Vëzhgim/Analizë

Sezoni turistik ka nisur, por Shëngjini nuk është gati për të pritur turistët

22 Qershor 2018/ Lindita Kokaj/ Porta Vendore/ Lezhë

Lezha është një ndër destinacionet turistike që ka njohur zhvillime të dukshme gjatë viteve të fundit.  Natyra i ka dhuruar gjithçka të gërshetuar mrekullisht; detin, malin, fushat dhe lumenjtë duke ofruar kështu mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit. E gjithë vëmendja gjatë sezonit turistik fokusohet pikërisht në një ndër plazhet më të frekuentuara në Shqipëri. Shëngjini është vetëm 8 km larg qytetit të Lezhës. Krahas pushuesve të qytetit të Lezhës, apo nga rrethe të ndryshme të vendit, pushuesit kosovarë e maqedonas tashmë ndjehen në Shëngjin si në  “shtëpinë e tyre”. Ka njohur rritje së tepërmi edhe numri i turistëve të huaj, kryesisht atyre polakë, çekë, gjerman, zviceran, francez e austriak.

Këto bukuri do të ishin shfrytëzuar më mirë në rast se do të kishte pasur një konvertim të të ardhurave të vjela nga turizmi në investime konkrete për Shëngjinin, i cili duket në këtë sezon turistik , i lënë në mëshirë të fatit. Deri më sot, si nga pushteti vendor , ashtu edhe nga qeveria qendrore ka vetëm masa të ndërmarra në letër, por asgjë konkrete në terren.

Në fund të muajit maj është çelur zyrtarisht sezoni turistik, ku tashmë çdo ditë e më tepër, pushues të shumtë po popullojnë bregdetin, të cilët megjithëse vijnë për të pushuar e shijuar bukuritë natyrore të zonës së Shëngjinit, përballen me probleme të shumta, si në infrastrukturë ashtu edhe në sigurinë në plazh.

Ndër problemet kryesore të ngritura si nga biznesi, ashtu edhe nga pushuesit është mungesa e infrastrukturës rrugore, ndriçimit, siguria në plazhe dhe derdhja e ujërave të zeza në det.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Lezhë Pashko Palokaj i kontaktuar nga “Porta Vendore” është shprehur se pavarësisht se vetë biznesi në zonën turistike ka bërë investime dhe përmirësim të shërbimeve, nga ana e pushtetit vendor dhe e qeverisë nuk ka pasur investime për të përmirësuar kushtet.

Infrastruktura rrugore në Shëngjin. Foto: Lindita Kokaj

“Më 16.04.2018, i jemi drejtuar me shkresë zyrtare si DHTI Lezhë, Bashkisë Lezhë, Prefekturës,

Ministrive mbi problematikat e konstatuara përpara se të çelej sezoni turistik, probleme këto që vijojnë edhe sot. Biznesi po ndeshet sërish me barriera për shkak të mungesës së investimeve, kryesisht në infrastrukturën rrugore Lezhë-Shëngjin, ndriçimin rrugor në Kune dhe në qytetin e Shëngjinit, qarkullimin e  kafshëve nëpër qytet etj. Nga ana e Bashkisë na është deklaruar se pas pak ditësh do të nisë asfaltimi i rrugës Lezhë – Shëngjin, një paradoks pasi punimet nuk favorizojnë zhvillimin e turizmit në këtë moment. Vijon tradita, në dimër flihet dhe në verë punohet”, deklaron Palokaj.

Bashkia Lezhë

Ndërkaq Kryetari i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, në një intervistë për “Porta Vendore”, theksoi se problemi i rrugës është i trashëguar ndër vite dhe shpreson që rruga të jetë gati deri në fund të muajit qershor.

“ Rruga Lezhë –Shëngjin, është në gjendje jo të mirë. Pas pak ditësh do të nisin punimet për riveshje me asfalt në 2 lote të saj. Nga kryqëzimi me Superstradën deri në Sakë, si edhe nga Lapidari në hyrje të Shëngjinit deri tek zona e Marinës. Punimet do të jenë intensive dhe në pikun e sezonit turistik, në fund të muajit qershor do të përfundojnë, për të garantuar kushte optimal në infrastrukturë rrugore për pushuesit dhe turistët gjatë këtij sezoni turistik”, tha Frrokaj.

Rruga drejt Marinës, Shëngjin. Foto: Lindita Kokaj

Ndërsa Prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, tha për Porta Vendore, se me ndërtimin e Bypass dhe të rrugës Shëngjin-Velipojë do të jetë një zgjidhje përfundimtare e problemit të infrastrukturës rrugore. “Investimi infrastrukturorë Lezhë-Velipojë, i cili është një investim strategjik mjaft i rëndësishëm i qeverisë me vlerë 3.8 miliardë lekë. Distanca prej 66 km, pas këtij investimi do të jetë 14.8 km dhe do të përshkohet për 19 minuta. Realizimi i këtij investimi jo vetëm do të zgjidhë përfundimisht problemet me  infrastrukturën në Shëngjin, por do të jetë një nyje e rëndësishme për të lidhur 2 destinacione turistike”, tregon Prefekti Prendi.

Ndërkohë rruga Lezhë –Shëngjin dhe qendra e qytetit do të vijojnë të jenë në errësirë edhe gjatë këtij sezoni pasi nuk pritet të ketë ndërhyrje, problem i cili mund të marrë zgjidhje vetëm pas zbatimit të projektit të rrugës Shëngjin-Velipojë, i cili nuk ka një afat zbatimi.

Ndriçimi jofunksional në qytetin e Shëngjinit. Foto: Lindita Kokaj

Ujërat e zeza , derdhen në Shëngjin
Krahas infrastrukturës një tjetër problematikë është shkarkimi i ujërave të zeza dhe me solucione në det nga ana e fabrikës së përpunimit të peshkut “Posseidon”, i cili ndodhet në afërsi të rajonit të Policisë së Shëngjinit.

Ujërat e zeza që shkarkon nga Fabrika e peshkut “Posseidon”. Foto: Lindita Kokaj

Fotot e bëra nga “Porta Vendore” dëshmojnë qartë situatën alarmante. Stabilimenti ka bërë një çarje të murit duke shkarkuar nëpërmjet këtij kanali ujërat e zeza në det të hapur, në afërsi të portit vetëm pak metra larg ankorimit të anijeve. Era e rëndë është e padurueshme, dhe nga ana tjetër rrezikohet seriozisht shëndeti i pushuesve në afërsi të skalierës.

“Në 9 muaj bizneset në Shëngjin rrinë, pasi nuk ka punë. Të vetmen shpresë kemi jo 3 por 2 muaj, korrik-gushtin që shumë prej nesh të nxjerrim të ardhurat për të na mjaftuar përgjatë gjithë vitit. Ka nga ata që nuk sigurojnë as bukën e gojës. Një problem i vjetër mbetet shkarkimi i ujërave të zeza në det nga ana e fabrikës së peshkut “Posseidon”. Ky problem duhet të marrë zgjidhje njëherë e mirë”, rrëfen biznesmeni Lad Gjekaj, i cili disponon një hotel në Shëngjin.

Derdhja e ujërave të zeza në det. Foto: Lindita Kokaj

Për problemin e madh të derdhjes së ujërave të zeza është në dijeni edhe vetë kryetari i  Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. I pyetur nga Porta Vendore se a do të merren masa për të garantuar shëndetin e pushuesve që kërcënohet  nga shkarkimi i ujërave të zeza të stabilimentit “Posseidon”, Z. Frrokaj tha se:

“Është një problem vërtetë serioz. Kjo fabrikë ka vite që operon në Shëngjin, në një zonë të banuar dhe të frekuentuar nga turistët. Nga kontaktet që kam pasur rreth 2 vite më parë, më është deklaruar se ky stabiliment brenda 1 viti do të zhvendoset nga qyteti i Shëngjinit. Por fatkeqësisht vijon të operojë sërish aty. Nuk është aspak korrekte që ujërat e zeza të stabilimentit apo edhe me solucione, të derdhen në det. Do ta marrim seriozisht situatën, dhe do të vëzhgojmë këtë stabiliment. Është ndërtuar një impiant i ujërave të zeza, i cili është vënë në  funksion  disa vite me parë, dhe tashmë ujërat e zeza të kanalizimeve publike të Shëngjinit dhe Lezhës përpunohen në këtë impiant. Por shkarkimet që bën “Posseidon” shkaktojnë ndotje disa herë më të madhe, se sa do të kishin shkaktuar kanalizimet publike. Në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera përgjegjëse do të marrim masa të menjëhershme”, tha kryebashkiaku i Lezhës.

Ndërkohë prefekti Gjergj Prendi disa muaj ma parë,  në një takim mbi masat për sezonin turistik 2018, kishte lënë si detyrë pikërisht monitorimin e situatës dhe marrjen e masave. Ai deklaroi për Portën Vendore se do të ketë masa drastike, ndaj këtij stabilimenti.

“Është hartuar një plan i detajuar masash me të gjitha institucionet përgjegjëse pjesë e grupit të Task-Forcës për Sezonin Turistik 2018, ku një ndër pikat është pikërisht edhe eliminimi i shkarkimit të ujërave të zeza në det. Ndaj stabilimentit “Posseidon” do të ketë masa drastike. Ky stabiliment ose duhet të instalojë medoemos një impiant apo pajisje të posaçme për përpunimin dhe largimin e ujërave duke mos i shkarkuar në det, ose do të mbyllë përfundimisht aktivitetin e tij. Në ditët në vijim, një grup i Task-Forcës do të shkojë pikërisht në vend për të monitoruar situatën jo vetëm për shkarkimin e ujërave të “Posseidon”, por edhe për të përcaktuar në terren vendqëndrimet e mjeteve motorike lundruese, hapësirat publike etj”, tha Prendi.

Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Shëngjin Domenika Kapllaj e kontaktuar nga “Porta Vendore” theksoi se fatmirësisht nuk ka pasur deri më tani raste të infeksioneve të lëkurës, apo ndonjë situatë epidemike, ndërsa vuri theksin se duhet gjetur një zgjidhje përfundimtare për mos shkarkimin e ujërave të zeza në det.

Shëngjin, mungesa e ujit të pijshëm

Ujë i pijshëm është një “plagë” tjetër e Shëngjinit në çdo fillim sezoni. Drejtori i SH.A Ujësjellës Kanalizime Lezhë Zef Maçi i kontaktuar nga Porta Vendore, tha se janë marrë të gjitha masat për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm në Lezhë dhe Shëngjin gjatë gjithë sezonit turistik, përpos ndonjë rasti sporadik që mund të ndodhë ndonjë avari në sistemin elektrik që furnizon me energji stacionet e pompave.

Sipas banorëve të Shëngjinit bëhet e ditur se nga data 1 qershor -15 shtator ka ujë 24 orë por nuk konsumohet, ndërsa në ditët e tjera ujë ka vetëm 2 herë në ditë me orar, pasi nuk funksionojnë 2 depot e ndërtuara. Ndërsa zona e Rërës së Hedhur nuk furnizohet me ujë nga Ujësjellës-Kanalizime, pasi nuk ka shtrirje të sistemit të ujësjellësit, subjektet e shërbimit e kanë siguruar ujin nëpërmjet puseve të ndërtuara, në mënyrë private.

Nga ana e Ujësjellës Kanalizime Lezhë, bëhet e ditur se është hartuar tashmë një projekt për një ujësjellës të ri për Shëngjinin, duke përfshirë edhe Rërën e Hedhur, por priten që të alokohen fondet.

Siguria në plazhe

Mungesa e sigurisë në plazhe vijon të mbetet ende një problem shqetësues, që ashtu sikurse problemet e tjera të sipërpërmendura, pritet të futet në rrugën e zgjidhjes, ndonëse sezoni turistik ka nisur.

Bregdeti i Shëngjinit. Foto: Lindita Kokaj

Aktualisht në të gjithë vijën bregdetare Shëngjin-Kune, nuk ka asnjë kullë vrojtimi dhe asnjë roje bregdetare për të monitoruar situatën dhe për të garantuar  jetën e pushuesve. Në plazhin e Shëngjinit, çdo vit shënohen viktima nga mbytjet në det apo edhe nga problem të tjera shëndetësore. Vetëm gjatë sezonit të kaluar turistik ka pasur 4 viktima, një rast mbytje në det dhe 3 raste nga atak kardiak brenda në det. Ndoshta këto raste do të ishin evituar nëse do të kishin funksionuar Kullat e Vrojtimit.

Kullat e Vrojtimit

Vitin e kaluar u instaluan disa kulla gjatë gjithë vijës bregdetare por ato nuk ishin të pajisur me roje bregdetare apo edhe element të tjerë sigurie.

Sipas Malvina Muratit Përfaqësuese e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit , çdo 200 metra duhet të ketë një kullë vrojtimi. Madje këto kulla duhet të kenë edhe roje bregdetare, pasi në të kundërt do të jenë jashtë funksionit, ashtu si gjatë viteve të kaluara. Ndërsa Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Qarku Lezhë Ferdinant Mara, tha se duhet të vendosen sa më shpejt kullat e vrojtimit me të gjitha elementet e sigurisë. “Është bërë një kontratë me bizneset, dhe ata duhet të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për të garantuar jetën e pushuesve në hapësirat e plazheve në të cilat ofrojnë shërbime” tha Fran Frrokaj.

Bizneset dhe Bashkia e Lezhës kanë nënshkruar një kontratë  për hapësirat e plazheve private, ku sipas ligjit 80 % është plazh privat, dhe 20 % plazh publik. Bizneset e kanë detyrim ligjor për të vendosur në një distancë jo më shumë se 200 metra kullat e vrojtimit dhe personel të specializuar për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve, në rast të ndonjë incidenti apo mbytje në det. Nga përvoja e viteve të kaluara ka ndodhur që tek Rëra e Hedhur të ketë vetëm një Kullë Vrojtimi, dhe  në Shëngjin 2 Kulla Vrojtimi, por vetëm si objekte, pa ofruar shërbime. Ndërsa këtë vit, në  një vëzhgimi të bërë gjatë gjithë vijës bregdetare Shëngjin-Kune është vetëm një kullë vrojtimi pa roje bregdetare. Bizneset dhe Bashkia e Lezhës ende se kanë përmbushur këtë pikë të rëndësishme, për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2018.

Mjete motorike ujore

Një ndër mënyrat argëtuese për pushuesit prej disa vitesh janë edhe xhirot me mjete motorike, si një sport ujor i pëlqyer kryesisht nga të rinjtë. Një xhiro me mjete me pedale pa motor një pushuesi në Shëngjin i kushton 500 lekë. Ndërsa me mjete motorike nga 2000- 10 000 lekë , gjithçka varet nga koha dhe distanca që duan të përshkojnë.

Mjetet me pedale pa motor janë të vendosura gjatë gjithë bregdetit, ndërsa mjetet motorike vitet e kaluara janë ankoruar tek  skaliera në afërsi të portit të Shëngjinit. Në plazhin e Shëngjinit fatmirësisht nuk është shënuar asnjë incident gjatë gjithë këtyre viteve nga mjetet motorike.

“ Sezoni turistik ka nisur, dhe shqetësimi kryesor mbeten mjetet motorike ujore, duke krijuar panik tek pushuesit. Mjetet motorike duhet të pozicionohen jashtë zonës së pushuesve. Të vendosen edhe tabela informuese”tha Elvis Kalamishi, Drejtor i Policisë Kufitare.

Përsa i përket mjeteve motorike janë propozuar 2 pika në pjesët fundore të skalierave larg zonës së pushuesve , ku do të mund të konsiderohet si zona e dedikuar për këto mjete dhe për adhuruesit e sportit të ujit.

“ Biznese ka një mundësi sigurimi për më shumë të ardhura nga mjetet motorike ujore. Institucionet përgjegjëse duhet të  bëjnë një plan të detajuar për distancën e ankorimit të tyre dhe me linja kufizuese, ku mund të ushtrojnë veprimtarinë pa rrezikuar jetën e pushuesve. Biznesi duhet të ketë informacionin e duhur mbi këtë” vijon Pashko Palokaj, Kryetar i DHTI Lezhë:

Monitorim ministror

Ndërkohë do të ketë një kufizim edhe të lëvizjes së automjeteve të tonazheve të rënda në rrugën Lezhë –Shëngjin, dhe pritet të përcaktohen detaje mbi mënyrën e kufizimit dhe oraret.

Sipas Prefektit Gjergj Prendi, furnizimi me energji elektrike në zonën turistike është garantuar, pas investimit të bërë në linjën kryesore Lezhë-Shëngjin. Do të ketë një bashkërendim të punës mes institucioneve përgjegjëse për të kontrolluar bizneset për taksat-tatimet, siguracionet e punonjësve, sigurinë ushqimore etj.

“Gjatë këtij sezoni turistik do të ketë edhe veprimtari të shumta kulturore, sportive. I gjithë sezoni do të monitorohet edhe nga 2 ministret; Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit Sportit dhe Rinisë, si edhe Sonila Qato, Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjeve. Shpresojmë që problematikat të marrin zgjidhje, dhe e rëndësishme është që duke bashkërenduar punën me të gjitha institucionet, të kemi në fund një sezon të suksesshëm turistik”, përfundoj Prefekti i Lezhës Prendi.

Referuar të dhënave zyrtare të Bashkisë së Lezhës, rreth 1 milion pushues, prej të cilëve gjysma ishin vizitorë e turistë, zgjodhën të pushojnë në bregdetin e Lezhës gjatë sezonit turistik 2017.

Shëngjini është një ndër destinacionet kryesor turistike, së bashku me Rërën e Hedhur dhe Kune-Vainin,  me mundësi të mëdha zhvillimi, në rast se do të kishte një miradministrim të të gjitha resurseve dhe në rast se do të kishte pasur investime në infrastrukturë dhe shërbime.

Rreth autorit:
Lindita Kokaj është gazetare prej 15 vitesh në qytetin e Lezhës.