Investigime

Banorët e Verrisë i shpërfillën për inceneratorin, bashkia gati planin për zhvillimin e industrisë së naftës në tokat e tyre.

16 qershor 2018/ Edmond Hoxhaj/ Porta Vendore /Fier

Punimet për ndërtimin e inceneratorit në fshatin Vërri të Bashkisë Fier kanë nisur që prej disa muajsh, pavarësisht protestave të njëpasnjëshme të banorëve të zonës, dhe premtimeve, si nga pushteti qendror ashtu edhe nga pushteti vendor, asgjë nuk u mor në konsideratë. Banorët ndjehen të frikësuar. Shumica e atyre që protestuan për mjedisin, shëndetin dhe tokat e tyre u proceduan penalisht duke u bërë pjesë e një sërë procesesh gjyqësore, ç’ka i dëmtuan edhe financiarisht. Sot në Verri gjen pak nga ata banorë të cilët vijojnë të mbrojnë hapur me fanatizëm idenë e mos ndërtimit të inceneratorit, por më kot,  pas lejes nga Këshilli Kombëtar i Territorit, vendi tashmë është rrethuar. Gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë dhe pa dëgjesa publike me qytetarët. Asaj që banorët e zonës i frikësohen sot, janë ato pak të mbjella që do të dëmtohen nga ndotja që mund të shkaktojë ky incenerator dhe për pasojat që mund të sjellë në shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. Të pashpresë e me fuqi të pakta, banorët tregojnë për Portën Vendore se nuk i ka dëgjuar askush. Por sikur të mos mjaftonte ineceneratori që po ndërtohet, Vërria duket si e “mallkuar” nga pushteti vendor.
Në planin e Përgjithshëm vendor të Territorit të Bashkisë Fier të miratuar në dhjetorin e vitit 2016, si nga Këshilli i Bashkisë Fier, ashtu edhe nga Këshillit Kombëtar i territorit përcaktohet qartë, se në pjesën juglindore të njësisë administrative Mbrostar, në Vërri, Kallm i Madh dhe Kallm i Vogël, industria e hidrokarbureve do të zhvillohet me intensitet të lartë. Pra, kjo zonë do të ketë edhe inceneratorin ku do të trajtohen me djegie mbetjet urbane të gjithë qarkut të Fierit, edhe  “lulëzimin” e industrisë së naftës, një kombinim ky,  që ka gjasa t’i detyrojë banorët të braktisin shtëpitë dhe pronat e tyre gjatë viteve të ardhshme.

Kur Këshilli Kombëtar i Territorit, më datë 16 tetor 2017, vendosi miratimin e lejes së ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier, në disa fshatra të Bashkisë Fier kishte rreth një vit që protestohej kundër ndërtimit të inceneratorit pranë zonave të banuara. Fillimisht ishin banorët e fshatit Plyk, të cilët protestuan disa herë, duke bërë të mundur ndalimin e zbatimit të projektit pranë tokave e shtëpive të tyre. “Qëndresë” bënë edhe banorët e fshatit Mbrostar, që u parashikua si “stacioni” i dytë për zbatimin e këtij projekti, të cilët në shenjë proteste bllokuan edhe aksin e rrugës nacionale që përshkon fshatin e tyre në periferi të qytetit të Fierit. Edhe pse disa prej protestuesve u proceduan penalisht për veprat penale “organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”, banorët e Mbrostarit arritën ta ndalojnë ndërtimin e inceneratorit pranë shtëpive të tyre.

Por, sërish, autoritetet e pushtetit vendor dhe atij qendror zgjodhën si vend të përshtatshëm për ngritjen e inceneratorit një zonë mes tokave bujqësore, pranë fshatit Vërri, vetëm 980 metra larg qendrës së banuar dhe rreth 450 metra larg shtëpive periferike. Në marsin e vitit të kaluar, banorët e fshatit Vërri nisën një maratonë protestash, edhe para zyrave të Bashkisë Fier, por në këmbim të kërkesave të tyre, morën heshtje, premtime të pambajtura parazgjedhore nga ana e Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, si edhe procedime penale.

