23 qershor 2018/ Bulevard. Org/ Durrës
Uji i pijshëm është pjesë e të drejtave themelore të njeriut. Mirëpo, paradoksalisht, në një nga vendet me rezervat më të mëdha ujore në Evropë, furnizimi me ujë mbetet ende një problem.
Ashtu si në pjesën më të madhe të Shqipërisë, në Durrës uji vjen vetëm një herë në dite. Çka e ka detyruar shumicën e banorëve të vendosin depozita dhe pompa uji. Mirëpo kjo zgjidhje ka problemet e veta.
Nga njëra anë, dikush nga familja duhet të qëndrojë në gatishmëri për të ndezur pompën në orarin kur vjen uji, çka varion nga 5 e mëngjesit deri natën vonë. Nga ana tjetër, ruajtja e ujit nëpër depozita rrezikon shëndetin e banorëve, pasi ekspozimi i tyre në diell dhe mungesa e shërbimeve periodike, bën që uji të kontaminohet duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve.
Kjo gjë, si dhe rastet e përsëritura të dëmtimit të rrjetit të shpërndarjes, ku uji i pijshëm përzihet me ujërat e zeza, e bëjnë të nevojshme blerjen e ujit me shishe. Rrjedhimisht, përmbi faturën e ujësjellësit, familjet durrsake shpenzojnë edhe 3000 lekë të tjera në muaj për ujin.
Po përse Durrësi nuk mund të ketë ujë pa ndërprerje?
Po si ka mundësi që furnizimi i pandërprerë me ujë të pijshëm, çka ishte tejkaluar nga Romakët dy mijë e tre qind vjet më parë, mbetet ende një sfidë për Bashkinë e Durrësit dhe ndërmarrjen e saj të Ujësjellësit?
Përgjigja standard është se problemi qëndron tek sistemi i vjetër i shpërndarjes dhe tek rritja e konsumit të ujit. Por përgjigja e plotë është me e komplikuar se kaq.
Është e vërtetë qeë migrimi i brendshëm pas viteve 90 bëri që sot ujësjellësi të furnizojë me ujë një popullsi tre herë më të madhe se me parë. Plus kësaj, ndërtimi i bizneseve të reja si pishinat, lavazhet apo hotelet kanë sjellë një rritje të kërkesës për ujë, të paparashikuar në kohën kur u ndërtua ujësjellësi. Por, institucionet monitoruese konstatojnë se Ujësjellësi i Durrësit prodhon mjaftueshëm ujë për t’i furnizuar pa ndërprerje 320’000 abonentët e tij.
Është gjithashtu e vërtetë që sistemi i shpërndarjes është pjesërisht i vjetër dhe i dëmtuar nga ndërhyrjet ilegale të bëra në këto njëzet vitet e fundit. Por ndërkohë përmirësimi i tij nuk është më çështje fondesh. Faktikisht, vetëm 5 vitet e fundit janë investuar mbi 70 milion $ nga qeveria, bashkia dhe institucionet ndërkombëtare për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes së ujit. Gjithashtu një pjesë e rëndësishme e buxhetit të shtetit dhe 30% e buxhetit vjetor të bashkisë shkojnë në këtë drejtim.
Po atëherë ku qëndron problemi? E thënë shkurt: Keqmenaxhimi
Për hir të së vërtetës, përveç Durrësit, edhe në qytetet e tjera të vendit ujësjellësit janë ndërmarrjet më të keqmenaxhuara. Janë të shumta rastet kur zyrtare të ujësjellësit janë arrestuar për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve.
Keqmenaxhimi fillon që me mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të ujësjellësit, të cilët historikisht janë funksionare politik të partisë në pushtet. Vazhdon me punësimin e teknikëve, pa procedura të rregullta, duke rritur gjasat që punësimi të jetë mbi baza të lidhjeve politike dhe jo prej aftësive profesionale.
Për pasoje, kemi një ndërmarrje që së pari ka humbje të jashtëzakonshme ekonomike.
Prej shumë vitesh uji shpërndahet në rrjet, konsumatorët e shpenzojnë, por ujësjellësi nuk arrin të identifikojë kush e ka shpenzuar. Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohej se ujësjellësi i Durrësit faturon vetëm 29% të ujit që shpërndan, ndërsa pjesa tjetër humbet ose vidhet. Përveç kësaj, edhe ajo pjesë që faturohet, nuk arrin të arkëtohet plotësisht, pasi shumë konsumatorë nuk paguajnë.
