11 Korrik 2018/Edmond Hoxhaj/ Porta Vendore/ Fier
Në përmbledhjen e konsultimeve publike që “Evrionmental Management Consultancs, sh.p.k.”, organizoi më datë 20 Mars 2017 lidhur me projektin e inceneratorit të Vërrisë, një kopje së të cilës “Porta Vendore” e disponon, rezulton se edhe në të vetmin rast kur ka pasur prani të banorëve të këtij fshati, ata janë larguar pa firmosur procesverbalet. Nga ana tjetër banorët e zonës së Vërrisë ankohen se nuk i ka pyetur askush dhe se këta të fundit nuk e kanë dhënë askund pëlqimin e tyre.
Dëgjesat publike pa publik
Në përmbledhjen e konsultimeve publike shkruhet se, lajmërimi për dëgjesën e datës 20 mars 2017 për prezantimin e projektit të ndërtimit të inceneratorit, që u zhvillua në ambientet e një taverne në Vërri, është lajmëruar në rrugë elektronike në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit më datë 20 shkurt 2017, se është njoftuar më parë kryeplaku i fshatit dhe se është shpërndarë informacion në të gjithë fshatin. Sipas organizatorëve të konsultimit publik, takimi është zhvilluar me dyer të hapura dhe se në këtë dëgjesë janë grumbulluar 100 persona, banorë të zonës, përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të studios mjedisore dhe ekspertëve, përfaqësues të subjektit investitor dhe përfaqësues të mediave lokale e kombëtare.
“Pas marrjes së fjalës dhe mirëseardhjes nga moderatorja e takimit, banorët pjesërisht ishin të gatshëm të dëgjonin dhe të ishin të pranishëm në këtë takim. Gjithashtu nuk(kanë) pranuar të firmosnin në procesverbalin pjesëmarrjes në këtë takim pasi nuk e kuptojnë këtë proces”, citohet në përmbledhjen e konsultimeve ku janë pasqyruar edhe foto të takimit të datës 20 mars 2017, prej nga evidentohet lehtësisht fakti se, edhe në radhët e para të të pranishmëve, gjenden fëmijë të mitur.
Lidhur me këtë dëgjesë, një prej banorëve të fshatit Vërri, Leonard Janji, në një intervistë për “Porta Vendore”, është shprehur se nuk ishin informuar zyrtarisht dhe se nuk kishin marrë dijeni se çfarë do të prezantohej. “Në u paraqitëm atje dhe e pamë, e bojkotuam këtë gjë direkt. E pamë që nuk ishte për ne, sepse menduam se ky projekt nuk sillte asnjë lloj të mire, pasi ishte kontestuar nga shumë fshatra si, Plyk e Mbrostar”, theksoi ndër të tjera fermeri Janji.
Në përmbledhjen e konsultimeve publike, lidhur me prezantimin e projektit të ndërtimit të inceneratorit në Vërri, shkruhet se është zhvilluar edhe një tjetër dëgjesë në ambientet e një hoteli në qytetin e Fierit ku kanë marr pjesë 33 persona. Edhe për këtë dëgjesë shkruhet se lajmërimi është kryer më datë 20 shkurt 2017 nëpërmjet faqes elektronike të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Ministrisë së Mjedisit, televizioneve lokale dhe atyre kombëtare, dhe me njoftime shkresore drejtuar institucioneve të cilat kanë lidhje me këtë aktivitet.
“Në këtë takim, u grumbulluan gjithsej vetëm 33 persona, përfaqësues të bashkive të qeverisjes vendore, Qarku Fier, disa gazetarë të televizioneve lokale e kombëtare, përfaqësues të studios mjedisore dhe ekspertëve që kanë hartuar raportin e thelluar të VMN-së, përfaqësues të subjektit të kontraktuar ITWTF, përfaqësues të DRM Fier”, citohet në përmbledhjen e konsultimeve publike.
Ndërkohë, në këtë takim rezulton të mos kenë qenë të pranishëm banorët e zonës ku po ndërtohet inceneratori. Në procesverbalin ku të pranishmit kanë nënshkruar, vetëm një prej tyre është identifikuar si banor, por pa specifikuar nëse ishte ose jo banor i zonës pranë parcelës ku po ndërtohet inceneratori.
Banorët e fshatit Vërri nisën një maratonë protestash që prej bërjes publik të faktit se inceneratori do të ndërtohej pranë tokave të tyre bujqësore. Por, pavarësisht kundërshtimit të vazhdueshëm të banorëve të Vërrisë, Këshilli Kombëtar i Territorit, më datë 16 tetor 2017, vendosi miratimin e lejes së ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier. Prej marsit të vitit 2017 e në vazhdimësi, numrit të banorëve të Mbrostarit të proceduar për “organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme”, ju shtuan edhe 14 banorë të fshatit të Vërrisë, të cilët u ndoqën penalisht për të njëjtën vepër penale duke ngjallur frikë e pasiguri mes tyre.
