Vëzhgim/Analizë

Ping-pongu bashki-qeveri ka degraduar qendrat shëndetësore

7 korrik 2018/ Ylli Pata/ Porta Vendore

Liza Përdoçi është prej katër vjetësh drejtuese e qendrës shëndetësore të Rubikut. E gjen në zyrën e saj, në katin e parë të ndërtesës dykatëshe që vjen aromë detergjentësh dhe në çdo milimetër dallon nga pastërtia, që shikohet lehtë në muret e lyer me të bardhë.

“Më duhet të merrem më shumë me letra e shkresa burokratike, në vend që t’u kushtojmë kohë më shumë pacientëve.”
Mjekja Liza Përdoçi

Dr.Përdoçit i duhet të përpilojë pagesën e tarifës për plehrat spitalore drejtuar bashkisë së Rreshenit.

“Një pjesë e madhe e fondit që kemi në dispozicion e harxhojmë për punë, për rregullim, apo për detyrime ndaj pushtetit vendor, në vend që të blejmë medikamente, apo mjete për mjekim. Sapo patëm dy raste kafshimi nga qeni dhe injeksioni anti-infektiv kushton shtrenjtë. Mendoj se vihemi në vështirësi pa qenë nevoja, kur mund të zgjidhen shumë lehtë, nëse secili bën punën që i takon.”
Mjekja Liza Përdoçi

Qendra shëndetësore në Rubik në kohën e regjimit komunist ka qenë një spital i mirëfilltë e pas viteve ‘90 të shekullit të shkuar u kthye në qendër vizitash primare. Janë katër mjekë familjeje, dy ndihmësmjeke dhe dy infermiere, që merren me injeksionet dhe mjekimet e urgjencës. Ambulanca e Rubikut ka në patronazh, përveç 8 mijë banorët e Rubikut, edhe ata të fshatrave përreth, si dhe dy qendra shëndetësore në ish-territorin e komunës. Qendra ato vetëm quhen, pasi realisht situata e tyre është mjaft e vështirë: mungon uji i pijshëm, ndërkohë që ambjentet janë në gjendje të rëndë.

“Fondet tona që marrim nga buxheti shëndetësor nuk mjaftojnë për rregullime në infrastrukturë. Boll që paguaj faturat e dritave dhe shpenzimet e tjera. Ja, sapo mbylla hipotekimin e ndërtesës dhe, gjithashtu, paguam nga fondi vjetor. Para pak kohësh na binte automati vazhdimisht dhe e bëmë vetë me shpenzimet tona lidhjen e rrjetit të ri elektrik. Familjarët tanë i aktivizojmë për ndonjë punë këtu.”
Mjekja Liza Përdoçi

Rubiku është vetëm njera nga “viktimat”, si shumë njësi vendore, e zbatimit problematik të reformës territoriale, apo mosfunksionimit të saj në terren. Prej qershorit 2015, sipas ligjit, administratat e 61 bashkive të reja do të duhet të mirëmbanin edhe qendrat shëndetësore nga ana e infrastrukturës. Por, edhe pse kanë kaluar plot tre vjet, thuajse nuk është bërë asgjë. Sipas nenit 23 të ligjit “Për Vetqeverisjen Vendore”, bashkitë duhet të bëjnë mirëmbajtjen e godinave të qendrave shëndetësore dhe atyre arsimore. Ndërkohë që për çështjen e shkollave bashkitë kujdesen për infrastrukturën, pra i lyejnë, apo suvatojnë, qendrat shëndetësore janë lënë totalisht në mëshirën e fatit. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore në Rubik, Liza Përdoçi, tregon një rast, kur, sëbashku me një kolege të saj, kanë ndërhyrë tek një donator i huaj që të investonte direkt në riparimin e tarracës së godinës.

