16 Korrik 2018/Edmond Hoxhaj/Porta Vendore/ Fier
Dështimi i projektit të Bashkisë Fier për tregun e ri bujqësor të ndërtuar buzë rrugës nacionale në periferi të qytetit, i kushtoi gjysmë milioni dollarë buxhetit të shtetit dhe çdo muaj mijëra dollarë të tjerë taksapaguesve lokalë një një periudhë 10 vjeçare.
Mungesa e procesverbaleve të dëgjesave apo konsultimeve me fermerët dhe grupet e interesit, ngre dyshime se zbatimi i këtij projekti nuk ka qenë transparent për publikun. Argumentet e bashkisë Fier lidhur me përzgjedhjen e vendit nuk justifikojnë ecurinë e këtij tregu që çdo muaj zbraz xhepat e qytetarëve, pa sjellë përfitime apo lehtësira reale për fermerët, tregtarët apo konsumatorët.
Selman Ymeraj është një nga ata pak tregtarë, i cili prej një viti shet perime me pakicë në tregun e ri të produkteve bujqësore e blegtorale që gjendet buzë rrugës nacionale, Levan-Fier, në periferi të qytetit të Fierit. Pavarësisht se ai shprehet se i paguan Bashkisë së Fierit vetëm 100 lekë në ditë në formën e qirasë, ankohet se në këtë treg nuk vijnë blerës. “Situata është shumë e keqe. Mallin që blejmë e hedhim në kosh. Nuk ka klientë këtu. Tregu është bërë jashtë normave… . Do kalojë klienti në xhade, të vëri kokën para rrotave të makinës…, që të vijë këtu. Është i papërshtatshëm… . Është bërë jashtë qytetit. Ky është vetëm për parkim makinash. Jemi vetëm pesë tregtarë. Kurse në mëngjes vijnë shumicat që shesin. Ata tregtojnë dhe ikin. Për mua nuk është mundësi e mirë. Qiraja është shumë e mirë, 30 mijë lekë të vjetra, por nuk ka klientë për të shitur mallin”, pohon Selmani, një prej pesë tregtarëve që ndodhet, në këtë treg.
Pjesa më e madhe e tregut zihet nga rreth 100 postet e tregtimit të ndërtuara për ofrimin e produkteve bujqësore e blegtorale me pakicë. Ndërsa në vendin ku duhet të shesin tregtarët e shumicës, mund të parkohen deri në 20 automjete. Tregtarët e shumicës dhe fermerët mbërrijnë aty në orën katër të mëngjesit dhe qëndrojnë për rreth dy orë, duke shpresuar që produktet e tyre të blihen prej tregtarëve të pakicës. Një pjesë e fermerëve qëndrojnë në trotuar ose në rrugën automobilistike nacionale, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Por, pavarësisht se disa prej tyre nuk tregtojnë brenda ambienteve të tregut, paguajnë tarifë për llogari të bashkisë.
“Tarifa është 100 lekë të vjetra. Këto janë mundësitë tona”, shprehet një fermer që ka paguar tarifën, edhe pse arkat me frutat që ka sjellë të shesi, qëndrojnë në rrugën nacionale dhe jo në ambientet e tregut. Ndërsa një tjetër tregtar ankohet se tregu nuk është i bollshëm. “E konsiderojmë treg jo normal për vendin, se nuk është i bollshëm si treg. Tarifa është shumë e mirë, por nuk vijmë çdo ditë. Sa herë që kemi prodhime, vijmë përshëmbull… , një herë ose dy herë në javë”, thotë ai.
Projekti
Të dhënat e siguruara nga “Porta Vendore” tregojnë se në vjeshtën e vitit 2016, Këshilli i Bashkisë Fier i hapi rrugë ndërtimit të tregut të ri të produkteve bujqësore e blegtorale duke autorizuar ekzekutivin që të niste procedurat për marrjen me qira për 10 vjet të një trualli prej 3466 metra katrorë që gjendet në anë të rrugës nacionale, me një tarifë 100 lekë për metër katror.