“Tokën nuk e kemi afër po ajri na vjen nga puna që po kryhet atje. Ndotje ka! Të mira nuk kemi! Atë e dinë ata, nuk kam çfarë ti mësoj unë…, por, po doli ajri i helmuar dihet që populli është i helmuar. Të rrojnë ata dhe të vdesim ne, kaq di unë, nuk di më tepër”, shprehet për Portën Vendore  një banore e fshatit Vërri të Bashkisë Fier.

Rruga që të çon në fshatin Vërri. Foto: Edmond Hoxhaj

Konçesionari
Në kontratën konçesionare për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimit të energjisë të nënshkruar në tetor të vitit 2016 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë  “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier sh.p.k”, në faqen 21 të saj, në pikën 6.5, “të drejtat e pasurisë së paluajtshme”, shkruhet se “jo më vonë se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të kontratës, konçesionari do të bëjë përpjekje maksimale për fillimin e procedurës së marrjes në dorëzim të parcelave të sheshit duke paraqitur kërkesë për këtë qëllim”. Më poshtë, citohet se; ”jo më vonë se dy muaj nga marrja e kërkesës së mësipërme, në lidhje me parcelat e sheshit, Autoriteti Kontraktues, vë në dispozicion të konçesionarit, pa pagesë, të gjitha parcelat ku do të ndërtohet projekti objekt i kontratës dhe i transferohen të drejta reale të ngjashme për realizimin e projektit”.

Nisur nga kontrata konçesionare, rezulton se Autoriteti Kontraktues, ka qenë i angazhuar me qëllim përcaktimin e parcelave të sheshit të ndërtimit të inceneratorit dhe kalimin sa më shpejt të tyre në dispozicion të konçesionarit, edhe pse janë toka bujqësore dhe gjenden në një prej zonave më pjellore të Myzeqesë, si edhe shumë pranë qendrave të banuara.

Ndërsa në faqen nr. 25 të kontratës konçesionare, kreu III, “të drejtat dhe detyrat e autoritetit kontraktor”, në gërmën (c) citohet se autoriteti kontraktor merr për sipër “të sigurojë vazhdimësinë e kësaj kontrate pavarësisht ndryshimeve të subjekteve apo objektivave të përpunimit të mbetjeve urbane dhe/ose sektorit elektro-energjitik shqiptar”, duke i dhënë kështu jetëgjatësi të pacaktuar këtij projekti, pavarësisht politikave të menaxhimit të mbetjeve urbane në vendin tonë në të ardhmen apo ndryshimeve ligjore.

Në ekstraktin historik të regjistrit tregtar, subjekti “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier sh.p.k.”, që ka fituar kontratën konçesionare me vlerën 27 359 534 euro për ndërtimin e inceneratorit në Vërri të bashkisë Fier, rezulton të ketë një kapital themeltar prej 100 000 lekësh. Duke qenë se kontrata konçesionare detyron Autoritetin Kontraktues t’i mundësojë instrumentet teknikë dhe financiarë konçesionarit, ky i fundit ka rinisur punimet pas vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, që dha lejen për ndërtimin e inceneratorin në territorin e bashkisë Fier.

