Vëzhgim/Analizë

Emergjencat e Bashkive “në emergjencë” për mjete dhe pajisje

31 korrik 2018/ Raimond Kola/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Shërbimet zjarrfikëse në 7 Bashkitë e  Qarkut të Gjirokastrës kanë plotësuar repartet me efektivat e gatshme,  por kanë pak mjete dhe pajisje për operacionet e shuarjes së zjarreve. Numri i zjarrfikësve po rritet, por teknika ka mbetur në vend, thonë drejtuesit e këtij shërbimi. Qarku u prek vitin e shkuar nga numri më i madh i zjarreve në Shqipëri. Në 353 operacione vetëm në rrethin e Gjirokastrës, u vunë re sfida me mjetet zjarrfikëse.

Stacionet e reja zjarrfikëse në 4 nga shtatë bashkitë nuk kanë asnjë mjet zjarrfikës megjithëse kanë krijuar repartet e shuarjes së zjarreve. Qendra Historike e Gjirokastrës që mbrohet nga UNESCO ka mjaft sfida në masat për mbrojtjen nga zjarret të asambleve muzeale dhe shtëpive historike qindravjeçare, ndërsa banorëve u kërkohet që të vënë në gatishmëri edhe sterrat e ujit për të ndërhyrë në rastet e emergjencave.

Plotësohen me staf stacionet zjarrfikëse në 7 bashkitë, por mungojnë mjetet zjarrfikëse

Temperaturat kanë nisur të ngrihen dhe vera e nxehtë ka shtuar rrezikun e rënies së zjarreve. Qarku i Gjirokastrës që përfshin shtatë bashki: Tepelenën, Memaliajn, Libohovën, Dropullin, Këlcyrën, Përmetin dhe Gjirokastrën njohu vitin e shkuar rastet më të shumta të rënies së zjarreve në shkallë vendi,  dhe rreziku mbartet edhe këtë vit.

Situata e reparteve zjarrfikëse është gati e njëjtë për sa u përket kapaciteteve të mjeteve dhe teknikës, (Tabela 2) ndërkohë që burimet njerëzore kanë njohur përmirësime këtë vit, prej krijimit të stacioneve të reja në katër nga bashkitë e Qarkut.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër, Kujtim Bizhga thotë se në shtatë bashkitë e Qarkut në vitin 2018 janë plotësuar stacionet zjarrfikëse me strukturat e efektivave të gatshme. “Tre prej stacioneve të Bashkive përkatësisht; Përmet, Tepelenë dhe Gjirokastër prej vitit 2015 ishin në varësi të Bashkisë, pas kalimit të këtij  shërbimi nga prefekturat. Ndërkohë 4 stacionet e reja në katër prej bashkive përkatësisht; Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë dhe Dropull  u krijuan këtë vit në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave të  prillit 2017”, tha zoti Bizhga për Portën Vendore.

Zoti Bizhga thotë se strukturat e reja të këtij shërbimi  janë ngritur  në këto bashki mbi bazë të parimit që për 1500 banorë – 2000 banorë të ketë 1 zjarrfikës.  Por  shërbimet në 4 stacionet e reja  sipas drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër, nuk kanë mjete në dispozicion për shuarjen e zjarreve. “Vetëm Bashkia e Dropullit është në pritje të një mjeti zjarrfikës, dhuratë nga Greqia, që do të ndihmonte veprimin e efektivave të gatshëm në terren. Mjeti na është premtuar se do vijë këtë verë’, thotë nënkryetari i Bashkisë së Dropullit Mihal Mano. Mediat greke kanë njoftuar se mesin e korrikut është zhvilluar në Janinë ceremonia për dorëzimin e dy mjeteve të reja zjarrfikëse,  për Bashkitë Dropull dhe Finiq, dhuratë e Qeverisë greke për dy bashkitë shqiptare.

Mjet zjarrfikëse, dhuratë nga shteti Grek.

