Ngjarje/Personazhe

Vajza me biçikletë

26 qershor 2018/ Nyje.al/ Kamëz
Kamza është një qytet që nuk ofron alternativa të mëdha, sidomos për të rinjtë. Nuk ka hapësira të dedikuara për biçikleta, nuk ka ndriçim natën dhe nuk ka jetë kulturore.

Kristina ka lindur në Athinë. Kur ishte e vogël dhe jetonte akoma në qytetin ku kishte lindur, ajo luante gjithë kohës me biçikletë si shumë fëmijë të moshës së saj. I pëlqente vizatimi dhe baleti, madje për këtë të fundit kishte nisur edhe një kurs. Prindërit punonin në një servis makinash.

Në vitin 2008 ata kthehen nga emigracioni me dëshirën për të ndërtuar diçka në vendin e tyre dhe vendosen përfundimisht në Kamëz. Ndërtojnë një shtëpi, hapin nje servis me dyqan për pjesë këmbimi ku punon e gjithë familja.

Për Kristinën, sot 18 vjeç, gjërat nuk shkojnë aq mirë. Në Kamëz nuk ka sheshe e rrugë të mira për biçikletë, e sa për oborrin e shtëpisë, aty punon i ati,një gërvishtje dere makine me biçikletë kushton shumë ditë pune. As kurse baleti nuk ka Kamza. Kështu që Kristinës i mbetet të vizatojë. Edhe kjo i ndodh me raste.

Në projektet që bënin me bashkëmoshatarët e saj në shkollë, ajo vërente se nxënësit i bënin lëmsh figurat, shkrimin dhe domethëniet. Kështu vendosi që pasionin e saj për të vizatuarit ta orientojë drejt grafikë dizajnit dhe  pushimet e verës i kaloi duke mësuar e duke u ushtruar.

E veshur sport, me flokët e zinj të lëshuar ajo del shpesh me biçikletë. Për punë ose për shëtitje me shoqet. Kur të tjera vajza që nuk e kanë mundësinë e saj, e shohin me njëfarë admirimi, Kristina u buzëqesh dhe dy gropëza i krijohen në faqe. Ajo njeh pak të tjera si vetja që dalin me biçikletë në rrugë, kjo qoftë për shkak të mentalitetit por edhe për shkak të rrugëve të qytetit i cili ta bën mjaft të vështirë qarkullimin, sepse nuk i ka llogaritur biçikletat.

Harta e qarkullimit të Kristinës janë rrugët dytësore dhe ato të lagjeve. Rrugët kryesore të mbushura me makinat e parkuara anash, i duken të frikshme. Njerëzit dhe automjetet lëvizin si në tym, pa asnjë lloj rregulli a sinjalistike.

Kur Kristina e mori në fillim biçikletën nuk shihte pothuajse asnjë vajzë tjetër të dilte me të, ndërsa tani edhe mund t’i zërë syri ndonjë tek-tuk. Kur djemtë i hedhin ndonjë fjalë ajo kalon me vetullat e rrudhura pa u folur. Natyrisht djemtë çuditen kur shohin vajza që ngasin biçikletën e mbi të gjitha që dalin lirshëm me të.

Lëvizja me biçikletë e ndihmon të vërë rregull në mendimet e saj, ose të mos mendojë fare. Zhurma e borisë dhe ahengu “alla Noizy” i ndonjë “cubi” që do të alarmojë gjithë lagjen me parakalimin e tij e zgjon nga muzika qetësuese e pedalimit. Filli i mendimit i këputet. Këtu duhet të kujdesesh për veten e mundësisht të spostohesh sa më në cep të rrugës, aty ku një faqe avllie të tregon sërish kufirin e se nuk ke më nga të shkosh.

Nëse është errësirë, të tjerë “armiq” i shtohen rrugëtimit tënd. Asnjë rrugë a rrugicë në Kamëz nuk është e ndriçuar. Shtyllat e larta të neonëve bëjnë hije herë nën dritën e diellit e herë në atë të hënës. Përballë teje shfaqen një tufë qensh. Duhet të zbresësh nga biçikleta, të sigurosh dy gurë, e të kalosh ngadalë duke ruajtur qetësinë, pa u dhënë të ditur se je e frikësuar.

Kristinës i qëllon të rikthehet në vendin e saj të lindjes, një qytezë afër Athinës te të afërmit e saj, dhe çdo pasdite del në park. Atje çdo lagje, sado e vogël të jetë, ka një park ku mund të bësh shoqëri, të hash e qetë, të lexosh një libër, apo thjesht të prehesh. Një vend i tillë në qytetin e saj shqiptar, Kristinës i mungon shumë. Nëse do të takojë miqtë e saj, i vetmi vend për t’u mbledhur është kafeneja.

Tani për tani shqetësimi kryesor janë provimet e maturës. Mezi pret të mbarojnë. “Do të vazhdoj për administrim biznesi, por më pëlqen shumë grafikë dizajni… Nuk e di pse… është një botë ku mund të tregosh çdo gjë me simbole, ngjyra e figura. Artet më kanë tërhequr gjithmonë.”

Nën këshillën e prindërve më shumë, Kristina ka vendosur të vazhdojë administrim biznesi por pa lënë pas dorë pasionin e saj për vizatimin e grafikën, e sigurt që këto të dyja mund t’i alternojë me njëra-tjetrën.

Ajo vijon del me biçikletën e saj jeshile, herë duke ndjerë freskun e mëngjeseve, e herë ndotjen e pasditeve. Është si një lloj sfide me shpresën se ndryshimet që ndodhin të përmbushin një ditë kërkesa si të Kristinës, të vogla e të papërfillshme për shumë të tjerë, por që lënë gjurmë në mënyrën se si rritet një njeri në hapësirën qytetare.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail