Ngjarje/Personazhe

Fasadat kanë nisur të belbëzojnë!

20 Qershor 2018/ Artan Rama/ Porta Vendore/ Tiranë

Ai qëndronte pezull, i shkëputur nga toka, duke manovruar koshin mbi vinçin e një kamionçine të vogël që e ngrinin, atë dhe furçat, në lartësi. Prej dy ditësh, Andrej Zikic, një artist nga Beogradi, po përpiqej ta shndërronte fasadën e zbehtë të një ndërtese në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë, në një telajo arti.

Vepra, një djalosh me biçikletën hedhur krahëve, po merrte litrat e fundit të bojës. Piktori serb, emri artistik i të cilit është “Artez”, është një nga trembëdhjetë artistët ndërkombëtar “të rrugës” që iu përgjigjën thirrjes së bashkisë së Tiranës, për të organizuar, në fillim të qershorit, të parin festival mural në kryeqytet.

“Përmes ngjyrave po përpiqemi të përcjellim mesazhe pozitive”, – thotë Drejtori i Dekorit, Z. Henril Çule.

Me një buxhet të pakët, drejtori, z. Henril Çule, i duhet të negociojë edhe për disa prej fasadave, veçanërisht për vitrinat e kateve të para në pronësi të qytetarëve të cilët, shpesh, tregohen skeptikë ndaj kësaj ekspozite në natyrë.

Pak ditë më vonë edhe dhjetë artistë të tjerë u ftuan për të realizuar muralet e tyre mbi fasada e objekte në kryeqytet. Këtë radhë projekti i përkiste Drejtorisë së Promovimit të Qytetit dhe meqenëse, së bashku me Dekorin, ishin pjesë e së njëjtës bashki, aktivitetet u bashkuan në një të vetëm.

Në një metropol me një zhvillim urban të pakontrolluar, “arti i rrugës” po nxiton të shfrytëzojë një mundësi për të fituar një vend të sigurt, veçse me shtimin e fasadave, hapësira zvogëlohet dhe distanca e nevojshme, e banorëve prej veprave të artit, ngushtohet!

Pak blloqe më tej, në hyrje të “Komunës së Parisit”, në faqen anësore të një ndërtese të hollë pa dritare, Licuado nga Uruguaji po vizaton portretin e një gruaje. Simbolet shpalosin një metaforë të pëlqyeshme. Analogjia synon ta shndërrojë zhurmën e rrugës në një art të rrugës.

“Është nëna, nëna ime – më thotë, – por që përfaqëson të gjitha nënat!”.

Muralja ‘Nëna’ është vepra me të cilën Licuado nga Uruguai mori pjesë në Tirana Mural Fest. Foto: Artan Rama

Bashkë më kutitë e bojës, furçën dhe ushqimin në një enë të vogël plastike, ai do të qëndrojë deri vonë mbi skelë. Zhurma urbane tretet në lartësi, por Licuado shpreson që ikona “të zbresë” në rrugë. Përreth, një rrjet i dendur brandesh dhe kabllosh Interneti shpërndajnë ankth dhe pasiguri, por në duart e Saj ndodhen fijet, që në mënyrë tradicionale, po aq dhe moderne, na lidhin me të shkuarën dhe premtojnë përjetësinë…

“Rruga më frymëzon, më mbush me poezi”, – thotë Eldi Veizaj -. “Në rrugë i përshtatem ngjyrave të terrenit, njësoj si arkitektët. Më pas piktura mbetet juaja”.

Dekori ia ngriti skelën pranë Parkut të Madh dhe Eldi, një artist italian me origjinë shqiptare, pas tre dite pune mbi vinç, i dhuroi Tiranës një vepër murale.

Eldi Veizaj vizatoi në fasadën e Akademisë së Arteve pranë Liqenit, në harmoni me elementët dhe ngjyrat e Parkut. Foto: Artan Rama

“Ave Maria” pohon elementët natyrorë përmes një portreti femëror.

“U përpoqa të depërtoja brenda njerëzve dhe kështu, ndërtova një portret me ngjyrat e ujit…”.

Një koncept do të mendoja unë. Po në ç’mënyrë na ndihmon për të kuptuar qytetin, problemet e tij? A mund ta shtojë hapësirën e blertë, “blerimi” mbi fasadë?! Përndryshe, le të kthehemi pas, në galeri!

Shqipëria, ish komuniste dhe e izoluar gjatë Luftës së Ftohtë, sot është një qytet me porta të hapura. Tirana Mural Fest është një mundësi që mbi fasada të ngjiten autorë. Globalizmi dhe metropolizimi po nxit një estetikë të re. Materialet, teknikat kanë ndryshuar. Artistët, të çliruar prej kuratorëve, po shpalosin energji më të madhe. Por, a është vetëm një estetikë që vetmjaftohet me shpalosjen e egos së artistit?

