Ndodhi

Bulqizë, banorët prej 4 vitesh në protestë për mbrojtjen e pyjeve

19 Korrik 2018/ Sami Curri/ Porta Vendore/ Bulqizë

Qindra banorë të Bulqizës kanë protestuar të mërkurë më 18 korrik 2018 për ndalimin e koncesionit për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”. Kjo zonë pyjore është e vetmja mbetur në Bulqizë e pa shfrytëzuar dhe që është dhënë me koncesion në vitin 2015-të nga Ministria e Mjedisit. Protestës së banorëve të katër fshatrave Dushaj, Koçaj, Kodra e Danit dhe Kokërdhok iu bashkua edhe kampioni i botës në Kik dhe Tai boks, Ismail Keta.

Ismail Keta vuri theksin tek rëndësia që kanë pyjet në jetën e këtij komuniteti dhe u kërkoi institucioneve kompetente që ta anulojnë këtë koncesion. “Shpreh respektin dhe mirënjohjen për bashkëfshatarët e mi, që protestojnë për një të drejtë që Zoti ia ka dhënë Bulqizës. Kam ardhur nga Gjermania për t’iu bashkuar qëllimit që ju keni. Kam lindur këtu dhe kur e shoh në internet se çfarë i bëhet pyjeve të kësaj zone, më vjen shumë keq”, u shpreh Keta.

Banorët i bënë thirrje edhe kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Melaim Damzi që të bashkohet me protestat e tyre, por ky i fundit në asnjë rast nuk ka marrë pjesë në protestat e organizuarapër këtë problem. Pak ditë më parë, Bashkia Bulqizë bëri të ditur për mediat se është dakord që një koncesion i tillë të jepej, sepse pylli duhej të pastrohej për arsye higjeno – sanitare.

Lule Boba, banore e fshatit Kodra e Danit në njësinë administrative Fushë – Bulqizë deklaron se Bashkia është e shitur me firmën. “Pse nuk vjen të takojë popullin dhe të dalë krahë popullit. Melaimi është i shitur tek to”, u shpreh Lule Boba në protestën e sëmërkurës.

Zanafilla e protestës

Protestat e banorëve të katër fshatrave në Fushë – Bulqizë kanë nisur që në shtator të vitit 2015 kur u përballën me mjetet e rënda të koncesionarit për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”. Që prej asaj kohe banorët janë kthyer në rojtar të pyllit.

Banorët e zonës duke protestuar. Foto: Sami Curri

Kompanitë “Almex Wood” sh.p.k, Korra” sh.p.k dhe “Lubima” sh.p.k në maj të vitit 2015-të morën një koncesion shfrytëzimin e masivit pyjor të njohur si “Sheshe Bulqizë”, nga Ministria e Mjedisit për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”, e vetmja kurorë e gjelbërt mbetur në Bulqizë e pa dëmtuar, kjo sepse banorët e kanë ruajtur nga dëmtimet dhe hapjen e rrugës auto – pyjore që do të lejonte të fuste makinat për shfrytëzimin e këtij masivi pyjor.

Ky koncesion është dhënë edhe me dakordësinë e ish-komunës Fushë – Bulqizë, sot njësi administrative e Bashkisë Bulqizë. Por kjo dakordësi për shfrytëzimin e këtij masivi pyjor ka një sërë problemesh.

Zona e “Sheshe Bulqizë”. Foto: Sami Curri

Shkresa në fjalë ka një ngatërrim vulash, ku në vend të kryeplakut të fshatit është vendosur vula e kryetarit të komunës dhe në vend kryetarit, ajo e kryeplakut. Siç mësohet, pak më parë se të lëshohej shkresa,sipas  kryeplakut të fshatit Koçaj, i ishte marrë forcërisht vula nga kryetari i asaj kohe i komunës, pasi ky i fundit nuk kishte pranuar ta vuloste shkresën. Gjithashtu, komuna nuk kishte zhvilluar as edhe një herë të vetme dëgjesë publike me banorët, për shfrytëzimin e kësaj zone pyjore. Sot e kësaj dite, banorët kanë thuajse katër vite që protestojnë për ndalimin e këtij koncesionari dhe kanë ndaluar punimet.

Qemal Stafa, ish-kryeplak i fshatit Koçaj, rezulton ta ketë firmosur dakordësinë që ish-komuna Fushë- Bulqizë i ka dhënë koncesionarit për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”, por që ky i fundit e mohon kategorikisht. “E kam thënë dhe vazhdoj ta them, unë nuk kam lidhje me atë firmë. Ajo është e falsifikuar dhe ju bëjë thirrje institucioneve kompetente, që të hetojnë për këtë falsifikim”, deklaroi Stafa në protestën e para pak ditëve.

Banorët i janë drejtuar të gjitha institucioneve për rastin në fjalë, por deri më sot problemi i tyre nuk ka marrë zgjidhje. Pak ditë më parë gra dhe fëmijë kanë qëndruar 24 orë në vendin e quajtur si “Qafa e Kamavecit” për të ndaluar koncesionarin të shkatërroj masivin pyjor.

Rreth autorit:
Sami Curri është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ai ka punuar në disa media online dhe në televizion. Ai është themelues dhe editor i portalit “bulqizaime.al”, i profilizuar në raportimin mbi qarkun e Dibrës. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.