Vëzhgim/Analizë

Pse të rinjtë e Tiranës rrinë në kafe?

17 Gusht 2018/ Bulevard.org/ Tiranë

Jo rrallë të rinjtë akuzohen se kalojnë shumë kohë në kafe, por le të mendojmë për një moment se ku tjetër mund të rrinë ata nëse nuk do rrinin në kafe?Para 90’s lagjet kishin shtëpi kulture, shtëpi rinie, dhe fusha sporti. Plus kësaj edhe fushat e shkollave ishin të hapura për komunitetin. Por me rënien e sistemit, ato ose u zunë ose u shemben. 

Sot, Shqipëria, i ofron të rinjve 13 mijë bar-kafe, duke u renditur si vendi i dytë në botë për numrin e kafeneve për banorë. Ndërkohë 300 mijë të rinjtë e Tiranës kanë vetëm 11 ambiente rekreative, si biblioteka, qendra rinore apo terrene sportive.
Këto mjedise janë në varësi të Bashkisë. Por ç’vend zënë të rinjtë në prioritetet e saj?
Le t’ia nisim nga buxheti.
Bashkia shpenzon 15 milion lekë në vit për rininë. Për ta vënë këtë në kontekst, kujto që 12 milion lekë ajo i shpenzon vetëm për një website. Ndërkohë bashkia iu mbledh kafeneve çdo vit 300 milion lekë për t’i lënë që të zënë trotuaret. Para këto që do dilnin e tepronin për të ndërtuar ambiente rekreative për të rinjtë.

Meqë folëm për ambientet, të shohim çfarë i ofron bashkia të rinjve të kryeqytetit.

-Bibliotekat
Tirana vërtetë ka më shumë biblioteka, por edhe ato që janë nuk frekuentohen nga të rinjtë. Dhe kjo jo se ata nuk duan të lexojnë, por sepse stafi punon part- time, duke i mbajtur bibliotekat te hapura vetëm në kohën kur të rinjtë janë në shkollë.
Ndërsa bibliotekat e shkollave, edhe kur ekzistojnë dhe janë në kushte të pranueshme, rrinë të mbyllura sepse shkolla nuk ka bibliotekar. Kështu që çelësin e merr një prej mësuesve, të cilin nxënesit duhet ta ndjekin nga mbrapa.

– Qendrat rinore
Tirana ka vetëm një qendër rinore, që në fakt nuk shërben si vend çlodhës ku të rinjtë të mblidhen mbas shkolle. Një pjesë e ambientit të saj është kthyer në zyra, ndërsa pjesa tjetër shërben si sallë për organizatat që duan ta marrin me qira.
Vitet e fundit Tirana pati edhe një qendër të ndërtuar nga Ministria e Rinisë, por ajo do prishet dhe në vend të saj do të mbillet një kullë gjigante.
Ndërkohë shumë ambiente të tjera të bashkise, si rasti i Kinema Agimi, iu janë dhënë subjekteve private për t’i përdorur për bizneset e tyre. Sipas modelit të qeverisjes me partneritet publik-privat.
Koncept ky që bashkia po e aplikon edhe me bibliotekat e lagjeve, duke ua dhënë ato privatëve që t’i kthejnë diku ne librari-kafe e diku në qendra multi-kulturore.
Problemi është se kjo nismë jo vetëm mund të dëmtojë funksionin e bibliotekave si ambiente leximi, por do të shtojë kostot për të rinjtë që duan t’i vizitojnë. Në një farë mënyre do kemi me shume kafene, më pak biblioteka.

-Terrenet sportive
Aktualisht Tirana ka dy terrene sportive ku të rinjtë mund të luajnë pa pagesë. Njeri është tek liqeni artificial dhe tjetri në Laprakë. Por mund të jetë edhe vetëm një, sepse diskutohet që tek fusha në Laprakë do ngrihet një kullë.
Alternativat e tjera kushtojnë, pasi ose janë fusha private me pagesë, ose janë fushat e shkollave publike, ku paguhet nën dorë.
Por mos e humb shpresën.
Së fundmi, bashkia ka vendosur t’i kthejë shkollat në qendra komunitare, duke ia vënë terrenet e tyre në shërbim të komunitetit.
Nismë e mirë, por ka një problem: Bashkia nuk do t’i hapë shkollat direkt për komunitetin, por do ia kaloje në administrim shoqatave dhe federatave sportive. Kështu që të rinjtë nuk kanë më nevojë të paguajnë nën dorë mësuesin e fizkulturës. Mjafton të paguajnë shoqatën që ka marrë në dorëzim shkollën.

Çfarë sugjerojmë?

1. Si fillim, heqjen dore nga koncepti i qeverisjes me partneritetin publik-privat, çka është kthyer në një skemë monetarizimi nëpër xhepa privat të pasurive publike.
2. Shkollat, bibliotekat dhe fushat e sportit janë të qytetit dhe duhet të përdoren pa pagesë nga të rinjtë e qytetit. Nuk ka nevojë për sekserë apo ndërmjetës.
3. Bibliotekat e lagjeve duhet të menaxhohen nga bashkia dhe duhet të punojnë me orare të plota, duke qëndruar të hapura gjithë ditën, 7 ditë të javës.
4. Së fundmi, ndërtuesit duhet të detyrohet me ligj që në komplekset e reja të banesave të ndërtojnë ambiente për të rinjtë e komunitetit dhe (ku është e mundur) terrene sportive.

Kështu që, përpara se t’i akuzojmë të rinjtë, bëjmë mirë të ngremë zërin për krijimin e më shumë ambienteve sportive, kulturore dhe rekreative në qytet.

Linku i klikueshëm i faqes: https://www.bulevard.org/

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail