Vëzhgim/Analizë

Sezoni turistik në mesin e tij, plani i masave ende në letër nga bashkitë.

18 Korrik 2018/Ani Bame/Porta Vendore

Nga një vëzhgim i kryer nga Porta Vendore në disa prej plazheve më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj, situata rezulton tejet problematike. Shumica e plazheve janë të ndotur, kanë probleme me grumbullimin e mbetjeve në një vend të caktuar, i mungojnë plazhet publike, kanë mungesa të theksuara në energji elektrike dhe uji të pijshëm.

Prej pothuajse një muaji, vendi ynë është mbipopulluar nga turistët. Siç pritej Shqipëria këtë sezon është shndërruar në destinacionin ndërkombëtar përsa i përket turizmit. E bekuar në perëndim nga vija e gjatë bregdetare, ndërsa në lindje, veri e jug nga male, liqene e lumenj, pushuesit nga e gjithë bota zbulojnë parajsën e vogël të Mesdheut, që shtrihet para tyre me çmime të arsyeshme. Për herë të parë këtë vit, edhe pjesa dërrmuese e hoteleve ishin të prenotuara.

Hasan Pashnjari është pronar i një hoteli të përfunduar së fundmi në zonën e plazhit në Durrës. 47 vjeçari thotë se brenda dy orësh që hodhi foton e hotelit në rrjetet sociale, të 4 katet e godinës së tij u prenotuan menjëherë.

“Sapo e hodha nëpër Facebook dhe Instagram, mora menjëherë kërkesa për prenotim. Iu përgjigja në anglisht, pasi kam qenë emigrant në Britani për shumë vite, dhe menjëherë u mundësua që hoteli im me 4 yje, të rezervohej deri në muajin tetor. Bëhet fjalë për turistë britanike, çekë, gjermane, por edhe shqiptarë. Kam shpenzuar të gjithë mundin e jetës sime për të ngritur këtë biznes familjar”.

Edhe Hasani si shumë bashkëpronarë të tjerë të hoteleve në Durrës dhe administrues të ambienteve të plazhit para hotelit të tij, thotë se nuk ka kontraktuar ende roje plazhi.

“Ende nuk kam marrë roje plazhi, e kam në plan të punësoj, sipas marrëveshjes me bashkinë e Durrësit. Për momentin pushuesit nuk janë ende të shumtë në numër, ndaj dhe e kam shtyrë për pak kohë. Shqetësim është ndërprerja e shpeshtë e ujit” thotë zoti Pashnjari.

Përgjatë bregdetit të Durrësit dhe Kavajës, dy zonat më të frekuentuara për plazhin ranor në vend, turistët thonë se shërbimi hotelerik është i kënaqshëm ndërsa shprehin rezerva për cilësinë e rërës.

Mentor Gashi është një pushues me origjinë nga Kosova por që jeton e banon në Zvicër. Ai pohon se çdo sezon, zgjedh që pushimet t’i kalojë në Shqipëri. Ndaj shërbimit akomodues, nuk ka ankesa, ndërsa shënjestrën e drejton tek plazhet.

“Janë më shumë pushime patriotike sesa komoditeti. Pothuajse çdo vit unë dhe familja ime kalojmë ndonjë problem. Shpesh fëmijët kanë pasur probleme nga papastërtia e rërës dhe e ujit. Luajnë gjithë ditën në breg. Rëra nuk ka pastërtinë e duhur, e njëjta situatë është edhe për ujin”, shprehet ai për Portën Vendore.

Sa i përket hapësirës publike, Shem Istogu, një tjetër pushues nga Kosova thotë se këtë vit Durrësi dhe Golemi, në ndryshim nga vitet e kaluara, e kanë reduktuar pjesën dedikuar familjarëve.

“Më duket se çdo vit e më shumë zhduken parcelat publike në plazh. Madje ato pak metra që kam parë të lira, të destinuara për çadrat, janë të pozicionuara në vende të papërshtatshme, larg nga bregu dhe pranë zonave të identifikuara si të ndotura, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza. Unë jam familjar më fëmijë të vegjël dhe me rroga shtetërore. Duam të plazhojmë me shpenzime modeste” , thotë kryefamiljari nga Prishtina.

Nga Bashkia e Durrësit thanë për Portën Vendore se edhe këtë sezon, hapësirat publike ranore do të jenë të pranishme sipas ndarjes 80% privat dhe 20% publike. Kjo mënyrë ndarjeje u është diktuar njësive vendore nga qeveria përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave.
Por vendet e përzgjedhura për publikun, janë pikërisht ato ku nuk ke mundësi të bësh plazh, me shkëmbinj, me derdhje ujërash të zeza, zona që privati nuk i preferon. Këtu përmendin Kallamat te Currilat, një parcelë 20 m katror të Ura e Dajlanit dhe një hapësirë po kaq të Pista Iliria.

