Vëzhgim/Analizë

Bashkitë e qarkut të Dibrës, jo transparente në publikimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak

27 Korrik 2018/Sami Curri/Porta Vendore/ Dibër

Nga një vëzhgim i realizuar nga Porta Vendore për transparencën e 4 bashkive të qarkut Dibër në lidhje me informacionin e nevojshëm për mbledhjet e  këshillit bashkiak si dhe vendimet që merren, bashkia Mat rezultoi më korrekte përsa i përket publikimit të vendimeve, ndërsa në Bashkitë Klos, Bulqizë dhe Dibër transparenca lë shumë për të dëshiruar. Mos publikimi i vendimeve shpesh konfuzon edhe qytetarët e këtyre zonave duke e bërë informacionin e paaksesueshëm.

Xhafer Imeri është banor i Lagjes së Re në Bulqizë.Në fillim të muajit shtator 2017 pronat e tij, por edhe të shumë banorëve të tjerë në këtë lagje u dëmtuan nga rrëshqitja e tokës. Për këtë, me kërkesë të Këshillit Bashkiak Bulqizë, u ngrit një grup inspektimi nga Bashkia Bulqizë dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se 7 muaj nga ky inspektim, ai dhe banorët e tjerë nuk dinë se cilat ishin gjetjet e këtij raporti për shkaqet e rrëshqitjes së tokës, edhe pse kanë kontaktuar me administratën e Bashkisë. “Ku ta marrim vesh se çfarë ka ndodhur. Raporti u tha se do t’i kalonte Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak dhe më pas do mund ta merrnim. Po ku të drejtohemi, ne nuk dimë ku të drejtohemi për të mësuar për atë se çfarë na ka ngjarë ne”, shprehet për Porta Vendore Xhafer Imeri.

Që prej vitit 2015 banorët e tre fshatrave të njësisë administrative Fushë-Bulqizë, po protestojnë për mbrojtjen e një masivi pyjor të njohur si “Sheshe Bulqizë”, e vetmja zonë pyjore që ka ngelur e pa prekur deri më sot. Bashkia e Bulqizës në fillim të muajit maj, pas një kërkesë të koncesionarit, tentoi të shtynte afatet e lejes së ndërtimit të rrugës automobilistike për shfrytëzimin e masivit pyjor, që kundërshtohet nga banorët, pasi leja për këtë të fundit kishte përfunduar, kjo e kërkuar përmes një projekt-vendimi, për të cilin kërkoi miratimin e Këshillit Bashkiak. Koncesionari ka fituar një tender për shfrytëzimin e masivit pyjor të njohur si “Sheshe Bulqizë”, fillimisht bashkimi i tri kompanive kishte një koncesion për shfrytëzim pa rrugë auto – pyjore dhe më pas bërë një shtojcë në kontratë me Ministrinë e Mjedisit dhe me pëlqimin e Bashkisë Bulqizë për hapjen e një rruge që do të dërgonte tek masivi pyjor.

Pas dy mbledhjesh, Bashkia përmes juristit të saj, njoftoi tërheqjen e kërkesës për votimin e projekt-vendimit, duke thënë se Këshillit i ishte kërkuar vetëm mendim.

Por vetëm pak ditë më parë, kompania që ka fituar koncesionin, “Almex-Ëood” dhe ‘Lubima’ sh.p.k, për shfrytëzimin e pyllit pranë fshatrave, vazhdoi punën për hapjen e rrugës. Lahim Deda, një prej banorëve të zonës u shpreh për Portën Vendore se vendimin apo edhe procesverbalin e mbledhjes sëKëshillit nuk e disponojnë. “Protesta është kolektive. Për të marrë vendimin e Këshillit që e refuzonte propozimin e kompanisë për hapjen e rrugës automobilistike duhet t’i biesh nga Kina. Të bësh kërkesë e të presësh derisa ata të kthejnë përgjigje. Kjo është punë kolektive, do të duhej një person që të merret me këtë punë. Por situata është e tillë që çdo vonesë kthehet në problem. Kur këta mund t’i publikonin vendimet në faqen e internetit dhe ju plasje në fytyrë vendimin dhe atë se çfarë Këshilli kishte vendosur për këtë çështje” shprehet Deda.

Publikimi i vendimeve të Këshillit Bashkiak dhe transparenca e njësive të pushtetit vendor është një detyrim që buron nga ligji 119/2014 “Për të drejtën e Informimit” dhe gjithashtu nga ligji organik 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, neni 17 pika 2 thuhet qartë se: “Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet publik në vende të caktuara për këtë qëllim brenda territorit të njësisë vendore dhe në media të aksesueshme në njësinë vendore, dhe përmban datën, vendin, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes”. Me një ligj të tillë edhe afishimi i vendimeve nënkuptohet. Ku në faqen e internetit të pushtetit vendor duhet të jenë të afishuara vendimet. Banorët kanë pasur ankesë se edhe mbledhja nuk është bërë publike.Por nga bashkitë e Qarkut të Dibrës një ligj i tillë shkelet me të dyja këmbët.