“Bashkia e Dropullit është mbështetur nga qeveria shqiptare dhe ka vënë në dispozicion 10 milionë lekë për krijimin e këtij shërbimi dhe  rekrutimin e efektivave të cilët  janë stërvitur gjatë këtyre muajve” tha zoti Mano. Tre bashkitë e tjera Tepelenë, Përmet dhe Gjirokastër që mbulojnë njësitë administrative, por edhe qytetet,  stacionet  zjarrfikëse kanë funksionuar deri në 2015  , në varësi të prefekturave dhe më pas u kaluan bashkive. Këto stacione në  Përmet dhe Tepelenë,  kanë nevojë për mjete zjarrfikëse të reja, pasi mjetet aktuale janë të kufizuara dhe mjaft të vjetruara. Operacionet në terren ndihmohen në gjithë zonën e Qarkut nga shërbimi i Gjirokastrës që shihet si Qendër Qarku . “Mjeti që ne kemi për fikjen e zjarrit është i viteve shtatëdhjetë’, thotë  Veledin Abazi, Përgjegjësi i Shërbimit Zjarrfikës në Tepelenë. “Efektivët i kemi të përgatitur,  por është si të kesh ushtarë dhe të mos kesh armë”, vijon ai. I pyetur se a ka plane për ndryshimin e situatës së mjeteve Bashkia e Tepelenës, zëdhënësi i Bashkisë Aleksandër Toti, tha se Bashkia po shqyrton mundësinë për blerjen e një mjeti të ri dhe po kërkohet mbështetje financiare, pasi të ardhurat e vetë bashkisë janë të pakta për ta realizuar këtë blerje me financimet e veta. “Herë pas herë është bërë përpjekje që shërbimi të ketë pajisje sidomos në operacione emergjence”, tha zoti Toti. Shërbimi zjarrfikës në Tepelenë tha ai, ka 38 efektiva zjarrfikëse në gatishmëri dhe rregullisht ato  kryejnë stërvitje dhe përfshihen  në ndërhyrje operacionale. “Në rastet e zjarreve të vitit  të shkuar kur u dëmtuan edhe rreth 12 ha në kurorën e gjelbër të qytetit, u kërkua ndihma jo vetëm nga Gjirokastra, por edhe Shërbimi Kombëtar i Emergjencave dhe Strukturat e Ushtrisë” tha zoti Toti.

Zjarrfikëset e Gjirokastrës, modeli në ngritje

“Mosha mesatare e punonjësve zjarrfikës të Gjirokastrës është ulur ndjeshëm dhe sot 50 % e tyre janë 34-35 vjeçare”, thotë Drejtori i këtij shërbimi  Kujtim  Bizhga. Ai ka drejtuar procese stërvitore në terrene të vështira edhe gjatë dimrit. “Punonjësit, kanë sot uniforma të standardeve ndërkombëtare, numri i mjeteve në shërbim të emergjencave është rritur,  por teknika duhet të vijojë të përmirësohet”, tregon ai. Sipas zotit Bizhga “shërbimet homologe të vendeve fqinje i kanë mjetet të pas viteve 2010 dhe i ripërtërijnë herë pas here, ndërsa  në gjithë qarkun  e Gjirokastrës, asnjë mjet nuk është i prodhimit të pas viteve 2000. Mjetet e vjetra, të lënë në baltë në operacione dhe ndaj duhen ripërtërirë”, tha zoti Bizhga. Nuk është vetëm çështje rinovimi mjetesh por edhe pajisjesh, pasi të gjitha ndërhyrjet, që nga një zjarr në pyje dhe deri tek një ndërhyrje në aksident, kërkojnë plotësim të pajisjeve për zjarrfikësit. Zoti Bizhga kujton se vetëm gjatë muajit gusht vitin e shkuar, shërbimi zjarrfikës i Bashkisë së Gjirokastrës, mbuloi rreth 100 ndërhyrje operacionale, duke e zgjeruar gjeografinë  jo vetëm në këtë qark por edhe në bashkitë Sarandë dhe Finiq. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Gjirokastër i kushton rëndësi edhe nevojës për ndërgjegjësimin e banorëve të zonave rurale, që jetojnë kryesisht me mbarështimin e bagëtive. “Pjesa dërrmuese e zjarreve vihen nga barinjtë, për të rigjeneruar kullotat  dhe këtë vit paralajmërimet janë më të forta. Zjarret nuk i shkaktoi natyra, por dora e njeriut në shumicën e rasteve, disa persona u ndaluan, por ky numër mbetet shumë i vogël, në krahasim me vatrat e zjarrit, thotë ai.

Mjet i vjetër zjarrfikës në Gjirokastër. Foto: Raimond Kola

Dëmet e 2017 nga zjarret nuk kursyen asgjë

Repartet zjarrfikëse u përballën në 2017 në Qarkun e Gjirokastrës  me rreth 353 operacione në terren, shumica në sipërfaqe pyjore dhe kullosore, por edhe objekte banimi, objekte sociale madje edhe objekte kulti. Viktima të zjarreve ishin, që nga disa shtëpi në zonat rurale deri tek ekonomi të vogla të bletëve në zonat pyjore dhe kullosore që u dogjën. Për ironi të fatit një shtëpi në Saraqinisht të Gjirokastrës u dogj nga rakia (pronarët zinin rrushin për raki dhe harruan zjarrin ndezur ) ndërsa një banor në Tepelenë nuk arriti ta largonte traktorin që punonte tokën para se flakët ta përpinin.  “ Ishte një situatë e vështirë, që kërkon masa më të forta këtë vit dhe në disa drejtime”, thotë Drejtori i Shërbimit  Zjarrfikës në Gjirokastër, Kujtim Bizhga. Bashkia e Dropullit me territoret në kufi me Greqinë, njohu dëmet më të mëdha nga zjarret vitin e kaluar që kërcënuan disa herë edhe lagje të banuara të fshatrave. Por  shkrumbimit nuk i shpëtuan as kurora e gjelbër e  qytetit të Tepelenës dhe kurora e pishave mbi Liqenin e Viroit në Gjirokastër.  Zjarret në rreth 95 % të tyre në pyje dhe kullota ishin zjarrvënie të  qëllimshme, por asnjë person nuk u ndëshkua nga gjykata. Sipas bazës së të dhënave në Gjykatë në Gjirokastrës nuk shënohet gjatë vitit 2017 asnjë çështje penale për zjarrvënie të qëllimshme apo dëmtim të pronës nga zjarri. Ndërkohë të dhënat zyrtare nga Prokuroria flasin për disa persona të hetuar por pa arritur të gjenden prova,  për ti vënë zjarrvënësit para drejtësisë. Në nivel kombëtar sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2017, mbi kriminalitetin në vend u shënuan 714 procedime penale për shkatërrim të pronës me zjarr,nga të cilat 21 u dërguan në gjykatë me 42 të pandehur, 17 prej të cilëve të dënuar nga gjykata. Sipas Raportit pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave të tjera penale “Shkatërrimi i pronës” është 52,85 % për vitin 2017, ndërkohë që për vitin 2016 ka qenë 36,4 %. “Nga të dhënat statistikore vlerëson raporti Prokurorit të Përgjithshëm,  në vitin 2017 vihet re tendenca në rritje me 2,5 herë e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, në krahasim me vitin 2016. Raporti vlerëson gjithashtu se gjatë vitit 2017 u regjistruan 45 procedime penale për shkelje të Nenit 206/a “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve” por në Gjykata nuk u dërgua asnjë procedim, ndërkohë që të pandehurit e hetuar  ishin vetëm 2. Kodi penal shqiptar parashikon masa të rënda dënimi për vendosjen e qëllimtë të zjarrit në pyje. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet. Kur nga vepra penale janë shkaktuar pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim deri në dhjetë vjet.

Pyjet dhe kullotat i kaluan pushtetit vendor  dhe rreth 80% e sipërfaqeve pyjore dhe kullosore, janë tani në administrim të Bashkive. Nga vlerësimet në terren të  specialistëve pyjorë shihet se dëmet nga zjarret në një pjesë të mirë të bashkive  përbëjnë edhe faktorin më madhor të dëmtimit të pyjeve, krahasuar me faktorët e tjerë.

Reparti Zjarrfikës në qytetin e Gjirokastrës. Foto: Raimond Kola

Mosndëshkimi për zjarret, nxit djegiet e qëllimshme

Specialistët e pyjeve flasin me shqetësim për nivelet e ulëta të ndëshkimeve nga organet e drejtësisë, të cilat kanë nxitur zjarrvëniet e qëllimshme. Në Shqipëri ka një “traditë të keqe” të barinjve që djegin kullotat me pretendimin për ripërtëritjen e tyre, me shirat e parë të vjeshtës. Në mjaft raste, këto zjarre të qëllimshme dalin jashtë kontrollit dhe nga sipërfaqet kullosore prekin sipërfaqe të mëdha pyjore. Barinjtë, shihen si zjarrvënësit kryesorë dhe ndonëse shërbimet pyjore marrin prej tyre deklarata të përvitshme për mospërsëritje kontratash në raste zjarresh në sipërfaqet që ata kanë me qira, asnjë prej tyre nuk penalizohet nga ana administrative. Kryetari i organizatës jo qeveritare “Federata e Pyjeve në Gjirokastër”, Kleanthi Mandi , thotë se masat ligjore duhet të jenë më të ashpra. Sipas inxhinierit pyjor, dëmi ekonomik nga zjarret është kolosal për pyjet, të cilat kanë pësuar vitet e fundit pasoja të mëdha nga prerjet e pakontrolluara dhe keqmenaxhimi. Ai thotë gjithashtu, se zjarret dëmtojnë rëndë florën dhe faunën.” Bashkë me florën digjet edhe fauna; lepuri, dhia e egër, dhelpra e ariu, që nuk i largohen dot zjarrit. Zjarret shkaktojnë katastrofa që për tu rikuperuar duhen disa vite, sepse bashkë me zjarret dëmtohet e gjithë sipërfaqja e parë e tokës”, thotë Inxhinieri pyjor,  Kleanthi Mandi. 

