Ndodhi

Gjirokastra, qytet në UNESCO por pa trotuar

2 gusht  2018/Ani Bame/Porta Vendore/ Gjirokastër

Megjithëse një qytet që çdo vit vizitohet nga qindra turistë, Gjirokastra vuan nga mungesa e trotuareve. Por edhe në rastet kur trotuaret ekzistojnë, ato janë shndërruar në lokale me tavolina e çadra apo vendqëndrim për tregtarët ambulantë, për të mos folur për rastet kur janë zaptuar nga ndërtimet pa leje .

Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën dhe pushtimin e trotuareve në një qytet si Gjirokastra ku metrat në dispozicion të vendkalimit të sigurt të kalimtarëve janë shumë të kufizuara.

Lado Hoxha ka prej vitesh një dyqan të vogël në lagjen Palorto. Rindërtimet e reja të rrugëve të brendshme zhdukën edhe ato pak hapësira të dedikuara trotuareve. Dyqani i tij tashmë është në anë të rrugës. “Ja shihe vetë, thotë ai. Nga dyqani në rrugë. Edhe autobusi këtu ndalon, në pragun e dyqanit tim. Ka pleq, fëmijë në lagje. Është e patolerueshme të katandiset qyteti në këtë gjendje. Ku të kalojmë?” shton Hoxha.

Në lagjen “Varosh” ka vetëm një trotuar të vogël nga njëra anë e rrugës, ndërsa krahu tjetër s’ka fare. Hapësirat publike nuk janë respektuar fare nga pronarët e lokaleve, që trotuaret e mëdha në rrugën “18 shtatori” i kanë mbushur me karrige e tavolina.

Bashkia të vejë dorë e t’u kthejë qytetarëve hapësirat e lira”, thotë Polikseni Çeni, banore e vjetër e lagjes Varosh.

Hapësirat e zaptuara nga lokalet.Foto: Ani Bame

Sipas kryebashkiakes së Gjirokastrës Zamira Rami, shtimi i trotuareve ka qenë pjesë e programit të saj qeverisës, ndërsa bashkia e qytetit ka ndërmarrë një aksion për lirimin e trotuareve të zaptuara nga tavolinat e bareve dhe restoranteve.

“Fillimisht do të japim një paralajmërim për të gjitha ato biznese që kanë zaptuar trotuaret e më pas do të fillojmë aksionin për lirimin e tyre. Për të gjithë ata që nuk respektojnë rregullin për lirimin e hapësirave të lira në dispozicion të komunitetit do të ketë edhe gjoba”, pohon kryebashkiakja Rami.

Rikonstruksioni i rrugës së re të lagjes “Granicë” u hoqi qytetarëve trotuarin historik që përshkonte këtë rrugë e në të cilin prej vitesh ushtronte aktivitetin e vet tregu i qytetit, ndërsa pasditeve ky trotuar shfrytëzohej si vend pushimi nga banorët. Punimet e një viti më parë e zëvendësuan atë me trase ndarëse mes korsive të makinave duke u larguar banorëve një tjetër hapësirë të shfrytëzueshme trotuari.

Për kryebashkiaken Rami, punimet e reja të këtij segmenti rrugor kanë shtuar hapësirën e trotuareve në këtë lagje duke prishur disa prej ndërtimeve pa leje.

Por vëzhgimi në terren tregon se prishja e këtyre ndërtimeve ka qenë selektive dhe banorët do të duhen të përshkojnë rrugën me zigzaget e pashmangshme.

Problemi i zaptimit dhe zhdukjes së trotuarit është sa i vjetër aq edhe i theksuar në qytetin e gurtë. Janë jo të pakta ndërtimet e bizneseve apo individëve që u kanë marrë kalimtarëve territorin e tyre duke ngushtuar përherë e më shumë sipërfaqet në dispozicion të trotuareve dhe kalimtarëve

Reshat Vishe, mësues në pension thotë se ndërtimet e reja duhet të kenë prioritet vendkalimet e kalimtarëve. “Gjirokastra është një qytet i vështirë në këtë drejtim”, thotë ai.  “Por në pjesën e poshtme të qytetit, është e pafalshme një situatë e tillë. Mirë ndërtesat që janë bërë kuturu, po nuk ke ku kalon, shtypin njerëzit njëri – tjetrin”, thotë ai pa e fshehur dëshpërimin.

Gjirokastra mund të cilësohet si qyteti pa trotuare, aty ku këmbësorët duhet çdo ditë të përballen me rrezikun që sjell ecja në rrugën automobilistike.

Banorët duhet të bëjnë zigzage në ato pak trotuare që ekzistojnë në Gjirokastër. Foto: Ani Bame

Segmenti rrugor që lidh lagjen “Zinxhira” me atë “Punëtore” ka vetëm shenjën e asaj që duhej të ishte një trotuar normal. Në përfundim të mandatit të vet qeverisës, kryebashkiakja Rami nuk arriti ta mbajë premtimin e dhënë qytetarëve për shtimin e hapësirave dedikuar kalimtarëve. Aksionet e gjobitjes për subjektet që tregtojnë apo shërbejnë duke shfrytëzuar trotuaret, përfliten çdo sezon veror, por zbatimi i tyre në rastin më të mirë është selektiv apo mungon plotësisht.

Ndërkaq e pyetur nga Porta Vendore, Policia Bashkiake e Gjirokastrës tha se aksionet po vijojnë për lirimin e trotuareve, por kryesisht të fokusuar ndaj tregtarëve ambulantë. Kreu i Policisë Bashkiake Gjirokastër, Gramoz Llapi, pohon se ai vet ka qenë iniciatori i një vendimi të Bashkisë Jugore në vitin 2015, porsa erdhi në pushtet kryebashkiakja Rami. Por ai thekson së ndërhyrja ndodh kryesisht kur ka shqetësime nga qytetarët, pra denoncime prej tyre.

“Sa u përket hapësirave të zëna nga lokalet ato kompensohen me taksa nga vet subjektet. Të ardhurat e përfituara, shfrytëzohen nga bashkia për më shumë punë publike, kryesisht e përkthyer në zëra e shërbime për qytetarët. Problematika është e mbartur, ne mund të mbrojmë vetëm hapësirat e trotuareve ekzistues, dhe të jemi mbështetës i Policisë Ndërtimore”,  tha zoti Llapi.

Nga kjo e fundit (policia ndërtimore) Porta vendore nuk mori asnjë përgjigje, ndonëse tentuam të kontaktojmë disa përfaqësues të saj.

Por çfarë thotë Ligji për mungesën e trotuareve në Gjirokastrën e UNESCO-s, që për hir të së vërtetës është e pushtuar nga turistë. Sipas VKM-së që mban datën 09.07.2015, sqarohet qartazi që është detyra e Bashkisë të lirojë trotuaret dhe t’i mundësojë ato, në rastet e ndërtimeve abuzuese përmes një marrëveshjeje me privatin, apo edhe me forcën e imponimit të ligjit, duke u kujtuar edhe detyrimet reciproke palëve për zbatimin e rregullave për krijimin e infrastrukturës publike.

Rreth autorit:
Ani Bame është gazetare në Tiranë.