“Ishte një organizatë nga Luksemburgu, që e pa vetë soletën, e cila po shembej dhe u tha atyre të bashkisë që unë dua të investoj në Rubik, në mënyrë që të mos i devijonin fondin. Falë zotit, ashtu ndodhi: u riparua tarraca dhe bëmë meremetime gjithandej e tani nuk ka nevojë për të ndërhyrë më. Bashkia, nëse na ndihmon, të paktën mos na pengojë.”
Mjekja Liza Përdoçi

E, në fakt, Bashkia Rrëshen, përveç se nuk jep fonde për qendrat shëndetësore, i merr ambulancës së Rubikut një taksë të majme për mbetjet spitalore. Kjo situatë si në Rubik, ndodhet në të gjithë vendin. Bashkitë kanë marrë nën administrim territoret e ish-komunave, por një pjesë e institucioneve, kryesisht në fshatra apo qyteza, kanë mbetur “jetime”. Drejtuesit e qendrave shëndetësore ndodhen me sytë nga bashkitë, nëse atyre “ju bie në zemër” të alokojnë ndonjë fond për mjediset në fshatra. Projekti “Lëviz Albania” ka financuar një nismë për të monitoruar zbatimin e ligjit për qeverisjen vendore në rastin e qendrave shëndetësore, e zbatuar nga “Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim”. Kjo organizatë kreu një vëzhgim të hollësishëm në pesë bashki të përzgjedhura: Mirëditë, Ura Vajgurore, Gramsh, Pogradec, Kuçovë, pikërisht delegimin e kompetencave të pushtetit vendor për mirëmbajtjen dhe investimet në qendrat shëndetësore. Në pesë raportet e hartuara për bashkitë, që janë monitoruar, pasqyrohen hollësisht, me detaje, të gjitha problemet në qendrat shëndetësore, por edhe ofrohen rekomandime për të dalë nga situata.

Mirela Arqimandriti, drejtuese e Qendrës për Zhvillimin Gjinor, e cila zbatoi projektin e monitorimit në pesë bashki të vendit, të financuar nga LëvizAlbania, shprehet se:

“Situata në terren rezultoi më komplekse se sa ligjore, apo edhe burokratike. Kemi të bëjmë me një gjendje, ku komuniteti ndjehet i braktisur, si pasojë e një moskoordinimi nga pushtetet vendore dhe qendrore. Në raportet tona, ne jo vetëm kemi fotografuar situatën reale, por jemi thelluar, duke dhënë edhe rekomandimet e duhura.”
 Mirela Arqimandriti, drejtuese e Qendrës për Zhvillimin Gjinor

Në fakt, situata duket se është e pazgjidhur, nga ana ligjore, por edhe administrative, gjë që transplantohet direkt në gjendjen praktike. Qytetarëve, edhe pse e marrin shërbimin parësor, pra kanë mjekun e familjes, për shumë shërbime u duhet të lëvizin drejt spitaleve, apo ambulancave, që ndodhen në qendrat e bashkive. Ardit Zeno, një banor i fshatit Skënderbegas në Gramsh, thotë se qendra shëndetësore e fshatit të tij është vetëm një ndërtesë pa asgjë brenda.

“Mjeku ndodhet aty, jep vetëm receta për të sëmurët kronikë, apo rekomandime për në spitalin e Gramshit.”
Ardit Zeno, një banor i fshatit Skënderbegas në Gramsh


Pra, qytetarët janë detyruar të lëvizin për në qendrat urbane dhe qendrat shëndetësore janë më shumë se formale. Ergita Kaso, punonjëse në bashkinë e Gramshit, thekson se vullneti ekziston, por mundësitë janë të vogla.

Në buxhetin e këtij viti është alokuar një fond i veçantë i bashkisë për rikonstruksionin e ambulancës në Holtas; është zgjedhur kjo ambulance, duke parë kushtet e vështira të godinës dhe nevojën e ngutshme për rikonstruktim. Padyshim që bashkia Gramsh dëshiron të investojë në çdo qendër shëndetësore, apo ambulancë të Gramshit, pasi pothuajse të gjitha kanë nevojë për disa investime, por buxheti teper i reduktuar i bashkisë e bën të pamundur.
Ergita Kaso

Zonja Kaso i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë t’i alokojë një fond të veçantë bashkisë së Gramshit për qendrat shëndetësore. Por drejtoresha e Qendrës Shëndetësore të Rubikut, Liza Përdoçi, thekson se problemi më i madh është burokracia e tepruar, që bën që askush nuk merret me atë që duhet.