Mirëpo, megjithëse për të ndaluar lidhjet e paligjshme ujësjellësi ka me vetë Policinë dhe Prokurorinë, ky problem mbetet i pazgjidhur.
Është interesante se si kjo paaftësi apo pafuqi e ujësjellësit për të faturuar ujin nuk ndodh me konsumatorë që i përkasin shtresave në nevojë, por kryesisht me bizneset që e përdorin ujin për të bërë para. Në fakt, ndërkohë që bizneseve u bën thirrje ndërgjegjësuese që të ndërpresin vjedhjen e ujit, me pensionistët ujësjellësi është shumë i ashpër. Atyre jo vetëm që ua pret furnizimin me ujë kur nuk paguajnë faturën, por edhe i mbifaturon në kundërshtim me ligjin.
Së dyti, një situatë e tillë ka bërë që ujësjellësi të akumulojë borxhe të papërballueshme.
Kështu, vetëm ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ka akumuluar 10 milion $ borxh. Energjia elektrike është e nevojshme për të vënë në punë elektropompat përmes të cilave transmetohet uji nga depot e ujësjellësit në rrjetin e shpërndarjes.
Këto borxhe e detyrojnë Ujësjellësin të kufizojë ndezjen e pompave, duke bërë që uji të vijë vetëm një orë në ditë, dhe jo pa ndërprerje. E megjithëse Qeveria i ka dhënë se fundmi Ujësjellësit të Durrësit 43 milion Lekë që të shlyejë detyrimet e energjisë elektrike, kjo ndërmarrje vazhdon të shpenzojë përtej mundësive të saj, duke akumuluar një borxh të ri prej 110 milion Lekësh.
Çka na çon tek problemi i tretë, keqadministrimi i ndërmarrjes.
Raportet e KLSH flasin për një ndërmarrje të keqmenaxhuar në të gjitha drejtimet. Pa bilance të plota financiare, pa regjistra të saktë të debitorëve, pa inventar të ndërmarrjes, dhe pa certifikata pronësie për trojet e veta. Një ndërmarrje që bën shpenzime pa fatura dhe që harxhon një të pestën e buxhetit për riparime që konsiderohen të panevojshme.
Për pasojë, sot ujësjellësi ka një kapital negativ prej -510 milion lekёsh, çka ligjërisht duhet të kishte çuar në shpërndarjen e bordit drejtues. Por ironikisht, drejtuesit e ndërmarrjes vazhdojnë t’i japin njëri-tjetrit shpërblime të majme me motivacionin “performancë e mirë në punë”
Po çfarë mund të bëhet?
Sigurisht zgjidhja përfundimtare e çështjes së ujit do të vijë vetëm nga luftimi i informalitetit në terren dhe i korrupsionit në zyrat shtetërore. Për këtë duhet që Prokuroria dhe Policia të lexojnë raportet e KLSH dhe të bëjnë detyrën që i ngarkohet me ligj.
Ndërsa qytetarët nga ana e tyre duhet të ushtrojnë presion politik ndaj kryetarit të bashkisë, që ai të garantojë një menaxhim më efiçent të ndërmarrjes së ujësjellësit.
Por teksa vendosja e shtetit ligjor kërkon ca kohë, le të sugjerojmë dy ndërhyrje të vogla, të shpejta dhe pa shumë kosto për bashkinë.
a) Qendrat me ujë të filtruar
Për të reduktuar nevojën e qytetarëve që të blejnë ujë të pijshëm në treg, bashkia sëbashku me ujësjellësin duhet të ndërtojë disa pika shpërndarjeje ku ofron ujeë të filtruar pa ndërprerje për qytetarët.
b) Nisma të përbashkëta të koordinuara nga bashkia
Duke marrë përgjegjësinë që i jep ligji për administrimin e banesave të përbashkëta, bashkia duhet të bashkëpunojë me administratorët e pallateve të vjetra që të zëvendësojë depozitat dhe pompat individuale, me një depozitë të përbashkët. Eksperienca e pallateve të ndërtuara vitet e fundit ka treguar se kjo mënyrë është me efiçente dhe lehtëson ruajtjen.