Ndodhi

Bibliotekat në Shqipërinë e gjeneratës tjetër

12 Qershor 2018/ Bulevard.org/ Pogradec

Historia e bibliotekave në Shqipëri fillon në shekullin e 6-të me Kodikët e vendosur në disa kisha e manastire. Por biblioteka e parë e mirëfilltë u ndërtua në shekullin e 19-të në Shkodër. Me shpalljen e pavarësisë, katër biblioteka të tjera u ngritën; në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Vlorë. Dhe mbas luftës së dytë botërore ato u përhapën në të gjithë vendin.

Mirëpo, ndryshimet politike të viteve 90 dhe trazirat që pasuan, dëmtuan shumë prej tyre, përfshi edhe bibliotekën e qytetit të Pogradecit, ‘Mitrush Kuteli’. Kjo bibliotekë filloi të kishte konflikte pronësie në vitin 1994, ndërsa në 97-tën librat e saj përfunduan në rrugë.

Fatmirësisht, në fillim të viteve 2000, me një fond të përbashkët të Fondacionit OSFA, Bashkisë së qytetit dhe Ministrisë së Kulturës, biblioteka u rikonstruktua dhe u pajis me kompjuterë dhe një fond te pasur librash.

Mirëpo, pak vite më vonë ajo u fut sërish në rrugën e degradimit, dhe aktualisht është në kushte të mjerueshme. Uji pikon nga të gjitha anët, ngrohje nuk ka, librat janë të lagur dhe të dëmtuar, dhe nuk ka kompjuterë apo internet.

Madje, duke qenë se këto 8 vitet e fundit nuk është blerë asnjë titull i ri, teksa librat ekzistues janë dëmtuar prej ujit, fondi i librave të kësaj biblioteke është zvogëluar jashtëzakonisht shumë, duke bërë që edhe pse jemi në vitin 2018-ën, ajo të ketë më pak libra se bibliotekat e 3 shekujve më parë.

Po pse është katandisur biblioteka në këtë gjendje?

Ka tre vende ku mund të kërkojmë përgjegjësinë dhe zgjidhjen e mundshme.

Si fillim, biblioteka është në varësi të Bashkisë së Pogradecit. Kështu që bashkia është direkt përgjegjëse që e ka lënë në këtë gjendje.

Ka disa vite që kërkohet një fond prej 2 milion lekësh për të riparuar tarracën e bibliotekës, por Bashkia ka deklaruar se nuk ka fonde. Sigurisht, për një bashki me një buxhet modest, edhe 2 milion lekë janë një shumë e konsiderueshme.

Mirëpo në të njëjtën kohë kur Bashkia deklaronte se nuk kishte 2 milion lekë për bibliotekën e qytetit, ajo shpenzonte 2.5 milion për një statujë, apo 1 milion për pritje përcjellje politikanësh nga Tirana. Gjithashtu kjo bashki me një buxhet modest mund të kishte kursyer disa shpenzime si telefoni i kryetarit (300’000), udhëtime gjysmë-turistike në Athine (300’000) apo parkim autobusësh që nuk punojnë (130’000). Para këto që mund të ishin përdorur për bibliotekën, nëse ajo do të kishte qenë e rëndësishme për bashkinë.

Lajmi i mirë është se kohët e fundit bashkia ka parashikuar një buxhet për restaurimin e qendrës kulturore ku ndodhet edhe biblioteka. Por skepticizmi është i lartë, pasi edhe në të shkuarën bashkia ka parashikuar fonde për këtë qëllim, por restaurimi nuk ka ndodhur.

Së dyti, problemi qëndron tek mënyra se si janë konceptuar bibliotekat publike në Shqipëri, dhe këtu një përgjegjësi e ka edhe Ministria e Kulturës.

Prej vitesh bibliotekat e qyteteve janë trajtuar pak a shumë si magazina gazetash dhe librash artistik, duke u parë si vende engledisjeje për ata që nuk kanë shumë punë. Nuk është çudi pastaj që bibliotekat trajtohen si barrë për shtetin.

E vërteta është se në Evropë bibliotekat trajtohen si qendra të rëndësishme për zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik të komunitetit.

Padyshim që ato janë së pari vende ku të rinjtë aksesojnë libra shkencor tepër të kushtueshëm për t’u blerë. Por bibliotekat gjithashtu ofrojnë ambiente studimi dhe pune për student dhe profesionistët e rinj. Ato gjithashtu shërbejnë edhe si ambiente sociale për të rinjtë, të cilët formojnë klube letrare.

Prandaj, në kohën kur pjesa më e madhe e shërbimeve publike ofrohen online, biblioteka mund të jetë një qendër e mirëfilltë shërbimesh për komunitetin. Duke përfshirë aplikime për studime, aplikime pune, marrje dokumentesh zyrtare, apo edhe mësimin e një gjuhe të huaj.

Ky rikonceptim i rolit të bibliotekës mund të sigurojë burime alternative nga njëra anë, por mund të rrisë edhe rëndësinë e saj në sytë e komunitetit.

Dhe këtu vijmë tek problemi i tretë, që është ndërgjegjësimi i komunitetit për rëndësinë e bibliotekës.

Bibliotekat e para nuk u ndërtuan nga shteti, por nga donacione private. Kështu në vitin 1929 një shtetase angleze ndërtoi bibliotekën e parë për të rinjtë e Tiranës (Canova). Në 30-ën tregtari Turtulli ndërtoi bibliotekën në Korçë, ndërsa Baholli në Elbasan. Po kështu edhe familja Harxhi ndërtoi bibliotekën e parë të Vlorës.

Ndërkohë sot, 90 bizneset e mëdha, dhe 1200 biznesmenët e tjerë të Pogradecit, mund të kenë më shumë para seç kishin tregtarët e para 100 viteve, por ata nuk dhurojnë më për bibliotekën e qytetit, ndërkohë që nuk ngurojnë të dhurojnë për partitë politike.

Nga ana tjetër, bashkia ka treguar se reagon shpejt në raste kur ka presion publik, siç ishte psh; riparimi i tarracës së një partie politike opozitare. Çka na bën të besojmë se nëse komuniteti do të ishte më i shqetësuar për gjendjen e bibliotekës, bashkia do të kishte reaguar më shpejt për këtë çështje.

Sigurisht që një situatë e tillë, ku libri dhe bibliotekat vlejnë më pak sot se njëqind vjet më parë, vjen edhe si pasojë e ndryshimit që ka pësuar shoqëria shqiptare dekadat e fundit, përfshi këtu (ndër të tjera) vënien e parasë në bosht të jetës shoqërore nga njëra anë, dhe klimës së pasigurisë nga ana tjetër.

Rrjedhimisht, shumë gjëra, përfshi edhe bibliotekën, sot jo vetëm maten me metrin e përfitimeve ekonomike, por këto përfitime duhet të jenë të shpejta. Kështu që edhe pse leximi sjell zhvillim ekonomik, sidomos në kohën e ekonomisë së dijes, ai prapë shihet si humbje kohe përpara nevojave urgjente, apo mundësive për të bërë para sot, pavarësisht kostove që mund të paguajmë nesër.

Çfarë rekomandojmë:
Të rinjtë e qytetit, në bashkëpunim me median, të ushtrojnë presion mbi Bashkinë që buxheti i parashikuar së fundmi për bibliotekën të përdoret për ta kthyer bibliotekën në një qendër multi-funksionale.
Stafi drejtues i Bibliotekës të shfrytëzojë hapësirën që i jep ligji për të siguruar fonde alternative përmes ofrimin të shërbimeve shtesë në bibliotekë.
Bashkia të kërkojë zbatimin e ligjit që i ngarkon shtëpitë botuese të depozitojnë një kopje nga librat e tyre në bibliotekën e qytetit.
Biblioteka, duke bashkëpunuar me 11 mijë anëtarët e saj, të ndërmarrë një fushatë për të kërkuar ndihmën e bizneseve lokale dhe komunitetit.