“Ne kemi varësi të dyfishtë: edhe nga Drejtoria e Fondit të Sigurimit të Detyruar Shëndetësor në Lezhë, si dhe nga DSHM-ja e Rrëshenit. Por edhe nga bashkia, me kompetencat e reja. Megjithatë, në fund, të gjitha gjërat i bëjmë vetë. Gjithë ditën merremi me letra dhe kështu është qytetari që penalizohet.”
Mjekja Liza Përdoçi

 

Kurse nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, Adriana Adhami, shpjegon se problemi është më kompleks, dhe në radhë të parë ligjor.
“Me transferimin e kompetencave për qendrat shëndetësore tek pushteti vendor, kemi vetëm nenin 23 të ligjit për Qeverisjen Vendore. Por ende nuk ka një korpus të qartë ligjor me aktet e duhura për të zbatuar. Sipas ligjit, qendrat shëndetësore duhet të vetëfinancohen me fondet që vjelin nga qytetarët, ndërsa pushteti vendor të bëjë investimet në infrastrukturë. Ende janë të pazgjidhura problemet bazike ligjore, ato të pronësisë. Shumë ndërtesa nuk janë të legalizuara, apo nuk kanë çertifikatën e pronësisë. Duhet që ministria e Shëndetësisë të përgatisë aktet e duhura për një proces të plotë dhe të qartë të definimit të kompetencave.”
Nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit Adriana Adhami

Ministria e Shëndetësisë u ka vënë në dispozicion qendrave shëndetësore, për të menaxhuar situatën e brendshme, të ardhurat që marrin nga qytetarët. Në qendrën Shëndetësore të Rubikut, një mjeke thotë se këto fonde janë vetëm nga paratë që paguhen për të marrë lejen e drejtimit të automjetit, apo për leje arme, të cilat janë të papërfillshme dhe nuk dalin as për të blerë detergjentë për të pastruar ambulancën. Problemi më i madh qëndron me qendrat shëndetësore që janë të shkatërruara dhe nuk ka asnjë shenjë që të ketë një aksion nga bashkitë për të investuar.

Qeveria duket e ka parë situatën të majiset në sytë e saj, ndaj duket se do të lëvizë vetë direkt, por edhe për të hartuar kuadrin e shumëpritur ligjor që të ketë një impakt. Zëvendëskryeministrja Senida Mesi e pranon këtë situatë kaotike, në një prononcim të posaçëm mbi çështjen e qendrave shëndetësore. Zonja Mesi, madje, thotë se qeveria ka bërë një bilanc të plotë dhe ka gati planin për të ndërhyrë.

“E dimë që gjendja është mjaft e vështirë, madje ka qendra shëndetësore pa dokumente trualli, apo letra të tjera ligjore, çka përbën një skandal; ndaj do të ndërhyjmë menjëherë. Janë gjithsej 415 qendra shëndetësore, që do të rindërtohen, në një plan të përgjithshëm të qeverisë, ministrisë së Shëndetësisë, asaj të Energjisë, Agjencisë së Pronave, Aluiznit dhe të gjitha agjencive të tjera, në mënyrë që shërbimi të vijë pranë qytetarëve.”
Zëvendëskryeministrja Senida Mesi

 

Gjin Lakini, një mjek stomatolog në Rubik, i cili, natyrisht, punon jashtë sistemit shëndetësor, ngaqë është privat, përdor sarkazmën për të shpjeguar panoramën e shtrembër të shërbimit shëndetësor në 27 vite.
“Dikur, kjo qendër ishte spital me tre turne. Kishte edhe gjinekolog, kirurg, pediatër e mjaft specialitete. Pas viteve ‘90 u tha se qendra do të jetë më efikase nëse jep vetëm shërbimin primar. Por doktorët nuk mjekojnë, nuk vizitojnë, apo bëjnë ndonjë analizë. Ata thjesht plotësojnë letra: rekomandime për pacientët, vërtetime për ata që duan patentë dhe merren me meremetimet e godinës. Po mire, kjo është shëndetësia?”
Gjin Lakini, një mjek stomatolog në Rubik

 

Mjeku stomatolog, i cili, ngaqë nuk është i zënë me pacientë, u vjen në ndihmë ish-kolegëve të vjetër nëse kanë ndonjë punë “hamalli”, siç e quan ai, për të bërë në klinikë. “Dikush do ta bëjë”, thotë Gjini, duke buzëqeshur dhe nxjerr një kaçavidë nga çanta, për të ndrequr diçka në automatin e energjisë së qendrës shëndetësore. Bie, sapo vendoset pajisja e sterilizimit në përdorim…

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail