Korrik 2018/ Geri Emiri/Porta Vendore/Durrës
Tërmetet që lëkundën vendin tonë ditët e fundit kanë sjellë dëmë materiale dhe panik tek banorët e fshtrave Hamallaj, Hidrovor dhe Rrushkull në njësinë administrative Sukth i Ri, në qytetin e Durrësit. Që prej 5 ditësh ata flenë dhe zgjohen me frikën se muret e “brishta” të shtëpive do t’u bien në kokë.
Tërmeti që lëkundi Qarkun e Durrësit ditën e mërkurë, shkaktoi dëme të shumta materiale në fshatrat e Durrësit dhe Fushë-Krujës. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), tërmetet e njëpasnjëshëm e kishin epiqendrën pranë Gjirit të Lalëzit dhe kishin magnitudë 5.1 dhe 4.3 ballë, të shkallës “rihter”.
Pas këtyre lëkundjeve në Qarkun e Durrësit, policia njoftoi se janë regjistruar dëmtime në 36 banesa. Por pas ditës së parë, numri i banesave të evidentuara si të dëmtuara duket se është rritur. Pas interesimit të “Portës Vendore” në Njësinë Administrative Sukth i Ri, na u bë me dije se në territorin e fshatrave Hamallaj, Hidrovor dhe Rrushkull, janë regjistruar dëme materiale në 30 familje.
Lëkundjet e tërmetit u ndjenë shumë edhe në pallatet shumëkatëshe në qytetin e Durrësit, ku banorët nga paniku dolën në rrugë. Pas tërmetit valët telefonike u ndërprenë për mbi 15 minuta.

Që prej 5 ditësh,Sami Matraxhie kalon natën vetëm me bashkëshorten në banesën e tij. Natën nënën e dërgon tek të afërmit së bashku me tre fëmijët, me frikën se mos lëkundjet e tërmetit rrëzojnë çatinë apo muret e shtëpisë, ku për të përforcuar tavanin Samiu ka vendosur shtylla provizore prej hekuri.
“Kam shkuar tek Njësia Administrative Katund i Ri dhe kërkova që të më jepnin një çadër për të kaluar natën me familjen, por filluan të talleshin”, tha për Portën Vendore Sami Matraxhi. Ai banon në fshatin Katund i Ri dhe nuk kërkon dëmshpërblim nga qeveria, por një leje ndërtimi, që ai të ndërtojë një banesë të re për shkak të dëmtimit të konsiderueshëm të banesës aktuale.

Lëkundja e fortë që shkaktoi pasojat më të mëdha sipas informacionit të publikuar nga IGJEUM, vetëm në Qarkun e Durrësit është pasuar nga rreth 48 tërmete. I fundit është regjistruar ditën e diel, rreth orës 02:30 të mëngjesit, me magnitudë 2.3 ballë, ku si shumica e lëkundjeve, epiqendra ka qenë pranë Gjirit të Lalëzit.

Shumica e dëmeve të shkaktuara në disa fshatra të Qarkut Durrës është në banesa. Nga një vëzhgim i “Portës Vendore” në fshatrat Katund i Ri, Jubë dhe Hamallaj, sipas pohimit të kryefamiljarëve banesat e dëmtuara janë ndërtuar përpara viteve’ 90 dhe është hera e parë që ata pësojnë dëmtime nga lëkundjet e një tërmeti.

Pal Llyçi banon në fshatin Jubë dhe lëkundjet e tërmetit e kanë detyruar që qëndrojë në “gjendje gatishmërie” së bashku me familjen e djalit. Nipërit dhe mbesat i dërgojnë tek të afërmit që kanë banesa më të reja, për të kaluar atje natën, teksa përgjatë ditës qëndrojnë me dyer dhe dritare të hapura.
“Unë kam që në muajin shkurt që më është dëmtuar një pjesë e çatisë pas rënies së dëborës. Ata erdhën e verifikuan dhe megjithëse jam ankuar disa herë në bashkinë Durrës, nuk më kanë dhënë zgjidhje”, u shpreh Pal Llyçi për “Portën Vendore”.
Për rastin e Pal Llyçit administratori i njësisë administrative Katund i Ri, pranoi gjendjen e rënduar ekonomike të familjes dhe që pas dëmtimeve nga dëbora janë evidentuar dëmet sepse Llyçi është ankuar dhe më pas rasti është referuar në bashki, ku pritet të marrë zgjidhje së bashku me dëmet e shkaktuara nga tërmetet.
Banorët e fshatrave Katund i Ri, Jubë dhe Hamallaj thanë për “Portën Vendore” se dëmet janë evidentuar nga grupet e verifikimit. Pas interesimit tonë në Zyrën e Emergjencave Civile në Prefekturën e Durrësit, na u bë me dije se janë hartuar listat me personat e prekur nga lëkundjet e tërmeteve dhe do vijojnë procedurat e mëtejshme.
Rreth autorit
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.