3 korrik 2018/Esmeralda Keta/Porta Vendore/ Tiranë
Ndërsa dhjetëra qytetarë dhe artistë kanë protestuar edhe dje pasdite përpara Teatrit Kombëtar për të kundërshtuar prishjen e tij, në të njëjtën kohë Kryeministri Edi Rama, preu shiritin e Art Turbinës, qendrës së re të artit, që do të strehojë edhe Teatrin Kombëtar deri në ndërtimin e godinës së re.
Kjo lëvizje e qeverisë, nuk e ka demoralizuar aspak Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, e cila po përgatitet të zhvillojë një “mega protestë”, përpara parlamentit, ku pritet të shkojë për votim ditën e enjte projektligji i shumëdebatuar që i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Dystendat e ngritura nga AleancapërMbrojtjen e Teatrit, ajo e peticionit dhe ajo për kallëzimin penal, janë plot me qytetarë dhe aktivistë. Numri i atyre që kanë firmosur peticionin on-line ka shkuar mbi 1500 persona, vetëm në dy ditë, ndërsa shumë të tjerë mbajnë radhë për të firmosur kallëzimin penal. Peticioni u drejtohet të gjithë institucioneve shtetërore; Presidentit, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të bashkisë Tiranë, ku i kërkohet të rishikojnë vendimin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ndërsa kallëzimi penal është kundër Kryebashkiakut Veliajt dhe Firmës Fusha sh.p.k, ku i kërkohet Prokurorisë së Tiranës të nisë hetimet për përmbytjen e bibliotekës kombëtare.
Të gjithë bashkohen në një pikë: Vendimi për tjetërsimin e rreth 8000 m2 të Teatrit Kombëtar, për ta, është vjedhje.
Erlisi është një qytetar i Tiranës që i është bashkuar protestës vetëm në dy ditët e fundit. Ndërsa merr fjalën para grumbullit të qytetarëve që kanë dalë në krah të artistëve të cilët kanë kohë që kundërshtojnë me forcë shembjen e teatrit.
“Teatri është një godinë e rëndësishme. Përse qenka kaq e pamundur të ndërtosh një godinë teatri te fusha pas Bibliotekës Kombëtare? Apo pas Muzeut Historik? Apo pas fushës së hotel “Dajtit”? Një teatër është një godinë kryesore simbol, dhe nuk mund të jetë një godinë e fshehur mes pallatesh”, – thotë ai i revoltuar.

Arkitekti Maks Velo bën pjesë në atë grup artistësh që janë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Dhe për këtë ai ka një mori argumentesh. Me foton e projektit në dorë, Velo shpjegon se nëse zbatohet ky projekt, Teatri Kombëtar do të bëhet i pari teatër në botë që do të jetë në ajër dhe nuk do të ketë në pronësi as truallin e tij. “Nëse e shikoni godinën e Teatrit Kombëtar kuptoni se ai do të jetë një teatër në ajër. Flitet për mijëra metra katrorë, por në fakt ajo nuk është vetëm se sipërfaqja e shfrytëzueshme, pasi pronë e teatrit do të jetë vetëm një sipërfaqe fare e vogël. Është njësoj: ti blen apartamentin, por nuk blen truallin. Edhe ne ashtu do të jemi, pasi Teatri do të jetë i ndërtuar mbi një urë, ku poshtë tij do të jetë një tunel për kalimtarët e zonës”, – ka shpjeguar arkitekti Velo. Duke iu referuar po projektit të Bashkisë Tiranë, Maks Velo ka shpjeguar më tej se sheshi ku aktualisht mbahet protesta s’do të jetë më pronë e Teatrit, por rruga nga do të futen banorët e kullave që do të ngrihen ngjitur me të. “Ky sheshi ku jemi tani, nuk do të jetë më pronë e Teatrit. Thonë që do të jetë prone publike. Por në të vërtetë do të jetë rrugë ku do të kalojnë banorët e kullave, me makina apo biçikleta, ndërsa Teatri nuk do të ketë asgjë”, – tha arkitekti Velo. Arkitekti Velo nuk i ka kursyer kritikat as ndaj përfaqësuesve të opozitës që ishin në protestën e radhës. “Ku e çoi Partia Demokratike fondin grek prej 4 milionë eurosh që u dhanë për Teatrin? Sot është e thjeshtë të thoni se po tjetërsohet prona, por edhe ju keni fajin tuaj që e latë situatën të shkojë deri këtu” –ka kërkuar llogari ndaj deputetëve të opozitës arkitekti Maks Velo.
Jorida Tabaku, deputetja e opozitës, si trashëgimtare e dy familjeve më të vjetra tiranase, Tabaku dhe Turdiu, ka kujtuar tjetërsimin drastik që i ka ndodhur Tiranës. “Pushtuesit Italianë e blenë këtë truall nga privatët me napolona floriri për të ndërtuar një teatër kombëtar. Ndërsa qeveria shqiptare po sillet më keq se pushtuesit. Po ia fal këtë pronë publike, privatit. Kjo është një vjedhje e frikshme që i ndodh pronës publike”, – tha Tabaku.
Projektligji në parlament të enjten
Një javë më parë qeveria propozoi një ligj të veçantë për formulën që do të gjendej për ndërtimin e Teatrit të ri. Pavarësisht debateve të forta për prishjen e tij dhe projektit për ndërtimin e kompleksit të ri, në seancën e së enjtes është në axhendën për votim, me procedurë të përshpejtuar projektligji që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar. Ky projektligj i kalon mbi 8000 m2 truall publik në pronësi të firmës Fusha sh.p.k e cila autorizohet të ndërtojë aty kulla shumë katëshe, në këmbim të ndërtimit falas të godinës së Teatrit Kombëtar. Fusha sh.p.k është pronar fqinj me pronën e Teatrit Kombëtar dhe ka shfaqur interes për të ndërtuar mbi këtë truall. Mirëpo kjo formulë e konsideruar si e vetmja zgjidhje nga qeveria, është kundërshtuar nga një pjesë e artistëve, qytetarëve por edhe opozitës, pasi i merr pjesën më të madhe të pronës Teatrit Kombëtar dhe ia jep privatit.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e konsideron këtë projektligj“në kundërshtim me Kushtetutën”. Qytetarët dhe artistët janë të vendosur të “protestojnë kundër kësaj marrëzie”, siç e quajnë ata, e cila nëse kthehet në realitet, rrezikon të zhdukë përgjithmonë një nga godinat më të vjetra dhe më domethënëse në Tiranë si edhe ti falë truallin publik më të vlefshëm një kompanie private.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.