Ndodhi

Gjykata e apelit pezullon punën e hidrocentralit të Dragobisë

12 qershor 2018/ E. Gj/ Porta Vendore/ Tropojë

Gjykata e apelit administrativ dha sot lajmin e mirë për të gjithë aktivistët e shoqërisë civile dhe banorët e zonës , që kanë protestuar duke kundërshtuar vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për ndërtimin e hidrocentralit Dragobia. Punimet për këtë hidrocentral sipas vendimit të gjykatës duhet të pezullohen deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

E kontaktuar nga “Porta Vendore” aktivistja dhe drejtuese e organizatës Toka, tha se ky është vendimi më i drejtë që mund të merrej në lidhje me këtë çështje.

“Është një mrekulli, ky vendim që gjykata administrative mori sot ndaj 27 banorëve të Tropojës pë pezullimin e hecit Drogobia. Që në fillim kisha besim tek drejtësia shqiptare. Me duket vendim i drejtë sepse nuk është se prishet 1 m 2 por një vend i begatë që vizitohet çdo vit nga qindra turistë” tha Catherine Bohne, drejtuese e organizatës “Toka” .

Gjykata e Apelit u shpreh zyrtarisht se trupa gjyqësore shpalli sigurimin e padisë duke urdhëruar pezullimin e punimeve në Valbonë, derisa kjo çështje të marrë zgjidhje.

27 familje në zonën e Dragobisë e kanë përkrahur këtë kauzë, duke protestuar për dy hecet, përkatësisht atë të Dragobisë dhe të Ceremit, ndërsa familjet e tjera nuk kanë protestuar nga frika. Beteja e heceve sipas Catherinës ka rreth 4 vite që ka nisur. Ata kanë humbur dy beteja në shkallën e parë administrative, teksa kërkonin pavlefshmëri të kontratës për dy hidrocentralet e sipërpërmendura.

“ Ne momentalisht kemi 4 procese gjyqësore të hapura. Kjo është një luftë për mbrojtjen e mjedisit, ndaj pas këtij vendimi të gjykatës , kompania duhet të pezullojë menjëherë punimet, përndryshe ne do të protestojmë sërish deri në zgjidhjen e këtij problemi” rrëfen Catherina, super entuziaste.

Për Catherinën dhe Organizatën “ Toka” nesër është prapë një ditë e rëndësishme, pasi pritet vendimi i seancës së tretë në gjykatën e shkallës së parë Tiranë, mbi çështjen “ Gener 2”, në të cilin kompania kërkon një dëmshpërblim prej 20,000,000 lekësh të reja, si kompensim për “ dëm në imazh”, gjatë fushatës kundra hidrocentraleve që po ndërtohen në Parkun Kombëtar të Valbonës.

“ Nesër ne kemi një tjetër betejë, me kompaninë Gener 2, e cila më ka paditur mua personalisht dhe organizatën për prishje imazhi, megjithatë unë jam shpresëplotë”, përfundon Catherina.