Bashkia Dibër

Pas kërkesës për informacion të“Porta Vendore” drejtuar bashkisë së Dibrës, kjo e fundit deklaron se datat e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak publikohen së bashku me rendin e ditës në faqen zyrtare tëBashkisë Dibër dibra.gov.al, gjithashtuedhe vendimet e Këshillit Bashkiak publikohen në të njëjtën faqe.

Nga monitorimi i faqes së Bashkisë Dibër, në kategorinë “Këshilli Bashkiak”, rezulton se një gjë e tillë nuk bëhet, por jepet vetëm një informacion rreth punës së Këshillit. Madje tek kjo kategori e cila duhet të ishte e pasur me informacion, nuk ekziston as dhe lista e këshilltarëve. Publikimi për mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 16 maj 2018, është bërë fill pas kërkesës për informacion të Portës Vendore.Nderkohë asnjë vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak Dibër nuk është publikuar në faqen e internetit tëBashkisë.

Menjëherë pas kërkesës për informacion që Porta Vendore ka depozituar në bashkinë Dibër, ka pasur lëvizje në këtë drejtim.

Bashkia Dibër. Foto:Sami Curri

Irini Shehu, anëtare e Këshillit Bashkiak Dibër, përfaqësuese e Partisë Demokratike u shpreh për “Porta Vendore” se anëtarët në Këshillin Bashkiak të Dibrës e kanë ngritur disa herë si shqetësim këtë çështje, duke i kërkuar administratës së Bashkisë që të marrë masat e nevojshme për publikimin në faqen e internetit të Bashkisë tëvendimeve që merren nga Këshilli Bashkiak, por që deri më sot, sipas Shehut nuk ka marrë zgjidhje ky problem. “Situata ka arritur deri në atë pikë sa që janë marrë edhe vendime pa qenë kuorumi i nevojshëm për të zhvilluar mbledhjen. Kemi konstatuar 2-3 vendime të tilla, kjo në shkelje të plotë të ligjit dhe rregullores së Këshillit Bashkiak. Për këtë ne si këshilltarë të opozitës kemi dashur t’i drejtohemi edhe prokurorisë për të ndjekur procedurat e nevojshme”, thazonja Shehu.

Muharrem Rama, kryetar i Bashkisë së Dibrës tha për Portën Vendore se akuzat për vendime të marra pa kourumin e nevojshëm, nuk qëndrojnë dhe se Bashkia e Dibrës ka një raport shumë të mirë me anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe thuajse vendimet kanë kaluar me unanimitet të plotë. Por Rama pranoi se mos publikimi i vendimeve në faqen e internetit të Bashkisë është një problem që do të marrë shumë shpejt zgjidhje. “ Partia Socialiste në Këshillin Bashkiak të Dibrës është opozitë, si mund të marrë opozita vendime pa mazhorancën!? Sa për mos publikimin e vendimet është e vërtetë që nuk bëhet një gjë e tillë, por kam urdhëruar administratën të marrë të gjitha masat e nevojshme që të bëhet sa më shpejt të jetëe mundur publikimi i vendimeve. Është një kritikë me vend dhe ne do të punojmë që një gjë e tillë të marrë sa më shpejt zgjidhje”, deklaroi Rama për “Porta Vendore”.

Bashkia Bulqizë

Nga monitorimi i bërë në faqen e internetit të Bashkisë Bulqizë, të vetmet vendime të Këshillit Bashkiak Bulqizë të publikuara janë ato të muajit shkurt – mars 2017 dhe në asnjë muaj tjetër nuk është postuar asnjë vendim,dhe asnjë informacion për datën, vendin, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Gjithashtu Këshilli Bashkiak nuk ka një kënd të sajin në ambientet e Bashkisë. Nga përgjigja e dhënë, Bashkia deklaron se për shkak të problemeve teknike nuk kanë akses në faqen e internetit dhe se për një gjë të tillë kanë vënë në dijeni edhe institucionet përkatëse.

Qyteti i Bulqizës . Foto: Sami Curri

Gazmend Kenga, Kryetar i Këshillit Bashkiak Bulqizë nga radhët e Partisë Socialiste, tha se mbledhjet e Këshillit Bashkiak Bulqizë janë të hapura si për qytetarët që duan të marrin pjesë, por edhe për median. Për zotin Kenga deri më sot, vendimet e Këshillit Bashkiak kanë qenë thuajse unanime, me mbështetjen e të gjithë këshilltarëve dhe kanë kaluar në çdo hallkë institucionale, që nga qarku e deri tek prefekti duke marrë miratim.

