Vëzhgim/Analizë

“Flota” e vjetër e mjeteve të pastrimit nuk premton menaxhim cilësor të mbetjeve në Qarkun e Gjirokastrës

25 Qershor  2018/ Raimond Kola/Porta Vendore/Gjirokastër

Shumica e mjeteve të transportit të mbeturinave në Qarkun e Gjirokastrës janë të 20-30 viteve më parë. Nga shtatë bashkitë vetëm Bashkia e Gjirokastrës ka blerë në vitin 2014 dy mjete teknologjike për transportimin e mbetjeve. Mungesës së mjeteve të transportit të mbetjeve i shtohet edhe mungesa e mjeteve të rënda që duhen për përpunimin e mbetjeve në sheshet e depozitimit . Të gjitha këto mjete janë jashtë standardeve për të kryer procesin e përpunimit.

“Flota” e mjeteve të grumbullimit, transportimit dhe përpunimit të mbetjeve në 7 bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës jo vetëm nuk përmbush mundësitë për menaxhimin e rreth 50 mijë tonë mbetjeve në vit, por është e denjë për muze për nga vjetërsia e mjeteve. Ndonëse pas reformës territoriale të gati tre viteve më parë bashkitë e reja trashëguan një arsenal mjetesh transporti dhe pastrimi nga ish komunat, pak prej tyre ishin në gjendje të vijonin punën në këtë sektor në dispozicion të bashkive të reja që u krijuan. Një raporti Projektit “Selea” i financuar nga Programi IPA mbi menaxhimin e mbetjeve në Qarkun e Gjirokastrës vlerësonte në Qershor te 2014 se të gjitha njësitë vendore në këtë Qark (bashkitë dhe komunat) dispononin 17 mjete pastrimi në prag të Reformës Territoriale.

Raporti vlerësonte se mjetet e përdorura për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane ishin në shumicën e tyre vetëshkarkuese të hapura, një numër i vogël mjetesh ishin teknologjike (3) dhe shumica e tyre ishin në gjendje të amortizuar. Sipas Raportit, viti i prodhimit të mjeteve ishte nga më e vjetra, që i përkiste 45 viteve më parë (viti 1973-një kamion vetëshkarkues në Përmet), ndërsa mjeti më i ri ishte një kamion NISAN që i përkiste 23 viteve më parë (vitit 1995) në Bashkinë Gjirokastër. Ndonëse kanë kaluar gati 5 vite nga raporti gjendja e mjeteve të pastrimit pothuajse ka mbetur e njëjtë në të 7 bashkitë.

Gjendja e disa prej mjeteve për transportin e mbetjeve urbane. Foto: Raimond Kola
Sheshi i depozitimit të mbetjeve urbane në Gjirokastër. Foto: Raimond Kola

Vetëm Bashkia e Gjirokastrës ka blerë dy mjete teknologjike pastrimi gjatë këtyre viteve, ndërsa bashkitë e tjera nuk kanë kryer përmirësime dhe janë detyruar në disa raste të prokurojnë financime për kryerjen me kompani private të grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve. “Bashkia e Tepelenës ka një mjet vetëshkarkues në dispozicion në kushte të mira, por nevojat janë për përmirësimin e këtij shërbimi”, thotë për Porta Vendore, zëdhënësi i Bashkisë Aleksandër Toti. Në Bashkinë e Gjirokastrës situata më e fundit flet për katër mjete në dispozicion të shërbimit të pastrimit. “Dy prej tyre janë për terrene të ngushta në pjesën historike ndërsa dy mjete teknologjike janë blerë në kondicione të mira në 2014 ”, thotë nënkryetari i Bashkisë Vangjel Muco. Tre prej bashkive ajo e Dropullit, Libohovës dhe Memaliajt herë e kryejnë vetë dhe herë e kryejnë me kompani private shërbimin e grumbullimit të mbetjeve. Ndonëse kompanitë private kanë pasur kritere për mjetet e pastrimit, shërbimet e tyre kanë mjaft mangësi.