Mjete të tonazhit të rëndë që po punojnë për inceneratorin. Foto: Edmond Hoxhaj

Verri: Jo vetëm incenerator, por edhe industri nafte
Rreth tre vjet më parë, me anë të vendimit nr. 40, datë 26.10.2015, Këshilli i Bashkisë Fier vendosi të kërkojë pranë Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në qytetin e Fierit. Gjithashtu, u vendos që të kërkohet mbështetja teknike si dhe të bashkëpunohet me të gjithë institucionet e qeverisjes qendrore për zgjidhjen e situatës emergjente. Në pikën (4) të këtij vendimi është ngarkuar Kryetari që të kryejë gjithë procedurat përkatëse për zbatimin e këtij vendimi pranë të gjitha institucioneve qendrore, të konsideruara të nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Pas një viti, me anë të vendimit nr. 951, datë 28.12.2016, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin e pronarit të tokës ku po ndërtohet inceneratori. Në këtë vendim, toka ku po ndërtohet inceneratori, që gjendet në zonën kadastrale ZK. 2636, përshkruhet si truall, edhe pse rrethohet nga të gjitha anët me tokë bujqësore dhe gjendet rreth 450 metra larg shtëpisë më të afërt të fshatit Vërri. Me anë të këtij vendimi, shifra gati gjysmë milionë dollarësh, i është kërkuar të mbulohet nga Bashkia e Fierit. Në pikën (4) të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave citohet se vlera e shpronësimit, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier.

“2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Fier. 3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë sipërfaqe “tokë truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 46 299 060 (dyzet e gjashtë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekësh. 4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 46 299 060 (dyzet e gjashtë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier” shkruhet në vendim.

Në muajin mars të vitit 2017, shoqëria konçesionare nisi të rrethonte zonën ku po ndërtohet inceneratori, por për shkak të protestave të banorëve punimet u pezulluan përkohësisht, derisa në vjeshtë, KKT-ja miratoi lejen e ndërtimit.

Më datë 16.10.2017, Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi të miratojë lejen e ndërtimit të inceneratorit në fshatin Vërri dhe ja ngarkoi Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë zbatimin e këtij vendimi, që mundësoi rinisjen e punimeve të cilat nuk u ndërprenë edhe pas dhjetëra protestave të banorëve të fshatit Vërri, Vajkan e të zonave përreth.

Por, industria e përpunimit me djegie të mbetjeve urbane, nuk është e vetmja teknologji që do të zhvillohet dhe operojë në fshatin Vërri dhe në zonat përreth.  Dokumente të miratuara nga Këshilli i Bashkisë së Fierit, dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, të cilat “Porta Vendore” i disponon, tregojnë se të paktën prej dy vitesh, territori i fshatit Vërri është parashikuar dhe vendosur të kthehet në një zonë industriale, ku jo vetëm do të përpunohen me anë të procesit të djegies mbetjet urbane, por do të zhvillohet edhe industria e prodhimit të hidrokarbureve. Në fakt, në fshatin Vërri, prej dekadash ka pasur industri me fleksibilitet të ulët të nxjerrjes së hidrokarbureve që është zbehur gjatë viteve të tranzicionit.

Një prej pueseve të naftës të para viteve ’90, që gjendet në tokat bujqësore të Vërrisë. Foto: Edmond Hoxhaj

Në dhjetor të vitit 2016, Këshilli i Bashkisë Fier, me anë të vendimit nr. 100, datë 06.12.2016, ka miratuar dokumentin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Territorit të Bashkisë Fier. Ky dokument, është miratuar tre javë më vonë edhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit me anë të vendimit nr. 5, datë 29.12.2016.

Në faqen 32 të Planit të Përgjithshëm Vendor të Territorit të Bashkisë Fier përcaktohet qartë, se në pjesën juglindore të njësisë administrative Mbrostar, industria e hidrokarbureve do të zhvillohet me intensitet të lartë.

Leonard Janji, fermer në zonën e Vërrisë. Foto: Edmond Hoxhaj

Por, banorët shprehen se askush nga Bashkia e Fierit nuk i ka njoftuar për planin e miratuar tashmë, se në të ardhmen në fshatin Vërri e në zonat përreth do të ketë zhvillim të industrisë së hidrokarbureve dhe se nuk janë zhvilluar dëgjesa publike për këtë projekt afatgjatë. “Me dije ne s’na ka bërë njeri. Me çfarë kemi dëgjuar këtu, që çdo gjë është blerë… , është blerë nuk dihet se kush është prapa, kanadezi, a nuk dihet. Janë gati, po ne nuk dimë gjë”, pohon për “Porta Vendore”, Leonard Janji, një fermer i zonës.

Terreni me toka bujqësore pjellore
Në përmbledhjen joteknike të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis për aktivitetin “dhënia me konçesion e ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie” të kërkuar nga “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier sh.p.k.” dhe të hartuar nga “Evrionmental Management Consultancs, sh.p.k.”, vendndodhja e zonës së impiantit përshkruhet si një terren i përbërë nga toka bujqësore. “Zona e përzgjedhur për ndërtimin e impiantit përfaqëson një terren tokash bujqësore me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash, ndërmjet 55 dhe 75 m mbi nivelin e detit. Sipërfaqja e zonës që do të përdoret për ndërtimin e impiantit është rreth 11.15 hektarë (111 564 m2) dhe në përzgjedhjen e saj janë marrë parasysh veçoritë e terrenit, nevoja për hapësira shtesë në ndonjë situatë të paparashikuar. Madhësia e saj mund të ndryshojë gjatë fazës së projektit përfundimtar. Koeficienti i shfrytëzimit të saj mund të zvogëlohet si rezultat i dizajnit përfundimtar të impiantit”, citohet në përmbledhjen joteknike, duke ngritur kështu dyshime se në kontratën konçesionare janë lejuar hapësira që mundësojnë zgjerimin e terrenit të inceneratorit.

“Terreni në afërsi të fshatit Vërri, Njësia administrative Mbrostar, me destinacion përdorimi ‘tokë bujqësore (arë)’, është pronë publike bazuar në VKM nr. 951, datë 28.12.2016 ‘për shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private që preket nga realizimi i projektit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë’, si dhe landfill në ndihmë të këtij aktiviteti”, citohet në këtë përmbledhje joteknike realizuar nga një studio private, ku parcelat e shpronësuara për ndërtimin e inceneratorit evidentohen si “tokë bujqësore(arë)” dhe jo si truall, ashtu si është përcaktuar në VKM-në nr. 951, datë 28.12.2016, duke e çuar vlerën e kësaj toke deri në 46 299 060 lekë që është përcaktuar të shlyhet nga taksapaguesit lokalë.

Në përmbledhjen joteknike të ndikimit në mjedis pasqyrohet edhe largësia e qendrave të banuara nga sipërfaqja e tokës ku po ndërtohet inceneratori. “Ajo gjendet në një distancë prej 7.5 km nga qendra e Bashkisë Fier dhe relativisht larg qendrave të tjera të banuara të kësaj Njësie Administrative. Qendrat e banuara më të afërta me të janë: fshati Vërri rreth 980 m vijë ajrore në veriperëndim; fshati Vajkan 2700 m vijë ajrore në perëndim: fshati Kallm 1700 m vijë ajrore në juglindje dhe lagje të fshatit Bubullimë rreth 1500 m vijë ajrore në lindje”, shkruhet në përmbledhjen joteknike.

Aty përshkruhet edhe mjedisi biologjik, duke u konsideruar si habitat bujqësor. Mozaiku bujqësor përbën pjesën kryesore të sipërfaqes në studim, rreth 90 %, duke u përfaqësuar me toka bujqësore pjellore të kultivuara me bimësi; si grurë dhe jonxhë.

Ndikimi negativ në mjedis
Në studimin e përmbledhjes joteknike pasqyrohen edhe ndikimet në mjedis që parashikohen të lindin si pasojë e operimit të inceneratorit. Ndikimet në mjedis nga operimi i inceneratorit janë pasojë e shkarkimeve në mjedis të teknologjisë. Në këtë këndvështrim, ndikimet direkte janë shkarkimet në ajër, gjenerimi i mbetjeve të ngurta (këtu përfshihen skoriet dhe hiri), shkarkimet në ujëra, zhurma dhe vibracionet si dhe, shkarkimet e aromave”, citohet në studim. Aty shkruhet se bazuar në matje të ndryshme, përllogaritet që nga djegia e 1 ton mbetjesh të ngurta urbane, gjenerohen 4500-6000Nm3/t (në 11% O2) gaz që çlirohen në mjedis nëpërmjet oxhakut. Gjithashtu identifikohen edhe ndotësit që do të shkarkohen në atmosferë. “Bazuar në teknologjinë, kushtet e operimit dhe përbërjen e mbetjeve, në këtë volum gazi gjenden ndotës të tillë si: lënda e grimcuar – e përmasave të ndryshme; acide dhe gaze të tjerë – HCl, HF, HBr, HI, SO2, NOx, …; metale të rëndë – Hg, Cd, Tl, As, Pb, Zn, Ni, Sb, Se, Sn  dhe kompozime të karbonit – CO, VOC, PCDD/PCDF, PCB, PAH,…..”. Disa prej këtyre ndotësve cilësohen si të rrezikshëm dhe theksohet se largimi ose reduktimi i tyre nga gazet arrihet vetëm nëpërmjet aplikimit të teknologjive të përparuara të trajtimit kimik. Ndërkohë, aktiviteti i inceneratorit pritet të shkaktojë edhe ndotje të ujërave. “Ndikimet e mundshme negative të impiantit në mjedisin social lidhen me shkarkimet në ajër dhe ujëra, të cilat në rast se tejkalojnë normat e lejuara për cilësinë e ajrit dhe ujërave, mund të shkaktojnë probleme në shëndetin e popullatës”, thuhet në përmbledhje.

Qendra e fshatit Vërri. Foto: Edmond Hoxhaj

Premtimi i pambajtur
Pas dhjetëra protestash të zhvilluara nga banorët e fshatrave Plyk, Mbrostar e më pas të Vërrisë, për moslejimin e ndërtimit të inceneratorit pranë shtëpive të tyre, pak para se të niste zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe pasi nuk u ishte përgjigjur protestuesve për kërkesat e tyre, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi deklaroi se pa pëlqimin e tyre, ky projekt nuk do të zbatohej. “Sot mora garancinë e plotë nga kryeministri Edi Rama, që pa pëlqimin e banorëve të zonës (Verri, Kallm i Madh, Kallm i Vogël), as që bëhet fjalë të fillojë ndërtimi i impiantit të mbetjeve urbane, pavarësisht procedurave që janë ndjekur nga ministritë deri tani”, shkruante më datë 7 prill 2017 në profilin e tij në facebook, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi. Por, situata ndryshoi në vjeshtën e vitit të kaluar, kur KKT, vendosi të lejojë ndërtimin e inceneratorit në Vërri.

Statusi në rrjetin social Facebook, i Kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, datë 7 prill 2017

Mungesa e transparencës
Banorët e fshatit Vërri ndihen të braktisur nga institucionet shtetërore dhe theksojnë se projekti i ndërtimit të inceneratorit mbetet ende i errët për ta, pavarësisht se kanë nisur punimet prej disa muajve. “Ne jemi njoftuar me anë të një shkrese jo zyrtare, e cila s’kishte asnjë lloj emri, as nga bashkia, as nga ndonjë firmë tjetër, thjesht një copë letër. Erdhi, u vu aty në fshat në datën 20 mars të vitit të kaluar. Kjo letër thoshte se ne duhet të paraqiteshim për të bërë një dëgjesë publike,… .  Ne u paraqitëm atje dhe e pamë, e bojkotuam këtë gjë direkt. E pamë që nuk ishte për ne sepse menduam se ky projekt nuk sillte asnjë lloj të mire, pasi ishte kontestuar nga shumë fshatra si Plyk dhe fshati Mbrostar… . Dhe menjëherë menduam se ky është një projekt që është kundra nesh, bie ndesh me vlerat tona.  Mendojmë që do ketë pasoja negative për jetën e banorëve që jetojnë këtu, për ndotjen mjedisore, për prodhimet bujqësore që ne prodhojmë. Mbajtja e kësaj gjëje në fshehtësi të plotë dhe mbi një vit, mbi qindra protesta të zhvilluara dhe procedimet penale që janë bërë ndaj nesh, na bëjnë ne që të mendojmë se këtu s’ka asgjë të mirë”, tregon Fermeri Janji, duke vijuar se nuk do të ketë më të ardhme për këtë zonë, dhe se banorët ndjehen tërësisht të pafuqishëm tanimë që ti kërkojnë kompanisë konçensionare vendosjen e filtrave.

Më datë 03 maj 2018, “Porta Vendore” i drejtoi Bashkisë Fier një kërkesë për informim lidhur me të dhënat për projektin e ndërtimit të inceneratorit, kopje të procesverbaleve të dëgjesave me banorët e fshatit Vërri, impaktin mjedisor dhe arsyen se përse në të treja rastet, për ndërtimin e impiantit të përpunimit me djegie të mbetjeve urbane ishin përzgjedhur parcela toke pranë zonave të banuara dhe në mes të tokave bujqësore. Bashkia e Fierit njoftoi më datë 14 maj 2018 se, në lidhje me kërkesën nuk disponon asnjë dokumentacion. “Me të gjitha praktikat për këtë çështje është marrë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Për çdo informacion drejtojuni Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit”, citohet në përgjigjen e Bashkisë Fier, edhe pse më parë, kryeministri i vendit deklaroi gjatë një konference për mediat në qytetin e Fierit, se ky ishte një projekt i Bashkisë. “Së pari njëherë, që ta kemi të qartë, ky është një projekt i bashkisë të cilin qeveria e mbështet. Në informacionin tim, bashkia i ka bërë të gjitha proceset e nevojshme për të shpjeguar projektin”, u shpreh kryeministri Rama ndër të tjera.

Më datë 17 maj 2018, “Porta Vendore” iu drejtua me kërkesë për informim Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, lidhur me kontratën konçesionare, procesverbalet e dëgjesave publike me banorët e zonës dhe të dhëna për impaktin në mjedis që mund të sillte ndërtimi dhe operimi i inceneratorit në Vërri. Por, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, më datë 21 Maj ktheu përgjigje se gjithë dokumentacioni për inceneratorët, në zbatim të VKM për fushat e përgjegjësisë të ministrive kanë kaluar tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe se çdo dokumentacion mund të gjendej pranë kësaj të fundit. Nisur nga kjo përgjigje, “Porta Vendore” i drejtoi kërkesë për informim me të njëjtin objekt, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila më datë 14 Qershor 2018 serviri kontratën konçesionare të inceneratorit të Vërrisë, ndërsa lidhur me informacionin shtesë që është ndjekur para dhe gjatë lidhjes së kontratës citohet se mund ti drejtohemi Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Asnjë prej institucioneve, si të pushtetit vendor, ashtu edhe atij qendror, të cilave “Porta Vendore” iu drejtua me kërkesë për informim, nuk servirën kopje të procesverbaleve të dëgjesave të kryera me banorët e fshatit Vërri dhe të zonave përreth lidhur me prezantimin e projektit të inceneratorit, tashmë në zbatim.

Për zbardhjen e kësaj situate dhe për rritjen e transparencës kundrejt këtyre proceseve të rëndësishme, siç është ndërtimi i inceneratorit , në mbështetje të të drejtave të banorëve është edhe shoqëria civile. Disa organizata që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut janë duke i asistuar banorëve, si komiteti i Helsinkit, AKIP dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë nëpërmjet Klinikave ligjore. Banorët e fshatit Vërri dhe organizata AKIP i janë drejtuar klinikës së ligjit pranë Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës . Avokatët e Klinikës ligjore kanë asistuar me konsulentë ligjore dhe i kanë adresuar kërkesat e nevojshme pranë organeve të administratës publike.