Hapësirë e zënë nga bizneset, pranë zonës “Miami 2”. Foto: Ani Bame

Për këtë shqetësim të qytetarëve, Bashkia e Durrësit nuk dha përgjigje, por zëdhënësi Dorian Agolli tha se i është bërë thirrje çdo operatori turistik që të zbatojë planin e masave.

“Kemi filluar zbatimin e planit të masave. Kush nuk e zbaton do të penalizohet. U kemi dërguar edhe subjekteve detajet e marrëveshjes. Sezoni turistik në Durrës këtë vit do të jetë më i suksesshmi pasi ka një bum të madh vizitorësh dhe çdo gjë është bërë sipas ligjit”, tha zoti Agolli për Portën Vendore.

Në Durrës, në plazhin e Currilave vijon të derdhen ujërat e zeza nga bizneset përgjatë gjithë kësaj zone. Pranë Vollgës dhe në dy-tre pika në Currila, ndotja shkon drejt e në det.
Esmeralda Fejzo, një banore e Durrësit, thotë se për shkak se shtëpinë e ka pranë bregdetit të Currilave e ka për mbarë që plazhin ta bëj aty. Ajo pohon se si vendase që është, fatmirësisht di t’i dallojë zonat e ndotura.

“Mirë që jam banorë e vjetër e zonës dhe kam mundur të shmang vendet kur ujërat e zeza derdhen direkt në det. Bizneset kanë bërë tubacione nëntokësore që përfundojnë në det. Tani që jam bërë me fëmijë përpiqem ta evitojë larjen në det pranë zonave të ndotura” shpjegon zonja Fejzo.

Por për institucionin vendor ky pretendim i banorëve është i pavërtetë.
“Në asnjë mënyrë nuk ka derdhje të ujërave të zeza në det. Është ndërtuar impianti i ri modern me fondet e Bankës Botërore. Falë tij përpunohen të gjitha ujërat e zeza. Asgjë nuk derdhet në det. Impianti ka fuqi aq të madhe përpunuese, sa përveç ujërave të Durrësit, mund të disiplinojë edhe zona të tjera që kanë problematikë ndotjen nga ujërat e zeza”, tha për Portën Vendore, zëdhënësi i Bashkisë së Durrësit, Dorian Agolli .

Ndërkaq në disa pika pranë Shkëmbit të Kavajës, në zonën e Golemit ujërat e zeza që vijnë nga zonat e banuara derdhen pa asnjë problem në det, pavarësisht se investimi për ndërtimin e kanalizimeve për to është finalizuar.
Mita Marku së bashku me bashkëshortin e kalojnë verën në plazhin e Golemit. Për t’i shpëtuar të nxehtit përvëlues të Tiranës, thonë se kanë zgjedhur bregdetin ranor të rrethuar nga pylli në Golem. Shqetësimi i vetëm që ata kanë ndeshur në çdo periudhë vere është papastërtia e rërës dhe e detit.

“Nuk di ta them se si kanë mundur, por ja që në disa pika ujërat e zeza përfundojnë në det. Edhe mbetjet janë problem për zonën e Golemit. Ndonëse Bashkia e Kavajës i pastron shpesh, mbeturinat çdo mbrëmje i shoh të shpërndara. Mund të jetë edhe çështje kulture vetjake. Nga Bashkia kërkojmë më shumë vëmendje për hapësirat publike. Privati ka mbytur çdo metër. Ato pak pëllëmbë rërë të lira janë ose në breg të detit, ku nuk ka rërë të thatë, ose pranë pyllit, rreth 300 metra nga bregu” tregon pushuesja Mita Marku.

Edhe Vasil Marku kërkon që rregullat për më shumë hapësirë publike të respektohen nga bizneset private.

Ndërkaq Prena Zotaj vjen me nipin e saj Laertin 6 vjeçar për të bërë plazh çdo ditë.

“Jam pensioniste, do të dëshiroja të kishte vende publike për ne. Paguaj çdo ditë rrugën me autobus që nipi i vogël të ketë mundësi aksesi në plazh.Unë jam pensioniste dhe kushtet për të marrë një shazllon nuk i kam. 3 mijë lekë të vjetra nuk janë pak, kur pensioni rrotullohet te 200 mijë lekë të vjetra. Do të dëshiroja që të kisha mundësi zgjedhjeje për të pushuar me çadër. E marr çdo ditë nga Tirana, por vetëm dy herë munda të gjeja vend të përshtatshëm e ta hapja” përfundon zonja Zotaj.

