6 Gusht 2018/ Laurant Lamaj/Porta Vendore/Vlorë
Tregjet e fruta-perimeve në Vlorë vuajnë mungesën e kushteve higjeno-sanitare, mungesën e tualeteve,mungesën e ujit dhe të dritave. Tezgat janë improvizuar nga tregtarët dhe produktet tregtohen në tokë, duke mbartur edhe riskun shëndetësor për konsumatorët.
Tregjet në qytetin e Vlorës janë në mëshirë të fatit. Tregtarët e pranojnë se produktet e tyre mbahen në kushte të papërshtatshme, por mungesa e një tregu të rregullt i detyron të ushtrojnë aktivitetin në këto kushte.
E njëjta situatë problematike paraqitet në të tre tregjet e Vlorës; në tregun e Orizit, në tregun e Çole, si dhe në tregun pranë Postës Qendrore.
“Uji jo, drita jo, tualete jo, pluhur kudo. Më keq se kaq s’ka ku të vejë. Është e kotë që të ankohesh, nuk gjen zgjidhje”, shprehet Besnik Rrapaj, tregtar në tregun e Orizit.
Ndërsa Tefta Pashaj, tregtare në tregun e Çoles shprehet për Portën Vendore se kushtet e tregut janë të mjerueshme. “Mungon infrastruktura e duhur, nuk ka tualete, nuk ka ujë të pijshëm. Tezgat me llamarina janë aq të vjetra, sa janë kthyer në rrezik për jetën tonë. Siç e shikoni llamarina e tezgës ngjitur është rrëzuar nga era e fortë që ka fryrë gjatë dimrit dhe ende Bashkia nuk ka marrë masa për ta hequr”, shprehet zonja Pashaj.
ShevqetCaushi banor dhe blerës në tregun e Orizit, shprehet për Portën Vendore se kushtet e tregut janë skandaloze, por çmimet e ulëta janë ato që e motivojnë atë të blejë sërish produkte në këtë treg.
“Megjithëse i paguajmë 16 mijë lekë të vjetra në muaj taksë bashkisë, asnjë investim nuk na është kthyer mbrapa në formë shërbimi”, shprehet tregtarja Rabije Hoxha, e cila ka një tezgë në tregun e Postës Qendrore.
Porta Vendore ju adresua për informacion të mëtejshëm Bashkisë Vlorë, nëpërmjet një kërkesë për informacion, ku në reagimin e saj Bashkia shprehet se janë ngritur grupe pune për evidentimin e kushteve higjeno – sanitare të tregjeve të fruta perimeve në administrim të Bashkisë Vlorë.
Gjithashtu po hartohen plan masash në lidhje me problematikat e dala nga grupi i
inspektimit, duke filluar nga dezinfektimi i ambienteve të tregjeve dhe sistemimi apo rikualifikimi i tyre. Gjithashtu do të ketë edhe një plan masash mbi raportin e kostos financiare, ku tarifa që tregtarët paguajnë është shumë herë më e ulët nga investimi apo mirëmbajtja e tyre.

Pyetjes së Portës Vendore se, a është në planet e Bashkisë Vlorë për vitin 2018 ngritja e një tregu me standarde?
Bashkia Vlorë shprehet se këto tregje janë në planet e Bashkisë për ndërtimin e tregjeve me
standarde, për të cilat janë hartuar projekte dhe për të cilat janë duke kërkuar fonde nga institucione dhe donatorë të ndryshëm për financimin e tyre.
Plotësimi i standardeve në këto tregje kërkon fonde të konsiderueshme.Problem për ndërtimin e tregjeve është dhe çështja e pronësisë së zonës kuushtrohet aktiviteti.
AKU në përgjigjen e saj dhënë Portës Vendore shprehet se, “Drejtoria Rajonale e AKU-së Vlorë ka konstatuar në vijimësi se: Tregjet e hapura të fruta perimeve (miratuar nga Bashkia Vlorë) të cilat janë funksionale, kanë mangësi strukturore si dhe mangësi të theksuara të kushteve higjeno-sanitare, banakët, tendat e diellit, si dhe pusetat janë të dëmtuara, gjë që bën që në periudhën e dimrit në këto tregje të ketë shumë baltë.

I njëjti institucion më 05.04.2016 ka kryer inspektim në tregun e hapur të Orizit ku ka konstatuar: “Mangësi në kushtet higjeno sanitare, mungesë e ujit dhe mungesë e tualeteve, prani të mbetjeve të ushqimeve të prishura dhe plehra të grumbulluara në tokë jashtë koshave, vendi i tregtimit të produkteve të bulmetit i papërshtatshëm dhe i pa ndarë nga vendi i tregtimit të fruta perimeve, mungesë dokumentacioni për gjurmueshmërinë, tregtarët ambulantë nuk plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore dhe nuk përmirësojnë kushtet higjeno-sanitare dhe strukturore në tregjet e hapura”.
Lidhur me problematikat e konstatuara gjatë kontrolleve në tregjet e hapura, duke e shprehur si shqetësim Drejtoria Rajonale e AKU-së Vlorë në formë shkresore ka bërë me dije edhe Bashkinë Vlorë, ku i është kërkuar marrja e masave për përmirësimin e infrastrukturës së tregtimit në këto tregje, por deri sot nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre.
“Për shkeljet e konstatuara në kundërshtim me kushtet e higjienës, të përcaktuara në nenin 23 të Ligjit “ Për ushqimin”, ndaj Bashkisë Vlorë e cila ka në administrim këtë treg, është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 300.000 lekë”, sqaron AKU .
Rreth autorit:
Laurant Lamaj është gazetar në qytetin e Vlorës.