Ndodhi

Eshtrat e njerëzve ekspozohen në rrugë, Bashkia Mat me pushime

Gusht 2018/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Mat

Banorët e njësisë Administrative Derjan në Bashkinë e Matit vuajnë prej vitesh praninë e varrezave në lagjen “Lule”. Për shkak të amortizimit dhe erozionit, vitet e fundit eshtrat e të vdekurve po ekspozohen në rrugën kryesore të Derjanit, çka të lë një shije të hidhur kur kalon aty pranë. Në total rruga ku janë ekspozuar eshtrat e të vdekurve është 200 metra në vije lineare.

Bëhet fjalë për varrezat në afërsi të qendrës së njësisë administrative, në lagjen “Lule”. Varrezat janë ngjitur me rrugën kryesore dhe me banesat, por më e keqja është se një pjesë eshtrash njerëzish janë të ekspozuara për të gjithë kalimtarët. Gjendja e varreve këtu është sa e frikshme aq edhe e bezdisshme, pasi aty kalojnë njerëz të grupmoshave apo kategorive të ndryshme.

Shefqet Neziri, banor i lagjes “Lule” thotë se situata ka qenë problematike, por erozioni po zbulon çdo ditë e më shumë eshtra njerëzish. Shefqeti ka bërë disa herë kërkesa për këtë problematikë të komunitetit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndaj ai i bën apel pushtetit vendor të ndërhyjë .“Me ndërtimin e rrugës pranë varrezave, dheu ka rënë vazhdimisht duke nxjerrë jashtë eshtrat e njerëzve. Deri tani nuk është interesuar askush edhe pse ky problem ka prej 10 vitesh. Është shumë e frikshme pamja kur kalon pranë, pasi duken qartazi që janë kocka njerëzish. Aty është rruga kryesore e njësisë dhe ne të gjithë aty kalojmë. Kemi hallin e fëmijëve, nuk duam të rriten me të tilla trauma”, tha për Portën Vendore, Shefqet Neziri.

Fshati Derjan në Bashkinë Mat. Foto: Dritan Kurti

Ndërkohë, Esat Xhetani është banor i lagjes “Skuraj” në Derjan. Ai ka punuar gjithë jetën mësues, ndërsa situatën e eshtrave të zbuluara në sipërfaqe e sheh shqetësuese për komunitetin e zonës. “Varret ngjitur me rrugën në lagjen ‘Lule’, rrugë e cila është për gjithë njësinë janë shumë problem për neve. Këtu dy rrugë ka, ose Njësia Administrative Derjan me anë të Bashkisë Mat, t’i zhvendosë diku tjetër këto varre, ose të paktën t’iu ndërtojë një mur të hollë mbrojtës që dheu të mos vazhdojë të bjerë. Nuk është aspak e hijshme që eshtrat e njerëzve të jenë në rrugë e t’i shohin të gjithë e të tmerrohen. Ka pasur raste që iu ka rënë të fikët njerëzve kur janë përballur me këtë pamje”, tha Esat Xhetani.

Rruga që të çon drejt fshatit Derjan, ku janë të ekspozuara edhe eshtrat e njerëzve. Foto: Dritan Kurti

Këto varreza nuk përdoren më nga banorët e fshatit, sepse sipërfaqja që ka qenë e dedikuar rreth 300 metra katrorë, është plotësuar dhe fshati i ka përdorur deri në fund të viteve ‘90.

I kontaktuar nga Porta Vendore, Administratori i Njësisë Administrative Derjan në Bashkinë e Matit, Artur Qerimi, tha se do të bisedojë me drejtues të Bashkisë Mat për të gjetur një zgjidhje.

“Të gjithë e dimë se ai problem nuk lindi sot, por është aty që para viteve ‘90-të. Nuk mund të them se kush e ka fajin, por di të them që ato varre i përkasin dikujt, ndaj dhe zhvendosja e tyre nga ana jonë është krejt e pamundur, pasi ka procedura të shumta. Mendoj që zgjidhja më e mirë do të ishte mbulimi i tyre nga ana e rrugës me ndërtimin e ndonjë muri të hollë. Por për këtë më duhet të kërkoj ndihmën e Bashkisë dhe të shoh mundësinë e financimit të një vepre të tillë pasi ka një distancë të largët prej rreth 200 metrash. Unë jam me shqetësimin e banorëve dhe besoj që do ta gjejmë një zgjidhje me drejtuesit e Bashkisë Mat, në mënyrë që prezenca e eshtrave të njerëzve në rrugë, të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, tha Qerimi.

E ndërsa banorët e Derjanit ankohen për të njëqindtën herë, shumica e administratës është me pushime duke bërë që ky problem i komunitetit të marrë formë vetëm në shtator.

Rreth autorit:
Dritan Kurti është gazetar në Burrel.