28 Korrik 2018/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Elbasan
Elbasani do të jetë i pari qytet ku do të vendosen mbi 1100 kamera sigurie. Bashkia do të shpenzojë nga buxheti i saj më shumë se 1 milion euro për pajisjen me kamera në institucionet publike. Por, për qytetarët, kjo është një shifër marramendëse, që mund të kishte shkuar për investime në qytet, ndërsa sipas Bashkisë Elbasan, sistemi i kamerave ishte një emergjencë për qytetin.
Bashkia Elbasan hapi më 28 maj 2018 një tender për pajisjen e qytetit me rreth 1100 kamera. Nga 5 kompani garuese, fitues i tenderit me vlerë rreth 133 milionë lekë të reja (pa tvsh) është shpallur kompania Elektrosek, me ofertë 99% të fondit limit, ndërkohë që 4 kompanitë e tjera konkurruese janë skualifikuar për mungesë dokumentacioni. Në këto kushte, pikërisht më 23 korrik, Bashkia Elbasan ka lidhur kontratën 3 vjeçare me kompaninë fituese, ku parashikohet pajisja me kamera sigurie e objekteve arsimore dhe institucioneve publike në varësi të bashkisë, si dhe mirëmbajtja e tyre. Ndërkohë, rezulton se më herët e njëjta kompani, pikërisht në janar 2018, ka kryer riparimin e kamerave të sistemit monitorues të qytetit të Elbasanit, me një vlerë prej 666 mijë lekësh të reja. Kompania Elektrosek e specializuar në fushën e kamerave të sigurisë është krijuar në vitin 2011 dhe që nga ai vit e deri më tani, ka fituar në total 7 tenderë nga pushteti vendor, përkatësisht 3 nga Bashkia Tiranë, 1 nga Bashkia Vlorë, 1 nga Bashkia Durrës, dhe 2 nga Bashkia Elbasan, megjithëse me vlera shumëfish më të vogla se tenderi i Bashkisë Elbasan, por ku të gjitha së bashku kapin vlerën e 140 milionë lekëve të reja, pa tvsh. Ky është tenderi i parë që kalon shifrën e 100 milionë lekëve nga Bashkia Elbasan për vitin 2018, ku lloji i kontratës është specifikuar si blerje mallrash.
Bashkia Elbasan deklaron se ky investim është ndërmarrë duke u bazuar në ligjin për “Masat shtesë për sigurinë publike”. “Është një detyrim ligjor për të gjitha subjektet publike. Institucionet që do të preken nga ky investim janë objektet arsimore dhe institucionet publike në varësi të Bashkisë Elbasan. Kjo kontratë nuk shtrihet në kryqëzime dhe rrugët kryesore. Do të vendosen në total 1154 kamera sigurie publike, nga të cilat 552 janë kamera të jashtme dhe 602 kamera të brendshme”, deklaroi Bashkia Elbasan, e cila shtoi se vendosja e kamerave do të bëhet në pikat që sipas vlerësimit të Policisë së Shtetit, përbëjnë burim rreziku të shtuar për rendin dhe sigurinë publike.
Por, institucionet ku do të vendosen kamera sigurie janë edhe ambientet arsimore. Madje, banorët dhe shoqëria civile e shikojnë shpenzimin të pamenduar mirë, pasi sipas tyre, këto para mund të ishin përdorur për investime dhe shërbime që janë më në dobi të qytetarëve.
“Ky është një tender i majmë për nga shifra, një tender i cili mund të konsiderohet si risi për bashkitë, pasi deri më sot nuk është realizuar nga asnjë prej 60 bashkive të tjera”. Megjithatë vendosja e kamerave në institucionet arsimore nga bashkia, (pavarësisht se kjo e fundit ka në kompetencë infrastrukturën shkollore), duhet parë me kujdes, sepse mund të bjerë ndesh me bordet e prindërve, ku në çdo shkollë këta të fundit kanë vendosur për vendosjen ose jo të kamerave”, tha Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania.
Ndërsa Bashkia Elbasan, e pyetur nga Porta Vendore, është e një tjetër mendimi për pyetjen e bordeve të prindërve. “Vendosja e kamerave nëpër shkolla është një detyrim ligjor për rritjen e sigurisë dhe si i tillë nuk kërkon një miratim paraprak nga asnjë grup interesi apo institucion”, deklaroi Bashkia e Elbasanit.
Megjithatë, kjo mënyrë të vepruari kundërshtohet edhe nga Drejtori i Zyrës Arsimore në Elbasan, Alqi Cabiri, i cili tha se ky është një proces, ku institucioni i tij po mbështet Bashkinë Elbasan, për aksesin në shkollë. “Prindërit nuk janë pyetur fare për këtë zhvillim. Në fakt ne si Zyrë Arsimore kemi për detyrë vetëm të ndihmojmë bashkinë në këtë proces, por për mendimin tonë, normalisht që bordet e prindërve së paku duhej të ishin pyetur e të ishte konsultuar gjerë e gjatë kjo çështje me ta”, deklaroi Drejtori i Zyrës Arsimore në Elbasan, Alqi Cabiri, për Portën Vendore. Më tej, ai deklaroi se janë tre shkolla pjesë e projektit të dixhitalizimit, që do të thotë se kanë projektorë e laptopë në disa prej kabineteve. Këto shkolla aktualisht janë të pajisura me kamera, ndërsa shkollat e tjera janë të pakta, ka edhe nga ato shkolla që kanë të inqëstaluar vetëm një kamera. Ndërkohë këto ditë po kryhet edhe inspektimi nëpër shkolla , për numrin e kamerave dhe pozicionin e tyre”, tha Cabiri.
Për Avdyl Shkalla i cili është prind i dy vajzave në shkollën 9 vjeçare “Ali Agjahu” në Elbasan, sistemi me kamera edhe mund të ishte shmangur nga Bashkia Elbasan.
“Jo se jam kundra idesë së sigurisë, për fëmijët, madje ku ta gjej që shkollat të monitorohen sepse kështu mbrohen nga veprimet e pahijshme dhe situatat kriminale. Por nga ana tjetër më duket shpenzim i tepërt, për aq kohë sa shkollat kanë pasur ndonjë kamera tek–tuk, me problemet e saj, herë duke punuar e herë jo. Nuk i shoh shumë të nevojshme këto kamerat, ne populli i thjeshtë e ndjejmë veten të sigurt edhe pa to. Më mirë sa të shpenzonte gjithë atë shifër me shumë zero nga buxheti i saj, bashkia mund të bënte investime të papara në qytet e zonat përreth, ku ka problematika të shumta, të cilin nuk e zgjidhin kamerat”, tha Avdyli.
Tenderë mbi 100 milion lekë
Nga të dhënat që disponon Open Data, Bashkia Elbasan gjatë vitit 2016-2018 ka pasur në total 8 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja, ku fitues kanë qenë 7 operatorë ekonomikë dhe totali kap vlerën e 1 miliard lekëve. Gjatë vitit 2017, kjo bashki ka realizuar 3 tenderë me procedurë të hapur, me vlerën mbi 100 milionë lekë për sektorin e investimeve, ku për dy prej tyre, është shpallur fituese kompania Be-Is, ku në njërin rast ka konkurruar e vetme, ndërsa në rastin tjetër në kooperim me një tjetër kompani.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa medias kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.