“Përndjekja” dhe e ardhmja e pashpresë
Në mars të vitit 2017, kur banorët e Vërrisë kundërshtuan për herë të parë nisjen e punimeve për rrethimin e tokës ku do të ndërtohet inceneratori, jo shumë larg banesave të tyre, policia shoqëroi me dhjetëra persona, disa prej të cilëve u proceduan për “organizimin dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”. Ndërkohë, nuk u procedua asnjë prej punonjësve të subjektit që nisën të kryenin punime, ende pa u miratuar leja ndërtimore nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Thuajse në të gjitha protestat e tyre, banorët e Vërrisë janë shoqëruar për shkak të pjesëmarrjes në tubime ku kërkonin mos lejimin e ndërtimit të inceneratorit mes tokave të tyre bujqësore.

Tokat e mbjella në fshatin Vërri. Foto: Edmond Hoxhaj

Një banor i cili preferon të qëndrojë anonim, thekson faktin se askush nuk i ka pyetur dhe se nuk u është bërë me dije projekti apo pasojat që mund të sjelli në mjedis dhe në shëndetin e tyre. Madje, ai thekson se bashkëfshatarët e tij janë proceduar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protesta. “Absolutisht jo! Dhe në mënyrën tjetër, më arrogante, ky pushtet ka bërë atë, që tërë fshatarët e mi i mori brenda dhe sot janë nëpër gjyqe ata, bredhin nëpër gjyqe…. . … 10 po njëherë, 10 persona. Domethënë me këtë herën e fundit, plus katër të parët, 14-15 veta që janë të proceduar, hyn brenda dhe paguan lekët lumëdhenjtë. Tjetri shiti lopën aty, shiti lopën për të dalë. … Se në momentin e parë ata thanë, do t’u marrim për verifikime, pastaj ashtu erdhi puna, jo kap avokat, jo kap më the të thashë…, e si përfundim shiti lopën ai. Unë jam dakord, inceneratori le të ndërtohet, po të ndërtohet në vende të posaçme, mos të ndërtohet këtu ai… . Pastaj, i bie, komuna jonë, ose njësia bashkiake, që i bie kjo, ne paguajmë taksat, në asnjë rrugë nuk është vënë dorë, taksat tona ku kanë vajtur? Fillo, merr rrugët, janë të prishura, nga Vajkani deri këtu janë copë-copa”, tregon një nga banorët e irrituar të zonës së Verrisë.

Më tej, fermeri pohon se drejtuesit e bashkisë nuk i kanë trajtuar shqetësimet e ngritura prej tyre për pasojat që mund të sjellë aktiviteti i inceneratorit dhe hedh dyshimet se zbatimi i këtij projekti do të sjellë zhvlerësimin e tokave, gjë që e cilëson edhe si fundin e fshatit Vërri. “Bashkia? Ça bashkia? Ai thotë…. Qysh them unë është…, as denjon fare. Kemi vajtur 4-5 herë që kemi bërë protesta dhe në bashki kemi qenë tre herë, ai tallet. Ky fshat për mua është i mbaruar komplet, brenda pesë vjetëve është i likuiduar komplet… . Pikë! S’ka asnjë lloj perspektive, as në bujqësi, as në blegtori, në asgjë. Me këto dyja që mbahemi ne… .

…Nga inceneratori, nga ndotjet që do ketë ky incenerator. Përfundimisht jemi të vdekur,” përfundon krejt i pashpresë banori i fshatit Verri.

Rreth autorit:
Edmond Hoxhaj është gazetar në qarkun e Fierit. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi. Hoxhaj ka punuar që nga viti 2001 në disa media të shkruara dhe audiovizive në Tiranë dhe në Fier, ku ka mbuluar çështjet e aktualitetit e të drejtësisë.