5 korrik 2018/Elisa Gjerani/Porta Vendore/Tiranë
Teksa projektligji për teatrin zbriti në foltoren e kuvendit për votim, vetëm disa metra larg qindra aktivistë, qytetarë dhe artistë protestuar duke i bërë thirrje deputetëve të të gjitha qarqeve të mos e votonin në parlament këtë projektligj.
Ashtu siç edhe ishte lajmëruar më parë, rreth orës 10 të paradites së të enjtes ishte i madh numri i protestuesve që iu bashkuan kauzës së artistëve në mbrojtje të teatrit. Me pankarta në duar, ata protestuan para parlamentit, duke iu drejtuar të gjithë deputetëve, Ministres Kumbaro dhe Kryeministrit Rama , që të mos e votonin projektligjin për shembjen e teatrit. “Peticioni që është firmosur nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh i drejtohet të gjitha organeve ligjzbatuese në Shqipëri si dhe ambasadorëve . Ne aleanca e gjerë e qytetarëve dhe artistëve në mbrojtje të pasurisë publike jemi kategorikisht kundër këtij projektligji të paraqitur në fshehtësi dhe me procedura të përshpejtuara. Ky projektligj propozuar nga Ministria e Financës e Ekonomisë dhe Ministrisë së Kulturës nuk ka të bëjë me teatrin kombëtar por me favorizimin mafioz të një subjekti privat Fusha sh.p.k duke i dhuruar pronën publike”, deklaroi aktori Neritan Liçaj. Ai e quajti projektligjin që pritet të kalojë ditën e enjte në parlament si antikushtetues.

Gazetarja e kulturës Elsa Demo, teksa mbante një pankartë në duar ku shkruhet “Teatri është gracka ku shpirti i diktatorit kapet si laraska” shprehu keqardhjen e saj në lidhje me shembjen e teatrit kombëtar. “Teatri është një pasuri kombëtare, i bëj thirrje parlamentit të reflektojë, poshtë diktatorët”, tha Demo.
Ndërsa teksa këndohej himni i flamurit, aktori i njohur Bujar Asqiriu tha se:
“Ky projektligj bëhet për të kafshuar teatrin kombëtar, për të kafshuar dinjitetin tonë, për të kafshuar kulturën tonë. E kemi thënë dhe e themi përsëri: Kini kujdes mos luani me artistët, sepse artistët janë njerëzit më të nderuar të kombit. Artistët kanë bërë historinë e kombit shqiptar. Prandaj kujdes me artistët”

Ai gjithashtu kërkoi reflektim nga ana e deputetëve sot që të mos e votojnë këtë projektligj, duke thënë se kjo është thirrja e fundit.
“Të nderuar deputet kalojeni ketë projektligj në mendje, në zemër jo mekanikisht, dhe kuptoni që nëse votoni këtë projektligj do të bëni një gabim të madh. Kuptojeni se dhëmbët që do ti ngulni atij teatri nuk do të harrohen kurrë. Ndaj ju lutem, mos e kafshoni teatrin”, përfundoi Asqiriu.

Ndërsa aktivistja Alida Karakushi, që gjithashtu ka mbrojtur me forcë kauzën e ndërtimeve te liqeni artificial i Tiranës, kishte një mesazh për Ministren Kumbaro “ Sipas edhe mbiemrit tuaj Ku-mbaron me duket sikur do të thotë ku mbaron historia dhe kultura e këtij vendi. Ju lutem na bëni të besojmë sot se nuk është kështu , se mbiemri juaj është një rastësi në gjithë këtë mesele të madhe që po na bënë gjithë gjëmën”, tha Alida.
Në protestë nuk munguan as qytetarët, disa prej të cilëve kanë ndjekur me endje edhe organizimet e tjera të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, gjatë këtyre muajve.
“Kam ardhur për teatrin, sepse kurrsesi nuk mund të mungoja në këtë protestë. Kam firmosur edhe peticionin patjetër, sepse e konsideroj humbje të madhe prishjen e vlerave të teatrit kombëtar. Për protestën u informova nga rrjetet sociale dhe ja ku jam”, tha një qytetare e cila kishte ardhur të protestonte bashkë me nipçen e saj të vogël.
Ndërsa pritet votimi i këtij projektligji në parlament, artistët deklaruan se nëse nuk do të ketë asnjë reflektim , ata do ta përshkallëzojnë protestën, deri në ngujim.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa medias kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.