Efektet e mjeteve të  amortizuara në pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve

“Vëmë re që në shumë nga zonat rurale të Qarkut mbeturinat nuk mblidhen dhe kjo ka rritur ndotjen si në Luginën e Vjosës ashtu edhe nëtë Drinos “, thotë profesori i Shkencave Natyrore në Universitetin e Gjirokastrës Lavdi Hasani. “Ështëpërgjegjësi e bashkive të reja- thotë ai, që të zgjidhin kostot e grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve të cilat përfundojnë ose në përrenjtë e fshatrave ose në vende buzë rrugës dhe buzë lumit”rrëfen profesori.
Bashkia e Dropullit, e krijuar pas reformës territoriale, sipas nënkryetarit të saj Mihal Mano arrin të grumbullojë vetëm 1/7 e sasisë së mbetjeve urbane. “Pjesa tjetër e mbetjeve mbetet rrugëve dhe fshatrave, sepse Bashkia nuk arrin ta mbulojë këtë shërbim. “Do të duheshin 10 mjete pastrimi për të krehur të gjithë zonën e bashkisë e cila është mjaft e përhapur gjeografikisht dhe në terrene të vështira dhe me infrastrukturë jo të mirë ”, thotë zoti Mano. Sipas zyrtarëve të Bashkisë së Dropullit edhe sasia e mbeturinave që grumbullohet, rreth 15 tonë në javë, përfundon në lumin Drino. Sheshi i grumbullimit nuk ka asnjë mirëmbajtje, ndërsa bashkia bën me dije se kanë munguar fondet për të realizuar largimin e mbetjeve nga rrjedhat ujore dhe fshatrat e largët. “Në një të tretën e fshatrave ne nuk mund të shkojmë fare. Duhet të shikojmë në çdo përrua. Është një shërbim që nuk e prekim aq sa duhet”, thotë zoti Mano. Më shumë se 80 biznese në të dy anët e rrugës nacionale në Luginën e Drinos mbetjet në ambalazhe dhe plastikë i hedhin buzë shtratit të lumit. Zona të tëra të largëta në skajet e disa Bashkive sinë; Përmet, Dropull, Libohovë dhe Këlcyrë kanë sasi të shtresëzuara mbetjesh shumëvjeçare në të gjithë përrenjtë malorë. Vlerat e pasura natyrore të këtyre zonave zbehen nga ndotja e plasmasit dhe mbeturinave dhe sfida e mjedisit është edhe një sfidë për turizmin.