Mbeturinat e hedhura në bregdetin e Golemit. Foto: Ani Bame

Siguria e bregdetit shqiptar
Ndërkohë një tjetër shqetësim i pushuesve është mungesa e rojeve të plazhit dhe kullat e vrojtimit. Sipas rregullores, çdo 200 metra katror duhet të ketë të paktën një baywatch, por në vijën bregdetare të Adriatikut nuk ka pothuajse asnjë. Deri tani në Durrës janë shënuar 4 raste pushuesish të mbytur. Ndërkohë që janë shënuar dhe disa të tjerë të rrezikuar, dhe që fatmirësisht janë shpëtuar nga rrethanat e favorshme si rasti i Velipojës, ku një shtetas kosovar rastisi me fat që pranë tij ishin disa të rinj të zonës dhe një mjek.

Plazhi i Divjakës i mbushur me turistë. Foto: Ani Bame

Sa u përket hapësirave publike, vendet e destinuara për publikun janë ato larg bregut. Kjo
mënyrë është aplikuar për herë të parë vetëm këtë vit, ndërkohë që sezonet e tjera Golemi ka qenë model. Për Portën Vendore Kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja vlerësoi Golemin si një model për shërbimin e ofruar ndaj vizitorëve.

“Kurrsesi nuk është neglizhuar sezoni veror. Për Bashkinë e Kavajës është periudha kur nxjerrim dhe të ardhurat përmes përfitimit të banorëve nga turistët e shumtë. Ndaj dhe jemi të detyruar të ofrojmë sa më shumë shërbime. Mbetjet pastrohen çdo ditë. Kanali i ujërave të zeza është përfunduar dhe rruga është finalizimi i ndërhyrjes në infrastrukturë. Ditët në vijim pritet të nisin dhe masat konkrete në terren për të verifikuar hapësirat e lira”, tha kryebashkiaku Sakja.

Plazhi i Divjakës i mbushur me turistë. Foto: Ani Bame

Në Divjakë, bregdetin me ekosistemin më të pasur në vend, turistët kanë filluar të shtohen së fundmi. Megjithatë ajo çka bie në sy, është ndotja përgjatë pothuajse të gjithë bregut. Mbeturina të hedhura kuturu pa kujdes dhe askush nga bashkia nuk kujdeset. Pushuesit thonë se ditët më të mira për në plazh janë nga fillimi i sezonit, pasi ka më pak vizitorë çka përkthehet në më pak mbeturina.

“Preferoj korrikun për shkak se uji është më i pastër, por mbeturinat në breg janë përherë prezentë. Ka disa zona andej nga Draga të njohura si plazhe shumë të pastër për shkak të pozicionit gjeografik larg nga qendra, por nuk shkoj dot aq larg. Duhet makinë për të pushuar aty. Vijmë çdo ditë nga Krutja e Lushnjes për të përfituar nga vetitë kurative të Divjakës”, tregon pushuesja Rovena Avrami.

Edi Gorezi thotë se e ka sjellë familjen nga Berati, posaçërisht për shëndetin e fëmijëve të tij.

“Po të mos ishte për jodin që ka Divjaka, nuk do ta preferoja. Këtu është shumë pis, ndërsa në mushkonjat këtë vit, janë prezente si kurrë më parë. Do të doja më shumë respekt nga vendorët. Paguajmë për të marrë shërbim sa më cilësor. Çfarë na kërkojnë e paguajmë. Në hyrje të Divjakës është edhe një tra që mbledh një si tip takse për çdo automjet që kalon. E respektojmë vendimin e Bashkisë, por edhe ne meritojmë të trajtohemi me pak dinjitet”, tha pushuesi për Portën Vendore.

Bashkia e Divjakës deklaron se shqetësimi është real, por kapacitetet e kësaj njësie në krahasim me hapësirën e madhe ranore, janë të pakta ose thuajse mospërfillëse.
Fredi Kokoneshi vlerësoi se në gusht që është edhe piku i sezonit, punonjësit e gjelbërim-pastrimit do të përqendrohen kryesisht në bregdet.

“Planin e masave e kemi gati. Kryesisht gushti është periudha që shqetësimet që ju përmendni kanë vend. Divjaka është zona me më pak ndërhyrje nga dora e njeriut. Këtu çdo gjë është e natyrshme, nuk ka betonizim. Duket sikur ka mungesë investime, por plazhe të virgjëra si këtu janë të paktë. Përpiqemi që mungesën e kapaciteteve investuese ta kompensojmë me promovimin e natyrës së paprekur. Janë të rralla vendet si Divjaka. Mendoj që kemi nevojë të përmirësohemi në drejtimin e promovimit të Parkut Kombëtar, të Divjakës” tha përfaqësuesi i bashkisë Divjakë.