“Porta vendore” u drejtoi kërkesa për informim Bashkisë Fier, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me anë së të cilave kërkoheshin kopje të procesverbaleve të dëgjesave me banorët e fshatit Vërri dhe banorëve të tjerë të zonës, por asnjë prej këtyre institucioneve nuk i serviri këto të dhëna.
Dëgjesat jo ligjore
Dr.Dorina Ndreka, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, njëkohësisht edhe avokate pranë Klinikës së Ligjit në këtë Universitet, e cila është duke verifikuar ecurinë e procesit të dëgjesave publike për projektin e Inceneratorit të Vërrisë, sqaron për Porta Vendore se, dëgjesat e zhvilluara deri tani për këtë projekt, nuk i kanë përfshirë banorët e zonës në këtë vendimmarrje dhe se së shpejti do ta ndjekin në gjykatë këtë çështje.
“Dëgjesat publike kanë për synim informimin dhe përfshirjen e publikut gjatë procedurave të vendimmarrjeve të cilat pritet që të kenë ndikim në mjedis. Konventa e Aarhusit është akti juridik ndërkombëtar, i cili i detyron shtetet anëtare, pra edhe Shqipërinë, të krijojnë mekanizmat ligjorë për të garantuar përfshirjen e publikut në këtë tipologji vendimesh. Lidhur me ndërtimin e inceneratorit në fshatin Vërri të qytetit të Fierit, në shtator 2016 është zhvilluar procedura e prokurimit publik dhe në tetor 2016 është lidhur kontrata e konçensionit midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë Konçensionare. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka miratuar shpronësimin e tokës mbi të cilën do të ndërtohet objekti, në dhjetor 2016. Të gjithë këta hapa ligjorë të ndërmarrë, janë kryer pa asnjë konsultim me publikun, gjë e cila vjen në kundërshtim si me Konventën e Aarhusit, ashtu edhe me ligjin Nr.146/2014, ‘Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik’”, thekson Ndreka e cila shton se projekti tashmë është bërë një fakt i kryer pa marrë mendimin e qytetarëve që jetojnë në zonën ku po ndërtohet inceneratori.
Më tej, ajo shpjegon edhe mënyrën se si duhet të zhvillohen dëgjesat në përputhje me legjislacionin përkatës.
“Dëgjesat me publikun gjatë procedurës së miratimit të Deklaratës Mjedisore, janë element i rëndësishëm përmbajtësor, jo thjesht procedurial. Si rezultat vetëm prania fizikisht e një numri të caktuar personash, banorë të zonës ku parashikohet të zhvillohet ndërtimi, nuk mundet në asnjë rast të sjellë pasojë ligjore ezaurimin e dëgjesave publike. Në rastin në fjalë, qëndrimi i publikut nuk është thjesht moskomunikim, apo shfaqje e ndonjë forme të caktuar indiference, por bëhet fjalë për refuzim të mirëfilltë të projektit në tërësi. Ky refuzim i sjell projektit mangësi thelbësore, pasi nuk është përmbushur një prej hallkave më të rëndësishme të fazës paraprake të tij.
Nëse flasim për pjesëmarrjen e personave të mitur në dëgjesë, sigurisht që nuk ka ndalim ligjor për praninë e tyre fizike, por në asnjë rast ata nuk mund të përdoren si numër fizik për të zënë karriget e sallës, pasi juridikisht ata nuk janë të zotë për të vepruar dhe si të tillë nuk mund të marrin përsipër të drejta dhe detyrime ligjore, duke përfshirë edhe ata për të shprehur një qëndrim të caktuar për një projekt dhe ndikimin e tij në mjedis. Për më tepër shpërfaq edhe një mungesë serioziteti gjatë zhvillimit të procesit të dëgjesave publike, për një projekt kaq të rëndësishëm dhe me ndikim për të gjithë komunitetin”, përfundon ajo.
Dr. Dorina Ndreka evidenton faktin se në këtë rast, dëgjesat e zhvilluara nuk i plotësojnë kushtet ligjore.
Rreth autorit:
Edmond Hoxhaj është gazetar në qarkun e Fierit. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi. Hoxhaj ka punuar që nga viti 2001 në disa media të shkruara dhe audiovizive në Tiranë dhe në Fier, ku ka mbuluar çështjet e aktualitetit e të drejtësisë.