik Bulqizë

Për Drejtorin e Shëndetit Publik në Bulqizë, Flamur Meta investimet dhe ndërhyrjet në këto qendra i ka si detyrë Ministria e Shëndetësisë. Por në investime të vogla ose që nuk kanë një kosto shumë të madhe mund të ndërhyjë edhe pushteti vendor dhe se këta të fundit nuk kanë të detajuar një fond të posaçëm për këtë drejtim. Por Bashkia Bulqizë duke iu përgjigjur një kërkese për informacion të Porta Vendore deklaron se nuk është në kompetencat e saj që të bëjë investime apo edhe ndërhyrje të tjera në qendrat shëndetësore dhe se një gjë e tillë është kompetencë e Drejtorisë së Shëndetit Publik.

Ndërkohë ligji 139, i vitit 2015 për pushtetin vendor, neni 23 shpreh qartësisht kompetencat e bashkisë për:

Ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave të shërbimit parësor shëndetësor dhe zhvillimin e aktiviteteve edukuese e promovuese në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e shëndetit, si dhe administrimin e qendrave e të shërbimeve të tjera në fushën e shëndetit publik, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Për Metën, arsye se pse këto qendra shëndetësore dhe ambulatore nuk kanë ujë të rrjedhshëm vjen edhe për faktin që në shumë njësi administrative ujësjellësit nuk kanë kaluar nën varësi të ndërmarrjes së ujësjellësit në Bulqizë. “Në këto zona, ne veprojmë me formën e mëparshme, ku paguhet ai detyrimi siç janë lënë nga ish-komunat. Ndërsa përsa i përket qytetit dhe zonave të tjera ku ujësjellësi i ka marrë në dorëzim, ne kemi lidhur kontratë për furnizimin me ujë të pijshëm. Në ato qendra ambulatore ku operon vetëm një infermiere, nevojat bazë mbulohen. Duart i lanë, pastrimin e bën. Këto kushte janë”, deklaron Meta, për “Porta Vendore”.

Personeli mjekësor që punon në këto qendra, nën kushtin e anonimatit i thanë Portës Vendore se fakti që përballen me mungesë të ujit është një problem shumë i madh. “Ofrohet shërbimi me shishe uji. Mirë po të ndodhi ti kesh mbushur shishet, por në rast se nuk ke, si do ta mbash higjienën e shërbimit!? Po ambienti a duhet pastruar? Por ne thuajse shumë pak shërbim ofrojmë këtu. Çdo shërbim e japim në shtëpi. Na lajmërojnë me telefon kur kanë probleme. Këtu sëmuresh dhe jo të shërohesh”, deklaron një infermiere.

Në një bisedë telefonike, Nedion Muça, drejtor i ndërmarrjes së ujësjellësit në Bulqizë, ku bashkia zotëron shumicën e aksioneve, tha se Drejtoria e Shëndetit Publik për një pjesë të qendrave shëndetësore ka lidhur kontrata me ndërmarrjen e Ujësjellësit, ndërsa për një pjesë të qendrave shëndetësore dhe ambulatore jo. “Për sa kohë që ky institucion, nënvarësi të të cilit janë qendrat shëndetësore nuk ka lidhur kontratë dhe nuk janë pajisur me matës, ne nuk kemi se si mund të ndërhyjmë për lidhjen e ujit të pijshëm. Por në disa raste ata mund të kenë gjetur edhe mënyra të tjera alternative për t’u furnizuar me ujë. Kjo mund të jetë një pus, depo etj. Problem tjetër në këtë drejtim është edhe fakti që një pjesë e madhe e ujësjellësave të ish-komunave, nuk kanë kaluar akoma nën varësinë e ujësjellësit të Bulqizës, çka është shumë penguese në punë e sipër. Aktualisht procesi i transferimit ka ngelur në pjesën që Instituti i Higjenës nuk jep vërtetim për cilësinë, pasi një pjesë e këtyre ujësjellësave janë jashtë standardeve”, deklaroi Muça.

Si të mos mjaftonte problemi i mungesës së ujit dhe energjisë elektrike në disa qendra shëndetësore dhe ambulatore, mësohet se javët e fundit janë larguar edhe 3 mjek familje. Shkak i këtij largimi mësohet të jetë bërë fakti që një mjek është larguar nga Shqipëria dhe dy të tjerë kanë filluar specializimin.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqiza ime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.