Qendra Historike e Gjirokastrës -sfidat e mbrojtjes nga zjarri

Qendra  Historike e Gjirokastrës është e ekspozuar ndaj një sërë rreziqesh me shkaqe natyrore ose njerëzore. “Nga këto rreziqe, ai i zjarrit është më i shpeshti e më i dëmshmi”, thotë Elena Mamani, specialiste pranë Organizatës “Trashëgimi Kulturore pa Kufij”. Zjarre të fuqishme kanë shkatërruar shtëpi e lagje të tëra, disa herë përgjatë historisë së Gjirokastrës. Vetëm dy dekadat e fundit, qyteti humbi nga djegia  shtëpi monumentale, si ajo ku  lindi shkrimtari Ismail Kadare, në nëntor te vitit 1999. Zjarri aksidental, i cili kishte si shkak shpërthimin e një bombule gazi, brenda pak minutash e rrafshoi plotësisht. Në janar 2008, flakët e zjarrit të shkaktuara nga një lojë fëmijësh, do të shkrumbonin plotësisht banesën 300 vjeçare të Koloit. Nëse pranë shtëpisë do të kishte një hidrant emergjence, atëherë dëmet e shkaktuara do të ishin të pakta. Në 2015 zjarri përfshiu shtëpinë e lindjes së Musine Kokalarit, shkrimtares dhe disidentes së njohur shqiptare, duke sjellë dëme të pariparueshme për këtë objekt , cilësuar “Monument Kulture”.Një shkëndijë në linjën e vjetër elektrike do ta shkrumbonte për pak orë banesën pa u dhënë asnjë mundësi zjarrfikësve. ”Linjat e  vjetra elektrike  janë një problem për shtëpitë historike, pasi janë 30 dhe 40 vjeçare  dhe kalojnë nëpër çatitë prej druri”,  thotë zoti Bizhga. Një shkëndijë e tyre favorizohet nga lënda e drurit në çati dhe nëse nuk ndërhyhet në kohë pasojat janë të pariparueshme”, shpjegon Drejtori i Shërbimit zjarrfikës. Gjirokastra vuan nga ndërprerje të furnizimit me ujë,veçanërisht gjatë muajve të thatë të verës  dhe sinjalizuesit e zjarrit janë pothuajse të papërdorur. Rrugët e kalldrëmta të qendrës historike, janë shpesh tepër të ngushta për makinat e zjarrfikëseve, ndërkohë që afërsia mes banesave rrit mundësinë e shpërndarjes së zjarrit me shpejtësi, nga një ndërtesë te tjetra. Në Gjirokastër, sipas zoti Bizhga, janë të nevojshme dy-tre zjarrfikëse jo shumë të mëdha, në mënyrë që të depërtojnë lehtë në një situatë rreziku, në rrugicat e ngushta të qytetit. Ndërtimi i rrjetit të Ujësjellësit me rreth 60%të rrjetit të mëparshëm, ka sjellë një përmirësim në vendosjen e 29 hidrantëve pranë spitaleve, hoteleve, karburanteve, banesave historike , ku tani zjarrfikëset e kanë më të lehtë të furnizohen,  pa kërkuar që gjatë operacioneve të drejtohen në zonat  fikse për të kryer furnizimin me ujë.

Hidrant në Qendrën historike Gjirokastër. Foto: Raimond Kola

Thirren në ndihmë sterrat e ujit për mbrojtjen nga zjarri

Arkitektura tradicionale e banesave në Qendrën e Trashëgimisë  Botërore që mbrohet nga UNESCO në Gjirokastër, përmban një mjet të veçantë për të luftuar rrezikun nga zjarri:sterrat e ujit, pjesë e shtëpive historike. Një projekt pilot i Organizatës “Trashëgimi Kulturor pa Kufij”(CHËB) ka provuar  qëndrueshmërinë e të përdorurit të sterrave tradicionale të ujit që gjenden në banesat tradicionale, si një burim i kudondodhur uji për shërbimin e zjarrfikëseve dhe banorët vendas, për të dhënë një përgjigje të shpejtë në rast zjarri. “Sterrat janë përdorur nga banorët vendas, shumë para vendosjes në përdorim të sistemit të ujësjellësit të qytetit. Këto sterra mund të grumbullojnë një sasi të madhe uji shiu: nga 50 në maksimum deri në12m3 ujë, 15 herë më shumë se kapaciteti i një depozite të zjarrfikëseve”, thotë Elena Mamani, specialiste pranë organizatës. “Qëllimi i këtij projekti realizuar gjatë vitit 2017, është rijetëzimi i sterrave tradicionale të ujit, si një mjet për të adresuar një rrezik të mundshëm që i kanoset trashëgimisë së ndërtuar të Gjirokastrës e Beratit” tregon ajo. Në kuadër të projektit krahas përpilimit të një strategjie për përgatitjen dhe përgjigjen në raste zjarri, janë kryer trajnime të institucioneve dhe banorëve vendas, për të qenë të përgatitur në rast emergjence.

Por teksa  temperaturat janë gjithnjë e në rritje, qarku i Gjirokastrës mund të ketë sërish probleme me zjarret. Megjithëse, ashtu si edhe një vit më parë, bashkitë në qark nuk kanë realizuar ndonjë ndryshim në infrastrukturë mbi shërbimin zjarrfikës.

Sterrat në shtëpitë karakteristike të qytetit të gurtë. Foto: Raimond Kola

Rreth autorit:
Raimond Kola është korrespondent i Zërit të Amerikës në Gjirokastër.