Përmeti dhe problematika e mbetjeve urbane

Organizata “Mileukontakt Albania” po zbaton një projekt për monitorimin e shërbimit të pastrimit në Bashkinë e Përmetit nga ku kanë nisur të dalin edhe të dhënat e para nga terreni. Drejtoresha e Organizatës, Valbona Mazreku thotë se përmes monitorimit po përditësohen të gjitha të dhënat në terren për të parë më pas edhe zgjidhjen e nevojave në menaxhimin e mbetjeve.
Sipas vlerësimit paraprak të vetë Bashkisë në qytetin e Përmetit gjenerohen në ditë 10-15 tonë mbeturina urbane, në muaj 350-400 tonë mbeturina, ndërsa në vit 4.400-4.800 tonë mbeturina. Në 7 fshatrat që mbulohen me shërbim gjenerohen në javë 4 – 4.3 tonë mbeturina dhe në muaj afërsisht 17 tonë mbeturina ndërsa në vit afërsisht 200 tonë mbeturina. Në nivel bashkie gjenerohen afërsisht 5.000 tonë mbeturina në vit.
Raporti paraprak i Bashkisë së Përmetit vlerëson se nëse do të kishte ndarje në burim, sasia vjetore e mbetjeve urbane do të ulej me të paktën 30-35%. Por as në Përmet dhe as në ndonjë zonë të6bashkive të tjera të qarkut nuk bëhet ndarja në burim e mbetjeve. Ndërsa për menaxhimin e mbetjeve urbane Bashkia e Përmetit ka 33 punëtorë, ajo ka në dispozicion vetëm 2 mjete transporti (prodhim i viteve ’70 ) dhe njëfadromë qëe përdorur pjesërisht për menaxhimin e sheshit të depozitimit por jashtë çdo kriteri për ta kryer këtë proces. Mbledhja dhe transporti i mbeturinave urbane kryhet 1 herë në ditë nga ora 4 e mëngjesit deri në orën 10 paradite) ndërsa transporti i mbeturinave kryhet 2 herë në javë për secilin fshat nga ora 10 e mëngjesit dhe në vazhdim punonjësit e sektorit kryejnë dhe shërbimin e pastrimit dhe grumbullimit që hidhen në disa fshatra, jashtë pikave të caktuara. Sektori i pastrimit në varësi të bashkisë mbulon me shërbim: Qytetin e Përmetit në gjithë territorin,Njësinë Administrative Piskovë (fshatrat Pacomit, Piskovë, Kosinë dhe Kutal), Njësinë Administrative Petran (fshatrat Bënjë, Petran, Skutaraq). Ndërkaq në Njësitë Administrative Frashër dhe Çarshovë nuk arrihet të kryhet ky shërbim. Mbetjet urbane depozitohen në fushën e quajtur Brashkovë e cila sipas vetë bashkisënuk i plotëson kushtet teknike që kërkohen. Sistemimi në fushën e grumbullimit bëhet 1 herë në muaj por me vështirësi sepse duhet një mjet fadromë me zinxhir pasi mjeti me goma nuk e realizon dot këtë proces. Në të gjitha sheshete depozitimit të Bashkive në Qark situataështë gati e njëjtë, ato nuk janë të pajisura me leje mjedisore për të kryer këtë proces, pasi nuk plotësojnë standartet. Sheshet e depozitimit janë të parrethuara,në vende të papërshtatshme pranë rrjedhave të lumenjve dhe që nuk mirëmbahen rregullisht. Sektorii pastrimit në Përmet ka identifikuar një vend të ri depozitimi të mbetjeve, por çdo gjë është akoma në proces analize. Kryetari i Bashkisë së Përmetit Niko Shupuli, thotë se në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit ështëpërcaktuar kostoja, por kjo nuk mund të mbulohet me financim të bashkisë, pasi është një kosto e lartë për buxhetin vendor.

Jo i gjithë komuniteti është përfitues nga shërbimi i pastrimit në Përmet

Përfituesit nga shërbimi i pastrimit janë 10.000 banorë në qytetin e Përmetit rreth 2.500 banorë në 7 fshatrat e Njësive Administrative Piskovë dhe Petran ku ofrohet shërbimi, ndërkohë që mbeten jashtë shërbimit rreth 7.500 banorë që banojnë në 45 fshatra të Njësive Administrative Frashër dhe Çarshovë. Këtu përfshihen edhe disa nga fshatrat që janë jashtë shërbimit në Njësinë Administrative Piskovë dhe Petran. Një vlerësim i ekspertëve përcakton se më 45 fshatra ku nuk ofrohet shërbim, 10 fshatra janë në zonën fushore-kodrinore dhe 35 fshatra janë në zonën kodrinore-malore. Nëse plotësohen disa kushte si; sistemimi i rrugëve, kazanë të rinj, mjete teknologjike, fuqi punëtore dhe karburant, bëhet i mundur shërbimi për 10 fshatra të zonës fushore-kodrinore si; Çarshova, Kaludhi, Gjinkari, Badëlonja, Lëshica, Qilarishti, Bodari, Lipa, Buali dhe Pagria Raporti vlerëson se për të mbulua rkëto 10 fshatra me shërbim, do të duhen edhe 50 kazanë. Raporti i Bashkisë së Përmetit në kuadër të një partneriteti me Organizatën MileukontaktAlbania për monitorimin e pastrimit vlerëson se për të trajtuar situatën për shkak të zgjerimit të territorit urban të qytetit, është e nevojshme edhe shtimi i 20 pikave për grumbullimin e mbeturinave urbane.

Kazanët aktual të mbetjeve në periferi të Gjirokastres. Foto: Raimond Kola

Po kështu, Raporti i Bashkisë vlerëson se qyteti ka nevojë përrreth 57 kosha rruge pasi janë shtuar rrugët e asfaltuara. Aktualisht janë në funksion 27 kosha dhe nevojiten dhe rreth 30 të tillë. Sipas raportit, sektori i Pastrimit dhe Gjelbërimit, për të ofruar një shërbim normal, ka nevojë në gjithë territorin për Fuqi punëtore shtesë  (10 punëtorë), Makina transporti 2 copë, Kontenierë 128 copë, Kosha rrugorë 30 copë, sigurimin e një fushe të re për depozitimin e mbeturinave urbane dhe një mjet me zinxhir për sistemimin në fushën e grumbullimit.

Sheshi ku depozitohen mbetjet urbane në Gjirokastër. Foto: Raimond Kola

Mjetet në sheshet e depozitimit

Një problem më vete për menaxhimin e mbetjeve mbetet përpunimi i tyre në sheshet e depozitimit. Në të gjitha Bashkitë sheshet e depozitimit të mbetjeve janë jashtë standardeve, të hapur dhe të parrethuar dhe në disa zona buzë përrenjve apo lumenjve. Erërat eforta të luginës i ngrenë herë pas here sidomos mbetjet e plasmasit duke i shpërndarë në Luginën e Drinos dhe të Vjosës. Të gjitha mjetet që punojnë në këto sheshe janë tejet të amortizuara dhe jashtë standardeve për të kryer këtë proces. Në Gjirokastër vepron një ekskavator me goma në sheshine depozitimit për përpunimine mbetjeve ndërsa në Tepelenë një ekskavator me zinxhir. Edhe në Përmet vepron një ekskavator me goma i papërshtatshëm për ta kryer këtë proces. Bashkia e Memaliajt dhe Këlcyrës nuk kanë mjet dhe përdorin vetëm fuqinë punëtore ndërsa në Libohovë një ekskavator me goma përdoret rrallë.

Mjetet që transportojnë mbetjet në sheshet e depozitimit. Foto: Raimond Kola

Zgjidhjet e pritshme për mbetjet urbane

Opsioni i trajtimit final të mbetjeve për qarkun e Gjirokastrës nuk është përcaktuar ende megjithëse ka mbi 10 vite që diskutohet si në nivelet vendore dhe qendrore. Një nga opsionet e mundshme propozuar në Strategjinë e menaxhimit të Mbetjeve hartuar në kuadrin e projektit Selea,është ai për ndërtimin e një landfilli rajonal për të shtatë bashkitë në fshatin Tërbuq. Një opsion tjetër po ne kete dokument është përdorimi i landfillit të Bajkajt në Delvinë, pas përfundimit të rrugës Kardhiq-Delvinë që shkurton ndjeshëm distancën e njësive vendore nga ky landfill.
Në të dy variantet kostot e transportit për të gjithë nënzonat e tjera të qarkut të Gjirokastrës do të rriten dhe vendimmarrja finale mbi vendin e ndërtimit të landfillit rajonal, apo të një alternative ndërajonale, duhet të marrë në konsideratë edhe kostot respektive të transportit krahas parametrave të tjerë. Bazuar në alternativëne dytë atë të landfillit të Bajkajt, specialistët që punuan për projektin Selea kanë propozuar krijimin e një nënzone për grumbullimin e mbetjeve në Qark duke marrë parasysh distancat.

Sheshi i depozitimit në Gjirokastër. Foto: Raimond Kola

Tabela 2 :Tabela e nënzonave

Burimi Raporti Selea

Përmirësimi i Infrastrukturës Grumbulluese të Mbetjeve sipas Strategjisë hartuar në nivel Qarku do të kërkonte një seri hapash të tjerë si ; rinovimin e koshave publik si dhe mjeteve të grumbullimit. Do të duhej gjithashtu të bëhej minimizimi i përdorimit nga Bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës i mjeteve të hapura vetëshkarkuese, për të kaluar në përdorimin e mjeteve teknologjike me kushte optimale teknike dhe operimi.

Rreth autorit:
Raimond Kola është korrespondent i Zërit të Amerikës në Gjirokastër.