Një bisedë me njeriun që së bashku me ekipin e tij e mundësoi festivalin, më ndihmon për të kuptuar më shumë. “Ndërmarrja e Dekorit” tingëllon një term i shkuar, por drejtori, Henril Çule, përcjell një tjetër pamje. Kur ia sheh krahët e mbuluara nga tatuazhe shumëngjyrëshe, përpjekja për të kuptuar motivet, lehtësohet. Natyrisht, unë i them se nuk mjaftojnë vetëm ngjyrat dhe ai, plot siguri, përgjigjet se muret nuk janë për të zgjidhur halle. Por unë i them se hallet, le t’i tregojmë përmes mureve, madje edhe të kritikojmë. Por ai më thotë se deri tani, asnjë artist nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. E dëgjoj bashkëbiseduesin deri në fund, por asnjëherë nuk mjaftohem me pyetjet, qoftë dhe kur më pëlqejnë përgjigjet. Kështu i le mënjanë ngjyrat dhe vendos të depërtoj përtej “fasadës”…

Nadine Kseibi, nja artiste rumune me origjinë nga Siria u caktua të punonte në zonën e Bllokut. Por përpara se të fillonte, ajo largoi nga muri një tjetër poster, të ngjitur aty, disa muaj më parë. Fjala është për të famshmen “Motra Tone”, e Idromenos, të shndërruar në Sorrela Tone nga “Çeta”,një grup i fshehtë i artit politik të rrugës.

Motra Tone, vepra e Kol Idromenos, piktorit të shquar të Rilindjes Kombëtare, e shndërruar në Sorrela Tone nga grupi Çeta. Foto: Artan Rama

Qysh prej vitit 2016, ky grup artistësh aktivistë që operon në stilin “Banksy”, po përdor energjitë e tyre krijuese për të kritikuar politikat qeverisëse përmes Graffiti-t. Nadine realizoi një vepër të mrekullueshme, ndoshta më të mirën e Festivalit, me titull: “Pafajësi pa identitet” por rrethana mbi të cilën u krijua, duke larguar më parë një tjetër arritje dhe kjo, jo pa ndihmën e bashkisë, la tek unë shijen e zhgënjimit.

Nadine mbi shkallë, në një nga rrugët e Bllokut, duke ngjyrosur endrrat e fëmijëve sirianë që lënë pas të shkuarën e tmerrshme që përjetuan në luftë. Foto: Artan Rama

Ergin Zaloshnja, një artist shqiptar i artit të rrugës, emri artistik i të cilit është Diversanti krijoi të parën fanzinë me titull: “Sputnik”.

Nënshkrimi Diversantii, i artistit Ergin Zaloshnja, gjendet në disa prej fasadave dhe mureve të Tiranës. Foto:Artan Rama

 Ai ngjiti gjithsej dymbëdhjetë postera në muret e kryeqytetit, përpara se punëtorët e Dekorit t’i fshinin.

Sputnik-u i Erginit u ngjit nëpër muret e kryeqytetit, përpara se të shkulej nga punonjët e dekorit . Foto: Artan Rama

Në gusht të 2016-ës, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, nxorri një urdhëresë “Për Rregullat e Zënies së Hapësirës Publike”. Kjo ndodhi disa muaj pasi Çeta kishte filluar aktivitetin! Falë saj, imazhi i Vojo Kushit mbi tank, vepër e Sali Shijakut, u transformua në një koncept të ri: “Vojo Kushi mbi Jaguar”.

‘Vojo Kushi mbi Jaguar’, puna e parë e Çetës, në mars të 2016. Foto: Artan Rama

Nënë Zylja, fshatarja që u gjobit, sepse shiste presh në rrugë, tani, falë posterave të Çetës, shiste dinamit.

Përmes imazhit të nënë Zyles, e cila u shiste qytetarëve dinamit, në vend të preshit, Çeta kritikote policinë bashkiake që nuk lejonte fshatarët të shisnin prodhimet e tyre në rrugë. Foto: Artan Rama

Ardit Gjoklaj, adoleshenti që humbi jetën në Landfillin e Sharrës, u shndërrua në një portret-akuzë përmes një teknike të veçantë graffiti, stencilit.

Aktivistët e maskuar të Çetës duke vendosur portretin e Ardit Gjoklajt në kabinat elektrike në Tiranë. Foto: Artan Rama

Pasi “veprat” përfundonin, mbetej ekspozimi. Hapësira publike u bë ekspozita e preferuar për aktivistët e Çetës dhe sheshi i betejës me autoritetet. Brenda pak orëve, apo ditëve, imazhet e Çetës fshiheshin ose tjetërsoheshin.

Portreti i Ardit Gjoklajt dhe ‘Vojo Kushi mbi Jaguar’, u fshinë brenda pak orëve, prej punonjësve të dekorit të bashkisë. Foto: Artan Rama

Në vetëm pak minuta, përmes teknikave të sprejit, shkumës dhe posterave, aktivistët mbushnin muret dhe të fshehur, nën kapuçonj, u shmangeshin kamerave në rrugë.

Një mbrëmje, takova tre prej tyre. Emrat nuk m’i thanë, por më treguan mjaftueshëm rreth aksionit të tyre subversiv. Në një shtëpi të ulët, me çati e oborr, zhvillova këtë bisedë.

Unë: Kush jeni?
Çeta: Një grup arti politik.
Unë: Çfarë synoni?
Çeta: Të provokojmë, por dhe të emancipojmë.
Unë: Përse fshiheni?
Çeta: Për të shmangur gjobat dhe që të mos merren me ne, por me   fenomenin.
Unë: Kush ju paguan?
Çeta: Ne punojmë vullnetarisht.
Unë: Kush ju udhëheq?
Çeta: Askush! Vendimet i marrin me shumicë.
Unë: Përse nuk kërkoni leje për t’i ngjitur posterat nëpër hapësirat publike?
Çeta: Sepse janë hapësira publike dhe na takojnë të gjithëve.

Ata më thanë se do të qëndrojnë anonimë, për aq kohë, që puna e përbashkët është më e rëndësishme sesa egoja e gjithsecilit.
Për Erginin fshehja nuk ka qenë asnjëherë një qëllim, ndonëse fanzina e tij nuk ka patur një fat më të mirë. Nëpër rrethinat e Bllokut, shihen gjurmët  e graffit-it të tij të ndaluar, ose më saktë, ajo çfarë ka mbetur prej tyre.

Diversanti shfaqi imazhin e filmit ‘Debatik’ në periferi të Bllokut, por me një ndryshim, flamuri fashist u zëvendësua me flamurin e BE-së. Foto: Artan Rama
Artisti Ergin Zaloshnja përpara posterit të tij, të frymëzuar prej posterit zyrtar të filmit ‘Lulëkuqe mbi mure’, të prodhuar në vitin 1976 prej Kinostudios ‘Shqipëria e Re’. Foto: Artan Rama

 “Sputniku” i tij u lëshua pesë vjet më parë në rrugët e Bllokut, por punonjësit e dekorit e fshinë shpejt. Numri i trembëdhjetë, “Trusti i kullave”,pritet të dalë së shpejti. Të shohim se sa gjatë do të qëndrojë!

Numri i 13-të i Sputnik-ut, sipas Erginit, reflekton makthin e një qyteti pa perspektivë, të uzurpuar prej oligarkëve, nën triumfin e kullave.

Ndërsa Çeta është  e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, Sputniku mbart një kod, jo lehtësisht të zbërthyeshëm. Dhe në sytë e konsumatorëve kryeqytetas, bojërat e dekorit të qytetit mund të shihen më qartë se sa zymtësia e një shoqërie distopike që paraqet Ergini.

Kështu, falë përpjekjeve për të fituar zemrat e banorëve, artistët, por dhe autoritetet po e përdorin rrugën në shërbim të një estetike të re urbane, të një mesazhi. Por, përtej synimeve, për shkak të motiveve të ndryshme, arti i rrugës po shndërrohet, më shumë në një betejë për rrugën, se sa për vetë artin. Dhe e drejta mbi hapësirat publike, rrezikon t’u shërbejë autoriteteve për një vendimmarrje përzgjedhëse, në dëm të kundërshtarëve e lirisë.

Këtë fillim vere në Tiranë, disa prej artistëve ndërkombëtarë që  “pushtuan” fasadat ishin me të vërtetë të mrekullueshëm. Por kur efekti që shkakton ngjyra shuhet, lind një pyetje: kujt i shërben arti mbi fasada? A është ilustrim i një trendi, apo diçka më shumë se sa egoja e një artisti kontemporan?

Tirana po i lartëson fasadat. Le t’u japim mureve mundësinë për të thënë të vërtetën, përmes ngjyrave, por edhe përmes kontrasteve, përmes një aksioni që synon një reagim kolektiv e jo vetëm egot e artistëve të “rrugës”.

Skuadra e vogël e dekorit të qytetit sapo ka filluar të kuptojë peshën e madhe të vendimmarrjes. Por a e kanë ata emancipimin dhe mundësinë për ta shndërruar artin e rrugës në një platformë dialogu e jo një mënyrë diktati?!

Në një qytet ku zhurma e rrugës rrezikon të mbysë çdo tingull, fasadat duhet të flasin e të dëgjohen.

Por së paku, Tirana Mural Fest tregon se kanë nisur të belbëzojnë…

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail