Vëzhgim/Analizë

Qeveria ndryshon mendje për taksën e ndërtesës. Ua heq bashkive, ia jep OSHEE-së

20 Gusht 2018/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Më 1 korrik të këtij viti hyri në fuqi  taksa e ndërtesës, sipas formulës së re: jo mbi bazën e sipërfaqes, por vlerës së tregut. Sipas kësaj formule , qytetarët paguajnë 0.05% të vlerës së banesës së tyre, ndërsa bizneset 0.2% të vlerës së godinës, ku ushtrojnë aktivitet.

Taksa e ndërtesës me bazë vlerën e tregut ishte një ndryshim që qeveria e lançoi me bujë të madhe, duke qenë se gëzonte mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bashkë me këtë nismë u premtua edhe Kadastra Fiskale, sistemi elektronik me vlerën e pronës në çdo zonë të territorit të Shqipërisë, që do të mundësonte edhe përllogaritjen e taksës, që duhet të paguante çdo familje dhe biznes pranë pushtetit vendor.

Por ndërsa korriku erdhi dhe taksa hyri në fuqi, sistemi nuk u arrit të bëhej. Qeveria u detyrua të publikonte çmime reference, mbi bazën e të cilave bashkitë të bënin përllogaritjet dhe të vinin taksën. Ky do të ishte problemi i parë, por jo i vetmi.

Një tjetër shqetësim ishte mënyra sesi do të vilej. E thënë ndryshe, kush do të ishte agjenti që do ta mblidhte në terren. Skenari i parë ishte Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke qenë ndërmarja që zotëron bazën më të saktë të të dhënave. Por negociatat me OSHEE-në dështuan dhe qeveria u detyrua t’ia kalonte bashkive këtë përgjegjësi, duke i ngarkuar ato që ta gjenin vetë mënyrën sesi do ta mblidhnin taksën e pronës.

Nga vëzhgimi në bashkitë e ndryshme në Shqipëri rezulton se një pjesë e tyre po e mbledhin te fatura e ujit të pijshëm, duke qenë se ujësjellësat janë në varësi të pushtetit vendor. Pjesa tjetër nga inspektorët e tatim-taksave të bashkive. Mungesa e një sistemi të unifikuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës do të ishte edhe problemi i dytë, për atë që qeveria e ka konsideruar si “revolucion” me këtë detyrim fiskal.

Kthim prapa te OSHEE

Ndërsa taksa e ndërtesës sipas formulës së re ka hyrë tashmë në fuqi, në mënyrë të papritur Ministria e Financave dhe Ekonomisë u ka dërguar një projektvendim për mendim, që disponohet nga Porta Vendore, disa institucioneve, si: Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkive Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Shkodër, Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.

Në këtë projektvendim kërkohet që OSHEE të caktohet agjent për mbledhjen e taksës së ndërtesës. “Shoqëria OSHEE sh.a, në cilësinë e agjentit të mbledhjes së taksës, bën arkëtimin e taksës së ndërtesës nëpërmjet faturës së energjisë elektrike të gjeneruar nga sistemi. Shuma e arkëtuar e taksës së ndërtesës transferohet në llogari të njësive të vetëqeverisjes vendore (bashki), në përputhje me procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Transferimi në llogarinë e çdo njësie të vetëqeverisjes vendore bëhet për shumën e arkëtuar të taksës së ndërtesës së arkëtuar nga taksapaguesit për ndërtesat që gjenden në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore brenda datës 20 të muajit pasardhës së kryerjes së pagesës”, theksohet në pikën 2 të projektvendimit të Ministrisë së Financave.

Dokumenti saktëson se për punën e tij si agjent në mbledhjen e taksës së ndërtesës, OSHEE do të mbajë një komision prej 4% të shumës gjithsej, të arkëtuar nga taksa e ndërtesës për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore. Projektvendimi parashikon që kjo formë e re e arkëtimit të taksës së ndërtesës të hyjë në fuqi nga 1 janari 2019.

Caktimi i OSHEE-së si agjent në mbledhjen e kësaj takse kundërshtohet nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me argumentin se cënon autonominë vendore. “Parimisht, caktimi i një agjenti qendror për mbledhjen e një takse vendore nuk është në përputhje me synimet për një autonomi vendore dhe decentralizim. Dhe pse ne pranojmë vështirësitë që zbatimi i kësaj takse ka sjellë në bashki, nuk mendojmë se problemi kryesor është grumbullimi i taksës, por identifikimi i taksapaguesve dhe i ndërtesave si objekte të taksës. Dhe pse agjenti i caktuar, OSHEE ka një regjistër të përditësuar të klientëve të tij, projekt vendimi nuk parashikon sesi bashkitë do mund ta përdorin këtë bazë të dhënash, çka do të ishte dhe asistencë mjaft e madhe ndaj bashkive”, deklaron Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive për Porta Vendore.

Ai shpjegon se, ndërkohë që projektvendimi gjithmonë i referohet një Regjistri Qendror të Bazës së të Dhënave për Llogaritjen e Taksës së Ndërtesës, nga puna e vazhdueshme me bashkitë rezulton se vështirësia më e madhe është pikërisht krijimi i këtij regjistri dhe jo grumbullimi i taksës.

“Bashkitë kanë mungesa të informacionit në hartimin e një regjistri të tyre individual dhe pse kanë ndjekur hapat e parashikuara në Metodologjinë e Vlerësimit të Taksës së Ndërtesës.  Kërkesat zyrtare për informacion drejtuar zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ALUIZNIT etj nuk kanë marrë përgjigje nga këto institucione.  Dhe pse Ligji “Për Sistemin e Taksave Vendore”, Kreu IV / Taksa mbi Pasurinë e Paluajtshme, në Nenin 20, pika 3 parashikon se: ‘Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zyrat rajonale të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme u ofrojnë bashkive të dhënat e regjistrimit elektronik të pasurisë’, diçka e tillë nuk ka ndodhur”, shpjegon Haxhimali.

Drejtori ekzekuitv i Shoqatës së Bashkive ngre edhe një tjetër shqetësim për skemën e propozuar nga Ministria e Financave. “Na del e paqartë se si do procedohet kur klienti e paguan shërbimin për mallin bazë që merr nga OSHEE, energjinë elektrike dhe nuk paguan taksën e ndërtesës. Çfarë roli ekzekutiv do marrë OSHEE për të realizuar grumbullimin e taksës?”, pyet Haxhimali.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe eksperti i çështjeve fiskale, Panajot Soko. Për të, problem nuk është agjenti që duhet të mbledhë taksën, por mungesa e bazës së të dhënave, që ndryshe njihet si Kadastra Fiskale.

“Qeveria duket se nuk po e kupton kush është problemi i vërtetë që shoqëron taksën e pasurisë në formatin e ri. Nuk është agjenti fiskal i cili përbën problemin kryesor, por mungesa e infrastrukturës administrative e cila do të kishte levat ligjore dhe teknike për përllogaritjen në dinamikë të nivelit të taksës.

Më pas çështja e agjentit fiskal është problem që konsiderohet i zgjidhur dhe s’ka nevojë fare për arnime përgjegjësish institucionale, si kjo që po bëhet tani. Ngritja dhe përfundimi plotësisht i Kadastrës Fiskale është “alfa dhe omega” në gjithë këtë histori. Duhet ngritur kadastra, e cila do të disponojë të dhënat e çdo prone, madhësinë, vlerën, pronësinë e kujt është, adresën ku është”, shprehet Soko.

Sipas tij, ky projektvendim është i pavlerë, pasi çdo bashki i ka mundësitë ta mbledhë vetë taksën e ndërtesës, në rast se do të ekzistonte Kadastra Fiskale.

“Në këtë moment, çdo njësi e qeverisjes vendore mund ta bëjë vetë agjentin fiskal, sepse në momentin që do të ketë të gjitha këto të dhëna, s’ka nevojë për asgjë tjetër, pasi dërgon faturën e taksës me postë tek adresa e çdo prone. Sot po i kalohet OSHEE mbledhja e faturave, sepse është institucioni më i mirë-pajisur me adresarin e shtetasve. Por kjo nuk zgjidh asgjë kur vjen puna tek llogaritja e detyrimit, kush duhet të paguajë sa. OSHEE-së dikush duhet t’i japë vlerat, por ai dikush sot nuk ekziston. Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë s’di ku ka zyrat për vete, se 4 muaj ka që është krijuar, leje më të ketë adresar pronash dhe vlera, shoqëruar me adresat e pronarëve.

Prandaj e shoh të pavlerë dhe këtë VKM, ashtu siç pashë të pavlera të gjitha amendimet që iu bënë ligjit për Taksat Vendore në lidhje me taksën e pasurisë, pa krijuar më parë institucionet përkatëse që do ta implementonin atë”, shprehet eksperti i çështjeve fiskale, Panajot Soko.

Sa mblidhet aktualisht nga taksa e pronës?

Taksa e pronës konsiderohet një burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor. Ajo përbëhet nga katër kategori: mbi ndërtesat, mbi pasuritë e patundshme, mbi truallin dhe mbi tokën bujqësore. Në Shqipëri, taksa e pronës mblidhet në nivele relativisht të ulëta, rreth 0.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto kundrejt 3-fish më shumë që mbledhin vendet e rajonit.

Të dhënat e portalit financatvendore.al tregojnë se për tremujorin e parë të vitit 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 618.7 milionë lekë, me një rritje modeste prej 1.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017.

Kjo rritje i dedikohet tërësisht të ardhurave nga taksa mbi tokën bujqësore, e cila ka shënuar një rritje prej 16.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat kanë pësuar një rënie të lehtë me rreth 3% gjatë periudhës së konsideruar.

Ekspertët parashikojnë një rritje të nivelit të arkëtimit të kësaj takse me formën e re me bazë vlerën e tregut. Të dhënat e tremujorit të tretë, periudhë kur taksa ka hyrë në fuqi ende nuk kanë dalë. Por pritshmëritë do të jenë vështirë të përmbushen, në kushtet e kaosit administrativ të shkaktuar dhe kalvarit të gjatë të ndryshimeve ligjore që kanë nisur tashmë, edhe pse taksa është në fuqi.

Rreth autorit:
Aurora Sulce është gazetare ekonomie në Tiranë.