Por, pavarësisht se Bashkia e Fierit pretendon se vendi ku u ndërtua tregu u pa si më i përshtatshëm për vet pozicionin gjeografik, këto parashikime të përcaktuara në projektin fillestar, deri tani kanë sjellë shpenzimin e një fondi rreth gjysmë milionë dollarë nga buxheti i shtetit për ndërtimin e strukturës, si edhe të mijëra dollarëve që shpenzohen çdo muaj nga kontributet e taksapaguesve lokalë për qira, pagesën e disa punëtorëve të tregut dhe shpenzime për konsumin e energjisë e të ujit, që prej muajit Korrik të vitit 2017. Ndërkohë, sipas të dhënave të siguruara, bashkia në rastin më të mirë mund të arkëtojë vetëm një të tretën e vlerës që shpenzon çdo muaj.
Pas një kërkese për informim të kryer nga “Porta Vendore” më datë 07 maj 2018,
bashkia e Fierit informoi në vija të përgjithshme se ndërtimi i tregut të produkteve bujqësore e blegtorale kishte si qëllim mbështetjen e fermerëve për të shitur prodhimet e tyre.
Por, bashkia nuk serviri asnjë kopje të procesverbaleve të dëgjesave apo konsultimeve publike me fermerët dhe grupet e interesit. Në studimin prej vetëm katër faqesh të bashkisë së Fierit për ngritjen e tregjeve për prodhimet bujqësore e blegtorale, në rubrikën “mendimet, sugjerimet për ndërtimin e tregjeve”, veç vendit në dalje të qytetit të Fierit, në rrugën nacionale Fier-Vlorë, ku tashmë është ndërtuar tregu në fjalë, janë propozuar edhe dy koordinata të tjera si të mundshme, në rrugën nacionale Fier-Tiranë dhe Fier-Seman.
Më tej, bashkia e cilëson këtë treg me infrastrukturë bashkëkohore ku sipas saj, “i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme si për tregtarët e fermerët ashtu edhe për konsumatorët”.
Për të dhënat e parashtruara në dy kërkesat për informim që “Porta Vendore” i drejtoi përkatësisht në datat 07 maj 2018 dhe 24 maj 2018 lidhur me detajet e projektit të tregut të produkteve bujqësore e blegtorale, kopje të vendimeve të këshillit të bashkisë për këto procedura, kopje të kontratave të qiramarrjes dhe qiradhënies, kostot financiare të deritanishme për ndërtimin, qiranë dhe menaxhimin e tregut si edhe të ardhurat e vjela gjatë këtij viti, kopje të procesverbaleve të dëgjesave publike dhe një kopje të studimit të hartuar për këtë treg, bashkia Fier ktheu përgjigje vetëm pas ankesës drejtuar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, por duke neglizhuar dhënien e disa informacioneve me justifikimin se nuk i disponon të specifikuara.
Kosto të shumta, por të ardhura të pakta
Sipas të dhënave të siguruara nga “Porta Vendore”, bashkia Fier, më datë 5 shtator 2016, njoftoi çeljen e tenderit me objekt “ndërtimi i tregut publik të produkteve bujqësore dhe blegtorale” në lagjen Kryengritja e Fierit, të financuar nga buxheti i shtetit, me fond limit 45 974 500 lekë. Sipas Bashkisë së Fierit, vlera e ndërtimit të tregut është 55 169 444 lekë me TVSH , financuar nga Fondi i Zvillimit të Rajoneve(FZHR), në kuadër të Programit Kombëtar Rilindja Urbane, që rezulton të jetë e ndryshme nga vlera që pasqyrohet në shpalljen e fituesit të tenderit.
Më datë 13 tetor 2016, bashkia Fier ka shpallur fitues të këtij tenderi, subjektin “ALB STAR” shpk, që kishte paraqitur ofertën më të lartë, duke e identifikuar si të suksesshme ofertën e paraqitur nga kjo kompani me vlerë totale sipas preventivit pa TVSH 45 713 656 lekë dhe me TVSH, 54 856 387 lekë.
“Duke iu referuar procedurës së lartpërmendur, informojmë Bashkimin e Operatoreve “Alb Star” shpk, Fier Patos, Zona Industriale Patos se oferta e paraqitur me vlerë totale sipas preventivit pa TVSH 45 713 656 lekë (dyzet e pesë milion e shtatëqind e trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë) dhe me TVSH 54 856 387 lekë (pesëdhjetë e katër milion e tetëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijëe treqind e tetëdhjetë e shtatë) është identifikuar si oferta e suksesshme”, citohet në faqen 216 të Buletinit të Njoftimeve Publike, nr.41, datë 17.10.2017, ku nuk janë pasqyruar dokumentacionet dhe plotësimi i kritereve të paraqitura nga subjekti fitues, ndryshe nga sa ka ndodhur me dy subjektet e skualifikuara.
Në këtë buletin shkruhet se janë skualifikuar për mosplotësim të kritereve dy subjektet e tjera të cilat kishin paraqitur oferta më të ulëta se subjekti fitues. Konkretisht, ofertuesi “shoqëria ‘Ndergjoni’ sh.p.k.” me vlerë totale sipas preventivit pa TVSH 40 621 760 lekë dhe me TVSH 48 746 112 lekë është skualifikuar për mosplotësim të kapaciteteve teknike, ndërsa ofertuesi “Shoqëria ‘Boshnjaku. B’ sh.p.k.”, me vlerë totale sipas preventivit pa TVSH 42 584 083 lekë dhe me TVSH 51 100 900 lekë, është skualifikuar për mosplotësim të kritereve të veçanta të kualifikimit.
Ndërkohë, veç investimit prej 54 856 387 lekësh nga buxheti i shtetit, bazuar në Vendimin nr. 74, datë 27.09.2016, të Këshillit i Bashkisë Fier, për marrjen me qira të sipërfaqes truall, zona kadastrale nr.8531, për pasuritë Nr.8/2 dhe 8/4, me sipërfaqe totale 3466 metra katrorë, për ndërtimin e tregut të produkteve bujqësore e blegtorale, Bashkisë Fier i duhet të paguajë nga buxheti i saj çdo muaj edhe vlerën 346 600 lekë.
“Porta Vendore”, me anë të një kërkese për informim, i kërkoi Bashkisë Fier ndër të tjera edhe numrin e punonjësve të punësuar pranë këtij tregu dhe kostot financiare për pagesat e tyre, ku sipas përgjigjes së dhënë nga ky institucion, janë dy punonjës dhe paga e tyre është 85 116 lekë në muaj.
Një burim pranë bashkisë Fier, i cili preferoi të qëndronte anonim, u shpreh se të ardhurat e siguruara nga ky treg nuk arrijnë dot të mbulojnë shpenzimet nga buxheti i bashkisë, pasi numri i tregtarëve që e frekuentojnë është i paktë.
Po sipas këtij burimi, gjatë muajve të dimrit ka qenë edhe periudha më e vështirë, pasi aty tregtonin jo më shumë se katër apo pesë tregtarë pakice, ndërsa fermerët dhe tregtarët të cilët shisnin me shumicë prodhimet e tyre ishin të paktë dhe vinin një herë ose dy herë në javë. I njëjti burim shton se gjatë muajve të pranverës ka pasur një rritje të numrit të fermerëve që shesin me shumicë në orët e para të mëngjesit.

“Tarifa ditore për furgonat është 300 lekë, për makinat janë 200 lekë, kurse për ata që vijnë pa makina është 100 lekë. Ka ditë që arkëtohen rreth gjashtëdhjetë mijë lekë të vjetra. Zakonisht arkëtohet, deri në 40 mijë”, u shpreh burimi lidhur të ardhurat e përfituara nga tregëtarët e shumicës duke treguar më pas edhe për atë çfarë ndodh në pjesën e tregut ku shitet me pakicë. “Tarifa është 100 lekë. Gjashtë-shtatë veta, kaq janë. Tani që janë pulat, janë katër të pulave, nga 100 lekë që e kanë qiranë ata, kaq janë…”, thekson burimi.
Bashkia nuk informoi lidhur me tarifat dhe të ardhurat që sigurohen nga ky treg, duke u justifikuar se nuk ka një bilanc të veçantë për këtë treg, por se përllogaritjet i kryen për të gjithë tregjet së bashku.
Por, nga të dhënat e siguruara nga “Porta Vendore”, rezulton se këshilli i bashkisë Fier, me anë të vendimit nr.54, datë 24.07.2017, ka caktuar si tarifë ditore për tregtarët vlerën 200 lekë dhe tarifë mujore vlerën 5000 lekë, gjë që rezulton të jetë ndryshuar më pas, pasi tregtarët shprehen se paguajnë tarifa të cilat nuk janë të njëjta me ato të përcaktuara në këtë vendim.
