Ndodhi

Landfilli i Sharrës derdh ujërat e ndotur në lumin Erzen

23 Gusht 2018/ Mariglen Kume/ Porta Vendore/ Tiranë

Landfilli i Sharrës vazhdimisht ka pasur probleme të ndryshme, duke filluar që nga personat e vetëpunësuar që mblidhnin metale në pirgjet e mëdha të plehrave për t’i shitur, e deri tek aroma e pakëndshme dhe burimi i sëmundjeve të ndryshme që mund të shkaktoheshin nga malet me plehra, të cilat qëndrojnë pa asnjë standard sigurie.

Tirana prodhon zyrtarisht 700 tonë mbeturina në ditë. Pjesa më e madhe e këtyre mbetjeve trajtohen në Landfillin e Sharrës, në dalje të Kombinatit. Çdo ditë dhjetëra kamionë me plehra shkarkohen në këtë vend-trajtim të mbetjeve. Aty aktualisht po ndërtohet edhe inceneratori me një vlerë rreth 128 milionë euro. Por edhe pse është një ndërmarrje e madhe, Landfilli i Sharrës ende nuk ka zgjedhur problemin e derdhjes së ujërave të ndotur. Ujërat që dalin nga trajtimi i plehrave rrjedhin në sipërfaqe të tokës dhe përfundojnë në lumin Erzen.

Koncesioni

Në vitin 2016, qeveria “Rama 1”, në koalicion me LSI-në, e dhanë Landfillin e Sharrës me koncesion për të ndërtuar një incenerator.

Prej vitit 2016 punimet, ndonëse me ritme të ngadalta, kanë vazhduar. Aktualisht Landfilli i Sharrës ka një hyrje estetike në pamje të parë, me gjelbërim dhe me emrin e kompanisë që po ndërton inceneratorin. Shoqëria “Integrated Energy B.V.”, me seli në Holandë, u shpall fituese e me një kohëzgjatje të kontratës 30 vjet dhe vlera e ofruar nga kompania është rreth 128 milionë euro.

Tashmë vend-depozitimi është i rrethuar. Gjithashtu, mbetjet kanë filluar të mbulohen, por zona nuk është rehabilituar. Aktualisht funksionon vetëm landfilli, ku trajtohen mbetjet. Ndërkohë po ndërtohet dhe inceneratori, që akoma nuk ka përfunduar.

Landfilli i Sharrës në dalje të Kombinatit. Foto: Mariglen Kume

Një ndër investimet më të mëdha në zonën administrative të Bashkisë Tiranë, nuk zbaton një nga rregullat që është trumbetuar shumë nga Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, pikërisht vendosja e deporatorëve për të trajtuar ujërat e ndotur. Në jugperëndim të Landfillit të Sharrës, pranë një porte hyrëse ndodhet një tub i madh betoni që vjen nga lart, aty ku trajtohen mbetjet. Nga ai tub vazhdimisht derdhen ujërat të ndotur.

Ujërat e ndotur që rrjedhin nga landfilli . Foto: Mariglen Kume

Uji rrjedh në sipërfaqe të tokës, dhe 100 metra në vijë ajrore nga landfilli ndodhet një rezervuar i parrethuar, ku gjithashtu janë të pranishme bagëtitë e zonës. Rezervuari ka edhe një shkarkues për të derdhur ujërat kur mbushet. Rrjedha vazhdon për rreth 1 km dhe ujërat e ndotura derdhen pikërisht në lumin Erzen.

Rezervuari i cili ndodhet pranë landfillit. Foto: Mariglen Kume

Zona e Sharrës është e banuar nga një numër i konsideruar banorësh, ata e identifikojnë veten si “sharrukë”.

“Çështja e ujërave të ndotur është më shumë shqetësim për njerëzit sesa për kafshët. Pak kohë më parë kur ishin këto shirat e rrëmbyer, pati shumë prurje nga landfilli dhe shkuan në lumin Erzen. Në ato ditë banorët panë shumë peshq që kishin ngordhur, për shkak të ujërave që u derdhën në lum. Peshqit u panë nga aty ku u shkarkua uji, deri në Ndroq. Jemi ankuar në Bashki disa herë dhe ata na kanë thënë që do të ketë zgjidhje, por deri tani asnjë zgjidhje nuk kemi pasur”, tha zoti Xhameta për Portën Vendore.

Armend Xhameta banor i zonës. Foto: Mariglen Kume

Sipas ambientalistit Sazan Guri, kontaminimi i ujit të lumit Erzen me ujin e ndotur që vjen nga plehrat e Sharrës transmetohen direkt te kafshët dhe bimët e zonës, dhe përbërësit e ujit të ndotur të Landfillit të Sharrës ndikojnë negativisht në organizmin e njerëzve.

“Ujërat e dala nga mbetjet, duke u bashkuar me ujërat e shirave, prodhojnë atë që quhet ujë acid. Këto ujëra përmbajnë 7 metale të rënda. Këto metale nuk janë trajtuar kurrë.

Lumi Erzen përbën ujin më të ndotur dhe jo për shkak të qeseve apo pesticideve që përdorin bujqit, por përmban metale të rënda, dhe jo rastësisht banorët e Romanatit e Ndroqit vuajnë nga fertiliteti. Dy-tre elementë që gjenden tek këto ujëra si; plumbi, kobalti dhe kaliumi shkaktojnë probleme nervore dhe pasoja në riprodhim”, tha ambientalisti Guri.

E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Tiranë nuk dha asnjë përgjigje, në lidhje me problematikën në Landfillin e Sharrës.

Rreth autorit:
Mariglen Kume është gazetar në televizionin Tema.