25 Korrik 2018/ Dhorjela Cule/ Porta Vendore/ Devoll
Garancia ushqimore dhe konsumi i produkteve të kontrolluara është një standard i papërmbushur për banorët e Devollit. Në qytetin e Bilishtit mungesa e një tregu, i cili përmbush kushtet higjeno-sanitare, mungesa e fondeve për ndërtimin e tij, si dhe instancat që e kalojnë përgjegjësinë tek njëra-tjetra, janë 3 arsyet kryesore që i ekspozojnë blerësit e kësaj zone përballë konsumit të mallrave ushqimore pa standarde, madje edhe të rrezikshme për shëndetin. Tregtimi i produkteve në rrugë është e vetmja zgjidhje mbijetese për tregtarët që duan të shesin prodhimet dhe të sigurojnë jetesën, ndërsa nga ana tjetër për blerësit ky është i vetmi destinacion ku mund të blejnë produktet ushqimore, të cilat i konsumojnë në përditshmërinë e tyre. Relievin e një tregu që e gjen rëndom në shumë qytete shqiptare e thyen ndërtesa e heshtur e markatës, e cila edhe pse ekziston nuk i shërben askujt.
Tregtarët pohojnë se në hyrje të rrugës është një ndërtesë, e cila ka të përcaktuar destinacionin e funksionimit të saj por që asnjëherë nuk ka arritur të funksionojë. Në katin e parë duhet të ishte markatë, në katin e dytë muze por për shumë vite me radhë asnjëri prej këtyre dy qëllime nuk u përmbush duke mos u shërbyer as tregtarëve, e as banorëve të Devollit. Sot markata-muze është e braktisur dhe qëndron në këmbë vetëm sepse bashkia Devoll nuk ka parashikuar një zgjidhje për rivënien në funksion të saj.
Rruga “24 Tetori” në Bilisht nuk është vetëm rruga që duhet të ndjekin qytetarët e Devollit për të marrë shërbimet bashkiake, por shërben edhe si vendi ku zhvillohet tregu. Gjatë ditëve të javës, janë sporadikë fermerët e zonës por edhe tregtarë ambulantë, të cilët pozicionohen përgjatë trotuareve dhe tregtojnë. Në fundjavë kjo rrugë kryen funksionin e tregut të mirëfilltë. Hapësira e pamjaftueshme në brendësi të markatës ka detyruar tregtarët të shesin jashtë, në mungesë të plotë të standardeve higjieno- sanitare.

Tek-tuk tregtarët kanë improvizuar tezga, shumë të tjerë i shesin prodhimet brenda furgonave, ndërsa pjesa më e madhe i hap ato mbi trotuar. Më të kujdesshmit i vendosin produktet mbi arka plastike, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me tokën e pisllëkun, ndërsa të tjerët janë indiferentë ndaj riskut që i kanoset konsumatorit. Tregtarët më të vjetër janë gjunjëzuar përballë kësaj situate dhe tregojnë se nuk kanë më shpresa për një zgjidhje.
Ridvan Shirka nga fshati Pilur, çdo të diel merr udhëtimin drejt “rrugës –treg” për të përfituar nga shitja e prodhimeve të tij. Ai ka 27 vite që e bën këtë punë dhe asnjëherë nuk mban mend që të ketë tregtuar në kushte normale. “ Shesim jashtë standardit, këtë e dinë të gjithë. Çfarë mund të bëjmë ne tregtarët?! Markata nuk na nxë të gjithëve, disa duhet të rrinin jashtë e disa brenda saj. E provuam por ata që rrinin brenda nuk shisnin asnjë gjë, ndaj u detyruam të gjithë të shesim në trotuar dhe le të shesim sa të shesim.”- tregon 64 vjeçari.

Për Lutfie Kodrallin, pret të dalë së shpejti në pension por shitja në rrugë është kthyer në rutinën e përditshme. Gruaja çdo mëngjes vendos arkat me prodhime përballë “markatës” dhe pret me buzëqeshje klientët e saj. “Na i hëngri pluhuri prodhimet, nga e keqja i blenë njerëzit”- shprehet ajo.

Më të rrezikuarit mbeten konsumatorët të cilët në këtë treg blenë nga fruta-perimet, mallrat industrial e deri tek qumështi dhe bulmeti. “Është e turpshme që Devolli të mos ketë një treg siç duhet. Banorët e kësaj zone njihen që janë punëtorë, kultivojnë tokën dhe prodhojnë në masë. Për ta duhet të ishte ndërtuar tregu. Për ne që blemë këtu është edhe më e vështirë, të mos kesh siguri në ushqim është qesharake.”- thotë Babef Koblara, blerës i rregullt i këtyre produkteve .

Përballë kësaj situate të vështirë bashkisë i lind një sfidë e vështirë. Markata ekzistente nuk mund të vihet në dispozicion të tregtarëve dhe blerësve ndërsa ndërtimi i një markate të re është i pamundur pasi mungojnë financimet. “ Është një problematikë e njohur edhe për ne. Markata është ndërtuar vite më parë por nuk mund të funksionojë. Nuk kemi ku i fusim tregtarët sepse është shumë e vogël. Nga ana tjetër ne e kemi një projekt por nuk ka fonde për ndërtimin e saj.”- pohon Kryetari i Bashkisë Devoll, Bledion Nallbati për Portën Vendore

AKU, institucioni i cili e ka për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në këtë rast nuk ka kompetencë të ndërhyjë. Personat që nuk janë të pajisur me QKR nuk mund të inspektohen nga AKU ndaj paradoksi i menaxhimit të kësaj situate mbetet përsëri tek bashkia. Kjo e fundit nga njëra anë nuk mund të ndërtojë tregun sepse nuk ka fonde por nga ana tjetër ka detyrimin të ofrojë kushte për tregtarët dhe siguri për konsumatorët.
Në pamundësi për ta braktisur shitjen e prodhimeve të tyre, fermerët dhe tregtarët e Devollit do të vazhdojnë të përballen me të njëjtën situatë ndërsa konsumatorët të qëndrojnë të ekspozuar përballë rrezikut si pasojë e mungesës së kushteve higjieno-sanitare.
Rreth autorit:
Dhorjela Cule është gazetare për qarkun e Korçës.