Ndodhi

Pishat e Semanit në flakë, bashkia e la zonën pa roje

23 gusht 2018/ Ani Bame/ Porta Vendore/ Fier

Flakët kanë përfshirë një pjesë të pyllit në Seman, zjarrfikësit janë në vendngjarje në përpjekje për të shuar flakët, ndërkohë që Bashkia Fier duket e pafuqishme për të parandaluar zjarre të tilla në zonë, sidomos në periudhën e verës.

Flakët në Pyllin e Semanit ishin të paralajmëruara. Pas shkrirjes së Ndërmarrjes Pyjore në varësi të Ministrisë së Mjedisit, dhe krijimit të Inspektoriatit në varësi të Bashkisë së Fierit, u hoqën rojet nga pylli .

“Kur nuk ka fonde, për pasojë do të ketë edhe reduktim të stafit. Megjithatë, Bashkia nuk e ka lënë pyllin fare pa roje. Është një person që përkujdeset për pyllin dhe për çdo situatë bën raportimet përkatës”, tha Irma Hoxha, Zëdhënëse e Bashkisë së Fierit.

Nga zjarri i sotëm janë djegur rreth dy hektarë pisha dhe bimësi. Pylli në këtë periudhë të nxehtë vere shfrytëzohet nga pushuesit për të bërë piknikë.

Petraq Trifka është pronari i një biznesi në zonën e Semanit. Ai thotë se deri dy vjet më parë shihte rregullisht roje pylli.

“Nuk ishin të shumtë në numër, por ishin aty, përherë na i zinte syri. Edhe pushuesit apo banorët e dinin që pylli kishte roje. Më përpara ka pasur edhe një patrullë policie, si edhe një tra që kishte vendosur Bashkia për të vjelë taksën e shfrytëzimit të plazhit. Tani nuk ka më asgjë, duket sikur zona ka mbetur si mall pa zot” tregon ai për Portën Vendore.

Ndërsa Hasim Skeja  banor prej vitesh në këtë zonë, tha se vera kështu ka qenë gjithnjë përsa i përket zjarreve.

“ Gjynah se pylli është një pasuri publike. Siç e shfrytëzojmë edhe duhet ta mbrojmë. Tani në verë zjarret janë të zakonshme. Rëndësi ka të mos marrin përmasa të mëdha,” tha zoti Skeja.

Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia dhe autoritet po punojnë por zbardhjen e kësaj ngjarje. Një sipërfaqe pyjore do vite të tëra të rikuperohet, çka do të thotë më pak oksigjen dhe gjelbërim në vitet e ardhshme.

Rreth autorit:
Ani Bame është gazetare në Tiranë.