Ndodhi

Klosi, “Borxhliu i zjarrëfikseve”

2 Korrik 2018/Dritan Kurti/Porta Vendore/Klos

Bashkia e Klosit prej tre vitesh po përballet me problemin e mungesës së një mjeti zjarrfikës. Ndarja e re administrative territoriale e la këtë njësi vendore pa këtë shërbim i cili më parë mbulohej nga shërbimi zjarrfikës i ish Rrethit Mat. Në pamundësi ekonomike për të krijuar një strukturë specifike dhe të posaçme, Bashkia Klos për gjatë këtyre tre viteve ka huazuar nga bashkitë fqinje, ajo e Matit dhe e Bulqizës.

Rastet e zjarreve të shfaqura në këtë bashki, qoftë në masivet pyjore, qoftë në banesa, nuk kanë qenë të pakta, megjithatë ato janë përballuar nga mjeti zjarrfikës i Bashkisë Mat. Përgjegjësi i Zyrës së Emergjencave Civile në Bashkinë Klos, Nerim Dema, tha për “Porta Vendore”, se në rastet e nevojës, ata kontaktojnë menjëherë me shërbimin zjarrfikës të Bashkisë së Matit, e nëse ato janë të pamundur, kërkojnë ndihmën e Bashkisë së Bulqizës.

“Të gjitha rastet kur kemi pasur nevojë të mjetit zjarrfikës, janë mbuluar nga bashkitë fqinje, pasi ne nuk kemi një mjet të tillë. Në rastet kur fuqia punëtore e ka pasur të pamundur shuarjen e zjarreve, atëherë neve i jemi drejtuar Matit e Bulqizës. Për fat të mirë deri tani nuk ka pasur raste paralele që mund të pengonin ardhjen tek ne, por kjo nuk është zgjidhje pasi koha për të ardhur zjarrfikëset e tjera, është shumë e madhe, dhe ka pasur raste kur banesat kanë qenë shkrumbuar tërësisht, jo për faj të mjetit zjarrfikës, por të kohës që i duhej për të ardhur deri aty” , tha Dema.

Zjarrëfikësit e Matit në ndihmë të bashkisë Klos. Foto: Dritan Kurti

Koha që një mjeti zjarrfikës i duhet për të ardhur deri në Klos, në raste emergjence është 20-60 minuta. Në rastet e zjarreve në banesa,  familjarët  fajësojnë direkt vonesën e zjarrfikëses . Më 22 dhjetor të 2017-ës,13 pjesëtarë të familjes Deda në fshatin Fullqet të Bashkisë së Klosit mbeten në qiell të hapur, për shkak se banesa e tyre e përbashkët u shkrumbua nga flakët. “Për shkak të distancës së largët, mjetit zjarrfikës të bashkisë Mat iu deshën 30 minuta të vinte tek banesa, prej së cilës nuk u arrit të shpëtohej asgjë, një pjesë të madhe të fajit zjarrfikësja e ka”, thotë Leonard Deda kryefamiljari i banesës së djegur.

Mjeti i Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Mat, është në gjendje tepër të dobët pasi mjeti në fjalë është prodhim i viteve 80-të dhe se ka një kapacitet vetëm 1200 litra ujë. Sipërfaqja e madhe e të dy bashkive, e bën të pamundur që të mbulohet nga ky mjet.

Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa tha se prej tre vitesh po shpreson që mjeti t’i vijë nga qeveria, pasi vetë e ka të pamundur ta blejë. Çupa i tha Portës Vendore se këtë vit kishte planifikuar ta blente me buxhetin e tij mjetin zjarrfikës, duke hequr një pjesë të fondit për shërbime të tjera, por nga shkresat që ka dërguar pranë emergjencave civile, i është thënë që dhurimi i mjetit pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.

Shuarja e zjarreve me mjete rrethanore në Klos. Foto: Dritan Kurti

“Mungesa e mjetit zjarrfikës ka qenë një problem i madh për neve gjatë këtyre tre viteve. Ashtu si në disa bashki të tjera, ndarja Administrative –Territoriale e la pa një mjet pasi ato ishin të ndarë në rrethe dikur. Ne e kemi mbuluar këtë shërbim falë mbështetjes dhe ndihmës që na kanë dhënë bashkitë fqinje, Mati e Bulqiza, por nevoja ka qenë e madhe sidomos gjatë stinës së verës ku masivet pyjore janë përfshirë nga flakët. Ne kemi dërguar që nga 2015 shkresa për të na pajisur me një mjet, por vetëm tani kemi marrë një OK nga instancat. Vitin e kaluar na dërguan një fond prej 12 milion lekësh të rinj për pagat e specialistëve dhe blerjen e mjeteve të tjera, si rroba, skafandra etj, ndërkohë që mungonte më e rëndësishmja që është mjeti zjarrfikës. Shpresoj që kjo histori të mbyllet këtë vit dhe Bashkia Klos të ketë mjetin zjarrfikës të saj. Nga kontaktet me emergjencat civile na kanë thënë që kërkesa është për miratim në Këshillin e Ministrave”, tha Çupa.

Edhe pse është një Bashki me sipërfaqe të vogël, Bashkia Klos ka masive pyjore që çdo vit përfshihen nga flakët, për shkaqe të ndryshme, kjo e bën të nevojshme ndërhyrjen e mjetit zjarrfikës të cilin njësia vendore në fjalë nuk e disponon.

Rreth autorit:
Dritan Kurti është gazetar në Burrel.