Ndërkohë, më anë të vendimit nr.58, datë 24.07.2017, këshilli i bashkisë Fier ka vendosur dhënien me qira për pesë vjet të lokalit pjesë e tregut të produkteve bujqësore e blegtorale me sipërfaqe 248.87 metra katrorë. Në buletinin nr.41, datë 16 tetor 2017, bashkia Fier ka njoftuar për botim dhënien me qira me konkurrim të këtij lokali me qira mujore 150 lekë për metër katror. Më pas rezulton që kjo procedurë të jetë anuluar. Bashkia nuk informoi lidhur me procedurat e dhënies me qira të lokalit në fjalë edhe pas kërkesës për informim të dërguar nga “Porta Vendore” më datë 24.05.2018, duke lënë në hije procedurat e kryera nga kjo njësi vendore për dhënien me qira të lokalit që gjendet në strukturën e tregut.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Porta Vendore”, Bashkia Fier shpenzon nga kontributet e taksapaguesve lokalë rreth 450 mijë lekë në muaj për menaxhimin, mirëmbajtjen, shërbimet, pagesat e punonjësve dhe qiranë e këtij tregu, ndërkohë që të ardhurat e siguruara nga tarifat që u vilen tregtarëve dhe qiraja e lokalit që nuk u bënë të ditura prej bashkisë, në rastin më të mirë mbulojnë një të tretën e këtyre shpenzimeve.
Situata
Të kalosh nga njëra anë e rrugës automobilistike në tjetrën, ku gjendet tregu i produkteve bujqësore e blegtorale në lagjen “Kryengritja” në qytetin e Fierit, është një sfidë e vërtetë. Fakt është se prej një viti mungojnë sinjalistikat për kalimin e këmbësorëve dhe numri i shumtë i mjeteve, edhe të tonazhit të rëndë, që përshkojnë këtë aks të rrugës nacionale që lidh Jugun me Shqipërinë e Mesme, e bëjnë të vështirë thuajse për këdo, mbërritjen në hyrjen e këtij tregu. Ndërkohë që kanë kaluar rreth 11 muaj nga hapja e këtij tregu, rezulton se bashkia e Fierit nuk është kujdesur të gjejë një zgjidhje për këmbësorët apo blerësit që të kalojnë në anën tjetër të rrugës nacionale.
Por, në përgjigjen e dytë të saj bashkia e Fierit citon se tregu është mjaft i favorshëm, si për tregtarët, ashtu edhe për konsumatorët. “Është një treg me standard, që i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, si për tregtarët e fermerët ashtu edhe për konsumatorët”, shkruhet në përgjigjen e bashkisë Fier.
Nga disa vëzhgime të kryera nga “Porta Vendore”, gjatë muajve maj dhe qershor rezulton se numri i tregtarëve në tregun e ri të produkteve bujqësore dhe blegtorale është i pakët. Zakonisht aty gjenden pesë ose gjashtë tregtarë pakice. Ndërsa në fillim të muajit qershor numri tregtarëve kishte arritur deri në 10. Sipas tregtarëve që kishin mbërritur aty muajin e fundit, kishte qenë bashkia që i kishte imponuar të largoheshin nga vendet e mëparshme ku tregtonin.
Një prej tyre tregon se në këtë treg shitjet janë më të pakta se në vendin ku shiste më parë. “Na prunë ata të bashkisë. Këtu është më mirë, por s’ka treg, s’ka punë, s’vijnë njerëzit. Tek vendi i mëparshëm kishte më shumë shitje, se është më afër qytetit. S’ka punë se edhe lekë s’ka, edhe larg është nga qyteti”, thekson tregtari.
Edhe një tjetër tregtar që shet aty që prej hapjes së tregut ankohet se nuk ka blerës. “Këtu të rinj deri tani nuk kanë ardhur fare. Edhe ne qëndrojmë kot. Edhe kur dal të shes ndonjë kile në rrugë, po të shikojnë që dal unë me rimorkio, vijnë menjëherë të bashkisë. Të tjerët shesin në çdo vend. Taksën e paguajmë 30 mijë leka në muaj(tre mijë lekë). Kam paguar 50-të unë, kam ardhur që kur është hapur tregu”, shpreh pakënaqësinë e tij tregtari.

Në përgjigjen e dytë të bashkisë Fier, citohet se “tregu funksionon më së shumti si treg shumice, por edhe pakice”. Nga vëzhgimi i kryer në terren nga “Porta Vendore”, rezulton se sipërfaqja dedikuar tregtarëve të shumicës është mjaft e vogël krahasuar me vendin që u është lënë tregtarëve të pakicës, të cilët mungojnë.
Një tjetër tregtar thekson se tregu është mjaft i favorshëm për tarifën e ulët që ka dhe tregon se gjatë muajve të verës vjen thuajse çdo ditë, ndërsa në dimër më rrallë. “Është shumë i favorshëm ky treg. Ne vijmë ditë për ditë që shesim. Gjatë gjithë vitit jo, por kur vjen volumi, këto nektarinat, gjërat, ato produktet që kemi. Tre-katër mujorshi, kur fillon nektarina e kur mbarojnë. Por vijmë edhe gjatë dimrit, kur është spinaqi, preshi, këto gjërat e dimrit. Gjatë dimrit vijmë dy tre herë në javë”, shprehet ai i kënaqur për tarifën që duhet të paguajë.
Tregjet e tjera
Në qytetin e Fierit, veç tregtarëve të produkteve bujqësore e blegtorale me pakicë që gjenden në dyqanet e çdo lagjeje apo blloku pallatesh, bashkia e Fierit ka mundësuar edhe tregjet e lëvizshme. Çdo ditë të javës, dhjetëra tregtarë të produkteve bujqësore e blegtorale zhvendosen në zona të caktuara në të gjitha lagjet e Fierit, duke i çuar produktet e tyre sa më pranë blerësve. Ka rreth tre vite që këto tregje të lëvizshme funksionojnë mirë, duke lënë të kënaqur si tregtarët, ashtu edhe blerësit.
Por, disa prej tyre ankohen se hapja e tregut të ri ka sjellë pasoja negative edhe tek tregtarët që shesin në tregjet e lëvizshme. “Që kur bënë atë na prishën edhe neve terezine e punës, për arsye se ai vend atje nuk është i përshtatshëm njëherë, në radhë të parë dhe është në kryqëzim. Ne jemi prej tre vjetësh këtu(në tregun e lëvizshëm). Ne njerëzit i mësuam nëpër lagje dhe na presin. Atje lart na prishën dy lagje…. Na ndryshuan vendin për faj të tregut atje”, rrëfen një tregtar. Të njëjtën gjë konfirmon edhe një tregtar tjetër aty pranë. “Atje nuk funksionon, se nuk hidhesh dot matanë. Atje duhet të ketë polic që të hidhet tjetri matanë me fëmijë të psonisësh”, pohon ai. Ndërsa një tjetër tregtar i tregut të lëvizshëm sugjeron që tregu i ri në lagjen “Kryengritja” të kthehet në një treg shumice. “Atje s’ka punë, një… . E dyta, atje është rruga keq, kalojnë makinat, është kryqëzimi. Ajo… , jo që është larg qytetit, por s’kalon dot nga makinat. Më mirë të bëhet pikë shumice”, përfundon ai.
Një tjetër treg i produkteve bujqësore e blegtorale gjendet në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, një zonë qendrore e qytetit, që është edhe nga më të frekuentuarat prej blerësve. Ndërkohë, një tjetër treg privat i shumicës gjendet në periferi të qytetit të Fierit, duke u dhënë mundësi tregtarëve të vegjël të gjejnë një shumëllojshmëri të larmishme të prodhimeve bujqësore.
Nga vëzhgimi i kryer në terren nga “Porta Vendore”, rezulton se të gjitha tregjet e tjera funksionojnë mirë, si ata privatë, ashtu edhe ata që menaxhohen prej bashkisë.
I vetmi treg që rezulton të jetë një barrë financiare prej mijëra dollarësh çdo muaj për buxhetin e bashkisë, është ai i ndërtuar një vit më parë në lagjen “Kryengritja”, ku vetëm qiraja prej 346 600 lekësh, me anë të vendimit të këshillit bashkiak, është përcaktuar që të paguhet edhe për 9 vitet e ardhshme.