“Sa për mos publikimin e vendimeve në faqen e internetit të Bashkisë Bulqizë, keni të drejtë që është një problem. Për këtë detyra është e administratës së Bashkisë dhe e Sekretarit të Këshillit që të marrin masat e nevojshme që çdo datë e mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe vendimet që merren të jenë të aksesueshme për qytetarët. Ky është një problem, e pranoj dhe se në mbledhjen më të afërt të Këshillit do ta ngre si shqetësim që të merren masat e nevojshme për zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi”, u shpreh zoti Kenga për “Porta Vendore”.

Por mungesa e transparencës së Këshillit Bashkiak në Bulqizë, përpos problemeve që ka krijuar tek qytetarët,është kthyer në një problem edhe për organizatat e ndryshme që operojnë në këtë zonë. Daniel Bica, përfaqësues i shoqatës “Ekspertët e Rinj Mjedisor” shprehet se në këtë drejtim bashkia Bulqizëështë shumë problematike. “Ne na pengon sepse për të marrë vendimet e Këshillit duhet t’i biem gjatë e gjatë. Nëse këto vendime do të ishin në internet mund te aksesoheshin shumë kollaj nga ne si shoqëri civile,  apo edhe nga qytetarët”, tha zoti Bica.

Bashkia Klos

Edhe Bashkia e Klosit, ka të njëjtën problematikë, në sajë të monitorimit të kryer, rezulton se; që prej muajit nëntor 2017 nuk është publikuar më asnjë vendim që merret nga Këshilli Bashkiak. Por në faqen e Bashkisë së Klosit, ndryshe nga tre bashkitë e tjera të qarkut të Dibrës gjen një informacion më të plotë për këshilltarët, forcën politike që ata përfaqësojnë në këshill dhe se çfarë arsimimi kanë.

Dorina Qafa, përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë Klos  tha për “Porta Vendore” se një problem i tillë ka ardhur si pasojë e mungesës së personelit të specializuar për tu marrë me faqen e internetit të Bashkisë. “Menaxhimin e faqes së internetit të Bashkisë Klos më parë e merrnim nga një person me kontratë të jashtme. Por ka disa muaj që një shërbim i tillë nuk ofrohet më dhe Bashkia nuk ka aktualisht një personel të kualifikuar për tu marrë me këtë punë edhe pse të gjitha materialet për publikim janë gati. Prej disa javësh kemi nje person nga Bashkia që po trajnohet në këtë drejtim dhe shpresojmë që faqja të jetë funksionale sa më shpejt”, u shpreh zonja Qafa.

Bashkia Mat

Në grupin e bashkive të Qarkut të Dibrës, më korrekte në publikimin e vendimeve që merren nga Këshilli Bashkiak është Bashkia Mat, ku në faqen e saj, bashkiamat.gov.al janë publikuar të gjitha vendimet dhe janë të aksesueshme për publikun. Bashkia Mat është korrekte në publikimin e vendimeve, por nga ana tjetër nuk publikojnë asnjë njoftim për datat e mbledhjeve dhe rendin e ditës për Këshillin Bashkiak.

“Ky problem do të marrë zgjidhje prej këtij muaji e në vazhdim. Mos publikimi i datave dhe ora e mbledhjeve ka ardhur si pasojë e mos koordinimit të sekretares së Këshillit Bashkiak Mat dhe administratës së Bashkisë, për shkak se ata nuk njoftonin se kur do të mbahej mbledhja e radhës”, tregoj Edison Doçi, përgjegjës për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë Mat.

Në sajë të një monitorimi kombëtar të realizuar nga Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOCIP, në maj 2016 , mësohet se si është implementuar ligji 119/2014 për të drejtën e informimit në nivel të qeverisjes vendore, rezulton se vetëm 28% nga 61 bashki në vend e “kalonin klasën”, ndërsa të tjerat janë “ngelëse” në këtë drejtim.

Në raport theksohej se Bashkia Bulqizë nuk kishte një faqe interneti funksionale, ku qytetarët të mund të aksesonin vendimet e Këshillit Bashkiak apo të informoheshin për punën e Bashkisë, duke u vlerësuar me 2 pikë nga 10. Bashki Bulqizëmund të ketë një faqe interneti aktualisht, por që prej më shumë se një viti nuk është bërë asnjë postim dhe ka një mungesë të plotë të transparencës lidhur me punën e saj. Bashkia Dibër u vlerësua me 4 pikë nga 10 për transparencën e saj dhe implementimin e ligjit 119/2014 për të drejtën e informimit. Ndërsa bashkia Mat kishte performancën më të mirë në këtë drejtim, duke u vlerësuar me 7 pikë nga 10, krahasuar me tre bashkitë e tjera të qarkut Dibër.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.