20 Korrik 2018/ Aurora Sulce/ Porta Vendore
Në vitin 2015, qeveria shqiptare ndërmori reformën administrative – territoriale, pas një debati të fortë politik. Një riorganizim i plotë u bë, ku nga 373 bashki dhe komuna u formuan 61 bashki të reja të mëdha. Ajo që synohej ishte menaxhimi i mirë i fondeve nga të zgjedhurit vendorë, shërbime të përmirësuara për qytetarët dhe decentralizimi, aq shumë i dëshiruar. Objektiva këta të lidhur ngushtë me njëri tjetrin dhe me një numërues të përbashkët: mjetet financiare, apo e thënë ndryshe, paranë.
Tashmë kanë kaluar rreth tre vite nga zbatimi i reformës: si paraqitet situata? Të dhënat zyrtare tregojnë se decentralizimi po rezulton një mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Në shumë raste, bashkitë po përballen me vështirësi të mëdha në përditshmërinë e tyre, pa llogaritur këtu detyrimet financiare të trashëguara nga administrimi i mëparshëm.
Bazuar në të dhënat e publikuara në www.financatvendore.al rezulton se në konceptin e ngushtë të autonomisë financiare, bashkitë arritën që për vitin 2017 të siguronin mesatarisht 27% të burimeve financiare nga të ardhurat e veta. Krahasuar me periudhat e tjera të marra në konsideratë, nga viti 2010 rezulton të ketë një përmirësim të lehtë, por që vlerësohet të jetë udhëhequr nga rritja e nivelit të taksave vendore.

“Pavarësisht konceptit për autonominë financiare të adoptuar, mesatarisht niveli i autonomisë financiare vlerësohet të jetë i ulët në vitin 2017. Treguesi (C), i cili përjashton në llogaritje vetëm transfertat e kushtëzuara, shënoi mesatarisht një nivel prej rreth 57.1%, i udhëhequr prej një numri të kufizuar bashkish të cilat ndodhen në kushte më të favorshme përsa i përket popullsisë dhe bizneseve të lokalizuara në territorin e tyre. Treguesi (A) që është edhe treguesi i cili më së shumti i afrohet konceptit të autonomisë, rezulton të ketë një nivel mesatar prej 27%, dhe një nivel luhatshmërie të gjerë: niveli minimal ishte 2.5% dhe ai maksimal prej rreth 61.4%”, shpjegon Dr. Merita Toska, eksperte për financat publike.
Grafik 1. Autonomia financiare: bashkitë në raport me mesataren kombëtare (viti 2017)

“Autonomia financiare vlerësohet të jetë e ulët për bashkitë në vend (benchmark i Bankës Botërore për autonominë financiare është >80%). Mbi 85% e bashkive kanë një nivel autonomie financiare nën mesataren kombëtare. Këto rezultate sugjerojnë për një varësi të lartë nga burimet financiare të transferuara nga qeveria qendrore. Për pasojë, edhe ndërmarrja e investimeve strategjike me vlera të larta bëhet e vështirë, si pasojë e pamundësive financiare gërshetuar dhe me hapësirën e kufizuar për huamarrje vendore”, shprehet Dr.Toska.
Një vështrim analitik në nivel bashkie evidenton diferenca të forta ndërmjet bashkive në kahun e burimeve financiare në dispozicion: pesha që zënë të ardhurat e veta (taksa, tarifa dhe të tjera) në totalin e burimeve të financimit luhatet në një interval të gjerë vlerash: vlera minimale u regjistrua në bashkinë Has me 2.5% dhe vlera maksimale në bashkinë Tiranë me rreth 61.4% (të dhëna për vitin 2017).
Në përpjesëtim të zhdrejtë, aty ku të ardhurat nga burimet vendore janë të ulëta, të ardhurat nga transferta e transfertat ndërqeveritare financojnë gjerësisht buxhetin e bashkisë. Nëse konsiderojmë bashkinë Malësi e Madhe, në vitin 2017 vetëm 4.7% e burimeve totale financiare gjenerohen nga të ardhurat e veta vendore, 45.5% nga transferta e pakushtëzuar, 1% nga taksat e ndara dhe rreth 48.8% përfaqësohet nga transfertat e pakushtëzuara.
Në të kundërt, në bashkinë Tiranë rreth 61.4% e mjeteve financiare në dispozicion gjenerohen nga të ardhura të veta vendore, 16.8% nga transferta e pakushtëzuar, 1.7% nga taksat e ndara dhe rreth 20.1% nga transferta e kushtëzuar. Dy bashkitë e konsideruara janë dy raste ekstreme, por diferencat ekzistojnë dhe janë të theksuara ndërmjet bashkive në vend.
Grafik 2. Burimet financiare të bashkive (pesha ndaj totalit, viti 2017)

Diferencat e mëdha që ekzistojnë në shpërndarjen e burimeve natyrore në territor, popullsinë dhe sipërmarrjen përcaktojnë dhe luhatshmërinë në mundësitë për të gjeneruar të ardhura nga bashkitë. Për më tej, këto diferenca gërshetohen dhe me kapacitetet e ulëta në një pjesë të bashkive për të administruar mbledhjen e të ardhurave biznesi dhe familjarët. Për pasojë, veçanërisht ato më të voglat, rezultojnë plotësisht të varura nga transfertat ndërqeveritare për ushtrimin e funksioneve të tyre.
“Bashkitë ende nuk janë të afta të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për t’u vetë-qeverisur. Madje, edhe kompetencat e reja që iu shtuan, nuk janë plotësuar me burime financiare të plota për kryerjen e këtyre funksioneve.
Mirë-funksionimi i pushtetit vendor kërkon fonde të mjaftueshme, për të garantuar cilësinë e shërbimeve dhe investimeve për të gjitha njësitë administrative. Deri tani, njësitë administrative nuk kanë investime dhe ofrim shërbimesh të njëjta.
Madje, ka mjaft zona që nuk marrin as shërbimet bazike, pavarësisht se paguajnë taksat dhe tarifat bashkiake. Mos-mbledhja e arkëtimeve vjen për shkak të informalitetit të lartë që kanë bashkitë (familje dhe biznese që nuk paguajnë ose nuk kanë lidhur kontratë me bashkinë për shërbimet që përfitojnë) ose biznese/familje të paregjistruara.
Kështu që, barra fiskale bie mbi bizneset dhe familjet e rregullta, që paguajnë gjithmonë. Përgjegjësia dhe ndërgjegjja sociale është në nivele të ulëta”, deklaron Dr.Sorina Koti, eksperte për financat vendore.
Ata që merren me financat publike e dinë mirë se realizimi i të ardhurave kushtëzohet edhe nga periudhat e caktuara të vitit dhe ku tremujori i parë, nuk është më i favorshmi. Por, a vlen kjo edhe për rastin e bashkive? Ekspertët mendojnë se këtu kemi të bëjmë me një përjashtim, ku performanca negative në mbledhjen e të ardhurave nuk ndikohet nga tremujorë të caktuar. “Gjatë tremujorit të parë, arkëtimet llogariten mesatarisht në 20% të të ardhurave, por edhe performanca vjetore nuk është në nivele të kënaqshme. Në nivel kombëtar, arkëtimet nuk i kalojnë 40-45% të të ardhurave. Kështu që, problematika e mbledhjes së të ardhurave është e pranishme pothuajse gjatë gjithë vitit, por gjatë tremujorit të parë ndjehet edhe më shumë” shpjegon Dr. Koti.
Në kushtet kur vendorët nuk kanë para, sytë kthehen nga qeveria. Në një marrëdhënie të kushtëzuar financiare, decentralizimi humbet kuptimin e tij.
Rreth autorit:
Aurora Sulçe është gazetare ekonomie.