Pavarësisht se bashkia e Fierit pretendon se ndërtimi i këtij tregu ka pasur si qëllim favorizimin e zhvillimit të bujqësisë, fermerëve dhe konsumatorëve, nga të dhënat e servirura prej këtij institucioni si edhe nga hulumtimi i kryer nga “Portavendore” gjatë dy muajve të fundit, nuk rezulton që investimi gjysmë milionë dollarësh të ketë sjellë ndikim pozitiv në tregëtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale apo lehtësira për tregëtarët dhe blerësit për të justifikuar kostot financiare.
Mungesa e transparencës
Gjatë dy muajve të fundit, “Porta Vendore” iu drejtua Bashkisë Fier me dy kërkesa për informim lidhur me të dhënat e projektit dhe menaxhimit të tregut të produkteve bujqësore e blegtorale, si edhe për vënien në dispozicion të kopjeve të vendimeve që i hapën rrugën këtij projekti, kopjeve të tenderave, të kontratave të qiramarrjes e qiradhënies dhe kopje të procesverbaleve dhe të dëgjesave publike me fermerët, tregtarët dhe grupet e tjera të interesit. Bashkia e Fierit ktheu fillimisht një përgjigje të paplotë, me anë së të cilës informonte në vija të përgjithshme se tregu është ndërtuar bazuar në kërkesën e fermerëve të zonave bujqësore për të shitur produktet e tyre bujqësore e blegtorale.
“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme, që u përkthye në projekt nga ana e Bashkisë Fier, duke përmbushur detyrën e qeverisjes lokale për të krijuar kushtet për tregtim. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetit Bujqësisë Veterinarisë dhe Pyjeve u bë një studim i situatës dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit dhe Planifikimit të Territorit, vendi ku sot është ndërtuar tregu u pa më e përshtatshme për vet pozicionin gjeografik që ofron akses për të gjithë fermerët dhe tregtarët e zonave përreth e jo vetëm, si edhe ka hapsirat e nevojshme për tregtim dhe parkim”, citohet në përgjigjen e bashkisë.
Për shkak se bashkia e Fierit nuk dha asnjë dokumentacion apo informacion të kërkuar për kërkesën e parë, “Porta Vendore” iu drejtua me ankesë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale, i cili me anë të shkresës Nr.931/1 prot, datë 30.05.2018 i kërkonte Bashkisë Fier të rivlerësonte dhënien e informacionit të kërkuar brenda datës 6 qershor 2018. Por, edhe kjo kërkesë e drejtuar nga Komisioneri, nuk u respektua nga Bashkia e Fierit, pasi përgjigja u bë e mundur rreth dy javë më vonë nga data e përcaktuar, me anë të shkresës 5361/1, datë 18.06.2018 të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në përgjigjen e saj të dytë, bashkia e Fierit serviri një kontratë qiramarrje; vendimin e Këshillit të Bashkisë Fier për miratimin e fillimit të procedurave të marrjes me qira të truallit ku është ndërtuar tregu; studimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë, Pyjeve dhe Shërbimeve Veterinare; projektin e strukturës së tregut të realizuar nga Drejtoria e Projekteve dhe Infrastrukturës; vlerën e ndërtimit të tregut; të dhënat për kostot financiare të të punësuarve dhe përshkrim të të dhënave përsa i përket standarteve, infrastrukturës, kushteve higjeno-sanitare, duke e cilësuar si “një treg me standard, që i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, si për tregëtarët e fermerët, ashtu edhe për konsumatorët”, të dhënat financiare të ndërtimit të tregut dhe projektin e zbatimit.
Por, përsëri, bashkia nuk dha asnjë kopje të procesverbaleve të dëgjesave me fermerët apo grupet e tjera të interesit për këtë projekt, ç’ka ngre hije dyshimi se fermerët dhe tregtarët nuk janë konsultuar paraprakisht lidhur me vendin ku do të ndërtohej tregu dhe destinacionin e tij si treg pakice apo shumice, duke i përjashtuar nga përfshirja në vendimarrje.
Rreth autorit:
Edmond Hoxhaj është gazetar në qarkun e Fierit. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi. Hoxhaj ka punuar në disa media të shkruara dhe audiovizive në Tiranë dhe në Fier, ku ka mbuluar çështjet e aktualitetit e të drejtësisë.