Në qytetin e Vlorës, infrastruktura në qytet duket pothuajse perfekte, por në plazhin e vjetër, në Zvernec, nuk është dhe aq e lehtë për të pushuar. Target grupi i turistëve që zgjedhin të shkojnë aty janë kryesisht familjarë që ia dinë vlerën kësaj zone, por nuk mungojnë as të huajt.
Të ardhur kryesisht nga Polonia, Çekia dhe vendet nordike, ata zgjedhin Zvërnecin jo vetëm për bregdetin, por edhe për resurset kulturore, ku prevalon Kisha e Shën Marisë, e njohur ndryshe si Manastiri i Zvërnecit, objekt kulti që daton në shekujt e XIII-XIV të erës sonë.

Anka Paparizo nga Zyra e Turizmit në Bashkinë e Vlorës thotë se operatorët turistikë janë në rrugën e sistemit të infrastrukturës pritëse.
“Gjithmonë jemi përpjekur që stina turistike të na gjejë gati, por jo gjithmonë është e mundur për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme” tha ajo.

Në Vlorë ku numërohen rreth 180 plazhe të frekuentuar nga dhjetëra mijëra turistë, këtë radhë duket se nuk do të ketë roje plazhi. Autoritetet vendore kujtohen vetëm në rast fatkeqësish, si vjet në Zvërnec ku humbën jetën 4 pushues. Aktualisht përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Zvërneci deri në Orikum kullat e vrojtimit janë të boshatisura.

Roni Petro është një prej dhjetëra të rinjve që u trajnuan për të qenë “baywatch”(roje plazhi).

“U trajnuam edhe vjet, por u punësuam. Këtë radhë nuk duket se do të kemi ndonjë shpresë. Me sa duket Bashkia nuk u ka vënë kusht subjekteve private që kanë kontratë për shërbimet në plazhet private që të kenë roje plazhi. Kemi ditë që vijojmë bisedimet me privatin për të qenë në krye të detyrës në këtë periudhë verore, por duket mision i pamundur” tregon thuajse i dëshpëruar ai.

Deklaratën e “shpëtimtarit të pushuesve” e konfirmoi edhe vet trajnuesi. Përparim Kamberaj thotë se ndihet i lodhur me këtë situatë.

“Disa herë e kam bërë të qartë publikisht tablonë. Me sa kam dijeni nuk duan që të punësojnë roje plazhe. Madje dua ta theksoj që të përcjellin edhe me shpërfillje kur ua përmend si problem. Për Bashkinë, punësimi i rojeve të detit do të thotë kosto shtesë nga buxheti, që ata duan t’i reduktojnë sa më shumë të jetë e mundur”, tregon zoti Kamberaj.
Por teksa sezoni turistik është thuajse në mesin e tij pavarësisht premtimeve të shumta ende nuk ka asgjë konkrete, megjithëse Bashkia e qytetit bregdetar tha se është ngritur një task forcë që po patrullon bregdetin prej disa javësh.

Në Sarandë problemi i ujërave të zeza vijon të jetë permanent. Në vendin e njohur si Kanali i Ksamilit, ujërat e zeza përfundojnë në liqenin e Butrintit. Bashkia e Sarandës e kontaktuar nga Porta Vendore nuk ktheu asnjë përgjigje për mungesën e disiplinimit të ujërave të zeza.
“Më pëlqen shumë natyra këtu. Duke qenë larg qendrave urbane, ka dhe më pak mundësi për pushues. Deri vjet ishte qetë, por këtë vit ka dyndje. Këtë sezon kemi pasur probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Është i kufizuar. Gjithashtu problem është dhe energjia elektrike. Mendoj se si pasojë e mbingarkesës, kalohet në monofazë, çka shkakton shpesh ndërprerje e për pasojë mungesë të energjisë” tha Pëllumb Çela biznesmen.
Por Saranda në sytë e turistëve të aventurës është perla e Shqipërisë.
Stefano Cicala ka ardhur nga Roma së bashku me familjen. Bashkëshortja e tij shqiptare ia sugjeroi këtë vend.
“Më duket fantastike, me disa probleme të vogla por natyra na ka surprizuar. Është njësoj si në jug të Italisë, por këtu na tërheqin çmimet shumë herë më të lira. Edhe mikpritja më ka lënë pa fjalë. Po kënaqem shumë” tregoi ai.
Sipas statistikave zyrtare, plot 21 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë nga viti 2013 deri në vitin 2017, duke shënuar një rritje mesatare prej 12% në vit. Edhe ky sezon pritet të ndjekë trendin rritës, pasi tek ne pushuesit ndjekin variantin loë-cost.

Por megjithëse jemi në mes të sezonit turistik për këtë vit, ende masat që janë ndërmarr për zbatim kanë mbetur në letër, duke pritur ndoshta sezonin e ardhshëm që të vihen në zbatim disa prej tyre.

Rreth autorit:
Ani Bame është gazetare në Tiranë.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail